
Pas rënies së Krujës, Drishtit, Dejës dhe Shkodrës më 1478 dhe paqes së 25 janarit 1479, Arbëria Venedikase (Albania Veneta) përbëhej nga portet shqipfolëse nga Durrësi deri në Tivar, ku bënin pjesë Lezha dhe Ulqini që mbetën në duart e venecianëve edhe gjatë periudhës moderne, përkatësisht Durrësi deri më 1501, në përfundim të Luftës Veneto-Turke 1499-1502, Lezha deri më 1506, si dhe Tivari dhe Ulqini deri më 1571, që u njohën nga Venecia si pjesë e Perandorisë Osmane pas marrëveshjes së paqes më 7 marsit 1573.
Kah gjysma e shek. XVI për sindikët (inspektorët shtetërorë) venedikas çështjet ishin të qarta. Prandaj Bon dhe Erizzo, sindikë për Dalmacinë, më 1559 flasin në Senat mbi rëndësinë politike të Ulqinit dhe pohojnë se vetëm ai qytet, në të cilin atëbotë jetonin kyesisht arbrit, “ia siguron ofiqin Arbërisë”, sepse Shkodra, Kruja, Durrësi dhe qytete të tjera tashmë ndodheshin në duart e turqve. Antonio Diedo, në cilësinë e sindikut, në shek. XVI do ta radhisë Ulqinin “ndër qytetet që gjendet në fillim të Arbërisë, e në fund të Dalmacisë”. Ai thoshte se Ulqini është i rëndësishëm për hir të Arbërisë, nga e cila përndryshe, siç shton në mënyrë precise, “Shkëlqesisë Tuaj i mbetet vetëm titulli”. “Nëse jo për arsye të tjera – vazhdon Diedo – posedimi i lashtë i Ulqinit flet për të drejtën e Venedikut mbi territorin arbëror. Dhe derisa Ulqini të jetë nën Venedikun, arbërorët do të jetojnë me shpresë të fortë”.
Pasi që territoret venedikase, para sulmeve osmane, zvogëloheshin gjithnjë e më shumë, edhe “proveditori i Arbërisë” u detyrua të shpërngulej në seli tē tjera, kështu që pas rënies së Shkodrës kaloi në Ulqin. Andrea Barbo ishte më 1410 kont dhe kapiten në Ulqin. Këtej “u tërhoq” titulli i proveditorit, gjersa arriti në Ulqin, në mënyrë që më në fund të lidhej për proveditorin e jashtëzakonshëm.
Në vitin 1499, në Ulqin e ndeshim A. Michael-in, që më parë ishte princ dhe kapiten i Ulqinit.
Në përgjithësi, Venediku i qeveriste çuditërisht zotërimet e tij arbërore dhe dalmate me dorë të lehtë. Në çdo vend zakonisht do të kishte tre zyrtarë kryesorë venedikas: një guvernator civil (i quajtur “Podesta”, “Conte” ose “Rettore”- mëkëmbës), një guvernator ushtarak (Capitano) dhe një adminstrator financiar ose shambelan (Camerlengo).
Në qytete të vogla si Ulqini, dy postet e para mund të bashkoheshin. Se sa të rrepta ishin rregullat, kjo mund të shihet nga tërësia e udhëzimeve zyrtare që Doxhi i Venedikut i dha Andrea Marcello-s, kur ky i fundit u emërua guvernator i Ulqinit në vitin 1513. Këto udhëzime në formë urdhrash zbatonin një model standard. Ja disa prej këtyre udhëzimeve:
- Kur të mbërrini atje, nuk duhet të mbani asnjë fjalim.
- Ju ndalohet të merreni me tregti.
- Askujt nuk mund t’i jepni rrogë pa lejen tonë.
- Natën nuk ju lejohet ta kaloni jashtë kështjellës së Ulqinit, përndryshe dënoheni me gjobë.
- Nëse vidhni të holla nga domeni ynë, jeni i detyruar t’i ktheni dhe do të zhvisheni përgjithmonë nga të gjitha nderimet patriciane (borgjezia e lartë, v. j.).
- Brenda pesëmbëdhjetë ditëve të kthimit në Venedik duhet të paraqisni llogari të plota të shpenzimeve.
- Emblema juaj heraldike mund të gdhendet ose të pikturohet vetëm në një vend, thjesht, me një kosto jo më shumë se dy dukatë.
- Asnjë djalë, nip apo i afërm i juaji nuk mund t’i shesë një punonjësi të shtetit kalë, cohë leshi a mëndafshi, veshje ose argjend etj.; këtë nuk mund ta bëni as ju, përndryshe do të dënoheni me zhveshje nga të gjitha funksionet për pesë vjet.
- Të gjitha gjobat që vendosni duhet të jenë me shkrim ose të arsyetuara.
Tregtia venedikase në Ulqin ishte e lidhur ngushtë me administrimin e saj, çka nuk habit kur kemi parasysh funksionin e dyfishtë që ushtronin shumë venedikas – si tregtarë dhe si funksionarë. Kripën dhe drithin shumë tregtarë e merrnin nga magazinat shtetërore. Në një dokument të vitit 1436 bëhet fjalë për procesin kundër funksionarit të kripës Zuan Sabazi në Ulqin, i cili u padit në Venedik se kishte shitur pa leje kripë të shtetit në Pirgon osmane dhe në disa vende të Arbërisë Venedikase. Sabazi, me urdhër të kontit të Ulqinit, Michele Cavaorta, kishte ngarkuar në maj 1433 kapitenin Nicolò di Tomio që të sillte nga Korfuzi në Ulqinin nevojtar një furnizim me kripë të miratuar nga dozha.
Qysh para konfliktit me osmanët, Ulqini ishte bërë barrë së tepërmi për Republikën e Shën Markut, si një qark tejet i varfër. Qyteti vuante shumë për shkak të pozicionit të tij si pararojë e frontit kundër Balshës dhe serbëve, sulmet e të cilëve ai i ndiente i pari. Veç kësaj, ranë edhe të ardhurat e qytetarëve që jetonin nga vreshtaria për shkak të konkurrences që u bënin fshatarët e krahinave përreth.
Që në vitin 1412 mëkëmbësi venedikas njoftonte nga Ulqini se: “… ky vend ka mungesa të mëdha dhe banorët tanë jetojnë aty në të tillë varfëri sa nuk mund të jetojë e të banojë dot njeriu”; ndërsa më 1450 ky vend quhet “i vobektë si lypsar”. Për ta zbutur disi skamjen, më 1412 Venediku mori 50 ulqinakë ushtarë në shërbim të shtetit dhe dërgoi në këtë qytet një ngarkesë drithi. Subvencionimi i Ulqinit u bë diçka e rregullt.
Në dokumentet venedikase hasim edhe në një vendim gjyqësor ku shkruan;
“1414, mars 28, Venedik – Nikoleta, gruaja e Marsilit nga Ulqini paditet se ka kryer një adulteri dhe merret vendimi që ajo (Nikoleta) të futet për katër muaj në një nga burgjet e poshtme dhe të humbasë prikën e vet, e cila t’i mbetet e t’i përkasë burrit të saj. Dënohet me dy muaj burgim edhe burri që ka kryer me të adulteri (tradhti bashkëshortore)”.
Me 1425 ushtarët kishin arritur deri aty sa t’i linin peng armët e tyre për të marrë ca para, pasi rroga nuk u paguhej prej një kohe të gjatë. Senati urdhëroi që Lezha (1428) dhe Korfuzi (1431) të bënin pagesa balancuese si dhe ia fali Ulqinit kthimin e borxheve ndaj Korfuzit.
Faza e dytë e sundimit venedikas filloi në Ulqin me privilegje ndaj Francesco Foscarit në vitin 1423, në Tivar me luftën e Venedikut kundër Bosnjës (1443). Në dokumentin e vitit 1423 në Ulqin dalin më qartazi në pah përkrahësit udhëheqës; ashtu si më 1405 fjala është thuajse vetëm për fisnikët nga familja Nichi (apo Nicho), de Senis dhe Mexi, të cilët kryejnë bisedime në emër të të gjithë nobiles dhe populares. Këtij grupi të përkrahësve të Venedikut u përkasin në Ulqin edhe Jacho de Chamazo, Edome de Pinze dhe Marco de Chanaza, të cilët morën si shpërblim për disa vjet një katund meqë më 1405 kishin përkrahur qartas Venedikun (“viriliter et fideliter se gesserunt”).
Lidhur me pamaliotët (anamalasit), më 1424 ishin Niche dhe Georgio “Erman” dhe Theodorio “Armenia”; Niche përshkruhet si udhëheqësi i pamaliotëve. Më 1505, një listë e anëtarëve të këshillit vendor përfshinte njëfarë “Georgius Armani vaiyvoda“, ku “vojvodë” ishte term i përdorur gjerësisht për një drejtues ushtarak.
Fisnik ishte edhe Basilius Luce, i cili më 1425 kujtoi se edhe i ati kishte luftuar për çështjen venedikase qysh në fillim të shekullit XV, si kundër Balshajve ashtu edhe kundër serbëve.
Duhet nënvizuar se në krye të shoqërisë ulqinake ishte Petrus de Nicho. Ai zotëronte një numër shtëpish, një mulli dhe vreshta të shumta prej Ulqini deri poshtë në Kakarriq, d.m.th. edhe jashtë qarkut komunal të Ulqinit.
Giovanni Battista Giustinian-i shprehte lehtësim të vërtetë kur bënte komentin e cituar tashmë se mes ulqinakëve “nuk ka mëri të skajshme apo urrejtje të ndërsjella”; por kjo gjendje deri-diku e paqtë mund të ketë qenë shumë më tepër për shkak të dobësisë së familjeve patrice (borgjeze, v. j.), sesa e dashamirësisë së tyre.
Një listë e përpiluar nga guvernatori venedikas më 1505 radhit vetëm njëmbëdhjetë persona, dy prej të cilëve i përkisnin së njëjtës familje; vetëm një prej dhjetë mbiemrave – “Dabre”, mund të thuhet se kishte lidhje me familjet Bruni ose Bruti.
Një zyrtar venedikas që e vizitoi Ulqinin në vitin 1553 shënoi se aty jetonin 300 familje me 1600 banorë gjithsej, prej të cilëve 300 ishin burra në moshë për të luftuar. Në vitin 1553 Kalaja mbahej vetëm me tetë ushtarë, nën komandën e një oficeri venedikas, si dhe tetëmbëdhjetë ushtarëve këmbësorë nën komandën e një kapiteni nga Padova, nëntëmbëdhjetë “stradiotë” (pjesëtarë të kalorësisë së lehtë) nën komandën e dy kapitenëve shqiptarë dhe 24 ushtarëve martolos (term i përgjithshëm për luftëtarët vendas të Ballkanit).
Nga të gjitha luftërat në shekujt XVI, XVII dhe XVIII, Lufta e Qipros (18 mars 1570 – 7 mars 1573) u ka sjellë këtyre viseve pasojat më të mëdha. Jo vetëm se në këtë luftë humbën Ulqini dhe Tivari, po ashtu Budva dhe Perasti, por edhe nga shtimi i kusarisë, plaçkitjeve. Rrethanat e kohës, përfshirë sëmundjen e murtajës, sollën një vobektësi të përgjithshme në këto treva.