Në Triesh pavarësisht rrethanave tëdisfavorshme historike, ruhet pothuajse e paprekur tradita folklorike

Gjekë Gjonaj

Trashëgimia shpirtërore e popullit shqiptar vjen e përfaqësuar nga një pasuri vlerash të cilat, për nga dimensioni e rëndësia, gjatë gjithë historisë së popullit tonë kanë luajtur rol të madh për ruajtjen e forcimin e identitetit kombëtar, duke u bërë dhe faktor për zhvillimin e formësimin e arteve të kultivuara, si: muzika, letërsia, koreografia apo artet e tjera pamore.
Folklori, i njohur si art i natyrës sinkretike, zanafillën e ka të hershme. Ai lindi, u zhvillua, u rrit dhe u konfigurua bashkë me shqiptarin, duke u trashëguar nga pararendësit e tij. Përmes tij populli ynë ndër shekuj manifestoi talent të spikatur, potencial shprehës shpirtëror, aftësi të mëdha promovuese.
Trieshi, si vet Malësia, ka historinë e vet, e cila madhërisht integrohet në historinë e gjithmbarshme kombëtare. Shekujt e rezistencës dhe të luftërave të vazhdueshme për liri dhe çlirim kombëtar ndodhën edhe në Triesh. Këta shekuj luftërash lanë gjurmët e veta që u përjetësuan përmes këngëve popullore, në mënyrë mjaft besnike, por edhe në faqet e historisë së gjithmbarshme kombëtare.
Pas ndarjes së tokave shqiptare dhe të vënies së kufijve në mënyrë të padrejtë nga ana e fuqive të mëdha, më 1913, krahina e Trieshit, edhe pse një tërësi etnike dhe kompakte kombëtare, mbeti jashtë kufijve të shtetit amë – Shqipërisë. Por, pavarësisht viteve të shumta të ndarjes dhe të mungesës së një komunikimi të drejtpërdrejtë dhe më intensiv, të cilat lanë gjurmë të dukshme, megjithatë nga ana e popullsisë së kësaj krahine u arrit që të ruhet pothuajse e paprekur tradita folklorike, zakonet, adetet, kënga etj..
Këngëtari ynë popullor me një mjeshtëri të rrallë prej artisti të lindur dhe me mjaft besnikëri ka arritur të paraqesë të vërtetën historike dhe rolin e Trieshit në proceset e ndryshme të ndodhura gjatë historisë. Këto ngjarje i ka përcjellë kënga popullore:
“Djelt e Trieshit po bajnë gajret,
Nuk dvesin kral as mret ,
Por luftojn gjasht dit e net,
Gjasht ditë e net kan luftua,
As s’jan pet as s’jan varrua,
E nizamin e kanë çua ,
Tokne babs e kan lirua.
Ka tije krali e ka tije mreti,
Ën Urë t’ Lemajës u ba gazepi ,
Se ën Luk t’Cemit po ktote zana,
Si Trieshjan nuk ban ma nana”
Vargjet e thurura nga këngëtari ynë popullor në mënyrë mjaft koncize tregojnë se si edhe Trieshi dhe djemtë e tij të devotshëm mbajnë në dorë pushkën, vetëm e vetëm që kjo tokë një ditë të shihte dritën e lirisë. Këto janë vargje që të kujtojnë një luftë të pabarabartë dhe të tmerrshme të zhvilluar në këtë krahinë në fillim të shekullit XX, e njohur si Lufta e Lemajës kundër ushtrisë osmane, e zhvilluar në Cem të Trieshit në vitin 1907, e cila i parapriu luftës në Deçiq në vitin 1911dhe pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912.
Ky heroizëm dhe këto luftëra të pareshtura të popullit trieshian, janë një pasqyrë treguese e përpjekjeve të vazhdueshme të këtij populli për të dhënë kontributin e tij në çdo kohë në zgjidhjen e çështjes sonë kombëtare nëpër shekuj. Shekujt e rezistencës dhe të luftërave të vazhdueshme për liri dhe çlirim kombëtar ndodhën edhe në Triesh. Këta shekuj rezistencash e luftërash lanë gjurmët e veta që vërehen jo vetëm në vargjet e cituara më lartë, por edhe në faqet e historisë së gjithmbarshme kombëtare.
I theksova këto vargje të këngës popullore historike “Lufta e Lemajës” , jo vetëm për të paraqitur epitetin e kësaj krahine si një krahinë tashmë e njohur me tradita të shquara atdhetarie, por edhe për të prezantuar një sintezë të rëndësishme të rolit dhe kontributit të Trieshit në kultivimin dhe ruajtjen e traditave të pastra shqiptare gjatë të gjitha periudhave të historisë.

Rapsodët popullorë trieshianë kanë thurur dhe kënduar jo vetëm këngë epiko- historike , por edhe këngë lirike, përmes të cilave ata kanë shprehur ndjenjat, dëshirat, shqetësimet dhe përjetimet e tyre intime. Në lirikën popullore bëjnë pjesë një larmi këngësh, që dallohen nga motivet, ndjenjat dhe mendimet që shprehin. Midis tyre, vend të veçantë zënë këngët lirike familjare (për lindjen, martesën dhe vdekjen), ku përfshihen edhe ninullat (këngët e djepit), këngët e dasmës, vajet, këngët e dashurisë, këngët e mërgimit, këngët zbavitëse, këngët e fëmijëve, këngët e punës etj.. Këto këngë e kanë humbur karakterin ritual të hershëm, por kanë ruajtur mjaft elemente zakonesh të vjetra.
Nëna trieshiane me këngë e vë djalin në gjumë, duke e përkundur në djep:
“Nina, nana, flej moj bir,
Flej se gjumi t’ban mir.
Nina, nana, ën djep t’drunit,
Rriçmu djalë e gitshi nunit.
Nina, nana, ën djep t’arrs.
Rriçmu djalë e gitshi axhs.
Nina, nana, t’vë ën gjum,
Ty t’thot nana: “lum,lum!”
Eja gjum e merre pak,
Merre pak e bjere prap ,
Mos e paj veç dy sahat:
Dy sahat e izet dekika,
Lumja, nana, e lumja çika!”
Këngët e djepit janë me vlera që nuk mund të maten. Nuk mund të diskutohet fakti që nëna, i këndon me shumë dashuri fëmijës që ka lindur, cilado që të jetë gjinia e tij. Në Triesh , preferohen lindjet meshkuj, por kjo nuk e lë aspak në hije të kënduarit, në djep të vajzave, pavarësisht nga preferenca. Në këngët e djepit, nënat luten që fëmija i tyre të ngjajë nga të parët dhe të ketë vlera, në familje e shoqëri. Nëpërmjet nina-nanave, djemve u urohet të bëhen trima e punëtorë, si “X” apo si “Y”; vajzave – të bëhen të mira, nikoqire, të rriten me shtat si selvi; si pemë frytdhënëse, ta mbushin oborrin me fëmijë, të jenë të paqme, të urta, të sjellshme dhe të ndershme.

Të fundit

më të lexuarat