Mendja – trupi – shpirti

Gazmend Çitaku

Arti i fotografisë që nga fillet e veta gjithmonë ka tentuar krijimin e një forme sa më unike të të shprehurit, kurse mesazhet që transmeton të jenë sa më të ndryshme.
Nëse shikojmë mbrapa në historinë e njerëzimit mësojmë se projeksionet e para fotografike kanë qenë të njohura që në parahistori. Për fenomenin “Camera obscura” ka pasur njohuri jo vetëm Aristoteli por edhe shumë dijetarë të antikitetit. Në mesjetë, merren iniciativa për projeksione të imazheve përmes vrimës dhe dhomave të errëta andaj edhe DaVinçi ka bërë eksperimente të tilla. Më 1838 vjen edhe fotografia e parë përmes dagerrotipisë. Këtë foto e ka bërë Louis Daguerre i cili tenton të fotografojë rrëmujën e njerëzve në rrugë mirëpo meqë ekspozicioni ishte i gjatë, pothuaj10min, bëri që në fotografi t’i dalin vetëm objektet e palëvizshme dhe një lustraxhi që lustronte këpucët e zotërisë.
Që nga kjo kohë, fotografët bëjnë tentime për avancimin e teknikës së fotografisë e me këtë edhe të formojnë gjinitë apo fushat ku ata pastaj do të lëvrojnë e eksperimentojnë, me dritë e hije, duke avancuar “shkrimin me dritë”. Vetëm 19 vjet pas fotografisë së parë, më 1857 këtu në Shkodër bëhet shkrepja e parë e fotografisë te ne. Pjetro Marubi i pari, e pas tij “shkrimin me dritë” e vazhdojnë pasardhësit e tij Keli e Gega dhe maestrot shkodranë si Kolë Idromeno, Angjelin Nenshati etj..
Me kalimin e kohës fotografitë në studio dhe natyrë filluan të bëhen shabllone andaj edhe lindi nevoja për lëvrimin e llojeve të reja të metodave të fotografisë. Në perëndim fotografë dhe entuziastë të ndryshëm bënin eksperimente që të nxirrnin kombinime sa më unike dhe të papara. Vlen të përmendet se shumë është eksperimentuar dhe se janë të njohura tentimet për fotografimin e shpirtit e në këtë fushë më i avancuari ishte William Hope, të cilin Arthur Conan Doyl e mbështet përmes botimit të librit “The Case for Spirit Photography”, botuar në vitin 1922. Eksperimente me fotografi ka bërë edhe Kolë Idromeno por që Gjon Mili patjetër se është mjeshtri unik i “shkrimit me dritë” apo më mirë të themi “pikturimit me dritë”.
Le të flasim pak për fotografitë e mikut tonë Fahredin Spahija.
Për mua, këto fotografi të paraqitura në këtë ekspozitë që Fahredini e ka quajtur “Shpirti dervish”, flasin përmes energjisë që rrezatojnë apo më mirë të themi flasin përmes Aurës. E të krijosh fotografi të zhanrit Aura duhet të jeshë një njohës dhe krijues i fotografive që i takon i nivelit të lartë.
Këto fotografi kanë koncept mitik, dhe mua më bindin se Fahredini lëvron zhanrin e Aurës, zhanër ky i cili në vetvete është një praktikë mitike kështu para dashamirëve të fotografisë u shpaloset realiteti se fotografia nuk është vetëm një klik siç jemi mësuar të dëgjojmë, por është një Art.
Në këtë ekspozitë unë dalloj edhe konceptin e diellit apo rrotullimit rreth tij. Ky fenomen nga artistët paraqitet përmes formave të ndryshme që nga parahistoria kurse me rritjen apo avancimin shpirtëror të njeriut edhe paraqitja e tij ka qenë prej atyre më primitive deri tek të shprehurit artistik sikurse e bën miku ynë, me Aurë.
Dikush nga ju do të thotë: “ Po si Fahredin Spahija bën fotografi të këtij zhanri kur të gjithë e dimë se Aurën ose kapjen e fushave të energjisë që rrethojnë qeniet e gjalla mund të bëhet vetëm përmes kamerave speciale?”
Fahredin Spahija beson dhe e di se çdo gjallesë ka një fushë energjie që e rrethon. Kështu, ai me përvojën shumë vjeçare të fituar me krijimin e fotografive di se si ta kapë dhe ta transmetojë këtë Aurë te ne. Ai e di se sekreti qëndron te ngjyra, andaj edhe energjia e kapur më së miri pasqyrohet përmes tyre. Pra, ngjyrat kanë kuptime të rëndësishme në leximet e energjisë.

Fahredini njeh mirë edhe kuptimin e ngjyrave andaj edhe këto fotografi bardhezi ku përmes nuancave mes të bardhës e të zezës që shfaqen në atmosferë mund të zbulojnë shumë për energjitë e një personi të këtyre veprave artistike.
Aura që vjen tek unë përmes fotografive të ekspozitës “Shpirti dervish” të mjeshtrit të fotografisë Fahredin Spahija më përcjellin këto mesazhe: Mbrojtje, mbijetesë, introspektivë (vetënjohje), stabilitet.

Fjala me rastin e hapjes së Ekspozitës “Shpirti dervish”
e fotografit Fahredin Spahija,
në Bibliotekën Publike “Marin Barleti” Shkodër, 18.11.2024

Të fundit

më të lexuarat