Ulqin – Romani i shkrimtarit Stefan Çapaliku, “Një engjëll veshë me frak”, botim dygjuhësh (shqip dhe malazezisht) i botuar nga Enti i Teksteve dhe i Mjeteve Mësimore – Podgoricë, është përuruar të enjten mbrëma (20 shkurt 2025) në Librarinë “Ulqini”.
Ai flet për një kohë të çmendur, për një realitet absurd në kohën e komunizmit në Shqipëri, ku në qendër të romanit është kompozitori i njohur shqiptar Prenk Jakova, autori i operës së parë shqiptare “Mrika”. Fati tragjik i Jakovës dhe familjes së tij, i ka shërbyer autorit si pikënisje për romanin e tij.
Çapaliku ka thënë se në botën shqiptare, fatkeqësisht, kanë ndodhur gjëra kaq të tmerrshme saqë një brez tjetër mendon sikur ti i ke shpikur.
“Ti nuk i ke shpik hiç, ti ke treguar të vërtetën. Por e vërteta është kaq absurde, e vërteta nuk i ndjek ligjet e fizikës, ligjet e biologjisë, ligjet e shoqërisë, saqë një i ri thotë që ti e ke shpikur, ky është fiksion. Për shembull, siç i ndodhte personazhit tonë: e arrestojnë, e fusin në burg, i vrasin vëllanë dhe i thonë: bëj tashti këngë për partinë”, ka theksuar ai.
Shkrimtari ka thënë se ka marrë një fakt nga historia, sepse e di mirë që ky fakt është kaq i çuditshëm, saqë në veshët dhe sytë e lexuesit që nuk e ka përjetuar atë kohë mund të duket si trillim.
“Tragjedia që ndodh brenda këtij personazhi, pra fakti që e detyrojnë të shkruajë muzikë për ata që e kanë dhunuar, është i pazakontë në letërsinë shqipe”, ka thënë Çapaliku.
Ai ka treguar se romanet e tij kanë lidhje me njëri-tjetrin dhe i përkasin atij lloji që njihet si letërsi e formimit dhe se romani “Një engjëll me frak” e shpjegon më së miri titullin e romanit të tij të mëparshëm “Mbyllur për pushime”, që vetëm pushime nuk janë.
Redaktori i botimeve në gjuhën shqipe në Entin e Teksteve dhe Mjeteve Mësimore, Dimitrov Popoviq, i cili edhe e ka udhëhequr përurimin, ka treguar qëllimin dhe arsyet e botimit të këtij romani nga ky institucion.
“Së pari, ne kemi këtë vit 30-vjetorin e krijimit të Entit tonë dhe njëkohësisht 50-vjetorin e organit ‘Prosvjetni rad’, që botojmë ne si Ent. Pa dyshim që kemi pasur si synim të vazhdojmë të botojmë sipas traditës nga autorët që i kemi të përfshirë në programin mësimor të shkollave tona, me qëllim që të zgjerojmë dijet rreth autorëve që mësohen, por edhe të tjerëve që i vlerëson bota shqiptare”, ka thënë ai.
Popoviqi ka theksuar se romani i ka bërë përshtypje për shumë arsye.
“Së pari, e kam të njohur dhe të jetuar qytetin ku shkruhen ngjarjet, dhe jo pak prej çfarë përshkruhet aty është e njohur për mua. E njoh Shkodrën, e kam njohur kompozitorin e madh e këtu personazhin kryesor, por edhe ndonjë personazh tjetër që në lojën e tyre në dorë të shkrimtarit, paraqiten kryesisht në (jo)vërtetësinë e tyre, por ashtu siç edhe thuhet në motivacionin e nderimit personazhe me referenca polivalente. Këtu në roman nuk bëjmë histori, por diçka nga jeta, nga historia e trajtojmë në art, aty ku dy edhe dy nuk bëjnë katër. Tani këto personazhe i njoh edhe më mirë”, është shprehur ai.
Redaktorja e librit në gjuhën malazeze, Maja Mallbashki, ka thënë se romani flet për të mirën ashtu siç flet për të keqen.
“Nëpërmjet ‘farefisnisë letrare’ – por edhe muzikore, sepse në këtë roman, përveç letërsisë, një rol të rëndësishëm luan muzika – gjejmë pjesë të botëve tona, ndaj gjendemi lehtësisht në situatat shoqërore në Shkodrën e viteve ‘60 të shekullit të kaluar. Qyteti është një hapësirë reale në roman, dhe në atë grumbull tregimesh të qytetit merr jetë (Prenk Jakova) i vërtetë, d.m.th. personazhi fiktiv Pol Gjakova, i cili vërtet hapi një teatër të ri në Shkodër në vitin 1958 me operën e tij kombëtare ‘Mrika’”, ka thënë ajo.
Duke iu referuar autorit, i cili apostrofon në roman se “Shkodra është Shkodër, një qytet kokëfortë, i cili nuk i është nënshtruar plotësisht veprimeve të mëdha emancipuese të Partisë”, Mallbashki ka thënë se “këtu e kanë zanafillën edhe veprimet e shumicës së personazheve të romanit, si dhe përpjekjet e tyre për të pushtuar hapësirën ‘e lirë’ – personale dhe artistike”.
Romani “Një engjëll veshë me frak” është vlerësuar me Çmimin “Romani më i mirë i vitit” më 2022 në konkursin për ndarjen e Çmimeve Kombëtare të Letërsisë, të organizuar nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit.
Juria e kryesuar nga Akademiku Mehmet Kraja, me anëtarë Shezai Rrokaj, Saverina Pashaj, Aida Tuci dhe Mimoza Hysa, e ka vlerësuar romanin e Çapalikut me motivacionin: “Për një shkathtësi rrëfimi dhe gjetjesh të përdorura tradicionalisht në prozën romanore, tejkalon këtë kufizim dhe veprës i jep shtrirje më të gjerë dhe personazhit referencë polivalente”.
Në fund, autori është përgjigjur edhe në disa pyetje të publikut të pranishëm në përurimin e romanit.
Përurimi është organizuar nga Enti i Teksteve dhe i Mjeteve Mësimore – Podgoricë në bashkëpunim me Librarinë “Ulqini”.
i. k.