Letërsia si homazh ose kur ikin shkrimtarët

Shkrimtarët janë njerëz si të tjerët vetëm në kuptimin e ekzistencës fizike, por ata kanë botën e tyre të veçantë dhe me krijimtarinë e vet i kanë siguruar vetes përjetësinë. Shkrimtarët nuk jetojnë (vetëm) për veten, ata jetojnë edhe për të tjerët. Mbase letërsia sot nuk e ka rolin dhe ndikimin që ka pasur dikur, por ajo vazhdon t’i frymëzojë njerëzit e mendimit të lirë anembanë botës

Ismet Kallaba

Çdo ikje nga kjo botë është e dhembshme, por kur ikin shkrimtarët të duket se një pjesë e jotja është shkëputur, sepse je rritur dhe ke jetuar me veprat e tyre. Shkrimtarët janë njerëz si të tjerët vetëm në kuptimin e ekzistencës fizike, por ata kanë botën e tyre të veçantë dhe me krijimtarinë e vet i kanë siguruar vetes përjetësinë. Shkrimtarët nuk jetojnë (vetëm) për veten, ata jetojnë edhe për të tjerët. Mbase letërsia sot nuk e ka rolin dhe ndikimin që ka pasur dikur, por ajo vazhdon t’i frymëzojë njerëzit e mendimit të lirë anembanë botës.

Shkrimtarët janë “të privilegjuar”, sepse edhe kur ikin na lënë letërsinë e tyre si homazh. Sa herë që lexojmë një vepër letrare, ne përkujtojmë autorin e saj dhe në njëfarë mënyre bëjmë homazhe për të


Në fillim të muajit të kaluar letërsia shqipe humbi zërin e saj kryesor, shkrimtarin që letërsinë e një populli dhe gjuhe të vogël e bëri të përbotshme. Ismail Kadare ka personifikuar identitetin letrar shqiptar dhe ka qenë pasaporta jonë në botë. Veprat e Kadaresë përbëjnë një testament letrar që pret të zbërthehet nga studiuesit e letërsisë në të ardhmen, tashmë në një dritë të re, në mungesë të pranisë së autorit. Askush si Kadareja nuk ka arritur ta bëjë zëmadhe letërsinë bashkëkohore shqipe, saqë ajo me të drejtë mund të periodizohet në letërsinë gjatë dhe pas Kadaresë. Të gjithë ne ndjehemi nga pak krenarë që jetuam në epokën kadareane. Por pas ikjes së tij, shumë pyetje lindin vetvetiu, ndër to më kryesorja pyetja retorike: A do të jetë letërsia shqipe e njëjtë edhe pas vdekjes së Kadaresë?!

Ismail Kadare ka personifikuar identitetin letrar shqiptar dhe ka qenë pasaporta jonë në botë. Veprat e Kadaresë përbëjnë një testament letrar që pret të zbërthehet nga studiuesit e letërsisë në të ardhmen, tashmë në një dritë të re, në mungesë të pranisë së autorit. Askush si Kadareja nuk ka arritur ta bëjë zëmadhe letërsinë bashkëkohore shqipe, saqë ajo me të drejtë mund të periodizohet në letërsinë gjatë dhe pas Kadaresë


Këto janë vetëm disa nga arsyet që mbrëmja e parë e edicionit të sivjetshëm të manifestimit letrar Kalimera Poetike “Basri Çapriqi” t’i kushtohet shkrimtarit më të madh bashkëkohor shqiptar. Krahas saj do të jenë edhe dy mbrëmje autoriale me dy personalitete të letrave shqipe, bashkëkohës e për më tepër miq të Kadaresë, secili me kontribute të shquara në fushën e krijimtarisë dhe studimeve letrare – me studiuesin e letërsisë Ali Aliu dhe shkrimtarin Sadik Bejko.
Shkrimtarët janë “të privilegjuar”, sepse edhe kur ikin na lënë letërsinë e tyre si homazh. Sa herë që lexojmë një vepër letrare, ne përkujtojmë autorin e saj dhe në njëfarë mënyre bëjmë homazhe për të.

(Fjala e hapjes në edicionin e 32-të të manifestimit letrar Kalimera Poetike “Basri Çapriqi”)

Të fundit

më të lexuarat