
PËRTEJ MASKAVE
Thonë se koha shëron gjithçka
po sonte vuajtja është ‘becketiane’.
Më thonë se çdo gjâ e ka një arsye
Vetë arsyeja është ‘donkishotiane’.
Thonë se:
vuajtja është vdekje e parakohshme e mendimet gërmojnë shtresëzimet e plagëve.
Do të kalojë dhe kjo, më thonë ata.
Do të vijë dhe vdekja!
…
Shpërqendrim emocionesh të ndrydhuna
pakuptimësi…
Shpërqendrim emocionesh të ndrydhuna, veshun e fshehur nën petkun e djallit.
Dalldi e absurdit njerëzor, drithërimë e çuditshme, shkëndija shprese
Zhveshur prej shikimit fëmijënor.
Kjo hije më ndjek ngado.
M’i ngul sytë, buzëqesh dhe më verbon.
Befas bërtas, godas, blasfemoj, iki e kthehem në rrethin vicioz të dhembjes.
Janë britmat vangogiane të shpirtit. Po deri kur?
Ekzistenca ime bëhet pyetje ekzistenciale.
“Bota e hiçit, prej hiçit, për hiçin”, u rrotullonka pra, rreth “qëllimit të hiçit”.
E ky ag është gjithmonë i njëjtë.
….
Njeriu në kryq, përgjërohet për falje.
Shën Maritë në tokë, kokëulur tregojnë se vetëm ato e njohin Zotin…
Natën flen me të e në mëngjes zgjohen me barkun e rrumbullakosun.
Lutje pafund të na falë se aq dimë, e aq flasim…
Refreni mbetet i njëjtë:
“Bëj si them unë, por mos bëj si bëj unë” – le t’më dënojë qielli…
Pastaj, Zoti më tregon sekretet…
ca të tjerë në gjunj i përgjërohen e në anën tjetër, në këmbim të parajsës
pakt me djallin bëjnë…
Ky lëmsh magjik… kjo tokë e përlyer në gjak
Po vuajtja mbetet ‘becketiane’.
Koha prapë kërkon të ndryshosh ritmin, kahjen, fundin…
A mos është ndoshta fundi i fundeve?
…
Toka të thërret të ri-lindesh
Po unë?!
Vetëvrasje bëj unë, çdo ditë
duke vrarë kohën time, dritën dhe afshin e pasionit.
Ky zjarr i vuajtjes lëshon tani bulëza drite,
Në tokën e re, në ferrin e të pafajshmëve.
Një tokë e re për të moralshmit frikacakë.
Një tokë e re për hipokritët, dyfytyrëshat,
mashtruesit dhe tradhtarët e vetes – kështu nis kalvari i vuajtjeve…
Qan shpirti në kafazin e vetëkrijuar.
E ky varg është klithma shekullore
është vuajtja që lutet për shpëtim.
Kjo tokë meriton ti ta falësh…
Agimi i radhës është i përgjakur
Agimi i sotëm ishte ndoshta i fundit…
Mos prit!
“Godoja” nuk do të vijë kurrë…
KANGA LIRIKE
E SHENJTORIT
Jo fort larg qytetit, në zemër të ullishtës, është një pijetore e vjetër ku të moralshmit frikacakë dehen çdo mëngjes, para punës…
Agu i mëngjesit është ferri i vërtetë i mendimtarëve të natës…
Zhurma e aparateve shpresërremë, spineri i ruletës, dhe gotat që thehen.
Mesazhet përgjëruese që dërgohen, thirrjet e humbuna dhe përgjërimet e pashpresa.
Ah, dëshpërimi i “pishmanlinjëve” dhe dëshira e turpshme për vetëvrasje.
Këta e quajnë veten artistë, me do shkrime në zgrip të parodisë.
Këta e quajnë veten viktima të fatit, duke ecur në rrugën e Zotit.
Këta e quajnë veten “Njerëz të Mëdhenj” dhe kanë frikë të shihen në pasqyrë kur qielli ndriçon mbi shpirtin e tyre të zymtë.
Shteti i shpërblen me dekorata, e këta rrugëve tu e ndjekë “Lumbardhën e Anakreontit”.
Janë këta, të dashuruarit e Instagram-it, Facebook-ut dhe dashnorët e dikujt tjetër…
Këta pra, këta, që heshtin para çdo të lige dhe festojnë me armikun.
Tradhtarët e vetvetes!
E kam ditë që budallakia jeton në rini… por edhe në pleqni!
Muzika është krejt në plan të dytë,
Si do që të mbahesh mend; pyet djalli…
Dhe forca e arsyes lufton me mjegullën e tymit të cigareve.
Një mbas një, shkrepësa askujt s’i duhet. As ngushëllim nuk dua.
(Ora n’mur ndihet, por akrepat e kanë braktisur.)
N’krejt këtë momentum ekstaze, ndonjëherë seç ngrihem dhe më vjen turp prej vetes, prej pikturave në mur që na i ngulin sytë. Marrin forma të çuditshme dhe më zgërdhihen n’sy.
Prej mrena, gjithçka duket sublime, shenjtorë e shenjtore tu rrëfy çmendurinë e tyre.
Prej jashtë, kurva e perversa, më falni, shenjtorë duken, të gjithë.
Dhe lind dielli… është koha për të vendosur maskën.
BUK’PËRM(B)YSUN
Me helmin tand, tani lidh vargje poezish
Dhemb kafshimi i kafshatës që më mbajti gjallë
Pafajshmërinë e fsheh nën kapelën e krenarisë
e derdhen lotët në një akuarium.
Me helmin tand tani këndoj kangë hareje
dhe vallëzoj ditë e natë.
Helmin tënd e mora, ma thithën damarët
dhe tani jam e Lirë.
Portretit tënd i thura vargje duke u larguar brigjeve
ika me perëndimin e diellit dhe lashë hanën të të përndiqte.
Mora helmin që ma le ti
Dhe ta dhashë ta pish mbrapsht!
PSE
Babë!
kudo shoh hije.
E hije jam ba
edhe unë.
IKONA E RËNË
Nuk e njoh e shpesh më duhet të kujtoj kush jam e nga vij
Më duket e huaj…
si ato kukullat e bukura,
Perfekte, ashtu siç duhej të isha unë, çdoherë.
Ledhatimet, përkëdheljet e saj munguan gjithmonë.
Nuk e ndieva kurrë dorën e but’ në flokët e mi të pafajshëm.
Sytë e brishtë, ngjyrë jeshile tregojnë trishtime, rënie, lëndime
Janë sytë e një ikone të dështuar
janë sytë e pendesës.
Aroma e saj, që mungoi kaq shumë, përzihet me tmerrin e ikjes…
I bie derës dhe del e më buzëqesh te pragu i shkallës
Ai prag është gjithmonë i thellë
Ta kaloj nuk mundem.
E çuditshme apo?
Më bën të pendohem për ekzistencën
më jep ndonjë puthje tek-tuk
Ende më qorton që nuk u bëra perfekte
Që mangësitë e mia prekin plagët e saj
Që ekzistenca ime është sfidë më vete
Që gjithçka që jam unë
është pak po e sigurt
Nuk është kopje
e Asaj!
(Që bërtas, godas, blasfemoj, iki e kthehem)
Rikthehesh në strofkën tënde – thotë ajo
S’guxoj ta mohoj.
Kjo dhimbje e koklavitun
jeton në skutat më të errëta të shpirtit dhe kalvari i kësaj vuajtjeje të përjetshme
S’jam unë!
Kjo vuajtje e mundimshme m’i vizaton rrudhat në fytyrë
aromën më duhet t’ia vjedh që ta kujtoj në ndonjë ditë të vështirë.
Po sa keq, ndiej keqardhje, edhe përqafimi i fundit do të jetë i ftohtë
si në një varrim, bardhë e zi.
Tani e shoh të penduar.
I lagë me lot mollëzat e kuqe që dikur m’i rrihte me thupur thane
e loti rrëshket rrëke
Po ngrin!
Trëndafilat vyshken, gjethet bien, dielli ikën, deti tërbohet
Vjen vjeshta, dimri dhe zemra bëhet gur.
Ajo ma mohoi fëmijërinë
Kam faj unë?!
Prezenca, mallkimi i syve hijerëndë
Flokët e shkulur në grusht dhe britmat nëpër qoshet e shpisë
Dua ta kuptoj!
Dua ta fal…