Kraja në fokusin e aktiviteteve evropiane

Korab Kraja

Dikë me biçikleta nga Shkodra, dikë tjetër me vetura nga rrethina, ndërsa dikë me avion nga Gjermania, i mblodhi në Krajë qëllimi i përbashkët kulturor dhe natyror për të kremtuar aktivitetin “Ditët e Brezit të Gjelbër Evropian”. Të mbledhur nën moton “Lidhja e natyrës, kulturës dhe komunitetit”, aktiviteti u mbajt në fshatin Muriq dhe në lokalitetin e ublave të Bolajve në Ostros. Të veçantë këtë aktivitet e bën edhe prania e nxënësve nga shkolla e mesme e Ulqinit, të cilët kontribuuan që organizimi të plotësojë edhe kushtin edukativ-informues. Mikpritës të këtij manifestimi ishin Shoqata Muriqi dhe Shoqata Besi, të dyja shoqata vendore.
Siç e tregon vizioni i Iniciativës së Brezit të Gjelbër Evropian (europeangreenbelt.org), është që “trashëgimia jonë e përbashkët natyrore përgjatë vijës së ish-Perdes së Hekurt duhet të konservohet dhe restaurohet, për të funksionuar si një rrjet ekologjik që lidh peizazhet natyrore dhe kulturore me vlerë të lartë, duke respektuar nevojat ekonomike, sociale dhe kulturore të komuniteteve vendore”. Dhe, në të vërtetë, përmes organizimeve të tilla, shumëllojshmëria e aktiviteteve ishte një fuqizim emancipues i banorëve vendorë dhe i pjesëmarrësve të tjerë. Sepse, ndarja e njohurive me të tjerët dhe bashkëpunimi i organizatave që në fokus kanë mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore dhe natyrore, si dhe edukimin shëndetësor dhe ekologjik, përmes aktiviteteve fizike dhe edukuese, kontribuon në vetëdijesimin e banorëve që bashkëjetojnë me ambientin që përmban këto kushte dhe potenciale të jashtëzakonshme kulturore-natyrore.
Duke u gjendur në një vend të tillë, ku historia politike ka bërë që shumë ngjarje dhe marrëdhënie të ndërsjella kulturore dhe shtetërore të jenë të bllokuara nën prizmin e ideologjive të ngurta, iniciativa EGB (në anglisht: European Green Belt Initiative) “përbën shtyllën kurrizore të një rrjeti ekologjik pan-evropian dhe jep një kontribut të rëndësishëm në ‘Infrastrukturën e Gjelbër’ evropiane”. Sepse, fokusi i këtij brezi kalon nëpër një larmi të madhe të peizazheve evropiane, që ngërthejnë një rrjet të jashtëzakonshëm ekologjik dhe një peizazh memorial “të gjallë dhe të zhvilluar përgjatë ish-Perdes së Hekurt, e cila ndau kontinentin evropian në Lindje dhe në Perëndim për gati 40 vjet”.

Çfarë u bë në Krajë në datat 21 dhe 22 shtator?
Tri organizata të ndryshme, një evropiane dhe dy vendore, u mblodhën së bashku dhe organizuan një aktivitet të rëndësishëm në Krajë. Një aktivitet edukues, emancipues dhe me vlera të mirëfillta promovuese. Ishin organizatat European Green Belt, EnvPro dhe Reborn by Adventures organizatorët e këtij manifestimi, që shfaqën para publikut krajan, anamalas, ulqinak, shkodran, malazez, gjerman, austriak, belg, francez etj. programin me një larmi aktivitetesh dhe ngjarjesh, që në Krajë, disa prej tyre, u bënë për herë të parë. Dhe, për herë të parë, ky aktivitet me një rëndësi kaq të veçantë ndërkombëtare, duke kapërcyer kufijtë e rajonit, ka mundur shumë mirë të ndodhë në vendet tjera rajonale që kufizohen përreth liqenit të Shkodrës. Mund të ishte mbajtur shumë mirë në Shkodër, në Virpazar, në Zetë apo në ndonjë vend tjetër të rëndësishëm kulturor e historik, por u vendos që manifestimi i tillë ndërkombëtar të mbahet në Krajë, konkretisht në plazhin e Muriqit dhe në Ublat e Bolajve. Dhe, u vendos, që me këtë aktivitet të promovohet treva e Krajës dhe të piketohet në hartat evropiane, si një vend i mundësive ndërkombëtare për aktivitete emancipuese, edukative, kulturore, natyrore, sportive dhe ekologjike. Ishte Rina Kovaçi, iniciatorja e këtij projekti, që trevën e Krajës ta shfaqë në pah para sfidave të tilla të rëndësishme.
Rendi programor i ditës kishte të paraparë prezantime nga organizatorët dhe bashkë organizatorët. Ditën e parë u prezantuan temat mbi rëndësinë e kompleksit të ekosistemit të ultësirës të basenit të lumit Buna dhe të Ulqinit si bashkëprogram i BESTbelt Heritage, që ofroi programe për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë natyrore të këtij rajoni, por edhe shfaqjen e rëndësisë së prodhimeve vendore, si tregues të suksesshëm në kontekstin e tillë programor. Përpos këtij prezantimi, Rina Kovaçi, bëri edhe një prezantim të përgjithshëm të projektit ndërkufitar për liqenin e Shkodrës, si një rezervë biosfere ndërkufitare. Afrim Berjashi, udhëheqës i organizatës Camp Ostros, bëri prezantimet e organizatës. Ndër të tjera, për publikun shpalosi programin e iniciativave për edukimin në natyrë dhe shfrytëzimin e saj ekologjik te grupmoshat e reja. Reborn by Adventures, organizatë tjetër që merret me promovimin turistik të trashëgimisë natyrore dhe kulturore, u prezantua nga udhëheqësi i saj Artan Lika. Ai shpalosi programin e organizatës së tij, e cila kryesisht kulmon me rrëmimin në ujë dhe në rolin e turizmin duke e mbështetur komunitetin vendor dhe konservimin natyror. Pas tërë ligjëratave, bisedave, pyetjeve dhe përgjigjeve, fundi i ditës vazhdoi me aktivitetet e lira dhe sportive në ujë, si dhe u përmbyll me një ngjarje mbresëlënëse, ku të gjithë pjesëmarrësit patën mundësinë të mblidhen rreth zjarrit dhe të shijojnë mbrëmjen nën tingujt e kitarës akustike dhe zërit të këngëtarit Edon Ceka.
Pas fjetjes në tendat e organizuara nga Camp Ostros, dita e dytë filloi me aktivitetet tjera. Që herët në mëngjes, pjesëmarrësit patën mundësinë të vrojtojnë zogjtë, të shijojnë ushqimin tradicional dhe të bëjnë lundrim me sul me lundruesin e barkës, njëheri dhe vendas z. Ramadan Vela. Prezantimin e bashkëpunimit ndërkufitar për një zhvillim të qëndrueshëm dhe kërcënimet që i kanosen liqenit të Shkodrës dhe lumit Buna, e bëri biologja Aurora Zylaj nga organizata Well Point Asoccioation. Programi i aktiviteteve u zhvendos nga plazhi i Muriqit në Ostros, pikërisht në peizazhin e mahnitshëm kulturor të ublave në Bolaj. Prezantimi mbi vlerat historike dhe arkitekturore të Ublave të Bolajve u bë nga arkitekti Korab Kraja. Në këtë prezantim, pjesëmarrësit patën mundësinë të dëgjojnë dhe të mësojnë mbi vlerat ndërtimore dhe kulturore, që peizazhi i tillë përbën në kontekstin e ruajtjes, mbrojtjes dhe promovimit të këtyre ndërtimeve tradicionale në Krajë. Ashtu siç e thekson UNESCO, këto lloj grupimesh që shfaqin potencial të jashtëzakonshëm ndërtimor dhe natyror, paraqesin një ansambël të mirëfilltë kulturor. Në këtë rast, ansambli i ublave të Bolajve, paraqet vlera të mirëfillta arkitekturore, që shfaqin tradita të ndërtimit dhe perceptimit të njohurive mbi kontekstualizimin e përvojave vendore mbi marrëdhëniet bashkëvepruese ndërmjet ndërtimit dhe natyrës. Përpos të tjerash, të pranishmit patën mundësinë të shohin nga afër tipologjitë e ndërtimit të ublave, të cilat në një hapësirë të ngushtë shfaqen të gjitha llojet e tyre, çka e bën këtë kompleks kulturor më të mahnitshëm dhe më të rëndësishëm për nga vlerat kulturore dhe historike, duke bashkëvepruar në integritetin natyror mbi autenticitetin integral të ublës. Programi u përmbyll me aktivitetin e fundit, që përbëhej nga ekspozita “Natyra pa kufij”, e kuruar nga Zenepa Lika, drejtore e MSJA, si dhe nga shëtitja përmes peizazhit të ublave, shtigjeve me kalldrëm, mureve të thata dhe shkallëve me gurë, që u udhëhoqën me një prezantim të mirëfilltë nga Artan Lika.
Programi i tillë tregoi se potenciali në Krajë është jashtëzakonisht i madh për ta promovuar atë kulturalisht, përmes aktiviteteve të tilla. Aktivitetet e tilla treguan se Kraja mund të jetë një pikëtakim i rëndësishëm ndërkombëtar. Dhe, rëndësinë ndërkombëtare aktiviteteve të tilla ia shtojnë vlerën jashtëzakonisht të madhe vendasit dhe dashamirët e Krajës. Edhe njëherë, fokusi i aktiviteteve ishte në Krajë. Kësaj radhe, në kontekstin evropian.

Të fundit

më të lexuarat