Kraja në botën e vitit 1665

Korab Kraja

Bota e kaluar dëshmohet përmes veprave dhe krijimeve, të cilat lënë ngjarje për t’u rrëfyer dhe të cilat bëhen pjesë e pashmangshme e historiografisë. Disa nga këto ngjarje mund të marrin përmasa më të vogla, të cilat shpeshherë janë edhe të papërfillshme, sepse ndodhitë në to janë të vogla që të renditën nën vargun e ngjarjeve që mund të çojnë peshë ose sepse për to ka pak të dhëna dhe nuk bëhen shumë interpretime, por, mund të ketë edhe ngjarje të tilla, të cilat cilësohen si ngjarje të mëdha, që në kushtet vlerësuese marrin konotacion të caktuar dhe ndikojnë që të quhen si ngjarje të mëdha historike apo ngjarje të mëdha të njerëzimit. Mund të quhen të tilla, sepse veprimtaria e tyre ka peshë të madhe në orientimin e caktuar të historisë së njerëzimit. Dhe, kjo mund të ndikojë edhe në shtruarjen e shtresave burimore për një popull, vend a komb të caktuar, të cilit i mundësohet të gjurmojë, të hulumtojë dhe të krahasojë ngjarje, ndodhi, rrëfime mbi të kaluarën. Kjo ndodh zakonisht me popujt, të cilët duan të gërmojnë mbi të kaluarën e tyre. Dhe, kjo ndodh me popujt të cilët domosdoshëm duan të dëshmojnë në njëfarë mënyre ekzistencën e vet mbi këtë botë. Dhe është e natyrshme, prandaj dhe mund të thuhet se gjendet në instinktin e njeriut, që të kaluarën e vet historike ta dëshmojë sa më mirë, prandaj mundësisht ta çojë sa më larg në kohë, në mënyrë që historia e tij të bëhet sa më e vjetër, mundësisht më e vjetra ndër të gjithë. Por, rrallëherë qëndron fakti që ky epsh i dëshmisë së vjetërsisë të bëjë ndonjë përshtypje. Ndonjëherë është e rëndësishme dhe merr konsiderata të veçanta edhe mënyra se si rëndësia e një vendi bën pjesë në dëshmitë më të rëndësishme dhe renditen përkrah vendeve botërore më të përmendura dhe më ndikuese të planetit. Edhe nëse nuk luan ndonjë rëndësi të veçantë, vendi ka rëndësi të jetë i rreshtuar përkrah superfuqive të planetit.
Është instinktive që kur të merret një hartë në dorë të vrojtohet dhe të shikohet për vendin që e njeh apo të lidh emocionalisht më tepër. Është një si tërheqje, ndonjëherë e pashpjegueshme që sytë shkojnë menjëherë në pjesën gjeografike që mendja, zakonisht e predispozuar, të drejton. E njëjta vlen edhe me atlaset. Që në fillim të shtyn bindja që së pari të shikohet përmbajtja dhe së dyti të shfletohet, e pastaj të hapet faqja mbi territorin që e kërkon. Dhe, si të trembur në fillim se a paraqitet vendi që e kërkojmë ose si paraqitet dhe si shkruhet, një emocion i veçantë përshkon mendjen e kërkuesit të hartës kur në të gjen të shkruar emërvendin e dëshiruar. Emocioni bëhet edhe më i madh, kur për shembull, një vend si periferik, jo diçka i rëndësishëm në të tashmen, në një hartë historike apo në një atlas historik, gjendet i shkruar me shkronja më të mëdha se plotë vende të tjera më të rëndësishme se ai. Dhe ato vende, sigurisht që, edhe në të kaluarën, por edhe në të tashmen, ishin më të njohura dhe më të rëndësishme historikisht dhe kulturalisht, por ja që në një moment të caktuar bëhen të turbullta përballë një emërvendi tjetër, i mbështjellë disi si me mister, që në hartën mesjetare e gjen me emrin Craina.
Është Kraja, treva buzë liqenit të Shkodrës. Kjo trevë e stërzgjatur e Shkodrës sikur merr një rëndësi të veçantë në ato harta mesjetare. Herë e shënuar si Cragna, herë si Cragnia, e herave të tjera si Craina. Trevë shpeshherë e patejkalueshme për autorët e vjetër të hartave. Duhet të kenë qenë ngjarjet që ndodhnin aty apo vet gjeopolitika që merrte përmasa të tilla, që kapnin dimensione më të mëdha politike dhe historike për rrethinën, e ndonjëherë edhe për vet gadishullin. Paraqitjet grafike të saj janë të zakonshme, sikur që paraqiten zakonisht vendet malore. Mund të vërehen kodra me të mëdha a më të vogla, mund të vërehen male më të mëdha a më të vegjël, por mund të identifikohen edhe vizatime të ndërtimeve, sidomos të ndërtimeve që përfaqësojnë kulturën sakrale. Rrallë në ndonjë hartë të tillë jepen të paraqitur, pothuajse në saktësi edhe emrat e fshatrave të tjerë. Bëhet fjalë për shembull për hartën e Coronellit, të vitit 1690, e cila është një hartë e jashtëzakonshme, që përmasat e saj të hollësive arrijnë një saktësi dhe një vlerë shumë të çmuar historike dhe kulturore.
Nuk është larg nga koha jonë, por diku në gjysmën e dytë të shekullit të shtatëmbëdhjetë, do të ndodh një revolucion i rëndësishëm shkencor në hartografinë botërore. Dhe, është koha shumë përpara Google Maps dhe mjeteve të tjera superlative, qofshin harta apo atlase, të cilat prirën të dështojnë përpara veprës madhore të hartografit Joan Blaeu. Ky personalitet paraqet një intelektual dhe vizionar të shquar të kohës së tij, i cili punoi veprën e tij më me ndikim të kohës, i cili me mendjedritësinë e tij shfaqi aspekte të reja të domosdoshmërisë së dokumentimit të vendeve dhe shfrytëzimit të tyre për nevojat, sidomos ato historike, për të paraqitur saktë dhe për të paraqitur dinjitetshëm relievin gjeografik të botës në veprën e titulluar “Atlas Maior”, e cila do të cilësohet si një nga bëmat më ekstravagante në historinë e hartimit të hartave. Ishte viti 1665, kur botimi përfundimtar i këtij atlasi, i botuar në gjuhën latine, do të bëhet libri më i madh dhe libri më i shtrenjtë që do të botohet në shekullin XVII. 594 hartat e këtij atlasi do të përfshihen në 11 vëllime, në të cilat do të paraqiten Arktika, Afrika, Evropa dhe Amerika. Është vepër aq madhore dhe aq e rëndësishme, saqë ndikimi i saj kulturor përhapet edhe në përmasat e dimensionit shkencor, e cila domosdoshmërisht do të zërë vend të rëndësishëm në historinë holandeze, saqë do të përfshihet edhe në kanunin e Historisë Hollandeze.
“Për ata të cilët historinë e definojnë si zemrën e maturisë qytetare dhe gjeografinë si zemrën dhe ndriçimin e historisë, duket se i shohin gjërat drejt”, është fjalia hyrëse e Joan Blaeu-së, i cili bën një moralizim të paparë për hyrjen e veprës së tij. Me këtë fjali, ai sikur tenton të ndikojë në popullin për domosdoshmërinë e përmbajtjes së një atlasi, pra të atlasit të tij, i cili do të jetë përshkrues dhe i vlefshëm për historinë dhe kulturën me të cilën popujt mund të mburren dhe do të mburren në të ardhmen. Sepse, siç thekson ai, “asnjë shfrytëzim i madh apo i vogël nuk kryhet pa vendndodhje, as asnjë vend në tokë nuk mund të përcaktohet me saktësi pa gjeografinë.” Sipas tij, pa hartë dhe pa hartat e përmbledhura në një atlas, nuk mund të kuptohet konteksti i vendngjarjeve të betejave të spartanëve; nuk mund të vizualizohen mrekullitë e fitoreve të Cezarit; gjenerali duhet të dijë se ku do ta drejtojë ushtrinë e tij… Dhe bën një si thirrje nxitëse, më shumë si vajtuese ndërmjet frustrimit të shpalljes së vlerave madhore të veprës së tij, duke bërë thirrje në mësimin dhe shfrytëzimin e gjeografisë për të mirën e “kthimit të tokave dhe deteve nga vendet e largëta”.
Numri i hartave dhe atlaseve në të kaluarën nuk është edhe aq i madh, sa është numri i hartave dhe atlaseve në kohët e sotme. Ato arrijnë sot një numër, mund të thuhet, të panumërt, të vizualizuar në mënyra të ndryshme dhe të paraqitura sipas nevojave të caktuara për shfrytëzim. Por, sa arrinte ky numër në të kaluarën, pikërisht para botimit të atlasit të Blaeu-së? Sigurisht që ky numër atlasesh nuk mund të ishte i madh. Dhe, në fund të fundit, këto atlase, çfarë paraqitnit? Çfarë ndikimi këto atlase mund të kishin në historiografinë, hartografinë dhe në kulturën e përgjithshme botërore? Së fundmi, si u paraqiten vendet tona në këto tendenca vizuale gjeografike dhe cili është institucioni që merret me shfaqjen apo promovimin e tyre?
Janë pyetje të cilat nuk kërkojnë ndonjë mund të madh për t’u përgjigjur. Dihet se gjerësisht definicioni i atlasit përfshin përmbledhjen e hartave të lidhura së bashku në një apo në disa vëllime, i cili dallon pak më specifikisht në definicionin e një atlasi të botuar. Në radhë të parë, hartat duhet të printohen dhe të përbëjnë një koherencë të brendshme, sepse përndryshe, nuk do të mund të flitej për një botim. Ndërsa, një karakteristikë tjetër e rëndësishme është se shumica ose të gjitha hartat duhet të shfaqin të njëjtin format dhe, sipas ideales, të njëjtën teknikë grafike. Në kohët më të kahershme, atlaset përfshinin edhe tekste, të cilat ishin zakonisht si përshkrime gjeografike të cilat shoqëronin dhe plotësonin imazhin e hartës.
Dhe shkëndijat e para që të bëjnë përshtypje në këto harta të vjetra janë pikërisht kufijtë. Ato vija të trasha të shfaqura me ngjyra të ndryshme që dallojnë shtetin nga shteti, mbretërinë nga mbretëria, perandorinë nga perandoria, pushtuesin nga pushtuesi, krijon përshtypjen abstrakte të fqinjësisë së popujve dhe bashkëjetesën me ta. Në një pamje më të gjerë, shihet dydimenzionaliteti i botës shumëngjyrëshe që kaplon syrin mbi disa emra vendesh të shënuara më shkronja të vogla a me shkronja më të mëdha. Shumë nga këto emra, në këto harta të vjetra, mbase janë edhe të padëgjuara, të palexuara ose edhe të ndryshuara me kohën, sepse trajtat latine thjesht e kishin këtë veti që ose t’i përkthenin emërvendet ose t’i përshtatnin në latinishte ose t’i ndryshonin rrënjësisht.
(Vijon)


(Vijon nga numri i kaluar)

Çfarë ndikimi kulturor dhe shkencor përmbajnë këto për popullin tonë, më në fund çfarë interesi shfaq ky atlas për Shqipërinë dhe shqiptarët? Konceptimi i “Atlas maior” të Joan Blaeu-së, u quajt fillimisht si “Atlasi i madh ose Kozmografia e Blaeu-së, në të cilën Toka, Deti dhe Qielli janë të përshkruara me saktësi” (“Atlas maior sive cosmographia Blaviana, qua solum, salum, coelom, accuratissime describuntur”), tregon ambiciet që autori kishte për veprën e tij dhe për ta renditur atë në një ndër veprat, në mos mbase veprën më të rëndësishme botërore të të gjitha kohërave. Në një vepër të tillë madhore, të përbërë nga 11 vëllime, në të dytin përfshihet edhe Ballkani, i cili përfshihet në kapitullin me titull “Suedia, Rusia, Polonia, Juglindja e Evropës dhe Greqia”. Pikërisht në hartën ku paraqitet mjaft shumëngjyrshëm Greqia, nën përshkrimin e saj si “GRÆCIA”, nën hijezimin e gjelbër (në një botim tjetër ky hijezim merr nuancë të verdhë të zbehtë) shfaqen qytetet dhe krahinat shqiptare. Në një moment kufijt e kësaj Græcia të vitit 1665 sikur e ndajnë këtë vend në disa shtete të ndryshme, duke përfshirë Epirin, Shqipërinë, Maqedoninë etj. Dhe, bien në sy qytetet më të rëndësishme të tokave që përfshijnë territorin e sotëm të banuar me shqiptarë, si Cimera, Canina, Comenolitari, Tamoriza dhe Craina. Pra, janë vende të rëndësishme për kohën, sepse edhe paraqitja e tyre në hartë dallohet dukshëm me madhësinë e shkronjave përkrah qyteteve të tjera, mbase më të rëndësishme, si Scutari, Durazo, Valona, Cataro apo Croia.
Shtrirë mbi gjirin e Golfo di Venetia, vendet e latinizuara si Albania dhe Epirvs, shfaqet një si formë gadishulli me një emër, i cili duket që mund të përfshijë të atë zonë aq të gjerë, të paimagjinueshme, por të shtrirë ndërmjet ujërave dhe gjireve. Craina, pra Kraja, kjo trevë me rëndësi për autorin, apo për kohën, në kontekstin politik ose gjeografik të saj, cilido qoftë ai, përbën një zonë me rëndësi të veçantë në atë shekull të shtatëmbëdhjetë. Përreth këtij emri Craina, gjenden me shkronja të vogla, të imëta, ndonjëherë mezi të lexueshme emrat e qyteteve Cataro, Zocol, Scutari, Dolcigno, Antiuari, Budoa, pastaj Scutari Lago, Golfo de Lodrin, Golfo de Cataro dhe më në fund me një kaligrafi ekstravagande shënohet gjiri i republikës aq të përmendur të kohës, Golfo di Venetia.
Është gabim i autorit, i cili do që ta mbush sipërfaqen e zbraztë të hartës me një emër të afërm, në këtë rast zgjedh një trevë si Krajën, duke e shtrirë atë si trevë të përgjithshme mbi tërë atë sipërfaqe që përmbledh gjithë ato qytete me zë të kohës apo autorit i kanë bërë përshtypje veprat dhe bëmat e personaliteteve të kohës të asaj krahine, që i jep kaq rëndësi Krajës? Një intelektual i tillë i kohës, i një mesjete që tashmë i kishte kapërcyer suksesshëm errësirat gotike dhe kishte përqafuar me kohë ndriçimin rilindës të emancipimit kulturor dhe edukativ, nuk mund të ketë bërë ndonjë shkarje. Dhe, nuk mund të kishte ngatërruar apo larg qoftë, zëvendësuar ndonjë vend tjetër me një tjetër. Nuk do të ishte e paimagjinueshme, sepse ashtu si hartat në atë kohë që shpesh tregonin një josaktësi të paparë në përpjesë të relievit, në paraqitje të saktë të relievit apo edhe në vendosjen e vendeve aty ku e kanë vendin, mund të ketë ndodhur edhe kësaj herë. Mbase, në atë kohë do të kishte ndonjë rëndësi të posaçme ai vend i quajtur me një latinishte, më shumë të egër sesa të rrjedhshme, Craina, që do të shfaqet më dukshëm se qytetet me kështjella mijëvjeçare në hartën prestigjioze të hartografit më të madh të kohës.
Edhe një moment tjetër i veçantë për këtë atmosferë hartëpërshkruese, është kur autori Joan Blaeu paraqet “MACEDONIA, EPIRVS ET ACHAIA”. Është një hartë tjetër që përfshin po të njëjtin territor, por si duket me disa kufij të ndryshuar, ashtu siç kufijt dinin të ndryshonin shpesh në Ballkan. Tani ngjyrësia e vendeve merr përmasa tjera dhe zhvendosje të mëtutjeshme. Derisa në të parën, Craina paraqitet në territorin e Albania-s, tani kufiri ndryshon më në jug në hapësirën veriore të saj dhe Kraja paraqitet jashtë këtij territori. Mbase pak më e saktë si paraqitje grafike të emërvendeve, këtu shfaqet Kraja në komoditetin e vet “real”, pra të vërtetë sipas shtrirjes territoriale të sotme. Shihet liqeni i Shkodrës dhe menjëherë nën të e përgjatë tij, shtrihet emërvendi me shkronja të mëdha Craina. I ndarë me nga dy shkronja Cr-ai-na, kjo trevë ndërpritet me një vend tjetër, mbase fshat apo diçka i tillë, që ka po të njëjtin emërtim: Craina. Pra, Craina në Craina apo në të sotmen, Kraja në Krajë. Është një tjetër çështje që kërkon të shtrohet këtu: Ç’bën Kraja si mikrotoponim në Krajën si makrotoponim? Çfarë është ai vend i quajtur njësoj si treva? Pra, a mund të supozohet që kishte dy Kraja, njëra e gjendur brenda tjetrës dhe ky vendi i shtrirë gjerë e gjatë të jetë marrë nga vendbanimi me po të njëjtin emër, apo të ketë ndodhur e kundërta, që vendi kryesor, pra kryevendi, të jetë pagëzuar sipas trevës që përthekon një hapësirë të njëtrajtshme gjeografike për anë të liqenit?
Sot banorët e Krajës, mbase disa prej tyre, por edhe në të kaluarën, shpesh zëvendësonin emërvendin e Ostrosit me Krajë. Pra, në vend se të përmendej emri i fshatit Ostros, banorët e rrethinës së Ostrosit, do t’i thonë Krajë. Kjo vlen për rastet kur një banorë i një fshati pak më larg, qoftë buzë liqenit apo rrëzë maleve apo lartë mbi to, thonë se duan të shkojnë në Krajë apo ishin në Krajë. Në vend se të thonë, se duan të shkojnë në Ostros apo ishin në Ostros. Se si saktë ky emërvend mori përmasa të tilla dhe se si u ndryshua në diçka tjetër, ka teori të ndryshme, të cilat do t’i shpjegojë me siguri dikush tjetër më mirë. Por, ajo që vlen tani për tani, është prania e Crainës, përkatësisht Krajës në të folmen e vendasve si toponim brenda trevës dhe e njëjta e dëshmuar edhe në hartën mesjetare. Dhe, harta të tilla janë disa që e paraqesin këtë, të quhet, dukuri. Një gjë e tillë mund të gjendet edhe në një libër për Krajën (Hajrullah Koliqi, “Kraja ndër mote”).
Le t’i kthehemi edhe njëherë hartës. Këtu sikur i bën vend Craina një treve tjetër, e cila mund të thuhet se i merr pak vëmendje. Val de Noze. Nëse bëhet fjalë për Valdanosin e sotëm, i cili me të njëjtin emërtim latin gjendet në disa harta të tjera aty ku në të vërtetë gjendet sot, atëherë pse të zërë një pozitë të tillë kaq të rëndësishme në këtë hartë të asaj periudhe kohore? A mos, edhe këtu autori do t’ia ketë huqur në perceptim, interpretim, përcaktim? Apo është diçka tjetër, mbase ky port i rëndësishëm natyror, duhet të ketë luajtur një rol kyç, që mund ta dijmë ose edhe jo, për kohën që ta ketë merituar këtë shpërblim madhështor?
Do të ketë dëgjuar mbase për kultet e lashtësisë që ai popull i jetonte dhe me to bënte një jetë në mes mitit dhe realitetit dhe në mes surreales dhe legjendave, ku ishte i ngulitur thellë gurësia e relievit në mendjen e banorëve, saqë ai reliev ashtu i përthyeshëm të ketë tërë atë kulturë dhe hapësirë etnografike të bartur nga lashtësia e deri në ato ditë që kur autori po i shënonte ato shkronja aq të mëdha? Apo mos ishte shenjti aq i rëndësishëm për kohën, i cili rastisë të ketë emrin e njëjtë si vet hartuesi i hartografisë më të madhe botërore, Joan, Johannes, Gjon. Mbase vet kontributi intelektual i një shqipfolësi, Joan, Joannes, Gjon, i cili do t’i paraprijë kohërave historike dhe që do të përkthejë meshët në gjuhën e vendasve, të cilët do të mund më në fund ta kuptojnë dhe ta predikojnë lirshëm dhe kuptueshëm Mesharin e tyre.
Kaq e rëndësishme ishte Kraja në shekullin XVII, sa që t’ia kalojë me mbishkrimin latin Craina edhe qyteteve-kështjella kur nami i tyre do të përfshijë pikërisht mesjetën. Mbase, nami i një mijë luftëtarëve trima e të guximshëm i fshatrave, siç e thekson Budi, më 1621, “afër urës dhe përreth Shkodrës”, ndikonin në konceptimin e kësaj krahine si një vend me vlerë dhe me potencial të madh luftarak. Dhe kaq e rëndësishme, mund të thuhet se ishte, që vetë fakti që një autor i një atlasi të tillë, e paraqet në atlasin e vet, është vlerë e jashtëzakonshme meritore për vendin që të bëjë pjesë në një përmbledhje të tillë. Se sa ishte në të vërtetë e rëndësishme dhe çfarë ndikimi në të vërtetë kishte kjo trevë në të kaluarën, mbetet të hulumtohet më gjerësisht. Tani për tani dihen disa të dhëna historike, të cilat shpeshherë interpretohen, ashtu siç dijnë të interpretohen, me hiperbolizime. Dhe, shpeshherë, i dëgjojmë njerëzit teksa flasin nëpër kafene e nëpër rrugë, se ishte kështu dhe ishte ashtu, që sikur në një garë të përsosur, takohen fjalët e njerëzve në mes veti, se cili do ta çmojë, mbiçmojë, lavdërojë, ngrenë më tepër dhe më shumë. Dhe, siç merret vesh, në fund të këtyre debateve hedhafjalëse, i besojnë edhe vetë shpikësit e bëmave shpikjeve të tyre. Nuk është e lehtë të përballesh me njeriun emotiv të tillë, sepse bindja e tij është për t’u lavdëruar dhe njëkohësisht për të ardhur keq. Por, rrallëkush, që mos të thuhet asnjëri, nuk është i mbështetur në faktet historike apo edhe në hartat historike që të bëjë interpretime me gjykime, siç thuhet, të ftohta.
Koha e sotme është më e lehtë se koha e kaluar. Qasja në të dhëna është më e lehtë se në të kaluarën. Arkivat digjitale sot janë më të shpejta për marrjen dhe përpunimin e të dhënave se arkivat nëpër depo e zyre në të kaluarën. Le të shpresojmë, se hartat e Coronellit, Blaeu-së apo të ndonjë tjetri të bëhen motivime dhe frymëzime për studiuesit e së ardhmes, që këtë trevë të lënë sot pas dore, ta riinterpretojnë saktësisht për të mirën historike, për të mirën e së vërtetës dhe për të mirën e banorëve të Krajës.

Të fundit

më të lexuarat