Tuz – Me shpalljen e vitit 2023, si “Viti i Xhubletës”, Komuna e Tuzit përveç një sërë aktivitetesh të larmishme kulturore e shkencore kushtuar këtij aseti kombëtar, të organizuara përgjatë gjithë vitit të kaluar, para pak kohësh botoi edhe monografinë e titulluar “Xhubleta, dëshmitare e lashtësisë sonë”, brenda së cilës janë dokumentuar të gjitha aktivitetet që ky institucion ia kushtoi xhubletës.
Në lidhje me jetësimin e këtij projekti dhe se çfarë kishte për qëllim botimi i kësaj monografie, për gazetën “Koha javore” u prononcua znj. Marina Ujkaj, sekretare e Sekretariatit për Vetëqeverisje Lokale e cila tha se mënyra më e mirë e prezantimit dhe sublimimit të aktiviteteve kushtuar xhubletës ishte botimi i monografisë që përmblodhi gjithë eventet që iu kushtuan xhubletës dhe të gjithë ata që dhanë kontribut në botimin e saj.
“Prandaj, ne e pamë të arsyeshëm botimin e kësaj monografie. Duke u mbështetur në Ligjin mbi Vetëqeverisjen Lokale dhe në statutin e Komunës së Tuzit, Komuna e Tuzit solli vendimin që ta shpallë Tole Berishajn, “Qytetare Nderi” të Komunës së Tuzit. Ky është vendimi i parë që ka sjellë Komuna e Tuzit dhe mendoj se është në momentin dhe vendin duhur, pasi që e dimë se me çfarë përkushtimi ka punuar znj, Tole në ruajtjen e trashëgimisë kulturore të Komunës sonë” u shpreh Ujkaj.
Znj. Ujkaj shprehet se hapësirë më e gjerë në këtë monografi i është dhënë kumtesave nga simpoziumi shkencor “Xhubleta dëshmitare e lashtësisë sonë”, dedikuar xhubletës, e që edhe monografisë ia dhanë të njëjtin titull.
Ndërkohë, mbi promovimin e kësaj monografie, znj. Ujkaj theksoi se në periudhën në vazhdim do ta planifikojnë se kur do të mbahet promovimi i saj.
Në të njëjtën kohë, sekretarja e Sekretariatit për Vetëqeverisje Lokale u shpreh se janë në punim e sipër të botimit edhe të një katalogu i cili do të përmbajë fotografi që janë realizuar gjatë sfilatës së xhubletës.
“Të gjitha vajzat të cilat kanë marrë pjesë në këtë sfilatë, do t’i kenë fotografitë e tyre në këtë katalog. Ideja për këtë katalog ka qenë, që ai të përmbajë një evidencë, se me sa xhubleta disponon Malësia. Sigurisht se ato që janë aty, nuk janë të gjitha, pasi ne kemi shumë më shumë sosh. Në këtë katalog, secila xhubletë do ta ketë të shënuar edhe vjetërsinë e saj, karakteristikat, pronën e saj, veçantinë, etj” u shpreh Ujkaj.
Ajo më tutje tha se me përfundimin e këtij dokumentimi kushtuar xhubletës, Komuna e Tuzit do të dëshmojë se është vërtetë arka e vlerave që mbron UNESCO.
Botimi i kësaj monografie duhet konsideruar si një kontribut i rëndësishëm në prezantimin dhe ruajtjen nga pluhuri i harresës i xhubletës së lashtë mbi katërmijë vjeçare, duke ua përcjellë kështu edhe gjeneratave pasardhëse, që ta njohin atë më mirë.
t. u.