Gjuha bashkon kombin dhe ruhet atje ku shkruhet

Gazmend Çitaku

“Duhet së pari të jesh njeri i mirë
që të bëhesh mjek i mirë”
Ditë më parë nga shtypi doli libri më i ri me titull “Dicta et sentence – Fjalë të urta në gjuhën shqipe dhe latine” të autorit Ruzhdi Hasanaga. Është ky libri i pestë me radhë i doktorit të veterinës i cili sa herë që prezantohet me botim të ri lexuesit e mirëpresin dhe përshëndesin sepse e dinë se në duar do kenë nektarin e mbledhur nga urtësia popullore dhe nga bagazhi i madh intelektual që ka mbi supe autori – Ruzhdi Hasanaga.
Ruzhdiu, siç tregon vetë, prej ditës që u pensionua i është kthyer shënimeve të mbajtura nëpër fletoret nga koha e studimeve. Këto fletore, sot me fletët e zverdhura nga vjetërsia, shpalosin gjithë nektarin e mbledhur nga urtësitë si popullore ashtu edhe të autorëve dhe njerëzve të mëdhenj botërorë. Kështu duke lexuar ato, sidomos tani meqë ka kohë të mjaftueshme, jo vetëm që e kthejnë në kohë atë por sot ai dëshiron që urtësitë e mbledhura t’i ndajë me lexuesin edhe ashtu të pakët në numër.
Dashuria për gjuhën amtare shqipe, e ka shtyrë Ruzhdiun që pa pretendime të mbledhë fjalë të rralla ulqinake, thënie e anekdota të harruara por edhe të risjellë edhe ato që edhe sot qarkullojnë. Dashuria për gjuhën shqipe i rritej çdo ditë kur mësonte urtësi të reja e sidomos shumë e hidhëronte kur haste në nënçmime dhe kërcënime armiqësore ndaj gjuhës më të bukur në botë – gjuhës shqipe. Kjo Ruzhdiun e brente dhe e shtynte që edhe ky të bënte diçka e t’i dilte në ndihmë gjuhës më të ëmbël në botë dhe të bëhej edhe ky një kontribuues sikurse idolët e tij e që ishin rilindësit tanë.
Fuqinë e gjeti te fletoret e zhubravitura me nektarin popullor të mbledhur tash e gjashtëdhjetë vjet më parë. I vetëdijshëm që shumë gjuhë të mëdha, si p.sh. latinishtja, keltishtja etj., kishin humbur dhe sot nuk i flet asnjë popull, ky fakt atij i dha kurajë se shqipja megjithatë ka gjetur forcën dhe ka mbijetuar deri më sot dhe shqipja si një ndër gjuhët më të vjetra të trungut indoevropian do të jetojë edhe shumë gjatë.
Kështu gjeni pellazgo-ilir i ulqinakut tonë të vyer u zgjua dhe deri më sot na solli pesë libra: njërin me artikujt shkencorë profesionalë nga shkenca e veterinës, të cilët i ka botuar në revistën “Praxis veterianari” të Zagrebit dhe katër libra tjerë me fjalë të urta, anekdota, thënie e frazeologji nga Ulqini dhe rrethi i tij. Duke ushtruar profesionin e tij të mjekut të veterinës e ka bërë që të dijë dhe njohë çdo fshat dhe fshatar të Ulqinit. Të bisedojë me ta drejtpërdrejt dhe të jetë mik i respektuar në familjet e tyre si për gëzime ashtu edhe për raste tjera. Duke mos pasur orar pune, por gjithmonë pranë atyre që kishin nevojë ka bërë që Ruzhdiu të gëzojë respekt të madh andaj, edhe emri i tij të jetë gjithmonë në piedestalin më të lartë. Ruzhdiu me urtësinë e tij mbante shënime në fletoret e tij, mblidhte nektarin drejtpërdrejt nga populli. Në fillim pa ndonjë qëllim shënonte vetëm ato që i pëlqenin më shumë e më vonë edhe drejtonte pyetje sepse kureshtja për traditën dhe urtësinë popullore çdo ditë rritej dhe apetitet gjuhësore sa vinin e shtoheshin.
Unë kam fatin që të jem i pari që më bie në dorë ky thesar etnografik dhe me plot bindje ju them se kemi të bëjmë me një thesar të veçantë etnografik që u qëmtua dhe u mblodh për një jetë të tërë nga ulqinaku Ruzhdi Hasanaga. Duhet të jetë me shumë fat ai që do ta ketë në dorë këtë thesar dhe padyshim se bibliotekat do pasurohen me këtë libër me vlerë, i cili do të shërbejë për të mësuar dhe përdorur fjalën e artë të mençurisë popullore të bashkësisë gjenetike shqipe. Kur kemi të bëjmë me librat e Ruzhdi Hasanagës plotësisht pajtohem me studiuesin dr. Stavri Tako që nektarin etnografik ulqinak e shqiptar që e hasim në këto libra ai nxjerr këtë përfundim: “Çdo mik bujtës në këto sofra dhe troje do ta kuptojë pse ai është i sigurt te Sofra e shqiptarit që është e Zotit dhe e mikut. Te çdo lidhje krushqie me këta njerëz do të gjejë pikërisht këto fjalë ari që e sigurojnë miqësinë e lidhur me këta njerëz autoktonë me sjellje, moral qytetar dhe me filozofi jete të admirueshme. Por edhe çdo bir a nip i kësaj bashkësie gjenetike shqipe, e veçanërisht atyre që i përkasin kësaj toke do të gjejnë Edenin e shpirtit të tyre të lashtë që duhet doemos ta përftojnë dhe ta ruajnë në mendjen e zemrën e tyre, se ato janë rrënjët e tyre të lashta, ashtu si i kishin ruajtur edhe ata burra të mençur që ia kanë kumtuar autorit të këtij libri”.
Dr.vet. Ruzhdi Sheqer Hasanaga ka lindur në Ulqin në vitin 1937. Shkollën fillore e ka mbaruar në Ulqin, të mesmen në Tivar dhe ka diplomuar në Fakultetin e Mjekësisë së Veterinës në Universitetin e Zagrebit. Është veterineri i parë i diplomuar shqiptar në Malin e Zi. Ka botuar në revistën “Praxis Veterinaria” të Zagrebit shumë punime shkencore nga veterina. Deri më tani ka botuar këto libra:

  1. Frazeologji dhe fjalë të urta të shqiptarëve në Mal të Zi, 2016
  2. Dita pa buzëqeshje është ditë e humbur, 2019
  3. Sëmundjet në rajonin e komunës së Ulqinit të cilat prej kafshëve mbarten te njeriu (Zoonozat), 2020
  4. Përmbledhje vlerash shqiptare, 2022
  5. Dicta et sencence, fjalë të urta në gjuhën shqipe dhe latine, 2024

Të fundit

më të lexuarat