Figura që i kalojnë caqet rajonale dhe kombëtare

Ndonëse Shën Gjon Vladimiri jetoi, sundoi e u shenjtërua në tokën arbërore dhe kultin e eshtrat e tij i mbrojtën me fanatizëm arbërit (shqiptarët), ai është figurë që i tejkalon caqet e rajonit dhe etnisë së vet. Ai është i nderuar me shekuj dhe i denjë për adhurim të veçantë nga besimtarët ortodoks dhe njerëzit e tjerë vullnetmirë

Hajrullah Koliqi

Dimension i rëndësishëm i historisë së Krajës së Shkodrës është edhe tradita fetare e saj, nga ajo pagane deri në kohën tonë, duke përfshirë adhurimin e hyjit të Diellit, pelegrinazhin në Rumi (Malicha – Mali i Shenjtë), banierat (flamuj natyrorë me gjethe e lule të njoma), adoptuar më pas nga Kisha e Krishterë, pastaj Kishën e Sh’mërisë së Krajës e shumë kisha të tjera dhe gërmadhat kishtare anekënd Krajës, Argjipeshkvinë e Krajës (Argjipeshkvinë e Tivarit, selia e së cilës përkohësisht ishte në Ljare), si dhe islamizimin kryesisht në Krajën e Poshtme dhe xhamitë në fshatrat e saj, nga Zogajt deri në Muriq, pastaj festat pagane, të krishtera e islame, varrezat e të krishterëve dhe myslimanëve, homonimet, simbolet e veshja tradicionale sipas përkatësisë fetare etj. Të gjitha këto vlera në Krajë respektohen, reciprokisht. Për kranjanin dhe kranjanen, pa marrë parasysh besimin, kisha dhe xhamia, tradicionalisht, konsiderohen “sh’pia t’Zotit”.
Në këtë rrafsh (pra, fetar), vend të veçantë zënë edhe disa figura të shquara nga Kraja ose me origjinë nga kjo trevë, që u morën ose merren me veprimtari fetare ose me studimin e saj dhe kontribuan në edukim, gjuhë, histori, kulturë etj. Disa prej tyre i kalojnë caqet rajonale, madje edhe ato kombëtare. Midis tyre bëjnë pjesë:

Gjon Vladimiri (shek. X-XI)
Princ, shenjtor. Gjon Vladimiri është figurë e diskutueshme historike-legjendare mesjetare, për ekzistencën e të cilit, si dëshmi materiale konsiderohen kryqi i tij në Mikuliq dhe eshtrat (lipsanet) e tij në Kishën e Sh’jonit, në Bradashesh të Elbasanit. Thuhet se ai ishte princi i Duklës, me seli në qytezën e Arbrit (town of Alba), sot Arbneshi i Krajës. Gjoni ishte një princ i urtë dhe paqedashës, por ai “vrau kuçedrën që villte zjarr (si Shën Gjergji” (Dhori Qiriazi). Në luftën kundër pushtimit bullgar, atë e zunë rob dhe e burgosën në Prespë. Vladimirin e shpëtoi Kosara, bija e mbretit bullgar (Samuilit), e cila u dashurua me të. Më pas edhe u martuan në Krajë. Martesa e tyre ishte vetëm shpirtërore, platonike. Princ Vladimiri shkoi në Prespë, ku bullgarët (më 22 maj 1016 sipas kalendarit të vjetër, përkatësisht më 4 qershor të atij viti, sipas kalendarit të ri) ia prenë kokën në pabesi. Trupin e tij Kosara e solli në Krajë, ku u varros dhe u shenjtërua. Më pas eshtrat e tij, nga Kraja u bartën në Durrës, ku u shpall edhe shenjtori mbrojtës i këtij qyteti, pastaj edhe i Elbasanit. Teodor Haxhifilipi e cilëson atë “Mbrojtës të Elbasanit dhe të gjithë Arbërisë, famëlarti i Arbërisë dhe gjithë Ilirisë”.
Afreska dhe ikona të tij u vendosën në disa manastire shqiptare. Në vitin 1861 (beogradski Srbljak), Gjon Vladimirin e uzurpoi Kisha Ortodokse Serbe, duke e cilësuar atë si “shenjtori i parë serb”.
Në vitin 2005 Kisha Serbe “Sveti Jovan Vladimirin” e shpalli “shenjtor dhe mbrojtës” të Tivarit të Ri, ngriti përmendoren e tij (2001), ngriti Katedralen Ortodokse Serbe në Tivar të Ri (2006-2016), futi zyrtarisht kremten “Sveti Jovan Vladimir” etj.
Gjon Vladimirin, si shenjtor të tyre, e konsiderojnë edhe bullgarët, malazezët etj. Portreti i tij gjendet edhe në manastiret e Malit të Shenjtë (Greqi), në Sinaj etj.
Ndonëse Shën Gjon Vladimiri jetoi, sundoi e u shenjtërua në tokën arbërore dhe kultin e eshtrat e tij i mbrojtën me fanatizëm arbërit (shqiptarët), ai është figurë që i tejkalon caqet e rajonit dhe etnisë së vet. Ai është i nderuar me shekuj dhe i denjë për adhurim të veçantë nga besimtarët ortodoks dhe njerëzit e tjerë vullnetmirë.

Gjon Buzuku (shek. XVI)
Prift, shkrimtar. Sipas Justin Rrotës, Gjon Buzuku, “biri i Bdek Buzukut”, ishte “një malësor i Krajës”. Siç dihet, ai është autori i “Mesharit” (1555), përkatësisht i librit të parë në gjuhën shqipe, të njohur deri tani, i cili përmban pjesë nga Bibla (Besëlidhja e Vjetër dhe Besëlidhja e Re), të përzgjedhura dhe të përkthyera prej tij, nga gjuha latine në gjuhën shqipe, sipas modelit të Martin Luterit, përkthyesit të Biblës në gjuhën gjermane, botuar në vitin 1522.
“Mesharin” e Buzukut e zbuloi Gjon Nikollë Kazazi, më 1740 (“Antichisimo Missale per antichita tutto stracciato”). Fragmentet e parë të “Mesharit” i solli në Shqipëri Justin Rrota.
Namik Resuli ishte i pari që e bëri ribotimin e plotë të tij (1958), ndërsa botimin e parë shkencor të kësaj vepre e përgatiti Eqrem Çabej, që u botua më 1968.
Veç studimeve e aktiviteteve të tjera për Don Gjon Buzukun, më 27 dhe 28 maj 2005, në Ulqin u organizua Konferenca Jublilare Shkencore kushtuar 450-vjetorit të “Mesharit” të tij, ku morën pjesë studiues nga të gjitha trevat shqiptare.
“Meshari” i Buzukut, kjo vepër liturgjike, prej 188 faqesh, përkatësisht 154 000 fjalësh, është një vepër shumëdimensionale, me rëndësi fetare, historike, gjuhësore, kulturore, dokumentare etj. Ajo është “emblemë konceptualiteti” (Moikom Zeqo) dhe pikë referimi në historinë e zhvillimit të jetës shpirtërore, identitetit gjuhësor, kulturor e kombëtar të shqiptarëve. Njëkohësisht, ajo është edhe një vepër e rëndësishme edukative. Nëpërmjet tij autori synonte të lehtësojë të kuptuarit e të mësuarit e doktrinës së krishterë nga shqiptarët dhe edukimin e tyre si besimtarë të devotshëm.

Ivo Petani (1715-1774)
Klerik i lartë, rektor. Ivo Petani lindi në Brisk të Krajës. Në moshën njëmbëdhjetëvjeçare, përkatësisht në vitin 1726, ai u shpërngul nga vendlindja dhe u vendos në rrethinat e Zarës. Arsimin e filloi në Zarë, për të vazhduar në Itali, në seminarin në Fermo dhe në Kolegjin e Propaganda Fides në Romë.
Ivo Petani ishte arbëreshi i parë i Zarës, i cili ndoqi arsimin e lartë fetar, me nismën dhe mbështetjen e kryeipeshkvit të Zarës, kroatit Vinçenc Zmajeviq. Në atë kolegj ai mbaroi studimet për teologji e filozofi, ku edhe doktoroi. Pas studimeve ishte sekretar i kryeipeshkvit Vinçenc Zmajeviq. Më pas Papa Klementi e emëroi ipeshkëv të Shibenikut, por ushtrimin e këtij funksioni ia pamundësuan venedikasit. Kjo ishte njëra nga arsyet që ai të kthehet sërish në Itali, ku ushtroi detyrën e rektorit të Kolegjit Ilirik të Loretos (Collegio Illirico di Loreto), afër Ankonës, themeluar nga Papa Gregori XIII më 1580, me qëllim të arsimimit të klerikëve nga rajoni i Ilirikut të dikurshëm, i cili kishte rënë nën sundimin osman. Detyrën e rektorit në këtë insitucion Petani e ushtroi deri në fund të jetës së tij. Ndërkohë, në këtë kolegj u arsimuan edhe klerikë katolikë shqiptarë, ndër të cilët ishte edhe Gjon Nikollë Kazazi. (vijon)

Të fundit

më të lexuarat