Me një lehtësi të paparë, automobili Benz rrëshqiste në asfaltin e zi.
- Kthehu djathtas Ilir, – i tha Baca Ukë nipit të tij që ishte në timon!
- Menjëherë?! – pyeti Iliri, edhe pse pothuajse ishte i sigurt se kjo do të ishte rruga e cila të çonte në drejtim të Krajës.
- Po bir, dhe kujdes! Që këtu kjo rrugë është e keqe dhe plot surpriza.
Rruga nga Ana e Malit në Krajë është një segment i dëmtuar nga gropat dhe rreziqet nga gurët e rrokullisur. Baca Ukë psherëtiu dhe e përkëdheli Ilirin mbi supe. - Kujdes bir, kujdes!
Nuk ishte hera e parë që kalonte në këtë rrugë dhe sa herë i kalonte këto shtigje, ndiente dy gjëra në shpirt: gëzimin dhe trishtimin.
Ndjenja e gëzimit iu ringjall nga mendimi se do të takohej me Danin, të cilin në fakt e kishte si vëlla dhe të shkuar vëllai. Ata kishin kaluar shumë kohë së bashku, por që nga shkolla e mesme dhe më vonë jeta jashtë vendit i kishte vënë në sprovë.
Mendimet ia ndërpreu nipi Iliri, i cili pyeti: - Po Ubla e Krajës dhe kisha e Shën Mërisë, a janë në Krajë?
Ata kishin mbërritur në vendin e quajtur Shtegvashë dhe Baca Ukë kishte harruar t‘i përgjigjej nipit të tij teksa shikonin peizazhin magjepsës përpara tyre. - Zotit i qofshim falë, sa shumë gurë që paska këtu! – foli Iliri si papritur.
- Po, janë shumë – tha Baca Ukë, dhe shtoi: – Kur Krijuesi ynë iu dha urdhër engjëjve të krijonin botën, ata pasi e shpërndanë dheun, kishin edhe një thes me gurë për të krijuar malet, por djalli e kishte shpuar thesin dhe të gjithë gurët u derdhën këtu. Pastaj krijoi malësorë të fortë për të jetuar në këtë vend, sa i bukur aq edhe i ashpër.
- Po thua, njerëz me zemër të madhe si axha Dani?
- Pikërisht.
Dielli tashmë kishte lënë prapa vargmalet mbi Krajë dhe rrezet e tij lëshonin një dritë mahnitëse në liqenin e bukur të Shkodrës, ndërsa Rumia kryelartë dukej sikur sodiste këtë peizazh magjepsës. - Vështirë se ka vend më të bukur se ky – tha Iliri pa e vështruar gjyshin.
- Unë nuk ngopem së sodituri – vazhdoi Baca Ukë, sikur donte të plotësonte mendimin e nipit të tij.
Nga frika se do të ishte tepër vonë dhe Dani po i priste, ata vendosën ta lëshonin këtë idil dhe të vazhdonin rrugën e tyre. - Atje poshtë është një qytezë e vogël me ca lokale. Njerëzit e quajnë “Vorri Kurt“! Është ndërtuar mbi varre në kohën e komunizmit. Dani e quan “Qyteti i vdekur“. Ka një festë nesër. Këtu i thonë “Festa e Gështenjave“, sepse ky vend është i njohur për gështenjat e tij.
- Axha Dan më tregonte se ky vend ka plot histori. Supozohet se është shkruar libri i parë në gjuhën shqipe nga Gjon Buzuku.
- Po bir, por nuk ka asnjë shenjë se ku ka ndodhur kjo ngjarje. Ka edhe një histori dashurie me princin e këtij vendi, Vlladimirin dhe vajzën e mbretit të Maqedonisë, Kosarën.
Pa kuptuar, kishin mbërritur në Bashkësinë Lokale të Ostrosit. Aty po i priste Dani me Hanën. Pasi u përshendetën, Dani tha: - E pimë këtu nga një kafe, pastaj shkojmë te shtëpia. Kemi pjekur raki rrushi dhe duhet ta provojmë gjithsesi.
Nata ishte e gjatë. Folën duke shpalosur kujtimet e së kaluarës, por edhe për të ardhmen. - Njerëzit po ikin nga ky vend – tha Uka. – Ikin për jetë më të mirë.
- Ikin edhe nga e vërteta – shtoi Dani.
- Njerëzit nuk duan të konfrontohen me të vërtetën – tha Iliri, i cili nuk kishte folur fare deri në ato çaste.
Baca Ukë e shikoi me admirim nipin e tij në rritje dhe iu drejtua Danit: - O Dan vëllai, nipi im është një dhuratë e Zotit për mua! Nuk e di se si do të kisha kaluar pa të! Dani buzëqeshi me dashamirësi:
- E kemi djalë flori, o Ukë shoqi.
Iliri i përqafoi të dy dhe shtoi me shaka: - Dy dele të zeza bëjnë një tufë.
Mëngjesi në Krajë është i ftohtë. Baca Ukë rrahu të mbledhë fijen e ëndrrave të natës, por nuk mundi. Ëndrrat ia kishte tretur era e mëngjesit. Baca Ukë po plakej. Këtë ia thoshte jo vetëm rakia e rrushit, të cilën Dani e kishte pjekur me kujdes, por edhe tava e krapit që ai e kishte për merak, por tani Uka nuk ishte ai i dikurshmi. Një gotë raki dhe pak krap i mjaftonin stomakut. Krejt lumturia e tij ishte nipi Iliri, kujtimi i vetëm i djalit të tij. Nga këto vegime e zgjoi zëri i Hanës: - Si e pi kafen Ukë?
- Me pak sheqer motër – tha Uka si pa qejf.
- Beni telefonoi sot dhe tha se do vijë javën tjetër. U gëzua kur i tregova se kanë ardhur Uka me Ilirin dhe do rrinë për ”Ditën e Gështenjave“. Më porositi: “Mos e lëshoni Bacën deri të vij unë“.
Bacës Ukë i shndritën sytë. Benin e donte si djalin e vet, por në mendjen e tij kishte vendosur të shkonte pas festës, por nuk foli.
Pas mëngjesit, ata u nisën për në qendër. Qyteti ishte plot me njerëz që vinin nga e gjithë rrethina. Vendasit prezantonin produktet e veta në tezgat e rregulluara me kujdes. Vaji i ullirit, mjalti i vendit, djathi, qepa, shega, fiku i terur dhe normalisht fruti i gështenjës ishin me bollëk. Kishte edhe të atillë që shisnin peshk, si gjuhca apo krap. Kostumet e ndryshme popullore të grave e bënin edhe më të bukur këtë ditë me diell të nëntorit. Tingujt e muzikës popullore përhapnin energji pozitive për turmën e vizitorëve. Iliri kishte takuar disa shokë që i kishte njohur më parë dhe ata e tërhoqën në valle. Një vajzë shtathedhur nuk ia ndante sytë Ilirit, por edhe ai ia kishte lëshuar ”dritat e gjata“. Kjo nuk mbeti pa u vënë re nga Hana, por edhe Dani e Uka që ishin ulur në një tavolinë ku mund të përcillnin muzikën. Hana i hodhi një sy Ukës dhe pastaj shtoi: - Jam e sigurt që Iliri do ta vizitojë më shpesh Krajën.
Në vend që të përgjigjej, Uka po shikonte vajzën, e cila dallohej për kërcimin e saj elegant dhe nuk i hiqte sytë nga Iliri. - E bukur, a?
Pa pritur përgjigjen, foli me zë: - Dhashtë Zoti!
Ishte një ditë e bukur dhe plot gjallëri. Ashtu ishte edhe dita tjetër. Tashmë Iliri ishte ambientuar aq fort me mjedisin saqë nuk donte të largohej, por Baca Ukë kishte vendosur të kthenin në Malësinë e tyre. Pasi u përshëndetën me Danin dhe Hanën, vazhduan rrugën. Në Shtegvashë u ndalën edhe një herë për ta thithur ajrin e Krajës.
Mbi Krajë kishte rënë nata dhe dritat filluan të ndizeshin gradualisht. Qyteza e vdekur dukej sikur kthehej në jetë…
(Ky punim me shifër 1407 ka fituar vendin e parë në konkursin letrar kushtuar gështenjës, që është organizuar në kuadër të manifestimit “Dita e Gështenjave në Krajë”, më 9-10 nëntor 2024)