Enigmat e një qyteti antik të lavdishëm

Lezha apo Lissusi (Lissosi) e vjetër, që mbart në vete një lidhje shpirtërore me Ulqinin, për vetë faktin se aty i kaloi ditët e fundit edhe Hafiz Ali Ulqinaku, përpiluesi i Mevlydi Sherifit në gjuhën shqipe në vitin 1873, kurse i botuar më 1885, na bën kureshtarë ta vizitojmë kalanë e lashtë dhe pse jo, ta zbulojmë të panjohurën që ka të bëjë me tyrben e Skënderbeut

Sami Flamuri

“Udhëtimi të lë pa fjalë, pastaj të kthen në një tregimtar”. (Ibn Battuta)

S’ka se si të ishte ndryshe një ditë perfekte për grupin “Ilirët”, me Gaz(mend) dhe Indrit Çitakun që shpeshherë e quaj “Maximus Probus Çitakus” dhe Fatmir Markashin, i cili me njohuritë e tij enciklopedike na e lehtëson udhëtimin kahdo që ne synojmë të nisemi.
Lezha apo Lissusi (Lissosi) i vjetër, që mbart në vete një lidhje shpirtërore me Ulqinin, për vetë faktin se aty i kaloi ditët e fundit edhe Hafiz Ali Ulqinaku, përpiluesi i Mevlydi Sherifit në gjuhën shqipe në vitin 1873, kurse i botuar më 1885, na bën kureshtarë ta vizitojmë kalanë e lashtë dhe pse jo, ta zbulojmë të panjohurën që ka të bëjë me tyrben e Skënderbeut.
Por pa kaluar kalanë mijëvjeçare të Lezhës apo Lissusit të lashtë, nuk ka kuptim sidomos diçka që Gazmendi insistonte – zbulimin e mureve pellazgo-ilire që ende janë një enigmë e pashpjeguar mirë. Ja çfarë shkruajnë arkeologët austriakë, Kamilo Prashniker dhe Arnold Shober, në vitin 1919, për vendbanimin e Lezhës së asaj kohe;
“Sipas Hahn dhe Ippen, Akrolissosi i vjetër ndodhët në kodrën e sotme të kështjelles, ndërsa Lezha e sotme, e ndodhur brenda të njëjtit mur fortifikues, nuk mund të jetë në asnji rast identik me Lissosin. Kështu Hahn vjen në nji rrugëdalje, në vetvehte pak të mundshme, që Lissusi i vjetër gjendej teposht Drinit, diku përballë bregut të sotëm të detit, në nji territor që sigurisht është braktisur në lashtësi gjatë procesit përmbytës të zonës bregdetare nga lumi. Por nji mundësi e dytë do të ishte ajo që Akrolissosi të kërkohet diku tjetër dhe ktu ofrohet, para së gjithash, mali i lartë i Shelbuemit (maja e tyrbes sot v.j.)”
Pamja mahnitëse e cila na ofrohet nga lartësia mbidetare prej gati 400 metra, e përforcon bindjen e Gazmendit që teoria e shkencëtarit meksikan Roberto Salinas Price se Troja gjendet diku në kufirin jugor të bregdetit dalmatin nuk qëndron, por ka shumë gjasa që ne jemi pikërisht në vendin ku heronjtë e Homerit zbarkuan me anijet e veta! Imagjinata të lejon ta përfytyrosh këtë, por duke qenë se historia flet me shekuj, ja dhe historia e Lissosit antik.
Për herë të parë Lissosi (Lissusi) apo Lezha e sotme përmendet nga Polibi (Polybios II), i cili përshkruan ngjarjet që u zhvilluan në periudhën e luftës iliro-romake. Sipas Polibit, në vitin 229 p.e.s., në bazë të traktatit të paqes të nënshkruar nga të dyja palët ndërluftuese, Lisi (Lissusi) shënonte kufirin jugor për lundrimin e anijeve luftarake ilire. Në vitin 228 p.e.s., Lisi emetoi për herë të parë monedhat e veta. Në vitin 213 p.e.s. qyteti u pushtua nga mbreti i Maqedonisë, Filipi V.
Nën mbretin ilir Gent, në vitin 180 p.e.s. Lisi u kthye në rezidencë mbretërore dhe bazë ushtarako-detare të mbretërisë ilire. Në vitin 168 p.e.s. qyteti u pushtua nga romakët dhe në kohën e sundimit të Çezarit, në mesin e shek. I p.e.s. mori statusin e një municipiumi.
Në periudhën e vonë antike, Lissusi ishte qendër peshkopale. Në vitin 592, për shkak të pushtimit të vendit nga sllavët, peshkopi i qytetit gjeti strehim në Itali.
Qyteti përmendet përsëri si qendër peshkopale në fillim të shek. X dhe pak më vonë si njëri nga tri qytetet e fortifikuara në kufirin verior të Durrësit. Përsëri Lisi përmendet si një vend i fortifikuar me rastin e fushatës luftarake të Vasilit II, në vitin 1018.
Më pas Ana Komnena e ngre lart rolin e qytetit kundër normanëve, në vitin 1108. Ajo e përshkruan Lisin si një kështjellë të lartë, të vështirë për t’u arritur nga të gjitha anët. Në shek. XIV Lezha ishte nën sundimin e familjes feudale të Dukagjinëve. Ata e zotëronin kështjellën e poshtme, e cila njihej si “Castrum de Lexio”, ndërsa qyteti i sipërm ishte lënë i rrënuar.
Në vitin 1393, kundrejt një marrëveshjeje Dukagjinasit ua dorëzuan qytetin venecianëve, të cilët disa vite më vonë (1398) synonin të rindërtonin kështjellën e sipërme.
Në vitin 1478, gjatë periudhës së rrethimit të Shkodrës, turqit e pushtuan qytetin e Lezhës, i cili mbrohej ende nga kështjella e poshtme pranë lumit. Por, ata e gietën qytetin të braktisur pasi banorët ishin zhvendosur disa kilometra më në perëndim, në ishullin e Lezhës.
Në vitin 1501, në Ishullin e Lezhës zbarkoi me ndihmën e venecianëve, Skënderbeu i Ri, nip i Skënderbeut. Qëllimi i tij ishte përgatitja e një kryengritjeje kundër turqve. Atëherë Ishulli kishte rreth 200 shtëpi prej druri, të ndërtuara përgjatë bregut të lumit.
Pas dështimit të kryengritjes, venecianët ia dorëzuan ishullin turqve pas këmbënguljes së tyre. Qytetarët e fundit të Lezhës gjetën strehë në Pulje dhe Ulqin.
Sipas një mbishkrimi, që sot ndodhet në Muzeun Historik të Lezhës, Sulltan Sulejmani i Madhërishmi e ndërtoi kështjellën e sipërme të Lezhës midis viteve 1521-1522. Në burimet historike të mëvonshme, ajo përmendet si “Castel nuovo”. Kryengritësit shqiptarë u përpoqën më kot ta merrnin kështjellën e sipërme në vitin 1570.
Sipas një relacioni anonim të po këtij viti, kështjella e sipërme kishte 80 shtëpi myslimanësh, ndërsa poshtë pranë lumit kishte një varosh të banuar me të krishterë.
(vijon)

Të fundit

më të lexuarat