Ëndrra e peshkatarit

Gani Karamanaga

Në fillim të këtij viti doli nga shtypi në Prishtinë libri i ri, i autorit Hajro Ulqinaku PESHQIT E DETIT TONË (Fjalor i Itiografisë).
BotuesIt: INSTITUTI ALBANOLOGJIK PRISHTINË BASHKIMI I KRIJUESVE SHQIPTARË NË MAL TË ZI

Peshkimi 1
Hajro Pufja dhe shoku i tij Fejzo Bushati jetonin në Prronin e Ranës në Ulqin. Ishin në moshën shtatë vjeçare. Morën grepat e misinën dhe u nisën në peshkimin e parë. Ato ia ja gjeti vëllai i Fejzit Duli, i cili ishte peshkatar me nam.
“Po shkojmë mbrapa hotelit Jadran, po ulemi deri te Pllazha e Ludvigut”, tha Fejzi.
Kaluan Prronin edhe ecën nëpër trotuar të Plazhit të Vogël. Nëpër shkalla dolën deri te gadishulli “Suka” ku ishte hotel Jadrani. Mbasi u ulën deri te Plazhi i Ludvigut u vendosën në kënd të shkëmbit dhe hedhën grepat në det. Ishte vjeshtë, koha para se të errej.
Në fillim peshqit nuk erdhën, por durimi u pagua, Fejzi zuri një bokficë, mandej edhe Hajroja. Për një orë e gjysmë kishin zënë dhjetë bokfica, tri saraga, dy shapurina, një levrek të vogël.
U kthyen para nate, të kënaqur në shtëpi.

Peshkimi 2
Ali Pufja kur u rrit dhe u bë burrë e mori zanatin detar dhe peshkatar të babait të tij. Një kohë të shkurtër punonte edhe ai në barka, të cilat lundronin nëpër Bregdetin e Malit të Zi.
Në krahasim me babanë e tij, ai ishte djalosh i gjatë, i fuqishëm. E karakterizonte edhe vendosmëria dhe trimëria.
Një ditë erdhi te shtëpia e Sulejman Pufjes dhe i tha:
“Do ta marr Hajron të shkojmë të hedhim parangala deri në Mendër”
Hajroja atëherë kishte dhjetë vjet.
Kushëriri Mano-Sulejmani i tha:
“Shkoni, por ruajuni mos të çojnë det”
Alia u përgjigj:
“Moti është i mirë. Unë jam detar, ti je mjeshtër për ndërtimin e shtëpive”.
U nisën me sandall me rrema prej Jallije. Ishte pasdite. Alia i fuqishëm, sanalli ecte dhe arritën deri te Lugu i Xhemiles.
E hedhën spirancën dhe dolën në tokë. Alia i kishte përgatitur parangalat. I lëshuan katër parangala, i lidhën për shkëmbinj dhe u kthyen mbrapa.
Hajroja nuk kishte fjetur gjithë natën. Në mëngjes herët Ali Pufja u bëri zë dhe prapë me sandall me rrema arritën deri te Lugu i Xhemiles.
I nxorën parangalat. Kishin zënë dy gruja, një levrek edhe një saragë të madhe. Peshkim i bukur, mjaft për drekë për dy familjet Pufja.

Peshkimi 3
Peshkimi me trakta në Lumin Buna

Rrugëtimi i Lumit Buna
Duke u ngjitur përpjetë prej grykës në det, në anën e majtë të Bunës, vendi i parë ka qenë Shën Kolli. Aty dikur janë lidhur barkat e ulqinakëve. Në afërsi është kisha e vjetër.
Reçi është në afërsi të lumit. Mandej është fshati i vogël Sutjel. Në vazhdimësi është Shën Gjergji. Duke kaluar kodrën kalohet në pjesën e anës malit.
Aty është Fraskanjeli. Buna këtu ngushtohet dhe kalon në afërsi të fshatit Lisna dhe Bori.
Prej aty Buna bëhet vetëm Lumi i Shqipërisë.
Peshkaxhitë atë ditë vjeshte kishin gjuajtur qefull – vjeshtuk, në Bunë.
Gjithë ditën, hedh e njerr trakte, por atë ditë nuk zunë vjeshtuk, as për të bërë be, përpos një levrek të madh, rreth pesë kilogramësh. Ai levrek nuk është i mjaftueshëm për tërë peshkaxhitë dhe, me siguri, i kishte rënë në pajë, dikujt prej peshkaxhive, ashtu si e kanë adet peshkaxhitë ta ndajnë peshkun me shart.
Gjatë lundrimit me fllugë për Ulqin, Fejzi e Hajroja rrinin në kiçin e fllugës.
Duli, vëllai i Fejzit thoshte:
“Më duket se keni harruar se edhe vjeshtuku ka të drejtë n’Zat si na peshkaxhitë. Herës tjetër do të jetë gjoja më e mirë”.

Botim i ri
PESHQIT E DETIT TONË

Hajro Ulqinaku studimet e albanologjisë i ka kryer në Fakultetin Filologjik të Beogradit në vitet 1959-1963 ku shoqërohet fillimisht me Simë Dobrecin, Shefket-Kusho Dollakun e më vonë edhe me Shuajb Resulbegun. Në ato kohëra Beogradi si kryeqendra e ish-Jugosllavisë ishte qytet i lirë, i hapur për çdokënd.
Kthimi i parë në vendlindje është në vitin 1978, kur punon një vit në Krajë. Nxënësit e tij atëherë ishin: Hajrullah Koliqi, Ibrahim Berjashi, Nazire Curaj, Hajrullah Hajdari.
Por, vendlindja të cilën e kishte në shpirt dhe në zemër ia dha letrën për Kosovë.
Më së pari, në Kosovë punoi e jetoi në Ferizaj, ku nxënësit e tij ishin: Mehmet Bardhi, Ibrahim Berjashi, Nazire Curaj…
Mandej është periudha e jetesës dhe punësimit në Prishtinë ku punonte si gazetar, redaktor në TV. Ishte koha e krijimtarisë së tij, ku bëhet njëri prej shkrimtarëve më të njohur për fëmijë shqiptarë. Edhe në këtë krijimtari dominojnë motivet e detit, krejtësisht të vendlindjes.
Kthimi i dytë në Ulqin. Dhe kështu deri në vitet e nëntëdhjeta kur mbeti pa punë. Si shumë patriotë tjerë vazhdoi dhe mbijetoi deri në vitin 1999, duke i bërë rezistencë pushtetit serbomadh, kur erdhi të jetojë përsëri në vendlindje – Ulqin. Ishte kthimi i dytë në Ulqin.
Prej atëherë në muajt e pranverës, verës dhe fillimin e vjeshtës ishte në Ulqin, kurse dimrit shkonte në Prishtinë.

Krijimtaria për peshkatarë dhe detarë
Këtë periudhë e karakterizon krijimtaria e frytshme. Hajro Uqinaku duke u shoqëruar në Ranë me bashkëvendësit e tij shkruan dhe publikon disa libra për detarë dhe peshkatarë ulqinakë. Personazhet në librat e Hajros janë njerëzit e çdoditshëm, të cilët lundruan nëpër detet e afërme dhe nëpër oqeane, peshkatarët me famë, njerëzit të cilët e ruajtën folklorin e Ulqinit.
Hajro Ulqinaku ka qenë redaktori, konsulenti dhe lektori i disa autorëve nga Ulqini dhe Malësia-Tuzi. Duke redaktuar dhe lekturuar librat e tyre ai njëkohësisht ishte edhe drejtuesi dhe ndihmesë e madhe për këta krijues. Po i numëroj disa prej tyre:
Dr.Ruzhdi Hasanaga, Sami Misherri, Edita Nimanbegu, Jusuf ef. Gjokaj, Dr. Gani Karamanaga, Rifat Stankaj.
E vlerësoj
Libri i ri është ENCIKLOPEDI për detin, peshqit në detin tonë.
Tjetër gjë do të thonë lexuesit

Në fund Hajro Pufja Ulqinaku shprehet:
„Vendlindja është në vendin e parë, ende i kam borxh…”.

Të fundit

më të lexuarat