Ulqin – Libri “Bllaca ’99 – përjetimet e të dëbuarve me dhunë nga forcat serbe” i autorit Jahja Lluka është përuruar të mërkurën mbrëma (27 nëntor 2024) në Bibliotekën e Qytetit në Ulqin.
Libri, i botuar në 25-vjetorin e dëbimit të shqiptarëve të Kosovës, është përmbledhje e rrëfimeve të dhjetëra shqiptarëve nga Kosova, të cilët e kanë përjetuar kampin në Bllacë.
Lluka ka treguar se si ka lindur ideja për botimin e librit.
Ai ka thënë se shqiptarët kanë përjetuar shumë tragjedi dhe nuk kanë nevojë të gënjejnë askënd.
“Unë me Dibranin (Fyllin) dhe me disa shokë, u ulëm dhe e biseduam këtë punë për ta bërë librin”, ka thënë ai, duke treguar se gjëja e parë që kanë bërë është grumbullimi i informacionit nga organizatat që gjatë krizës humanitare të viteve 1998-1999 kanë punuar në Bllacë.
“I kemi marrë listat dhe kemi filluar t’i thërrasim njerëzit. Disa njerëz i kanë çuar rrëfimet e tyre. Disa nuk kanë dashur as me ju përmendur emrin…”, ka theksuar Lluka, duke thënë se kanë hasur edhe në raste të njerëzve që nuk kanë dashur të pranojnë të vërtetën se kanë qenë në Bllacë.
Ai ka thënë se “gjithçka në këtë libër është e vërtetë, e saktë, sepse ne kemi dashur çdo rrëfim ta konfirmojmë”.
Ndër rrëfimet e shumta rrëqethëse, ai ka veçuar dy, që i ka ndarë me publikun, njëri prej të cilëve ka të bëjë me një foshnje vetëm tremuajshe, që është sëmurë në kamp, dhe përkundër dërgimit në spital nuk ka arritur të mbijetojë.
“Fatkeqësisht, ajo foshnje ka vdekur në spital dhe është marrë vendimi që të varroset në Saraj, një qytezë e lidhur me Shkupin. Meqenëse nuk e kanë ditur kush është ajo foshnje, Bashkësia Islame vendos ta varrosin (në varreza në Saraj). Organizojnë një manifestim madhështor dhe ia ngjisin emrin Djali i Kosovës. Kur e çojnë në varreza, del një qytetar i Sarajit, e lut imamin, meqenëse ai kishte pasur një rast (të ngjashëm) – i kishte vdekur djali disa muaj më herët, po ashtu 4-5 muajsh. I thotë: A mund të varrosen në një varr, që këta dy të shoqërohen? Edhe kështu u bë”, ka rrëfyer mes lotësh Lluka, duke treguar se kanë arritur që ta gjejnë familjen e fëmijës me mbiemër Kastrati në Shkabë të Kosovës, babai i të cilit ua ka treguar dhe konfirmuar historinë prekëse.
Regjisori, aktori dhe shkrimtari Dibran Fylli, i cili ka qenë pjesë e grupit që është marrë me përgatitjen e librit, ka thënë se për të dëbuarit në Maqedoni, vendi i ferrit ishte Bllaca, ku njerëzit ballafaqoheshin me vdekjen.
“Kishte të sëmurë, të moshuar, fëmijë, të lodhur e të rraskapitur, të mërdhirë e të uritur. Bllaca ishte një katastrofë njerëzore e politikës antihumane ndaj një populli të pambrojtur. Ata erreshin aty, por asnjëherë nuk e dinin se a do t’i zbardhte drita në atë vend”, ka theksuar ai.
Sipas Fyllit, në bazë të statistikave të organizatave ndërkombëtare dhe vendore, deri në fillim të majit 1999, nga Kosova ishin përzënë rreth 730 mijë shqiptarë, prej të cilëve 605 mijë janë strehuar në Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi, Bosnje e Hercegovinë, ndërsa 125 mijë të tjerë në vende të ndryshme të Evropës, në Amerikë e deri në Australinë e largët.
“E vërteta është se tërë një popull në vitin 1999 ishte kthyer në kamp, në kamp përqendrimi. Bllaca ishte vetëm një pjesë e atij kampi, që quhej Kosovë”, ka thënë ai.
Duke folur për librin, aktori, regjisori dhe skenaristi Xhevat Limani nga Maqedonia e Veriut ka thënë se megjithëse ai duket i vogël, në të ka drama të mëdha të fateve të individëve.
“Dhe është gjetje se si i ka sjellë para lexuesve përmes virgjilëve shqiptarë. Ata janë gazetarë, të cilët pranuan me vetëdije rolin e sakrificës nëpër kampe, fronte, kufij, tunelet e vdekjes. Dhe kjo flet për një gjakim shumë të hollë, për një gjenetikë anatomike kombëtare që vazhdon në vazhdimësi. Dhe kjo vazhdimësi duket edhe te gazetarët, edhe te heronjtë, edhe te protagonistët e Jahja Llukës në ‘Bllaca ‘99’, ka thënë ai, duke shtuar se rrëfimet mbi fatet e ferrit nuk janë as të Dostojevskit apo të ndonjë shkrimtari tjetër të madh, “por janë të sjella në një origjinalitet dhe në një mënyrë dhimbjeje autoktone, shqipërisht në librin e Jahja Llukës”.
Në fillim të përurimit, ai ka interpretuar për të pranishmit një fragment nga monologu i poemës dramatike “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu”, që artisti i madh shqiptar e ka luajtur në skena të ndryshme botërore.
Udhëheqësja e përurimit, Ardita Rama, njëkohësisht udhëheqëse e Bibliotekës së Ulqinit, ka thënë se libri “Bllaca ’99…” është një vepër që përmbledh një moment të caktuar të historisë sonë, të cilin duhet ta ruajmë dhe të mos e harrojmë kurrë.
Ajo ka thënë se libri përfshin 51 përjetime rrëqethëse të njerëzve që kaluan kampin e vdekjes, të ilustruara me foto.
“Kampi i Bllacës ishte një nga vendet më të tmerrshme të torturës së shqiptarëve të Kosovës gjatë luftës së Kosovës, një kamp i cili mbetet një simbol i brutalitetit të ushtrisë dhe forcave serbe ndaj civilëve kosovarë. Nëpër këtë kamp besohet se kanë kaluar rreth 440 mijë shqiptarë, të dëbuar me dhunë nga shtëpitë e tyre me qëllim të spastrimit etnik të Kosovës dhe të realizimit të gjenocidit të planifikuar nga Serbia me një varg programesh fashiste, që kanë prodhuar mizori shekullore”, ka theksuar Rama.
Përurimi i librit është organizuar nga Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Malin e Zi, Shoqata për Kthimin e Shqiptarëve të Shpërngulur, Lidhja Demokratike në Mal të Zi dhe Qendra për Kulturë – Ulqin, përkatësisht Biblioteka e Qytetit.
Po të njëjtën ditë, përurimi i këtij libri është bërë edhe në Shtëpinë e Kulturës në Ostros të Krajës.
i. k.