Ulqin – Përurimi i librit “Rrënjët – Pemët e familjeve shqiptare autoktone në komunën e Ulqinit” i autorit Hysen Ujkashi është bërë të dielën mbrëma në restorantin “Kallaba” në Ulqin.
Autori ka treguar se ideja për t’u marrë me pemët familjare i kishte lindur që para 45 vitesh, kur babai i tij dhe imami i njohur Selim Shaptafi, të dy të ndjerë tani, flisnin për breznitë e kaluara, ndërsa ai i dëgjonte me vëmendje. Kjo e nxiti që të fillojë të mbajë shënime në një bllok.
Por puna konkrete për botimin e librit, në të cilin përfshihen pemët e disa dhjetëra familjeve shqiptare në tërë komunën e Ulqinit, ka filluar para katër viteve, kur Ujkashi idenë ua tregoi disa kolegëve të tij, të cilët e mbështetën dhe i dhanë kurajë për të filluar punën.
Ai ka thënë se disa skeptikë nuk kanë besuar në fillim që do të realizohet ky projekt i botimit të librit, por ai së bashku me disa bashkëpunëtorë të tij iu përveshën punës dhe ia arritën të hedhin “muret e kalasë”.
“Por i mbetet rinisë që të vazhdojë punën”, ka thënë Ujkashi, duke lënë të nënkuptohet se ky libër është fillimi i një pune të madhe që duhet ta vazhdojnë të tjerët.
Për librin kanë folur anëtarët e redaksisë Mr. Ali Bardhi, Gazmend Kovaçi dhe Gazmend Çitaku.
“Libri ‘Rrënjët’ i autorit Hysen Ujkashi është i pari i këtij lloji që përmbledh pemët e familjeve në komunën e Ulqinit dhe një ndër librat e rrallë që janë botuar deri tani me pemët e familjeve shqiptare në përgjithësi”, ka thënë në fjalën e tij Bardhi.
Sipas tij, “me këtë botim të parë, autori ka arritur në mënyrë të suksesshme që të botojë mbamendjen e njerëzve me të cilët ka komunikuar, të motivojë shumë familje për të përfunduar pemët e familjeve që veç i kanë pasur apo t’i fillojnë nga fillimi. Njëherit me këtë libër autori na ka bërë thirrje që të vazhdohet me plotësimin e pemëve të familjeve”.
Ai ka folur edhe për rëndësinë e librit duke thënë se e “vë theksin qartë te nevoja e hartimit dhe botimit të pemëve të familjeve në bazë të kujtesës aktuale të njerëzve, e cila mundëson pastaj vendosjen e breznive më të hershme në bazë të hulumtimit të dëshmive të shkruara si dhe vendosjen e brezave të reja që do të vijnë”.
Anëtari tjetër i redaksisë, Gazmend Kovaçi, ka nënvizuar rëndësinë e punës së ruajtjes së historisë së pemëve të familjeve.
Në këtë kontekst, ai ka thënë se kontributi i autorit Hysen Ujkashi me botimin e librit “Rrënjët” qëndron në faktin sepse libri tregon qartë për “rëndësinë e hartimit të pemëve të familjeve; rëndësinë e regjistrimit të emrave të renditur në pemë, qoftë kjo edhe me atë që quhet familje e ngushtë apo e gjerë, që shkon në dy apo në tre breza; rëndësinë e hulumtimit të dëshmive të shkruara; rëndësinë e dokumentimit të historisë së familjeve tona, me të gjitha të dhënat që dimë për familjarët”.
Kovaçi ka falënderuar autorin që përmes këtij libri i ka motivuar njerëzit për mbledhjen dhe hartimin e pemëve të familjeve, disa prej të cilave arrijnë deri te breznitë e hershme.
Për anëtarin tjetër të redaksisë, Gazmend Çitakun, i cili edhe e ka udhëhequr përurimin, familja, farefisi dhe marrëdhëniet ndërfamiljare janë subjekte të rëndësishme të shkencave sociale.
“Historia familjare është e rëndësishme, sepse ndihmon për të kuptuar historinë dhe diversitetin e shoqërisë që jetojmë. Historia familjare mund të ndihmojë për të hedhur dritë edhe për ndryshimet në familje dhe në shoqëritë e ndryshme”, ka thënë ndër të tjera ai.
Vlerësime për autorin dhe librin ka dhënë edhe mësuesja Feride Zati – Hajdinaga, pema familjare e së cilës gjendet në libër.
“Të gjithë ne mburremi me trungun familjar që e kemi trashëguar”, ka thënë ajo, duke folur për të kaluarën e familjes së saj.
Hajdinaga ka treguar se në fillim, në shkollën fillore “Marshall Tito” ku ajo është aktualisht drejtoreshë dhe ku ka punuar autori i librit, nuk e kanë marrë me seriozitet idenë e botimit të librit, por më vonë e kanë kuptuar qëllimin e autorit.
Libri është botuar nga Shoqata “Ora”, e cila edhe e ka organizuar përurimin.
Në fjalën përshëndetëse, kryetarja e kësaj shoqate, Arjeta Kurti, ka folur për veprimtarinë e Shoqatës “Ora” gjatë njëzet viteve, duke thënë se ajo “ka luajtur një rol të rëndësishëm në jetën shoqërore të trevës së Anës së Malit dhe të komunës së Ulqinit në përgjithësi, sidomos në fushën e artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore, si dhe të asaj shkencore”.
Duke folur për librin, ajo ka thënë se është e vetëdijshme që ndihma e Shoqatës “Ora” nuk ka qenë e mjaftueshme, por ndjehet e lumtur që libri “Rrënjët”, pavarësisht sfidave, ka gjetur dritën dhe sot e kemi në duar.
“Siç e thotë edhe vetë titulli i librit, autori përpiqet të dokumentojë rrënjët e paraardhësve tanë. Në mungesë të burimeve arkivore, ai ka shfrytëzuar informatorët e gjallë për të treguar pemën e tyre familjare. Jam e vetëdijshme se kjo është një sipërmarrje e madhe që kërkon grupe pune. Prandaj le të shërbejë ky libër i z. Ujkashi si një nxitje për të tjerët që në të ardhmen të vazhdojnë punën e nisur nga ai. Dhe për të gjithë ne, si individë, që të paktën të shënojmë pemën tonë familjare, si një obligim dhe borxh moral ndaj të parëve tanë”, ka theksuar Kurti.
Në emër të familjes, të pranishmit i ka përshëndetur Blerta Ujkashi, profesoreshë e gjuhës dhe letërsisë shqipe, aktori Shefqet Luca ka lexuar poezinë “Rrënjët”, ndërsa mbesa e autorit, Uerda Ujkashi, ka lexuar një poezi kushtuar gjyshit të saj.
Në fund të përurimit, autori Hysen Ujkashi ka ndarë libra falas për të gjithë të pranishmit.
Hysen Ujkashi ka lindur në fshatin Sukubinë të Anës së Malit. Ka mbaruar studimet për pedagogji në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës. Që prej vitit 1983 deri në pension ka punuar pedagog në shkollën fillore “Marshall Tito” në Ulqin. “Rrënjët – Pemët e familjeve shqiptare autoktone në komunën e Ulqinit” është libri i tij i parë.
i. k.