Ditarët si dëshmi e preokupimit për Kosovën

Në pesë vëllimet e Ditarëve të tij me mbi katër mijë faqe, që përfshin periudhën prej vitit 1992 deri në mars të vitit 1999, Kosova zë një vend që nuk e imagjinoja dot. Sidomos nga viti 1998. Vërtet është për t’u habitur me çfarë interesimi, brenge dhe dashurie i përcjell ngjarjet në Kosovë dhe sa shumë informata të hollësishme ka për Kosovën

Qazim Muja

(vijon nga numri i kaluar)
Se sa ishte i preokupuar me Kosovën, me luftërat, masakrat dhe tmerret që bënte “Kasapi i Ballkanit”, siç e quante ai Millosheviqin, e shohim përmes Ditarëve të tij. Në pesë vëllimet e Ditarëve të tij me mbi katër mijë faqe, që përfshin periudhën prej vitit 1992 deri në mars të vitit 1999, Kosova zë një vend që nuk e imagjinoja dot. Sidomos nga viti 1998. Vërtet është për t’u habitur me çfarë interesimi, brenge dhe dashurie i përcjell ngjarjet në Kosovë dhe sa shumë informata të hollësishme ka për Kosovën.

Nuk besoj se ka ndonjë shkrimtar, mbase as nga Kosova, që të ketë bërë një gjë të këtillë, me kaq precizitet, me kaq dashuri dhe dhembshuri, ditë për ditë, për Kosovën, dhe me kaq urrejtje për agresorin serb, por edhe me aq ironi për Evropën dhe SHBA


Nga këto ditarë unë kam nxjerrë diku rreth 120 000 karaktere shkrime, një libër i tërë, një kronikë e veçantë, andaj dhe është e pamundur t’i përfshij të gjitha. Nuk besoj se ka ndonjë shkrimtar, mbase as nga Kosova, që të ketë bërë një gjë të këtillë, me kaq precizitet, me kaq dashuri dhe dhembshuri, ditë për ditë, për Kosovën, dhe me kaq urrejtje për agresorin serb, por edhe me aq ironi për Evropën dhe SHBA. Po i përmend vetëm disa, që nga 27 janari 1998 deri më 20 shkurt 1999. Citoj, por me kapërcime të dukshme:
“Në Kosovë është gati të shpërthejë një luftë e vërtetë. Nuk ka më asnjë dyshim se ka territore të tëra të kontrolluara nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Këtu, ‘Vjesnik’ shkruan se dy kriminelë serbë, Arkani dhe kapiten Dragani, po shëtisin këto ditë nëpër Kosovë. Kanibalët e kanë ndier se do të ketë rrëmujë dhe kanë ardhur të plaçkitin, atyre vetëm kjo u intereson, siç plaçkitën në Vukovar dhe rreth Vukovarit.

  • Në Kosovë është jashtëzakonisht gjendje dramatike: një polic serb ka qëlluar pas kokës një të ri shqiptar gjashtëmbëdhjetëvjeçar”.
    Pastaj flet për cinizmin e Gligorovit lidhur me 400 000 refugjatë shqiptarë dhe planin e tij për t’i përcjellur për në Shqipëri, nga frika se mos mbesin në Maqedoni. Më pas me shqetësim thotë: “Mendoj se Mali i Zi këtë herë nuk do ta turpërojë veten duke dërguar rekrutët e tij, vullnetarë në Kosovë, siç i dërgoi Momir Bullatoviqi më 1991. Mendoj se tani është një Mal i Zi ndryshe. Nëse jo, atëherë nuk kam ku të kthehem”.
    Më pas shkruan: “Sipas gazetave, në fshatin Prekazi i Ulët janë vrarë 26 anëtarë të familjes Jashari. Vritet edhe Adem Jashari, djali i mësuesit Shaban Jashari, luftëtar i njohur për të drejtat kombëtare të shqiptarëve… Nga djemtë e Jasharajve ka mbetur i gjallë vetëm djali i madh, i cili jeton në Gjermani. Tani pjesa më e madhe e Jasharajve është vrarë. Lufta e tyre heroike, rezistenca e tyre, vdekja e tyre, sakrifica e tyre për dinjitetin e shqiptarëve të Kosovës, do të jetë rasti, madje më i madh, për krijimin e një legjende për sakrificën e një familjeje shqiptare, pikërisht në fund të shekullit të njëzetë. Do të krijohet një vepër madhështore në prozë dhe poezi për Jasharajt e Prekazit të Ulët”.
    Në vazhdim flet për kthimin e B. Bukoshit në Kosovë, të cilin e njihte personalisht nga viti 1993. Pohon se gazetarja shqiptare Diana Rexhepi e njofton për ngjarjet e përditshme në Kosovë. I referohet Rahim Ademit, gjeneral kolonel në ushtrinë kroate, si komandant i mundshëm i UÇK-së. Më tutje vazhdon: “Miku im Adem Demaçi foli sërish. Ai është autoriteti më i madh moral në Kosovë, Mandela shqiptar. Sot, Adem Demaçi deklaroi: ‘E gjithë politika e Ibrahim Rugovës dhe e grupit të tij është një gjë e dështuar’”.
    Vërtet të habitë fakti se sa i informuar ishte Bërkoviqi rreth ngjarjeve të përgjithshme në Kosovë. Më tutje flet për vrasjen e ministrit të Mbrojtjes në Qeverinë e Kosovës në Mërgim, Ahmet Krasniqi, flet edhe për një roman të Krasniqit në dorëshkrim, për të cilin i kishte folur shkrimtari i njohur Mirko Kovaç, sepse kishin qenë miq me Krasniqin.
    “Më 26 korrik 1998, civilët e mbijetuar nga Rahoveci, nga fshati Astrazup, dëshmojnë se forcat serbe abuzuan brutalisht me gratë dhe fëmijët. I mbyllën nëpër shtëpi dhe i dogjën të gjallë. Një dëshmitar pohon se ai i pa oficerët e policisë serbe duke prerë fillimisht një kryq ortodoks në ballin e fqinjit të tij 66-vjeçar, Ali Spahiut, dhe më pas e vranë atë. Civilët refugjatë dëshmojnë se serbët fillimisht ua nxirrnin sytë njerëzve, e më pas ua prisnin fytin. Këto skena të tmerrshme janë parë nga një grua shqiptare gjashtëdhjetëvjeçare. Serbët edhe një herë po aplikojnë metoda bizantine të torturës dhe shpërfytyrimit të trupave dhe pamjeve të kundërshtarëve të tyre. Këto metoda të tmerrshme u përdorën me këmbëngulje nga serbët, si çetnikë, në Luftën e Dytë Botërore, si dhe në luftën e fundit kundër Kroacisë dhe në Bosnjë e Hercegovinë. Gjatë gjithë historisë së tyre, serbët përdorën metoda bizantine të therjes së njerëzve, nxjerrjes së syve dhe gjymtimit të tmerrshëm të trupave të njeriut në përballjet e tyre me kundërshtarët!”
    Me ironi të jashtëzakonshme, madje me gjuhën “alla” Bukovski, Brkoviq shkruan:
    “12 shtator 1989, në Kosovë është më vështirë se asnjëherë: metoda e tokës së djegur, ose më saktë, e fshatrave të djegura, ende po praktikohet. Pothuajse të gjitha fshatrat shqiptare përreth Prishtinës u shkatërruan. Evropa dhe SHBA po sillen turpshëm dhe po merren paturpësisht me marrëzitë e mëdha dhe të vogla evropiane dhe amerikane: Evropa është shumë e intriguar nga teprica e frutave dhe perimeve në tregjet e Bashkimit Evropian, ndërsa Amerika është ende e zënë duke analizuar spermën e Clinton-it në fustanin e Monica Lewinsky-it me buzë të trasha dhe vithe të majme. Derisa Evropa dhe SHBA-ja po merren me tepricat e domateve dhe spermën e Klintonit, Sllobodan Millosheviqi po bën spastrimin etnik të Kosovës!”
    Ndërsa më 26 dhjetor 1998, përveç njoftimit për krimet serbe në rrethinën e Podujevës, Bërkoviq shkruan:
    “Sot në mëngjes m’u kujtua një poezi e vëllait tim Ali Podrimja, ‘Fajtor është shqiptari’. Dikur e dija përmendësh, disa prej tyre i di edhe sot”. Pastaj shënon tri strofa në Ditarin e tij, në gjuhën malazeze: “Fajtor është shqiptari /që merr frymë /e ec në dy këmbë / Unë që pi medikamente për qetësim /e tërë kohën gjuaj miza /në Nevojtore / Fajtor është shqiptari /që shkrryen gruan e vet /e familjen time shqetëson. Është kjo një poezi e vjetër e Podrimjes dhe në të gjitha mbrëmjet letrare që kemi marrë pjesë bashkë, e kam bërë ta recitojë”. (vijon)

Të fundit

më të lexuarat