
Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare shënohet çdo vit më 21 shkurt. Qëllimi i kësaj dite është t’i promovojë dhe t’i ruajë gjuhët amtare, ta inkurajojë shumëgjuhësinë dhe diversitetin gjuhësor dhe të rrisë ndërgjegjësimin për arsimin gjithëpërfshirës në gjuhën amtare dhe ruajtjen e gjuhëve të rrezikuara. Data 21 shkurt u zgjodh për ta përkujtuar Lëvizjen e Gjuhës Bengali (1952) në Bangladesh, kur studentët dhe aktivistët protestuan kundër imponimit të gjuhës urdu, si gjuhë e vetme zyrtare. Lëvizja u zhvillua kur Bangladeshi ishte një provincë e Pakistanit dhe populli i tij luftoi për njohjen e gjuhës së tyre. Protesta u zhvillua në kryeqytetin Dhaka, ku mbetën disa të vrarë. Sakrifica e atyre që dhanë jetën për lëvizjen gjuhësore u bë simbol i luftës për të drejtat gjuhësore dhe kulturore.
Pra, ndodhitë në Bangladesh e nxitën UNESCO-n që ta shpallë 21 Shkurtin si Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare në vitin 1999. Që atëherë, kjo ditë festohet për të inkurajuar përdorimin e gjuhëve amtare si një mjet për të ruajtur dhe transmetuar kulturën.
UNESCO për nder të gjuhëve amtare trajton tema të ndryshme çdo vit.
Çdo vit, UNESCO zgjedh një temë të ndryshme dhe organizon ngjarje të ndryshme në selinë e saj në Paris, Francë. Për shembull, në vitin 2005, u fokusua në alfabetin e të verbërve dhe gjuhën e shenjave dhe në 2017, shtjelloi temën se si arsimi shumëgjuhësh mund të ndihmonte botën për të pasur një të ardhme më të mirë. Ndërkaq, këtë vit u përqendrua tek edukimi shumëgjuhësh – një shtyllë e të mësuarit ndër breza, që është thelbësore për arsimin gjithëpërfshirës dhe ruajtjen e gjuhëve autoktone.
Historia e shkrimit dhe standardizimit të shqipes
Dokumenti i parë i shkruar në gjuhën shqipe daton që nga viti 1462 dhe është një fjali e vetme në shqip, e cila e ka përmbajtjen e një formule pagëzimi: “Unte paghesont premnit Atit et birit et spertit senit”, që u shërbente klerikëve të Matit. Ndërkaq, libri i parë në shqip është “Meshari” i Gjon Buzukut i vitit 1555, i cili pastaj u pasua nga vepra dhe autorë të tjerë të asaj kohe.
Pra, gjuha letrare shqipe është zhvilluar nga shekulli XVI e këndej duke u normëzuar gjithnjë. Në veprat e shkruara të shekujve XVI-XVIII normëzimi i gjuhës letrare shqipe ishte individual dhe varej nga përgatitja që kishte autori, i cili shkruante veprën origjinale ose përkthente një vepër të huaj. Këto vepra kishin karakter fetar. E gjithë kjo periudhë e zhvillimit të gjuhës shqipe quhej periudhë parakombëtare ose periudhë para Rilindjes. Idetë e para për formimin e gjuhës standarde shqipe u shfaqën në kohën e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, pra nga mesi i shek. XIX. Ideja për çlirim dhe për pavarësi kombëtare te shqiptarët u shfaq përmes interesimit për gjuhën kombëtare, për zhvillimin e saj si mjet i rëndësishëm për zhvillimin e arsimit dhe të kulturës kombëtare sipas popujve të lirë të Evropës. Në vitin 1916 u formua Komisia Letrare e Shkodrës për formimin e një gjuhe letrare kombëtare, e cila do të përdorej në administratë, në arsim dhe në veprimtaritë e tjera shoqërore. Si gjuhë zyrtare caktohet gjuha e kodifikuar nga Komisia Letrare Shqipe e Shkodrës me bazë dialektore elbasanishten ose gegërishten e mesme. Gjuha letrare e zgjedhur nga Komisia nuk arriti të gjejë zbatim të plotë. Gegërishtja filloi të hiqej nga përdorimi në shtyp që më 1945, filloi të hiqej edhe nga librat shkollorë dhe u vendos që mësimi në shkolla në Veri të bëhej në toskërishte. Në këtë kohë gjuhëtarët filluan hartimin e drejtshkrimit të gjuhës shqipe me botimin e ortografive “Ortografia e gjuhës shqipe”, 1951. Puna në planifikimin e gjuhës vazhdoi edhe me organizimin e dy sesioneve shkencore në vitin 1952, në të cilat u trajtuan çështje të gjuhës letrare. Në vitin 1972 u miratua projekti i rregullave të drejtshkrimit në Kongresin e Drejtshkrimit. Nga ky vit e deri më sot shqipja e normëzuar në këtë kongres përdoret në të gjitha vendet shqipfolëse ku shqipja e ka statusin e gjuhës zyrtare.(Q.Jakupi, prof.në Departamnetin e Gjuhës Shqipe, Fakulteti i Filologjisë, UP).
Vizita në Librarinë e Ulqinit me Rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare
Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare është një rast i veçantë për të theksuar rëndësinë dhe pasurinë e diversitetit gjuhësor. Klasa 9-1 e shkollës fillore “ Bedri Elezega”-Katërkollë, në këtë ditë të shenjtë të promovimit të gjuhës amtare, organizoi një vizitë të veçantë në Librarinë e Ulqinit.
Nxënësit e kësaj klase morën pjesë në këtë aktivitet, i cili synoi të rikujtojë vlerat e gjuhës së vendlindjes dhe të nxittë dashurinë për librat dhe kulturën letrare. Libraria e Ulqinit, si një qendër kulturore e qytetit, ofron një gamë të gjerë të librave në gjuhën shqipe duke përfshirë zhanre të ndryshme.
Nxënësit, kur mbërritën në librarinë e Ulqinit, u përshëndetën me drejtoreshën, zonjushën Arlinda Osmani dhe filluan një eksplorim të pasurisë së librave. Ata kërkuan veprat e autorëve shqiptarë dhe u fokusuan në materiale që reflektonin historinë, kulturën dhe gjuhën shqipe.
Gjatë kësaj vizite, nxënësit diskutuan edhe rreth sfidave që përballet gjuha shqipe, veçanërisht në diasporë dhe mërgatë. Reflektuan mbi rëndësinë e ruajtjes së gjuhës së tyre dhe vlerat që sjell diversiteti gjuhësor.
Vizita në Librarinë e Ulqinit u përfundua me një sesion reflektimi dhe diskutimi në klasë, ku nxënësit ndanë ndjenjat dhe përjetimet e tyre nga kjo eksperiencë e rëndësishme. Ata u inkurajuan reciprokisht të vazhdojnë të kultivojnë dashurinë për gjuhën amtare dhe të ndajnë vlerat e tyre me shoqërinë.
Kjo vizitë jo vetëm që ishte një mënyrë e shkëlqyer për të festuar Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare, por gjithashtu nxiti ndjenjën e krenarisë për trashëgiminë kulturore dhe gjuhësore të nxënësve të klasës 9-1.
Çfarë është libri?
Eseisti, profesori, shkrimtari, përkthyesi, filozofi, semiologu Umberto Esco, do ta përmblidhte librin në thelb kështu:
Librat që do të lexohen, nuk mund të zëvendësohen me asnjë pajisje elektronike. Provoni të lexoni gjithë “Komedinë Hyjnore”, qoftë edhe një orë në ditë në kompjuter dhe më thoni pastaj.
Libri në letër bën pjesë te mrekullitë e teknologjisë të përjetshme, ku futen rrota, thika, luga, çekiçi, tenxherja, biçikleta. Thika u shpik shumë herët, biçikleta shumë vonë. Por sado që mundohen projektuesit, duke modifikuar disa detaje, thelbi i thikës mbetet gjithmonë i njëjtë. Ka makina që zëvendësojnë çekiçin, por disa gjëra do të kërkojnë gjithmonë diçka të ngjashëm me çekiçin e parë që u shpik ndonjëherë në koren e tokës. Ju mund të shpikni një sistem tejet të sofistikuar ndërrimi, por biçikleta mbetet ajo që është, dy rrota, një shalë dhe pedale. Ndryshe quhet motoçikletë dhe kjo është çështje tjetër.
Njerëzimi ka evoluar ndër shekuj, duke lexuar dhe shkruar fillimisht në gurë, mandej në tablete, pastaj në rrotulla, por ishte një përpjekje e mundimshme. Kur zbuloi se fletët mund të lidheshin së bashku, edhe nëse do të ishin ende dorëshkrime, ai psherëtiu i lehtësuar. Dhe njeriu nuk do të jetë kurrë në gjendje të heqë dorë nga ky mjet i mrekullueshëm. Forma e librit përcaktohet nga anatomia jonë. Libri është një sigurim jete, një pavdekësi e garantuar. Një pavdekësi e garantuar që Eco, ka fatin ta jetojë përditë, duke marrë jetë në faqet e eseve dhe romaneve të tij. Sikur Jehona (Eco) e mitit, zëri i tij do të vazhdojë të jehojë brenda nesh, edhe shumë kohë pas vdekjes së tij.
Libraria Ulqini është themeluar në nëntor të vitit 2021, pas një pune e angazhimi të gjatë të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi dhe bashkëpunimit institucional të vazhdueshëm ndërmjet Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Podgoricë dhe Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë. Ky projekt i realizuar nga Këshilli Kombëtar me mbështetjen financiare të shtetit Shqiptar ndihmon në ruajtjen e identitetit të shqiptarëve dhe promovimin e krijimtarisë së tyre artistike dhe kulturore në qytetin e Ulqinit dhe ka funksion shumëdimensional, duke shërbyer si vendtakim për dashamirësit e librit dhe si qendër promovimi.