Dijetarët dhe studiuesit të heqin pluhurin nga e kaluara jonë e pasur

Toponimi i Shasit të Vjetër nga shasjanët vendas quhet ”Kishat”, sipas rrënojave të dy kishave mesjetare të vendosura në hapësirën intra muros dhe të 12 kishave të tjera, të vendosura në hapësirën extra muros

Sami Flamuri

(vijon nga numri i kaluar)
Cipuset liburne përfaqësojnë shtëpinë ilire, të rrumbullakët, me rrasa guri të mbiquajtura “bunja”, në përputhje me jetën e përtejme në formë qypi. Në shumë raste kemi edhe formën e konit të pishës.
Te porta e Kalasë së Ulqinit (Dulcigno), mu në hyrje te Sheshi i Robërve, ndërmjet gurëve të mureve qëndron mbishkrimi latin, i cili ka të bëjë me kardinalin Zaccaria Delfino, i deshifruar nga arkeologët polakë. Teksti i mbishkrimit në origjinal është:
MIRARIS LECTOR (F)ORA ASPERA QVONDA[m]
OPPORTVNA SITV PLANAQVE{M} FACTA MODO
DELFINI INGENIVM SI SPECTES HAVD ITA M{al}VM
DICES SI SAPIENS ARDVA CVNCTA POTE{st}

Përkthimi në gjuhën shqipe:
Mahnitesh o lexues, me sheshet e tregjet, ja shkëmbinjtë, dikur ata ishin të thepisur, tani janë të lëmuar e të rrafshuar, të përshtatshëm për banim.
Po shikon mendjen e Delfinit, nuk është edhe aq keq, do thuash kur i urti
I di të gjitha, çka është edhe aq e vështirë.
Le ta përfundojmë këtë shkrim me Shasin mesjetar, i cili është lënë në harresë të pamerituar.
Gërmimet e para arkeologjike janë kryer këtu vetëm në vitin 1985 nga Qendra për Kërkime Arkeologjike e Fakultetit Filologjik në Beograd dhe ekziston eleborati i rezultateve të sondazhit dhe gërmimeve arkeologjike të qytetit të vjetër të Shasit.
Toponimi i Shasit të Vjetër nga shasjanët vendas quhet ”Kishat”, sipas rrënojave të dy kishave mesjetare të vendosura në hapësirën intra muros dhe të 12 kishave të tjera, të vendosura në hapësirën extra muros.
Shumica e varreve të evidentuara dhe të gërmuara janë të groposura në hapësirat periferike të kishave. Pasi për shkaqe të pakuptueshme, të dy kishat kryesore – ajo e Shën Gjonit, e ndërtuar në frymën e përvojave romaneske, ku edhe gjendet mbishkrimi i dëmtuar i vitit 1300, dhe ajo e Shën Mërisë.
Nga studimet rreth Shasit të ish-konsullit të përgjithshëm të Monarkisë Austro-Hungareze në Shkodër, Theodor Ippen, nxjerrim këto të dhëna interesante:
”Gjatë luftës së vitit 1877 malazezët arritën deri në fshatin Shas, i cili qe braktisur nga banorët dhe e dogjën atë tërësisht. Pas kësaj, ata u tërhoqën menjëherë për në Tivar.”
Te kisha e Shën Gjonit, Th. Ippen lexon këto mbishkrime (sot të dëmtuara):

Hic requiescit Ep[iscopus]Marcus bonae memoriae A[nno]D[omini]
MCLXII (1162)

Përkthimi në shqip:
Këtu pushon
Ipeshkvi Markus
Me kujtesë të mirë
Viti i Zotit
(1162)

Tek Farlati, Illyricum Sacrum, ku përmenden disa ipeshkvë të ipeshkvisë sē Shasit apo Svacias, nuk përmendet peshkopi Markus, i shënuar në mbishkrim.
Pak më të lexueshme janë mbishkrimet te kisha e Shën Mërisë, ku me keqardhje e pohoi se ato sot nuk ekzistojnë, prandaj edhe kjo dëshmi e Th. Ippenit e bën atë edhe më me vlerë. Teksti sipas Ippenit është:
Hic requiescit Eps(Episcopus) Marcus bone memorie???MCCLXII (1262)
Përkthimi në shqip:
Këtu pushon ipeshkvi Markus
me kujtesë të mirë (1262)

Te guri i dytë: Hic requiescit Ptr. (Pater?) Petrus Vitiote Deus dedit ei requiem
Këtu pushon Pjetër Vitiote Zoti i ka dhënë pushim të përjetshëm
Te guri i tretë duket se mungojnë tri radhët e para. Dy radhët e fundit që ekzistojnë e mbyllin këtë epitaf:
…Dns (Dominus) requiem sempiternam
…Dns Shkëlqesia Zotëriu në pushim të përjetshëm

Me këtë vështrim të shkurtër të mbishkrimeve antike te ne shpresoj t’i nxis dijetarët dhe studiuesit tanë ta heqin pluhurin nga e kaluara jonë e pasur, e cila nëse nuk shkruhet mund të çojë në harresë. (Fund)

Të fundit

më të lexuarat