Ulqin – Të enjten, më 20 mars 2025, në Librarinë “Ulqini” u mbajt “Dialogu poetik”, ku morën pjesë poetë dhe krijues të rinj nga Ulqini. Bashkëbisedimi ndërmjet krijuesve të rinj dhe poetëve nxori në pah mënyrat e ndryshme të krijimit të poezisë, sfidat e krijimtarisë dhe artit në një qytet të vogël dhe trendit botëror të digjitalizimit të shkrimeve. Poetët ndanë shumë këshilla me krijuesit e rinj duke folur për procesin e frymëzimit, për leximin dhe për shkrimin e poezisë nga aspekti teorik dhe krijues, si edhe trajektoren e tyre të krijimtarisë ndër vite. Moderatore e këtij bashkëbisedimi ishte Vediha Gjoni, profesoreshë e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë në shkollën e mesme të kombinuar “Vëllazërim-Bashkim”.
Takimi filloi me leximin e disa poezive të poetit të ndjerë Ibrahim Berjashi nga nxënësja Ernisa Demiri, me ç’gjë u nderua krijimtaria dhe u kujtuan veprat e shumta poetike të tij. Pas këtij momenti, nxënësit dhe poetët e pranishëm lexuan vargje nga krijimtaritë e tyre duke u ndalur herë pas here në diskutim e sipër të poezive dhe të tematikave të ndryshme lidhur me poezinë.
Në këtë aktivitet morën pjesë poetët Ali Gjeçbritaj, Haxhi Shabani, Fiqret Mujeziqi, Hajredin Kovaçi dhe Argëzon Sulejmani, ndërsa poezi lexuan edhe mësimdhënësi në pension Musa Pali dhe arkitekti Korab Kraja. Nxënësit pjesëmarrës nga SHMK “Vëllazërim-Bashkim” (Sara Doçi, Sara Halili, Sara Iljazi, Berina Ismaili, Leona Lleshi, Erionida Pali dhe Maid Ujkashi) dhe shkolla fillore “Bedri Elezaga” (Rea Ceka, Rinesa Ceka, Vesa Jahaj) lexuan poezitë dhe shtjelluan pyetjet në diskutim.
Në fund të takimit, publiku iu drejtua poetëve me disa pyetje dhe vazhduan bashkëbisedimin duke u thelluar në tematikat lidhur me sfidat e krijimtarisë bashkëkohore.
Takimi është organizuar nga Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” dhe Libraria “Ulqini” për nder të Ditës Ndërkombëtare të Poezisë dhe kishte për qëllim nxitjen e krijuesve të rinj të eksplorojnë fushën e artit të poezisë dhe krijimtarisë letrare, si edhe të nxisin krijues të tjerë të rinj nga Ulqini që të kaliten në procesin e shkrimit.
A. Osmani