
Mbishkrimet e para antike në Mal të Zi, sidomos ato të pjesës së saj bregdetare, datojnë nga mesi i shek. IV p.e.r., ku kemi një doracak për lundrimin në Adriatik, i quajtur “Periplus”, i cili sipas të gjitha gjasave i takon Skilaksit (Skylax) të Kariandës.
Në kapitujt 24 dhe 25 përshkruhet kohëzgjatja e lundrimit gjatë bregut, nga Narona (Neretva) gjer tek Epidamnusi (Durrësi). Po ashtu aty kemi lokalitetin e lumit Arion, i cili lidhet me lumin e Rizonit në gjirin e Bokës së Kotorrit, nga i gjejmë edhe varret e themeluesit të Thebes, Kadmit dhe bashkëshortes së tij Harmonia, fisi i ilirëve enkelejtë, pastaj Buthoe (Budva).
Disa pjesë të bregdetit i përshkruajnë edhe disa shkrimtarë helenë, sikurse Apollonius Rhodius nga mesi i shekullit III p.e.r., ku në poemën epike “Argonautica” gjirin e Bokës së Kotorrit e cilëson si një “lumë ilir me një ngjyrë blu të thellë”, ku janë varret e Kadmit dhe Harmonisë, mysafirët e enkelejve (sikurse më lart te Skilaksi, edhe Apollonius Rhodius në shkrimet e veta përmend të njëjtat varre, por ato janë më tepër supozime sesa të vërteta)
Historiani Polibi (Polybius) nga shekulli II p.e.r., në veprën “Historiae” jep ca të dhëna rreth periudhës së parë dhe të dytë të luftërave ilire, ku përmendet qyteti i fortifikuar i Rizonit, ku edhe gjeti strehim mbretëresha Teuta, e sulmuar nga anijet romake.
Gjeografi Straboni nga Pontus (sot Cappadocia), në veprën “Geographica” na jep karakteristikat gjeografike dhe etnografike të bregdetit ilirik, ku kemi këto toponime: gjiri i Rizonit, qyteti i Rizonit dhe lumi i Drilonit (Drini).
Historiani romak Appianus Alexandrinus, në librin e tij “Romaikà”, në pjesën IX me titullin “Ilirikà” e përshkruan Ilirinë dhe fiset që jetojnë aty, ardiejtë ose ardianët, autariatët dhe plerejët (Plearaei).
Bashkëkohësi i tij Claudius Ptolemaeus, në shënimet e tij të hartave gjeografike (“Geografiké hifégesis”), i ka numëruar relativisht saktë koordinatat e disa vendeve, si: Epidauros (Cavtati), Rizon (Risan), Akruion (lokalitet i panjohur), Risonikos kolpos (gjiri i Risanit) dhe Ulkinion (Ulqini).
Në shkrimet e tjera antike rreth bregdetit ilirik, ato më kryesoret janë nga Tit Livi, bashkëkohës i Strabonit dhe i Augustit. Në disa prej librave të tij të historisë romake, si “Ab Urbe condita”, i përshkruan detajisht luftën e parë dhe të dytë ilire, ku na jep diktatin e ashtuquajtur të Shkodrës pas shpartallimit të shtetit ilir dhe mbretit Gent, 167 p.e.r., përmend fiset ilire në bregdet, ku mund t’i saktësojmë rizonitët (Risan) dhe Olcinati Olcinium (Ulqini).
Gaius Plinius Secundus, i njohur me emrin Plini Plaku, vdiq si komandant i forcës misene, drejtuar kundrejt shpërthimit të vullkanit të Vezuvit (Vesuvious), 79 p.e.r. Në librin e tij “Naturalis historiae libri” (në 37 libra) ka të dhëna tejet të rëndësishme rreth bregdetit ilir, nga ku i kemi themelet historike, urbanistike dhe etnografike, si edhe parametrat gjeografikë të cilët i gjejmë në librin e tretë. Vendbanimet në bregdet ai i quan “opida civium Romanorum” dhe i përshkruan sipas kësaj renditjeje: Risinium (Risani), Akruium (Kotorri?), Butua (Budva) dhe Olcinium (Ulqini), i cili më herët mbante emrin Kolhinium sipas kolhidasve që e formuan. Pas Ulqinit është Drini dhe qyteti i qytetarëve romakë, Shkodra, 18 mijë hapa romakë larg detit dhe pas tij edhe shumë qytete antike që janë zhdukur nga kujtesa.
Në këtë territor kanë jetuar po ashtu edhe fiset ilire: labeatët, enetët (Eneti), grabejt (Grabaei), sasaretët (Sesarethi). Lezha (Lisus), qytet i qytetarëve romakë, është larg Epidaurit (Cavtatit në Kroaci) 100 000 hapa.
Pas veprës së Plinit zbehet vëmendja e historianëve për Ilirikun. Duke pasur parasysh burimet e shekullit II dhe III p.e.r., këtë pjesë të bregdetit e shohin të pacifizuar dhe të asimiluar në një provincë tashmë romake, të popullit autokton ilir. Nga kjo periudhë kemi vetëm dy burime nga përshkrimi i rrugëve romake “Intinerarium Antonini” dhe “Tabula Peutingeriana”.
Pas qetësimit të fiseve ilire fillon edhe procesi i gjatë dhe i vështirë i romanizimit të popullatës së nënshtruar ilire, duke e zyrtarizuar gjuhën latine si gjuhë shkrimi në administratën publike.
Pushtetin e perfaqësonte oficeri i lartë romak me titullin ”legatus Augusti pro pretore”.
Po ia filloj me deshifrimin e disa mbishkrimeve antike, si dëshmi e së vërtetës historike, që janë të rëndësishme për lexuesit pasi kemi të bëjmë me një cipus (gur varri ilir) të rrallë, pothuajse fare të panjohur nga historianët shqiptarë, i gjetur rastësisht në Bokën e Kotorrit, në vitin 1935-1936, në një livadh afër Risanit.
Pasi romanizimi i ilirëve ishte një proces i mbaruar, rrallë hasim në emrin ilir te cipuset romake të shekullit II e.s. me një reliev të peshqve dhe delfinit. Le të supozojmë që kjo përmendore i takon antikitetit të vonshëm tek paraqitja e kristianizmit të hershëm. Ja dhe mbishkrimi:
D(is) M(anibus) S(acrum)
/I/LL/y/RIAN(o)
VIX(it)AN(norum)XX
LVSCI PROC(uli) ET
LVRSAN(o)T(iti) FIL(io)
ST(atia) SABIXI SO—
CRVS I(n) M(emoriam)
Përkthimi në shqip:
Shenjtores së zotërave nëntokësorë
Ilirianit
Që jetoi 20 vjet
Luska Prokula dhe Lursana Titi djali
Statia Sabiksi, vjehrra
Në shenjë kujtimi
(vijon)