Busull orientuese për çdo intelektual atdhetar shqiptar

“Nëse do të kishte një Çmim Nobel për heroizëm, pa dyshim që Fehmi Agani do të ishte kandidati kryesor në nivel global. Nëse do të kishte një Çmim Nobel për mençuri të aplikuar, në formë të problemeve të jetës e kohës në të cilën jetoi, pa dyshim që një kandidat i jashtëzakonshëm do të ishte Fehmi Agani”, ka thënë Prof. Dr. Lekë Sokoli, kryetar i Institutit Shqiptar të Sociologjisë

Ulqin – Në Galerinë e Qendrës së Kulturës – Ulqin, të shtunën mbrëma (9 mars 2024) është mbajtur Forumi akademik “Akademiku Fehmi Agani – martir i kombit dhe i shkencës”.
Forumi është organizuar nga Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” dhe Instituti Shqiptar i Sociologjisë – Shoqata e Sociologëve Shqiptarë, në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, Universitetin “Fehmi Agani” – Gjakovë dhe Këshillin Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi për të përkujtuar jetën dhe veprën e akademikut martir Fehmi Agani në 25-vjetorin e vrasjes së tij.
Aktiviteti është mbajtur në kuadër të një cikli forumesh kushtuar profesor Fehmi Aganit nëpër qendra universitare dhe institucione të tjera në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe Diasporë, të iniciuar nga Instituti Shqiptar i Sociologjisë dhe Shoqata e Sociologëve Shqiptarë me qëllimin për ta shpallur vitin 2024 si Vitin e Prof. Fehmi Aganit. Kjo për të vlerësuar rolin dhe kontributin e Akademik Prof. Fehmi Aganit dhe për të kujtuar Çlirimin e Pavarësinë e Kosovës, ngjarjet kryesore dhe personalitetet më të spikatura të saj.
Kryetari i Institutit Shqiptar të Sociologjisë, Prof. dr. Lekë Sokoli, ka thënë se ideja për shpalljen e 2024-ës si Viti i Prof. Fehmi Aganit lidhet me 25-vjetorin e rënies së tij dhe faktin se është një rast jo i zakonshëm i një akademiku martir.
“Akademikë ka shumë, edhe martirë ka shumë. Por akademikë martirë nuk ka shumë”, ka theksuar ai, duke përkujtuar se martiri i parë i shkencës konsiderohet Sokrati.
Sokoli ka folur për jetën dhe veprën e Aganit, duke nënvizuar se nëse do të kishte një Çmim Nobel për heroizëm, pa dyshim që Fehmi Agani do të ishte kandidati kryesor në nivel global.
“Nëse do të kishte një Çmim Nobel për mençuri të aplikuar, në formë të problemeve të jetës e kohës në të cilën jetoi, pa dyshim që një kandidat i jashtëzakonshëm do të ishte Fehmi Agani”, ka vijuar ai.
Duke bërë një paralele ndërmjet jetëve të dy martirëve të kombit, Fehmi Aganit dhe Adem Jasharit, ai ka thënë se ata “janë dy ndër krijesat më hyjnore që ka prodhuar bota shqiptare, por jo vetëm bota shqiptare”.
Sokoli ka folur edhe për ndihmesat e tjera të shumta të profesor Aganit, duke potencuar faktin se ai dhe kolegët e tij nga Shqipëria u mbështetën në përvojën e Aganit në ngritjen e programeve të para të studimit, departamenteve dhe institucioneve në sociologji dhe në shkenca sociale në vitet ’90 të shekullit të kaluar.
Rreth mendimit sociologjik dhe politologjik të Prof. Fehmi Aganit ka kumtuar Akademiku Prof. dr. Kosta Barjaba nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë.
Ai ka thënë se si shumica e sociologëve shqiptarë të brezit të parë, Fehmi Agani hyri në terrenin e sociologjisë nga një fushë tjetër, nga filozofia.
“Pikënisja filozofike nuk është thjesht një rrethanë me vlera njohëse, por e theksoj këtë sepse formimi filozofik ka karakterizuar dhe veprën sociologjike dhe politologjike të Fehmi Aganit”, ka thënë Barjaba.
Sipas tij, formimi dhe kontributi shkencor i trefishtë: filozofik, politologjik dhe sociologjik ka bashkëjetuar me një tjetër tipar të Fehmi Aganit – veprimtarinë politike.
Ai ka thënë se “Fehmi Agani i përket asaj tipologjie shkencëtarësh që krahas shpjegimeve të tyre mbi botën dhe marrëdhëniet shoqërore, u përpoqën edhe t’i ndryshojnë ato”.
Në fjalën përshëndetëse, kryetari i SHAI “Art Club”, Ismet Kallaba, ka thënë se duke parë veprimtarinë e profesorit Fehmi Agani mund të thuhet se ai është vënë në shërbim të shoqërisë dhe popullit të vet aty ku e ka dashur nevoja dhe ka lënë gjurmë kudo ku ka punuar dhe vepruar.
“Ai e kishte të qartë se arma më e fuqishme e shqiptarëve të Kosovës për t’iu kundërvënë Serbisë ishin dija dhe arsimi”, ka thënë ai.
Sipas tij, kur bëhet fjalë për rolin e Aganit në themelvënien dhe drejtimin e disa institucioneve arsimore e shkencore, në mendje i shkon një figurë tjetër e ndritur – Esad Mekuli.
“Ndërsa kur kujtoj se ai u martirizua për shkak të dijes dhe bindjeve të tij, mendja më shkon tek Ukshin Hoti dhe shumë mësues e dijetarë patriotë shqiptarë që në të kaluarën pësuan fatin e tyre”, ka thënë Kallaba.
Për kryetarin e KKSH-së, Faik Nika, secili shqiptar i cili në rendin e prioriteteve të punëve të veta ka përkushtimin ndaj familjes, atdheut e kombit, duhet të përulet para jetës dhe veprës së profesor Fehmi Aganit, i cili sa jetoi, të gjithë energjinë, diturinë e angazhimin ia kushtoi arsimimit të popullit që i përkiste dhe pavarësimit të atdheut të tij.
“Formimi akademik dhe veprimi politik i prof. Fehmi Aganit duhet të jenë busull orientuese për veprimet e çdo intelektuali atdhetar shqiptar, i cili njohuritë e fituara në shkencë i vë në shërbim të zhvillimit të atdheut dhe vetëdijesimit të popullit, pikërisht siç veproi prof. Agani që me potencialin intelektual pati guximin të dilte në krye të një populli të shtypur në një kohë shumë të vështirë, dhe së bashku me intelektualët tjerë guximtarë arritën që popullin shqiptar të Kosovës ta orientojnë drejt një synimi të qartë pa alternativë, atë të pavarësisë dhe lirisë së Kosovës, të cilën po e shijon dhe gëzon çdo shqiptar sot”, është shprehur ai.
Në fjalën e rastit, Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Mal të Zi, Ariana Zherka – Hoxha, ka thënë se vepra kryesore e Aganit ishte përpjekja për realizimin e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, që u jetësua duke u kthyer në një realitet të cilin po e gëzojmë sot, Republikën e Kosovës.
“Gjatë gjithë jetës së tij, Profesor Agani nuk e ndaloi kurrë betejën për të drejtën e vetëvendosjes së popullit të Kosovës. Ai ishte një kampion i paqes dhe i bashkëpunimit. Ishte një njeri i jashtëzakonshëm, me profil shumëdimensional të politikanit, diplomatit, studiuesit”, ka theksuar ajo, duke vijuar se “ne që patëm fatin ta njohim dhe të jemi dëshmitarë të veprimtarisë së tij, por dhe brezat që do të vijnë do të vazhdojmë të ndiejmë frymën dhe ndikimin e vizionit të profesor Aganit, i cili na mësoi se sa i rëndësishëm është angazhimi për liri, paqe dhe demokraci”.
Në forum është lexuar fjala përshëndetëse e rektorit të Universitetit “Fehmi Agani” – Gjakovë, Prof. ass. Dr. Drilon Bunjaku, ndërsa kujtime për profesorin Fehmi Agani kanë evokuar ish-studentët e tij – profesorët Skender Muça dhe Mehmet Bardhi, si dhe aktori Shefqet Luca.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat