Besa dhe mikpritja e trieshianëve

Gjekë Gjonaj

Tek trieshianët (malësorët) besa (kulti i fjalës së dhënë) është një nga virtytet morale të trashëguara nga lashtësia e cila në Triesh (Malësi), ashtu si përgjithësisht në Shqipëri, ka pasur rëndësi shumë të madhe. Ajo në mendësinë popullore shihej si tregues i burrërisë dhe i ndershmërisë e fisnikërisë, si një akt njerëzor, si tregues i mirëkuptimit dhe qytetërimit shqiptar, prandaj ajo përmendej krahas trimërisë dhe virtyteve tjera të njohura. Fjala e dhënë, si cilësi morale tipike ilire, për trieshianët është e shenjtë, hyjnore, e cila është ruajtur brez pas brezi nga periudha ilire. Ky institut i ligjit dokesor shqiptar është një premtim i dhënë dhe vepronte fuqishëm edhe pse nuk ishte e shkruar në ndonjë dokument apo traktat ( marrëveshjeje) të veçantë. Sipas Kanunit “Besa asht nji vade lirie e sigurimi qi shpija e të vramit i ep dorërasit e shpijarvet të tij, tuj mos i ndjek për gjak përkohësisht e me nji vade të caktueme”( KLD,F.82 ) Sipas studiuesve tanë “Besa në anët thelbësore pozitive ka luajtur rol si mjet lidhjesh shoqërore, krahinore e ndërkrahinore për kapërcimin e grindjeve dhe vëllazërimin në luftën për çlirimin kombëtar e shoqëror dhe ka ndikuar në formimin e ndërgjegjes kombëtare”.
Besa e dhënë është mbajtur dhe respektuar rreptësishtë me besnikëri. Secili njeri i mbahej premtimit “është dhënë fjala, puna do të kryhet pa tjetër”. Pasi është dhënë fjala, respektivisht është lidhë besa “besa-besë” të gjitha obligimet, detyrimet dhe pasojat që rridhnin prej saj ishin të pathyeshme dhe të paluajtshme. Për besën në kujtesën popullore të trieshianëve janë përmbledhur shprehjet: “Besa e dhanun asht buka e ngranun”, “ Besa asht besë e fjala asht fjalë”, “ Burri lidhet për fjalet” ,“Burri lidhet për fjalët e kau për brinash”, “ Nga del fjala del shpirti” .
Besa përmban në vetvete një kompleks vlerash, virtytesh dhe karakteristikash etnopsikologjike, që e dallojnë popullin shqiptar nga të tjerët. Si karakteristikë etnopsikologjike e popullit tonë ajo është dëshmuar dhe vlerësuar lart edhe në trashëgiminë kulturore, në shkrimet e dijetarëve, të poetëve, të prozatorëve, të dramaturgëve e të historianëve shqiptarë që nga Barleti e deri me sot.
Vlerësime të shumta për këtë cilësi gjejmë në urtësinë popullore, në këngët popullore të trimërisë ku u thuren lavdi trimave, në përralla e proverbat popullore. Historikisht, besa ka qenë testamenti (amaneti) moral i trieshianëve (shqiptarëve) qysh prej periudhave të hershme mitologjike. Dy baladat më të rëndësishme të folklorit shqiptar, me motivin e murimit dhe motivin e ringjalljes (flijimi për ngritjen e një kalaje dhe ngritja e vëllait nga varri për të kthyer motrën në familje) lidhen me mbajtjen e fjalës së dhënë. Nëse merret në analizë e kaluara e popullit shqiptar, të gjitha momentet kulmore të historisë sonë kombëtare janë shoqëruar me besëlidhje. Ideali kombëtar, bashkimi dhe besa shihen si hallka (pjesë) të pashkëputura të një zinxhiri që lidheshin drejtpërdrejt me atdhetarizmin e popullit tonë dhe me mbijetesën e tij. Kështu ka ndodhur gjatë rezistencës shqiptare në kohën e Skënderbeut për mbrojtjen e trojeve nga pushtuesit osmanë, kështu ndodhi në vitet e Lidhjes së Prizrenit gjatë lëvizjes mbarëkombëtare për liri e shpalljen e shtetit të pavarur shqiptar në Vlorë më 1912 e të tjera. Veç kësaj, shqiptarët e kanë përdorur besën edhe për të eliminuar apo për të pakësuar mjaft dukuri negative të shfaqura në shoqëri si lakmia, hakmarrja, smira, egoizmi e të tjera. Sot, në kohët moderne, ka prirje nënvleftësuese, duke e quajtur besën si cilësi që u takon kohëve të shkuara. Duket se kjo cilësi e shqiptarëve merr prirjen e tolerancës, të mirëkuptimit e dakortësisë e bashkëpunimit. Si detyrim popullor juridik besa u ruajt në malin e Trieshit qysh në kohërat e lashta e deri më sot. Nuk jemi në dijeni se në Triesh dikush e ka shkelur besën.

Shpia para se me kënë e shqiptarit asht e Zotit dhe e mikut”
Ajo që e karakterizon Trieshin dhe u ka bërë më së shumti përshtypje dhe i ka mbushur me lumturi mysafirët është dhe mbeti mikpritja madhështore e trieshianëve. Në këtë trevë miku ( mysafiri) pritej me të gjitha nderet e me ushqimet më të mira që kishte shtëpia, sipas motos shqiptare “ bukë e krypë e zemër!” Madje, duhani, kafja, sheqeri dhe rakia duhet të ishin të pranishme në çdo kohë në familjet trieshiane. Miku pritej me të gjitha nderet e me ushqimet më të mira që kishte shtëpia. Ishte një pritje madhështore ashtu siç dinë të presin trieshianët në veçanti dhe shqiptarët në përgjithësi ! Një pritje e ngrohtë, vëllazërore e bujare nga e cila mysafirët janë bindur se trieshianët janë popull derëhapur, mirëpritës, bukëdhënës, zemërbardhë e bujtar. Trieshianët e kultivojnë dhe e zbatojnë virtytin e përzemërsisë, respektimin e sigurimin e mikut që u ka ra në prag, me gatishmërinë për të sakrifikuar gjithçka, pasurinë e deri edhe jetën për të.
Kujtojmë se të gjithë trieshianët janë mikpritës e të falin shtëpinë nën shprehjen e famshme “ Shpia para se me kënë e shqiptarit asht e Zotit dhe e mikut”. Në Triesh kjo shprehje (traditë me të cilën krenohen) me shekuj është ulur këmbëkryq, është trashëguar nga brezi në brez dhe vazhdon të kultivohet edhe sot në kohën moderne.
Është e vërtetë se teknologjia (telefoni, kompjuteri e interneti) kanë hyrë edhe në shtëpitë trieshiane, por ato në asnjë mënyrë nuk e zbehin mikpritjen ( lexo pritjen e mikut). Mikpritja ka qenë dhe është cilësi tradicionale e trieshianëve, e cilësuar si kod i nderit tek shqiptarët e shprehur edhe në Kanunin e Lekë Dukagjinit.
Treishianët që në fëmijëri kanë mësuar nga prindërit se miku pritet me të gjitha nderet e me ushqimet më të mira që ka shtëpia. Edhe kur familjari është ekonomikisht i varfër, ai mirëpret me shumë dinjitet dhe të përzemërt udhëtarin e panjohur që i troket në derën e tij. Shtëpitë e trieshianëve përherë kanë qenë të hapura për mikun dhe armikun. Ai që ka shkelur në shtëpinë e çdo treishiani apo ka ardhur për bujtje është konsideruar si mik i familjes. Kryefamiljari ( i zoti i shtëpisë) e kishte për detyrë ta bëjë mikun (pa dallim kombi, kombësie, gjuhe, race, ngjyre e përkatësie fetare) të ndihet sa më mirë dhe të përpiqet t’ia përmbushë të gjitha dëshirat. Po qe se dikush e fyente mikun, marrja e hakut ishte detyrë e të zotit të shtëpisë. I zoti i shtëpisë në Triesh për mikun ka dhënë çdo gjë, pasurinë madje edhe jetën. Këtë e dëshmon shembulli i Dodë Smajlit Gjeloshaj (1886 – 1951), i cili flijohet dhe nuk e dorëzon mikun e tij malazez, Radomir Mirasheviq, duke e siguruar atë se është në besë të Zotit e të shqiptarit pa farë frike. Domethënë miku, në këtë trevë të pastër shqiptare të Malësisë së Mbishkodrës mu në kufi me shtetin amë Shqipërinë, konsiderohet institut dhe zakon popullor. Trieshianët me virtytin e mikpritjes shprehin bujarinë e tyre, shpirtin e tyre njerëzor të civilizuar, karakterin e tyre human, vlera këto që janë çmuar nga shumë të huaj që kanë vizituar Trieshin. Shumë kronistë të huaj kanë lënë edhe mjaft dokumente të shkruara për këtë ideal të dashur e të rëndësishëm të shoqërisë tradicionale të trieshianëve, duke i cilësuar ata si dashamirës dhe njerëzorë nga vetë natyra, si besnik, të përzemërt, shumë të sinqertë dhe gjithmonë krenarë. Edhe Edit Durham shkruan “Ligjet e mikpritjes janë më të forta se armët”.
Te “Lahuta e Malcis” e Gjergj Fishtës përgjatë gjithë veprës ka vargje e episode që e lartësojnë mikpritjen dhe mikun. Shqiptari e ka të fortë etikën e mikpritjes, prandaj ai është edhe mbrojtje e mikut:
“Veç, po, ‘i punë baba m’ ká msue;
Miqt per t’ gjallë un mos me i lshue.
Po t’ më lypë halija mue
Gjithkû e kam un gjân e babës,
Po i a lshoj me mal e vrrí,
Po i a lshoj t’eger e t’ butë:
Po i lshoj token me gjith shpí,
Po i lshoj plemet me tagjí,, Po i lshoj vathen me bagtí,
Dhên e dhíun po ia fali: Erz e shpírt e mik s’ i fali!”
Me këtë cilësi karakteristike trieshiani / ia shpreh shpirtin e një qenie njerëzore të civilizuar dhe karakterin e tij/saj human, që përshtatet (përkon) me vlerat e shoqërisë së sotme moderne, prandaj vlerësohet shumë nga të huajt që e vizituan këtë trevë. Kështu respektohej me shekuj mikpritja, kjo vlerë morale në vendlindjen time. Ngjashëm është edhe sot. Shpresoj të jetë kështu edhe nesër.

Të fundit

më të lexuarat