
Nga e shkuara mistike shqiptare, Martin Bojaj, merr si lëndë trajtimi Orët, në funksionin e tyre mitologjik, herë si mbrojtëse të njeriut, e herë në stadin tjetër, atë të idhnakeve që i kundërvihen njeriut, kur ai trazon logun e tyre, ndërsa nga e tashmja merr sfidën e malësorit, për të mbrojtur te vetja hisen e shqiptarit që trashëgon.
Mes reales dhe ireales, ëndrrës dhe realitetit, në roman do të bashkëjetojnë në udhëtimin e personazhit kryesor Nikollë Gjokaj, vetëdija dhe nënvetëdija, konfiguruar në dialogë mes: Zotit dhe Orës Q, (kapitulli VIII), mes Nikollës dhe Zotit, mes Nikollës dhe Orëve Zekë, Ora Mëhill, Ora R, Ora B1, (kapitulli VII), Orës Haris, Ora Ëngjëll, Ora Bardhi, Orë Festimi, Orë Ylli, drejtori i përgjithshëm i Orëve, Ora e vetë Nikollës, dhe vetë arkitekti i botës Zoti, të gjitha këto personazhe ireale janë në funksion të paraqitjes së realitetit të brendshëm të njeriut në kërkim të rrugës së tij përballë dilemës, fatit, rastësisë dhe projeksionit të vullnetit të vetë njeriut, kur atij i dhurohet të menduarit, si proces i vetëdijes dhe i vullnetit të tij të brendshëm.
Personazhi i Nikollës është veçse një histori jete, ky është modaliteti krijues e shprehës i Martinit, karakteristikë kryesore e të cilit është natyra narrative me fokus nxitjen dhe legjitimin që gëzon krijuesi autor në ekspozimin e përvojës. Në shtjellimin e shkruar narrativ ai zbulon origjinalitetin e tij krijues.
Në personazhin e Nikollës ai identifikon, heton dyshimet e zgjedhjeve, dhe forcën që e lidh personazhin e tij me reflektimin dhe ndikimin e vlerave autoktone, kanunit që i nënshtrohen një procesi selektiv nga vetë personazhi, (nënkuptojmë këtu interesin e vetë autorit), drejt mbajtjes së fjalës, e thirrur ndryshe Besë dhe vullnetit të Zotit. Ato bashkëjetojnë e lidhen ngushtë në gjithë rrugëtimin e Nikollës drejt përmbushjes së fjalës së dhënë.
E djeshmja e tij është gjyshi që me rrëfimet e veta i kishte mësuar se ç ‘është besa.
Burrat e dheut kanë pasë “Orën zgjuet” si shenjë të asaj që janë vetë shenjtorë të gjallë, të cilët ecin përmbi tokë… “Në fillim ishte fjala dhe ajo vetë fjalë e vetë Zotit, është Besa e Shqiptarit”!
Shqyrtimi i diskursit të identitetit të Nikollës, zhvillohet përmes analizës së përballjes së tij me pengesat, të papriturat me të cilat ai sfidohet përgjatë përmbushjes së misionit të tij, e cila na lejon të ndjekim personazhin deri në formimin e identitetit të tij, mbi të gjitha na lejon të kuptojmë se kush është atdheu letrar i shkrimtarit në realitetin e personazhit të tij Nikollës.
Ndërtimi i personazhit mes një realiteti sa imagjinar aq dhe real, duket të jetë rezultat i konsideratave personale të autorit, i cili si periudhë reference merr harkun kohor (1990 – 1999), si zgjedhje përmbajtjesore, së cilës i përshtat gjurmët personale të jetës së tij:
Vendlindja e Nikollës përkon me vendlindjen e autorit Sparkhase, Stadishe Krakenhause, Mannhein, Gjermani), studimet e Nikollës në Tiranë, përkojnë me studimin e Martinit po në Tiranë, ikja në Amerikë e Nikollës, gjithashtu është një detaj i vetë jetës së autorit, që diplomohet në Wayne State University, anëtarësimi e po ashtu dhe nominimi i Nikollës për çmimin “Nobel”, përkon me vitin 2000, ku poezia e Martinit, nominohet për poezinë më të mirë në botë, në New York ( Bojaj, Martin, “Hisja e Gjergj Kastriotit”, roman, Botime Enciklopedike, Tiranë, 2015, f. 14).
Kjo zgjedhje përmbajtjesore është tregues i forcimit të identitetit për ngjarje, ide, vlera e fate shqiptarësh sa të ngjashme aq dhe të ndryshme, po të gjitha këto i bashkon qëllimi i përmbushjes së njeriut, si gjenerues i divergjencave dhe konflikteve brenda vetes dhe realitetit që e ndjek.
Ky është një roman që lind nga trauma historike që e ka përndjekur shqiptarin. Nikolla vetë, duhet të punojë të ruajë brenda vetes ato pak gjurmë të mbetura si skorie, në ndërgjegjen e një rinie shqiptare që në vitet ’90 e më pas, i largohej qëllimit të ruajtjes së identitetit shqiptar, duke u kthyer në një kopje e shëmtuar e rendjeve të njeriut pas parasë dhe jo pas dijes e formimit. Mosdija ishte armiku i identitetit, e Nikolla është ai personazh që do ngjizet në një truall që ka nevojë për vazhdimësi, ai do të ndjehet Zot i vetes:
… sepse “besa” ekziston brenda në venat e tij, ai mësoi nga gjyshi se: Po të shkelësh Besën, atëherë ke shkelur vetë Zotin dhe je një copë mishi e asgjë tjetër” (Po aty, f. 15).
Në origjinën e rrëfimit që drejton Nikollën drejt përmbushjes së tij si njeri, shpalosen gjithë sfidat, duke u ndalur veçanërisht në teknikat e rrëfimit (monologu i brendshëm që ekspozohet përmes ëndrrës dhe dialogut ireal mes tij dhe orëve), gjithashtu dhe shpërndarjen e rrëfimit përgjatë XVI kapitujve, demonstrohen qasje të ndryshme rrymash që e udhëheqin personazhin drejt lëvizjes qendrore që synon fjalën e dhënë për t’u shkolluar.
Po cila është simbolika letrare e Besës dhe e Shkollës?
Autori me orët bën një klasifikim të zinxhirëve që e mbajnë qenien për shkak të pamundësisë për të kontrolluar atë çfarë ndodh në të nesërmen tënde.
Orët, gjithashtu kundërshtojnë realitetin objektiv, ato aludojnë një realitet të përgjithshëm të perceptimeve individuale të qenies. Nikolla është një i ri 18 vjeçar, që në këtë roman, natyrshëm kthehet në një subjekt universal të atij njeriu që bën gjithë çka njohuria ia lejon të bëjë. Nikolla nuk është romantiku i pandreqshëm që i sheh kodet e të shkuarës si Besën dhe Dijen, si të imponuara. Mendimin i tij mbështetet te forca e vullnetit të individit, që të vetmin bast e vë me veten, si forcë shtytëse e thelb i ekzistencës së tij.
Ai përballet me eksperimentin në burgun malazez, përballet me çështje të tilla si vetmia, zbrazësia e qenies së rrethuar nga presioni, përballet me absurditetin e situatës aspak të hipotezuar.
Lexoi: “Eksperimenti mbi parashikimin e sjelljes njerëzore brenda një rrethi të kontrolluar, Nr. 465. Metoda Nr. 8. Rasti nr. 2: Subjekti i vetëdijshëm për parashikimin e sjelljes”. ( Po aty, f. 26).
Ky është realiteti plot pengesa të ndjeshme, të cilat mund ta përmbysin qëllimin dhe mund të ta ndryshojnë jetën. Ndaj në këto momente autori përmes Nikollës ngre pyetje filozofike, në realitetin e tij absurd:
“Çfarë po provoni të bëni me mua?!” bërtiti me zë të lartë… ( Po aty, f. 24).
Kjo situatë reale e përndjekjes shekullore që i është bërë shqiptarit për ta depersonalizuar, qoftë nga identiteti i tij ashtu dhe nga mundësia për t’u formuar, kërkojnë në themel sa të pangjashmet e qenies aq dhe paparashikueshmërinë e sjelljes së njeriut. Jeta dhe historia njerëzore ka parashikuar gabimin, që autori e sheh si mundësi për të shtuar besimin se njeriu është krijuar për të qenë misionar sepse brenda tij ekziston liria. E kur njeriu beson se ka liri, mundësitë nuk janë të kushtëzuara. Ashtu siç e sugjeron dhe autori gjithmonë ka një dalje pavarësisht labirintit me të cilin të përballë jeta.
Ëndërroi se ishte një send i vogël në një labirint, me madhësinë e lodrave të fëmijëve. E shikonte veten prej një largësie dhe i shihte mjekët, me përmasa normale. Kishte dy dalje prej labirintit, njëra të çonte drejt lirisë dhe tjetra drejt vdekjes. I thërriste vetes me zë të lartë. “Jo, jo andej! Shko majtas aty!” por ajo figurë në ëndërr nuk mund ta dëgjonte! (Po aty, f. 29).
Autori në simbolikën e ëndrrës, zhvillon arsyen e ekzistencës. Aty në shtrat i rrethuar nga vetmia, Nikolla bëhet i vetëdijshëm se dështimi, dobësia janë frika që e përndjekin qëllimin. Janë gabimet, rrëzimet, që quhen përvojë atë që e bëjnë Nikollën të thotë se:
“Jam njeri”. “Nuk jam makinë”. (Po aty, f. 31)
Autori rrëfen se asnjë rrugë që ndjek qenia drejt përsosjes së tij, nuk është e lehtë. Armët e njeriut për t’u përballur me të keqen që rrugën ta pret, kërkojnë shumë energji, forcë karakteri dhe mendime të kthjellëta, të cilat të ndihmojnë të bëhesh njeriu që do.
(vazhdon)