Atdhetarë, reformatorë dhe luftëtarë pararojë për bashkëjetesë dhe harmoni ndërfetare

Haxhi Hasan Alia ishte reformator i riteve fetare tradicionale islame dhe i jetës qytetare në Shkodër. Ai ishte i pari që ia filloi predikimit në gjuhën shqipe në xhami dhe arriti që ajo të lejohet të përdoret në praktikën fetare islame në Shkodër, në vend të gjuhës arabe dhe turke. Gjithashtu, ai arriti të ndryshojë (reformojë) disa zakone të vjetra fetare e jofetare të popullsisë myslimane në këtë qytet

Hajrullah Koliqi

(vijon nga numri i kaluar)

Hasan Alia (Haxhi Hasan Alia, Sheh Shamia (1814-1891)

Hoxhë, prijës popullor, reformator. Në Shkodër kishte dhe ka shumë familje krajane. Edhe Hasan Alia ishte nga një familje e shpërngulur nga Dragajt e Krajës. Arsimin fetar e filloi në Shkodër. Kreu edhe Medresenë e Mehmet Ali Pashës në Kavallë të Greqisë. Thuhet se studimet filozofike i përfundoi në vitin 1837.
Titullin “haxhi” e fitoi nga vajtja e tij në Mekë si pelegrin, ndërsa arsyeja pse quhet “Sheh Shamia”, kur e mori titullin “sheh” dhe cilit tarikat i përkiste, nuk mund të thuhet me saktësi.
Haxhi Hasan Alia ishte prijës i revoltës së popullit të Shkodrës në vitin 1854, për çka autoritetet osmane e dënuan me vdekje në mungesë dhe, pas vdekjes së të atit, ia konfiskuan tërë pasurinë. Për t’iu shmangur dënimit, nga Ulqini arratiset për në Aleksandri të Egjiptit, pastaj në Itali, Francë dhe Spanjë. Në Francë mësoi frëngjishten dhe mori mësime për mjekësi. Thuhet se atje botoi edhe disa artikuj për Shqipërinë.
Me ndërhyrjen e Mehmet Ali Pashës së Egjiptit te Sulltan Hamiti, ky i fundit ia fali dënimin dhe Haxhi Hasan Alia kthehet në Shkodër në vitin 1864, ku ushtroi detyrën e imamit. U martua me një vajzë nga familja e Oso Kukës. Ishte shumë i varfër, i thjeshtë dhe modest, me një veshje karakteristike, por edhe shumë i përgatitur e njohës i përkryer i diturive islame. Kishte pasion mjekësinë popullore (bimët mjekësore) dhe gëzonte autoritet të lartë në popull. Kohën e lirë e kalonte në Medresenë e Pazarit duke studiuar. Shquhej për tolerancë dhe mirëkuptim ndërfetar. Sekretar i tij ishte Filip Çurçija.
Haxhi Hasan Alia ishte reformator i riteve fetare tradicionale islame dhe i jetës qytetare në Shkodër. Ai ishte i pari që ia filloi predikimit në gjuhën shqipe në xhami dhe arriti që ajo (gjuha shqipe) të lejohet të përdoret në praktikën fetare islame në Shkodër, në vend të gjuhës arabe dhe turke. Gjithashtu, ai arriti të ndryshojë (reformojë) disa zakone të vjetra fetare e jofetare të popullsisë myslimane në këtë qytet.

Ali Kraja (Hafiz Ali Kraja – Tari, 1900-1973)

Hoxhë, publicist, politikan. Ali Kraja lindi në Shkodër në një familje krajane. Mësimet e para dhe të mesme fetare i mori në vendlindje. Studioi për jurisprudencë islame, filozofi e teologji në Universitetin “Al Az-har” të Kairos. Në vitin 1924 u kthye në Shkodër. Dinte gjashtë gjuhë të huaja. Ai ishte imam në Shkodër, në Xhaminë e Plumit, Parrucës, Fushë-Çelës etj.
Hafiz Ali Kraja ishte politikan, por kurrë nuk synoi, as nuk pati poste politike e administrative. Ishte antizogist, antifashist dhe antikomunist, për çka u arratis, u internua nga italianët dhe u dënua me vdjekje nga diktatura komuniste. Pas dy amnistive bëri 18 vite burg.
Diskriminimi e persekutimi ndaj tij nga pushteti komunist vazhdoi edhe pas lirimit nga burgu. Veç artikujve në revistën ”Zani i Naltë”, ai botoi edhe librin “A duhet feja? A pengon bashkimin kombëtar?” (1934), ku argumenton se besimet fetare nuk e pengojnë bashkimin kombëtar, por ato janë të domosdoshme për rininë shqiptare.
Ai është luftëtar pararojë për tolerancë, bashkëjetesë dhe harmoni ndërfetare. Bashkëpunoi me Atë Anton Harapin, Dom Mikel Koliqin, Patër Pjetër Meshkallën etj. Kuptimplotë është fjalimi i përmortshëm, mbajtur nga ai me rastin e varrimit të mikut të tij, Atë Gjergj Fishtës, të cilin e filloi me fjalët: “Poet kombëtar, o Patër Gjergji!”, për të vijuar më pas, “Me ty, Patër Gjergji, kombi shqyptar mburret, naltësohet dhe madhënohet para popujve të tjerë, prandaj, sot krejt populli shqyptar të përkulet, djelmnija intelektuale vajton humbjen Tande e me lot ndër faqe të përcjell me mallëngjim e dhimbje në jetën e pasosme.”
Për veten e tij deklaron: “Jam kryenaltë që jam mundue me krye misionin fetar e kombtar për sa kam mujtë.”
Hafiz Ali Kraja hyn në radhën e klerikëve më të shquar myslimanë shqiptarë, bashkë me Hoxhë Hasan Tahsinin, Hoxhë Rexhep Vokën, Hafiz Ali Korçën, Hafiz Ibrahim Dalliun, Mulla Idriz Gjilanin etj. U nderua me titullin “Krenaria e Qytetit të Shkodrës”.

Tahir Kanaqi (Sheh Tahir Kanaqi, 1910?-1985)
Hoxhë, edukator popullor. Tahir Kanaqi lindi në Ostros të Vogël. Mësimet e para i mori në mejtepin e Xhamisë së Re në fshatin e tij. Shkollën fillore e kreu në Tiranë. Në vitin 1926 vazhdoi arsimin në Medresenë e Re në Shkodër, më pas edhe në Medresenë e Përgjithshme të Tiranës. Ishte dervish, pjesëtar i tarikatit “Rufai”. Në vitin 1982 mori titullin “sheh” dhe u zgjodh udhëheqës i këtij tarikati në Mal të Zi.
Në intervale të shkurtra kohore ishte nëpunës apo administrator në Tiranë, Burrel, Durrës, Korçë, Shkodër, anëtar apo kryetar i ndonjë këshilli administrativ apo fetar në Mal të Zi, si p.sh. kryetar i Këshillit Nacional për Krajë e Shestan (1945), kryetar i Nënkëshillit të klerit mysliman, me seli në Tivar (1953) etj. Rreth pesë dekada (deri në fund të vitit 1980), ai ishte imam në Krajë (Arbnesh, Qyrjan, Kështenjë, Ostros i Vogël, kohë pas kohe edhe në Ostros të Madh).
U angazhua edhe në luftën kundër analfabetizmit. Sheh Tahiri ishte mësimdhënës model, me tipare fisnike, i zgjuar, i matur, modest, bamirës, me sjellje, paraqitje dhe komunikim mbresëlënës. Ai aspironte kultin e njeriut të mirë pa dallim feje, kombi, moshe, gjinie etj. Sipas tij, “njeriu është krijesa më e bukur e Perëndisë”, ndërsa “fetë në këtë botë janë si lulet e nji kopshti.”
Ai ishte atdhetar. E donte shumë gjuhën shqipe dhe “flamurin me shkabë”, siç shprehej ai. Nga Shqipëra solli libra shqip në Krajë, ishte i pari që me dekada e merrte gazetën “Rilindja” të Prishtinës. E adhuronte dijen, intelektualët, nxënësit, studentët. Gjithmonë mendonte pozitivisht.
Sheh Tahiri ishte njeri me autoritet, i respektuar dhe i mirëpritur kudo – në Krajë, Anë të Malit, Ulqin, Tivar, Shkodër etj. Në respekt të Sheh Tahir Kanaqit, mbi varrin e tij u ngrit tyrbja e tij (1987) dhe më 13.07.2012, në Ulqin u mbajt një konferencë shkencore kushtuar jetës dhe veprimtarisë së tij, kumtesat e së cilës dhe materiale të tjera relevante u botuan më 2014. (vijon)

Të fundit

më të lexuarat