Arti bashkëkohor në fokus të artistëve

Ekspozita “Territore të munguara” eksploron rrugë dhe mundësi të reja të hulumtimit artistik mbi trajektoret ekzistenciale në kohë dhe hapësirë. Bashkësia e tri krijimtarive të artistëve synon të përfshijë publikun në kufij të ndërmjetëm apo të përbashkët, duke nxitur reflektime të reja mbi përsiatjet e qenies njerëzore

Tuz – Qendra Kulturore-Informative “Malësia” hapi të premten mbrëma (28 mars 2025) ekspozitën kolektive të artit bashkëkohor “Territore të munguara” të artistëve Ardian Kapo, Alketa Alikaj dhe Ardian Isufi, pedagogë të Universitetit të Arteve të Bukura në Tiranë.
Për ekspozitën e përbërë nga piktura, vizatime dhe instalacione, foli Ardian Isufi, i cili tha se fokusi i tyre është arti bashkëkohor.
“Ardian Kapo përmes vizatimeve dhe teknikave mikse, por gjithashtu edhe të instalacioneve, sjell disa elemente të historisë që nuk kanë një fillim apo një fund. Janë histori ndërmjet reales dhe ireales, duke i lënë vend publikut për t’u futur në ngjarje dhe histori, sa mitologjike po aq edhe në historitë tona”, u shpreh Isufi.
Duke folur për krijimtarinë e artistes Alketa Alikaj, Isufi theksoi se ajo, përmes elementit të lules, sjell një lloj brishtësie, “një lloj bote e cila duket mbi tokë dhe nëntokë. Duket gati një koncept nënujor i fuqisë që ka lulja në formën metaforike, por mund të themi edhe në atë politike”.
Ardian Isufi prezantoi gjithashtu krijimtarinë e tij artistike, e cila, siç tha, vjen në një kontekst antropologjik dhe në një dialog ekzistencial që lidhet me qenien humane.
“Të gjitha këto bashkë, krijojnë një lloj sintonie, përveç kontrasteve të tyre vizuale, si një lloj mesazhi për publikun e Tuzit dhe përtej. Jemi përpjekur që në hapësirën tuaj, që është një hapësirë atraktive, të integrojmë këto vepra si imazhe artistike, jo vetëm thjesht si forma artistike por edhe si forma ku vepra e artit dhe hapësira krijojnë një situatë – një ngjarje”, u shpreh artisti.
Duke iu referuar vizitës së tij kohë më parë në atelienë e artistit të madh Gjelosh Gjokaj, ai theksoi se Tuzi për ta nuk është thjesht një ndalesë, “por një burim frymëzimi sa i përket kulturës, historisë së artit dhe identitetit tonë të përbashkët”.
Në të njëjtën kohë, artistët Alketa Alikaj dhe Ardian Kapo falënderuan drejtuesit e QKI “Malësia” për këtë bashkëpunim të jashtëzakonshëm.
Drejtori i QKI “Malësia” Vasel Berishaj, duke e shpallur të hapur ekspozitën “Territore të munguara”, tha se kjo qendër po shndërrohet në një vatër arti që mirëpret artistë nga të gjitha trojet shqiptare dhe më gjerë.
“Profesorët e nderuar, me stilin dhe qasjen e tyre unike, kërkojnë, ashtu si shumë artistë para tyre, t’u japin përgjigje pyetjeve universale që prej kohësh trazojnë mendjen njerëzore”, u shpreh ai.
Berishaj shtoi se artistët sjellin një vizion të ri mbi botën, kohën dhe hapësirën përmes teknikave dhe shprehjes së tyre unike.
“Sonte keni mundësinë që të përjetoni mundësinë magjike të ndërthurjes së tri energjive krijuese që sfidojnë kufijtë e hapësirës dhe kohës, por edhe kufijtë brenda nesh”, u shpreh drejtori i QKI-së “Malësia”.
Ekspozita “Territore të munguara”, e cila për publikun në Malësi do të jetë e hapur deri më 7 prill 2025, eksploron rrugë dhe mundësi të reja të hulumtimit artistik mbi trajektoret ekzistenciale në kohë dhe hapësirë. Bashkësia e tri krijimtarive të artistëve synon të përfshijë publikun në kufij të ndërmjetëm apo të përbashkët, duke nxitur reflektime të reja mbi përsiatjet e qenies njerëzore. Përkushtimi i tyre ndaj artit nuk përmblidhet vetëm në krijimtarinë artistike, por edhe në edukimin e brezave të rinj, përmes punës së tyre si pedagogë në Universitetin e Arteve të Bukura në Tiranë.
Veprat e artistes Alketa Alikaj janë kompozime në teknika të përziera si pjesë e një cikli mbi stinët e natyrës, duke krijuar një situatë të abstrahuar të një realiteti imagjinar, ku vendi dhe koha janë të papërcaktuara në realitete dhe në lëvizje stinore të paqëndrueshme, që hulumtojnë territore pa kufij kohorë apo sezonalë.
Artisti Ardian Kapo është i orientuar drejt ndërthurjes së reales dhe ireales, ku fizika dhe metafizika janë horizonte të papërcaktuara të njeriut që udhëton në histori, sa sociale aq edhe mitologjike. Veprat e tij janë vizatime radiografike si gjurmë e ngjarjes apo histori njerëzore, pa fillim e fund, por me një skenar të përcaktuar qartë në kërkim të dëshirës për të rrëfyer ëndrra dhe realitete.
Artisti Ardian Isufi është i fokusuar në antropologjinë njerëzore duke hetuar forma dhe imazhe dekonstruksionesh të realiteteve tona dhe duke e analizuar njeriun postmodern në bashkëveprim social dhe shoqëror. Imazhet e tij si dokumentacione portretesh fotografike janë analiza të forta pamore mbi atë që Niçe thotë: “Kemi artin për të mos vdekur nga e vërteta”.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat