Kujtimet dhe mbresat e një profesori

Në fund të ceremonisë, ndarja e mirënjohjeve për 30 ish-mësimdhënës në pension, si shenjë e vlerësimit të punës sonë në arsim, me një motivacion të shkëlqyer: “Në shenjë vlerësimi dhe falënderimi për përkushtimin, profesionalizmin dhe kontributin tuaj të çmuar në edukimin dhe formimin e brezave të rinj. Me punën dhe pasionin tuaj keni lënë gjurmë të pashlyera në arsim dhe keni frymëzuar shumë gjenerata drejt dijes dhe suksesit”

Ismet Karamanaga

Titulli “Gjurmët” i dokumentarit, ekspozitës dhe fotoalbumit më duket i qëlluar me rastin e kremtimit solemn të 60-vjetorit të Shkollës së Mesme të Kombinuar “Vëllazërim-Bashkim” në Ulqin dhe ai pa dyshim reflekton rrugëtimin prej më se gjysmë shekulli të arsimit të mesëm në gjuhën shqipe dhe malazeze në Ulqin.
Dita e shkollës është solemnitet ku sublimohen rezultatet e arritura gjatë një viti shkollor, pikësëpari të nxënësve me ndihmën e mësimdhënësve të tyre. Kjo traditë e organizimit bëhet për çdo vit, por sivjet institucioni më i lartë arsimor publik në qytetin tonë shënon një përvjetor të rëndësishëm. Për këtë arsye, organizatorët në krye me drejtoreshën Ardita Kovaçeviq u kujtuan që në këtë solemnitet t’i ftojnë të gjithë mësimdhënësit të cilët kanë lënë gjurmë të pashlyera në këtë institucion dhe arsimin në Ulqin në përgjithësi. Një gjest për t’u lavdëruar.
Drejtoresha Ardita Kovaçeviq është një kohë relativisht të shkurtër në krye të SHMK “Vëllazërim-Bashkim”, por me punën dhe aktivitetet e saj po tregon se ishte një zgjedhje e mirë për ta udhëhequr këtë institucion. Na mblodhi dhe na nderoi.
Ajo kishte emocione duke na përshëndetur dhe duke prezantuar fotoalbumin me fotografi të shumë gjeneratave që kaluan përmes bankave të shkollës në një rrugëtim të gjatë. Por emocione kishim edhe ne, mësimdhënësit e saj. Kjo zonjë edhe si nxënëse ka treguar aftësi, në veçanti në mësim. Është e komunikueshme, e sjellshme, e qeshur dhe modeste. Përpos saj, duke parë stafin e ri të mësimdhënësve, që së bashku me ata me përvojë më të madhe funksionojnë si një ekip, them se këtë institucion arsimor kryesor për edukimin e fëmijëve tanë në Ulqin e kemi lënë në duar të sigurta.
Po e vazhdoj këtë shkrim duke cituar drejtoreshën, e cila në fjalën përshëndetëse lexoi parathënien e shkruar për fotoalbumin “Gjurmët”, ku ndër të tjera shprehet:
“Përmes fotografive të prezantuara në këtë album do të bëjmë një udhëtim në kohë, për të sjellë në kujtesë por edhe për t’i njohur gjeneratat që do të vijnë, me momente të ndryshme nga kujtimet e bukura shkollore ndër vite.

Në veçanti duhet të përmenden dhe të mos harrohen kurrë, bile të shkruhen me shkronja të arta në hyrjen e shkollës emrat e atyre të cilët u larguan nga puna në arsim vetëm sepse e donin kombin e vet dhe gjuhën tonë të bukur shqipe. Më kujtohet si sot mbledhja e tmerrshme, ku unë isha procesmbajtës, kur u larguan nga shkolla pa kurrfarë faji profesorët e nderuar – Bajram Rexha, nga i cili mësuam të shkruajmë më mirë shqip, pastaj Qazim Rexha, Ibrahim Ceka, Mejreme Maraj, në veçanti i ndjeri Tahir Pereziqi dhe në fund Mehmet Bardhi. Disa prej tyre vuajtën edhe dënime me burg për shkaqe që i dinin vetëm barbarët komunistë


Në retrospektivën e momenteve të vyera sjellim ngjarje dhe njerëz që lanë gjurmë në historikun e shkollës.
Çastet e bukura nuk humbasin kurrë; ato thjesht shndërrohen në kujtime të arta. Prandaj edhe këto pamje mund të jenë të vjetra, por kujtimet që ato mbartin do të mbeten të përjetshme.
Le të shijojmë së bashku këtë udhëtim nostalgjik duke ju ftuar të udhëtoni në kohë përmes fotografive”.
Jam i sigurt se shumë prej atyre që morën pjesë në këtë solemnitet, duke e kaluar pas shumë vitesh pragun e shkollës, kanë kujtuar me emocione vitet e punës në këtë institucion arsimor.
Neve ish-mësimdhënësve të ftuar të kësaj shkolle na munguan disa kolegë, të cilët nuk janë më në këtë botë. Në mesin e tyre, në veçanti duhet të përmenden dhe të mos harrohen kurrë, bile të shkruhen me shkronja të arta në hyrjen e shkollës emrat e atyre të cilët u larguan nga puna në arsim vetëm sepse e donin kombin e vet dhe gjuhën tonë të bukur shqipe. Më kujtohet si sot mbledhja e tmerrshme, ku unë isha procesmbajtës, kur u larguan nga shkolla pa kurrfarë faji profesorët e nderuar Bajram Rexha, nga i cili mësuam të shkruajmë më mirë shqip, pastaj Qazim Rexha, Ibrahim Ceka, Mejreme Maraj, në veçanti i ndjeri Tahir Pereziqi dhe në fund Mehmet Bardhi. Disa prej tyre vuajtën edhe dënime me burg për shkaqe që i dinin vetëm barbarët komunistë. Të gjithë gëzojnë një respekt të veçantë tek unë dhe ata meritojnë të shkruhet shumë më tepër për jetën dhe veprën e tyre.
Për t’u rikthyer solemnitetit, “Gjurmët” reflektojnë punën dhe rrugëtimin e këtij institucioni arsimor prej themelimit në vitin 1965 e deri më sot. Jam krenar që edhe unë jam pjesë e këtij rrugëtimi, së pari si nxënës e më vonë edhe si mësimdhënës, gjatë një periudhe të gjatë dhe aspak të lehtë, duke u përballur me shumë sfida, sidomos pas tërmetit të vitit 1979, kur mësimi është zhvilluar në kushte të jashtëzakonshme, nën çadra. Mendoj se përgjatë kësaj kohe, derisa kalova në turizëm, për më shumë se 25 vite kam dhënë kontribut modest në edukimin e shumë brezave, të cilët sot janë intelektualë të profileve të ndryshme, artistë dhe gastronomë. Unë mburrem, pa përjashtim, me të gjitha gjeneratat.
Ajo që më bën më tepër krenar është se nuk më ka ndodhur të takoj ndonjë ish-nxënës, të cilit i kam dhënë mësim, e të mos më përshëndesë. Ky është një respekt dhe sjellje korrekte ndaj mësimdhënësit i cili është munduar të japë më të mirën në edukimin e tyre, pavarësisht nga nota në ditar. Vlerësimi dhe respekti i tyre bëjnë që të mburrem me punën time, duke filluar nga lënda që e kam ligjëruar, pastaj si kujdestar i klasës e deri tek ekskursionet e shumta me maturantë që i kam udhëhequr në periudhën kur drejtor i kësaj shkolle ka qenë Hysejn – Ceno Katana. Nuk e di që kemi pasur ndonjëherë probleme pasi që në përgjithësi kemi pasur dhe kemi të rinj të cilët së pari kanë trashëguar edukimin familjar, pastaj edhe ne iu kemi dhënë diçka nga aftësitë tona si edukator dhe mësimdhënës, duke i edukuar në frymën e bashkëjetesës, që është veçori e Ulqinit, i njohur si shembull i bashkëjetesës në rajon dhe më gjerë. Këto vlera duhet t’i kultivojmë, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të jetojmë në paqe në këtë mjedis dhe nënqiell të qytetit tonë të bukur.
Në këtë solemnitet ishte i pranishëm edhe ish-nxënësi ynë, Gzim Hajdinaga, sot drejtor i Qendrës për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Kulturës së Pakicave, i cili kudo ku ka punuar, gjithmonë ka dhënë një kontribut të veçantë. Si orator i lindur, i përshëndeti të pranishmit nga zemra e tij e madhe.
Dhe në fund të ceremonisë, ndarja e mirënjohjeve për 30 ish-mësimdhënës në pension, si shenjë e vlerësimit të punës sonë në arsim, me një motivacion të shkëlqyer: “Në shenjë vlerësimi dhe falënderimi për përkushtimin, profesionalizmin dhe kontributin tuaj të çmuar në edukimin dhe formimin e brezave të rinj. Me punën dhe pasionin tuaj keni lënë gjurmë të pashlyera në arsim dhe keni frymëzuar shumë gjenerata drejt dijes dhe suksesit”.
Jam më se i sigurt që kjo mirënjohje do të stolisë vitrinat në bibliotekat tona. Në emrin tim, një falënderim i veçantë i shkon Arditës dhe gjithë stafit të shkollës.

Të fundit

më të lexuarat