Arkitektura si kult i identitetit kombëtar

Korab Kraja

Identiteti kombëtar paraqitet si rezultat i disa parimeve veçuese, që e bën një popull të përbashkuar dhe e bën atë të dallueshëm nga popujt me identitete të tjera kombëtare. Si rezultat i narracioneve mbi premisat e identitetit, shpeshherë rol të madh kanë luajtur rrethanat dhe kushtet historike dhe politike, që kanë orientuar formimin dhe kanë përcaktuar veçimin kombëtar dhe identifikues të një populli. Mbi të gjitha, përpos rrjedhës historike, themeli kyç që një komb të jetë i dallueshëm në bazë të identitetit, është gjuha dhe është kultura. Kjo e fundit zakonisht paraqitet në forma të ndryshme, që mund të jetë mënyrë e jetesës, mënyrë e sjelljes, mënyrë e krijimit. Por, një veçanti tjetër çka e bën një popull të dallueshëm nga popujt e tjerë është edhe mënyra e ndërtimit të ndërtesave. Përkatësisht, ndërtesat si shprehje arkitektonike në kontekstit arkitekturor të jetesës, e bën një popull të veçantë dhe të dalluar nga popujt e tjerë, të cilët në mënyra të tjera shprehin formësimin e arkitekturës dhe shfaqin një pamje tjetër identifikuese.
Pra, arkitektura është identitet. Mund të jetë identitet arkitektonik i njëjtë, i ngjashëm, i përafërt, i dallueshëm me mënyrën arkitekturore të popujve të tjerë. Është e ditur, se kushtet jetësore, sidomos kushtet për ndërtimin e një ndërtese, shtëpi apo pallat, janë të varura drejtpërdrejt me rrethanat, mënyrën e jetesës, nevojën për shfrytëzimin e hapësirave, si dhe, edhe mbi traditën zakonore të jetës mbi funksionin e shtëpisë. Nuk është e rastit, që një ndërtim të jetë kaq i rëndësishëm për një popull. Sidomos, për popullin shqiptar. Shtëpia për shqiptarin është aq e rëndësishme, saqë në fillim ajo merr formën e një tempulli, bëhet vendprehje dhe shndërrohet në fron të perëndisë. Sikur të mos mjaftonte kjo, përpos perëndisë si krijuese e çdo gjëje, shtëpia si krijim i njeriut, bëhet edhe integritet moral dhe shoqëror për diçka më të afërt, më të prekshëm dhe më të arritshëm: ajo bëhet edhe e mikut, pra vizitorit, pra tjetrit që vjen, shkon, hyn dhe del nga shtëpia. Janë shumë faktorë që shtëpinë shqiptari duhet ta ketë menduar në kontekstin më të gjerë, sesa ta lë vetëm nën margjinat e ngushta të rehatisë dhe strehimit. Sikur të mos ishte e tillë, shtëpia nuk do të luante një rol aq të rëndësishëm në kodin kulturor, historik dhe politik të tij. Përpos ligjeve të kultit, të cilat shprehin një marrëveshje mbinatyrore, shpeshherë abstrakte, mbi të mbinatyrshëm me mortoren, kanuni si institucion moral i një shoqërie me shenja të dallueshme të emancipimit kohor, paraqet një ligj të bartur nëpër breza se kushti kryesor që një shtëpie të ngrihet dhe të quhet si shtëpi, pra ndërtesë, është bazamenti i saj. Këtu bazamenti, pra themeli i shtëpisë bëhet pjesë integrale e tokës në të cilën gërmohet që të pranohet ndërtimi i ri. Dhe kjo, sipas ligjeve besëtytnore, që toka ta pranojë mbi vete një ndërtim të tillë nga njeriu, kërkon flijim. Prandaj, edhe flijimi që bëhet në themelet e shtëpisë së saponisur, është shprehje identiteti e një procesi shndërrimi arkitektonik. Metamorfoza e tillë, i jep një kahe sa hyjnore edhe të kultit të ndërtesës, sidomos mbi ligjshmërinë e saj si pjesë përbërëse e rëndësishme në kanunin e shqiptarëve.
“Shtëpia e shqiptarit”, “shtylla e shtëpisë”, “guri i kufirit”, janë disa trajta konkrete mbi rëndësinë që ndërtesa e ndërtuar nga shqiptari ka një vend të posaçëm dhe luan rol përcaktues në jetën shoqërore. Prandaj, ashtu si traditat gojore që japin shpeshherë kuptime të mëvetësishme në identifikimin material dhe jomaterial, ato bëhen ndonjëherë edhe shprehje e një rrëfimi përtej stigmës së veçuar nën rrëfimin e ftohtë të interpretimit të kodeve përcaktuese. Pra, arkitektura bëhet shprehje e formuar prej shprehjeve kulturore dhe fizike. Arkitektura ka fuqinë për të shprehur dhe përforcuar identitetin kulturor nëpërmjet estetikës, funksionalitetit dhe lidhjes me traditat lokale. Nuk është e rastit, prandaj, që ndërtesat shpeshherë edhe të glorifikohen duke krijuar kështu përshtypjen e një ndërtese sa më të vjetër, e një ndërtesë e cila ka përmbajtur ngjarje historike ose që brenda saj kanë lindur e janë rritur personalitete historike. Pra, një ndërtesë historike kërkon edhe një rrëfim historik.
Por, cilat mund të jenë ndërtesat tona historike, të cilat përmbajnë rrëfimin historik dhe njëkohësisht, ndërtesat të cilat u bënë udhëpërshkruese dhe rrëfyese historike dhe identitare për kombin tonë?
Përpos këndvështrimit kulturor të rrëfimit kanunor mbi rëndësinë e kultit dhe shoqërore-morale që një ndërtesë mbartë mbi vete dhe përuljen, konkretisht respektin që një ndërtesë e kërkon nga pronari i saj apo cilido njeri, ndërtesa në këtë rast bëhet edhe vendtakim i shumë prehjeve historike. Saktësisht, është arkitektura që e luan edhe rolin e mbamendjes në kujtesën historike te një popull. Ngjarjet e mëdha historike, pothuajse gjithmonë kanë në prapavijë një ndërtim që shpreh edhe kontekstualizimin historik dhe arkitektonik. Është arkitektura ajo që e bën më të qenësishme dhe e bën më të dallueshme narracionin mbi margjinat përshkruese të historisë.
Mund të jenë shumë, madje mund të identifikohen disa ndërtesa brenda të cilave ose afër të cilave janë bërë kthesa të mëdha dhe janë zhvilluar ngjarje të mëdha historike për popullin shqiptar. Por, ndërtesa si prodhim i drejtpërdrejt arkitektonik dhe prodhim i drejtpërdrejt i një ngjarjeje historike me rëndësi jetike për kombin shqiptar mund të ngushtohen në tri. Duke i lënë anash analet e historisë së lashtë, të cilat u jetësuan kryesisht nëpër kala e pallate të kështjellave tona, që përbëjnë një simbiozë të caktuar historike dhe identitare për kombin tonë, tri ndërtesat, të cilave arkitektura e tyre nuk mund të mos kujtohet apo të harrohet janë Kalaja e Skënderbeut në Krujë, Shtëpia e Pavarësisë në Vlorë dhe Shtëpia e familjes Jashari në Prekaz. Konkretisht, Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, Muzeu i Pavarësisë Kombëtare dhe Kompleksi Memorial “Adem Jashari”, janë shprehjet monumentale ku ngjarja historike, rrëfimi historik, kujtesa kolektive dhe arkitektura ndërthurën me njëra-tjetrën dhe paraqesin identitetin kombëtar të gërshetuar me traditën e ndërtimit dhe me ngjarjen historike.
Këta tre katalizator historik për kombin tonë janë të rëndësishëm edhe për pasqyrimin figurativ dhe estetik. Është e pamundur që këto tri ndërtesa të mos dallohen dhe që, mendja të mos krijojë atypëratyshëm ngjarjet e veçanta me një qëllim përbashkues. Janë tri ndërtesa shumë të ndryshme me njëra-tjetrën, të cilat nuk kanë asnjë ngjasim as nga madhësia, as nga forma, as nga rrëfimi, por as nga arkitektura. Janë tri kohë të ndryshme. E para mesjetare, e dyta rilindëse dhe e treta moderne. Mbi këto tri kohë të ndryshme, historia e popullit shqiptar lëvizi gradualisht nëpër ngjarje dhe kundër ngjarje që e bënë formimin identitar të formimit dhe konsolidimit të popullit shqiptar. Duke marrë parasysh kushtet e ndërtimit të cilat kodi zakonor i kërkonte që muret e një ndërtese të qëndronin, nëpër këto ndërtesa kaluan shumë flijime që e tejkaluan kultin dhe besëtytninë e flijimit në themele e në mure. Këto tri ndërtesa, paraqesin një trekëndësh kombëtar. Trekëndëshi, si figurë gjeometrike që i paraprinë projeksioneve tredimensionale të piramidës, paraqet formën e trupit gjeometrik më të qëndrueshëm. Prandaj, edhe këto tri ndërtesa historike, me pamje hijerënda dhe me ngjarje vendimmarrëse indentitare të kombit, përbëjnë boshtin rreth të cilit u vulos historia kombëtare. Arkitektura, si mjet i paraqitjes së mbamendjes kolektive për ngjarjet e këtyre ndërtesave, bëhet simbol i përbashkimit të ngjarjeve të ndryshme në Krujë, Vlorë e Drenicë. Tri ndërtesa të ndryshme u bënë udhërrëfyese e tri ngjarjeve të ndryshme në tri kohë të ndryshme.
1443, 1912, 1955 dhe 1997 janë datat që lidhen rreth ngjarjeve dhe figurave të mëdha historike, që mund të thuhet se identifikohen me ndërtesat monumentale, tani edhe simbole të historisë dhe kulturës tonë. Tri arkitektura të ndryshme patën një datë të vetme: 28 Nëntorin.

Të fundit

më të lexuarat