“Dallëndyshet” e Anës së Malit

Ana e Malit ka një pozitë gjeografike të mirë dhe të lakmueshme. Një pozitë e tillë, e rregulluar si me dorë, natyra e bukur dhe e virgjër, përbëjnë një potencial të rëndësishëm. Ajo shtrihet në mes të vargmalit të Rumisë në veri, lumit Buna në lindje, liqenit të Shasit, Malit të Brisë në jug e deri tek Ura e Mërkotit e Kulla e Kadraçit në perëndim. Me Tivarin, Ulqinin, Shkodrën dhe Krajën lidhet me rrugë automobilistike të asfaltuara. Rruga nga Ana e Malit për Krajë është ndërtuar në vitet 1967-1970. Rrugën për Shkodër e kanë ndërtuar austrohungarezët. Rruga Ulqin – Krythë është asfaltuar në vitin 1954, kurse ajo Krythë – Sukubinë pas asfaltimit të rrugës Katërkollë – Krajë.
Popullsia e Anës së Malit është e ndarë në 20 fshatra, të cilat deri në vitin 1970 kanë qenë të populluara mirë, por për arsye të kushteve jo të mira ekonomike anamalasit u detyruan të emigrojnë. Popullsia e kësaj treve malore përballet përditë me kushte të vështira, sepse mungojnë investimet në çdo lëmi. Sa i përket strukturës së popullsisë së Anës së Malit, ajo është 100 për qind shqiptare.

Nga historiku i arsimit në Anën e Malit
Shkolla e parë në Anën e Malit u themelua në godinën e mejtepit në fshatin Selitë, në vitin 1929. Mësimi zhvillohej në gjuhën serbe.
Në vitin 1932 u ndërtuan shkollat e reja në Katërkollë, Krythë dhe Sukubinë, ku mësimi u zhvillua nga klasa I-IV. Shkolla ka punuar gjer në vitin 1941 dhe mësimi është zhvilluar në gjuhën serbe, me mësues të ardhur nga viset tjera.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore në trevat e banuara me shqiptarë hapen shumë shkolla, mësimi për herë të parë zhvillohej në gjuhën shqipe. Ministria e Arsimit e Shqipërisë dërgoi mësues të përgatitur në baza pedagogjike për të punuar me nxënës në gjuhën shqipe në çdo pjesë të trojeve të banuara me shqiptarë. Në vitin 1945, pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, mësues i parë dhe drejtor emërohet Minja Nikollaidisi, shqipfolësi që ishte rritur në mes të shqiptarëve. Ai është edhe ideatori i hartimit të Vjetarit për Kopshtin e Fëmijëve në Ulqin, respektivisht edhe të shënimeve të para për Kopshtin në Katërkollë (sipas deklaratës së ish-drejtoreshës së këtij kopshti, Sllavica Mashanoviq).
Në vitin shkollor 1947/1948, shkolla në Katërkollë rritet në shkollë fillore shtatëklasëshe. Drejtor i shkollës emërohet Junuz Divanoviqi, mësues nga Tivari. Shkolla e Katërkollës shërbeu si model i shkollave në ish-Jugosllavi. Drejtori Junuz Divanoviqi bëri punën e një humanisti në zhdukjen e analfabetizmit në Anë të Malit. Këto ishin vitet më të lavdishme për Anën e Malit, për shkollimin e fëmijëve e posaçërisht të vajzave anamalase.
Disa data të tjera të rëndësishme për arsimin shqip në Anën e Malit: Në vitin shkollor 1951/1952 shkolla shndërrohet në shkollë tetëvjeçare. Nga dhjetori i vitit 1961, shkolla fillore në Katërkollë mban emrin “Bedri Elezaga“. Në vitin shkollor 1972/1973 ndërtohet godina e re e shkollës fillore në Katërkollë, gjë që bëri të transferohen nga ndërtesa e vjetër dhe të vazhdohet puna në objektin e ri.

Fillimet e edukimit parashkollor në Anën e Malit
Pas kalimit me punë nga shkolla e vjetër në shkollën e re, objekti i shkollës së vjetër mbetet i pashfrytëzuar, kështu që me kontributin e mësuesit të ndjerë Sabri Holli si dhe të BVI-së komunale për mbrojtjen e fëmijëve, objekti i vjetër i shkollës adaptohet për kopsht të fëmijëve, i cili u hap pranë shkollës fillore “Bedri Elezaga”. Kështu, në vitin 1978 filloi punën grupi i parë edukativo-arsimor për fëmijët e moshës parashkollore në Anë të Malit. Punën me grupin e parë e fillon edukatorja e parë e Anës së Malit, Shemsije Seferi. Interesimi i prindërve ishte i madh, ku për herë të parë u regjistruan 50 fëmijë. Aty punoi gjer në vitin 1979, kur tërmeti e shkatërroi objektin.
Pas kësaj, kopshti vazhdoi punën në mjediset e shkollës “Bedri Elezaga“ deri në vitin 1985 dhe në maj të këtij viti kaloi në objektin e ri, të ndërtuar enkas për kopsht, në vendin e ish-Komunës së Anës së Malit. (Ana e Malit ishte komunë qytetare rurale, pjesë e Qarkut të Tivarit. Në vitin 1955, Komuna e Katërkollës iu bashkua Komunës së Ulqinit).
Në vitin shkollor 1977/1978 drejtor i shkollës u zgjodh me mandat katërvjeçar arsimtari i Gjuhës dhe Letersisë Serbokroate, Rexhep Kokaj. Tërmeti i vitit 1979 i shkatërroi edhe objektet shkollore. Shumica e shkollave të ndara u detyruan të vazhdojnë punën në shtëpi private, kurse mësimi në shkollën amë u organizua në poligonin e Shkollës së Vjetër nën çadra ushtarake. Këto hapësira sot janë të uzurpuara nga ish-Fabrika e Tepihëve “Ultep”. Në këtë periudhë filloi dhe u ndërtua Kopshti i Fëmijëve falë donacionit të qytetit Katvijk të Holandës. Godina e re e kopshtit të fëmijëve u ndërtua dhe gjendet edhe sot në vendin e ish-Komunës së Katërkollës.
Më 15 maj 1985 në Katërkollë u inagurua solemnisht Kopshti i Fëmijëve, në prani të shumë qytetarëve dhe përfaqësuesve të ministrive të Arsimit, Kulturës, Mbrojtjes së fëmijëve si dhe përfaqësuesve të pushtetit lokal. Me pajtimin e pushtetit lokal, ky kopsht iu dha nën administrim Kopshtit qendror në Ulqin.
Kopshti i ri ishte objekt solid, i ndërtuar me material të fortë. Ka dy dhoma pune, kuzhinën, dhomën për ngrënie, korridor të mjaftueshëm për pranimin e fëmijëve, tualet për fëmijë si dhe për personelin, zyrën etj. Objekti është i pajisur me mjete didaktike dhe i plotëson kushtet për punë normale me fëmijë.
Pozita e kopshtit dhe vendi në kodrinën piktoreske, i rrethuar me plot gjelbërim, me oborr dhe rekuizita për lojë, argëtim në natyrë, është një vend ideal për fëmijë.
Edukatore Shemsija kujton se ditën e parë të hapjes së kopshtit në grup kishte 19 fëmijë.
“Numri i fëmijëve rritej çdo ditë e sidomos me hapjen e Fabrikës së Tepihëve ‘Ultep’ numri i fëmijëve u shtua. Formuam dy grupe. Punën me grupin e dytë e fillon edukatorja Pranvera Muçaj. Fëmijëve u shtrohej dhe dreka”.
E meta e këtij objekti, që u vërejt që në fillim, ishte çatia jo e ndërtuar mirë, sepse një shi sado i vogël po të binte, çatia e lëshonte ujin. Disa ndërhyrje në riparimin e çatisë u treguan të pasuksesshme. Me mbylljen e Fabrikës së Tepihëve, edhe numri i fëmijëve në kopsht u zvogëlua, por prapë kopshti vazhdoi të funksionojë edhe disa vite me një grup edukativo-arsimor.
Më 14 janar 2021, ekspertët konstatuan ekzistencën e problemeve në instalimet elektrike dhe rrufepritëse, prandaj me vendim të tyre u mbyll objekti i kopshtit të fëmijëve në Katërkollë.
Pas kësaj, zgjidhja e përkohshme u gjet në zhvendosjen e fëmijëve në mjedise të tjera. Kështu, nga 25 janar 2021 Njësia edukative “Dallëndyshet“ në Katërkollë vazhdoi procesin edukativo-arsimor në mjediset e shkollës “Bedri Elezaga”. Një falënderim i veçantë për drejtorin e shkollës dhe stafin që i hapën përsëri dyert e shkollës për “Dallëndyshet“ e Anës së Malit.
Me zhvillimin e infrastrukturës rrugore të Anës Malit dhe punësimin e shumë femrave si dhe duke e ditur rëndësinë e kopshtit për përgatitjen dhe socializimin e fëmijëve, numri i fëmijëve që po regjistrohen në njësinë edukativo arsimore “Dallëndyshet” në Anën e Malit përsëri është në rritje. Ky numër në vitin shkollor 2023/2024 shënon 83 fëmijë, të ndarë në tri grupmosha. Por mjerisht këta fëmijë me edukatoret e tyre kaluan përsëri në objektin e shkollës fillore “Bedri Elezaga“, ku në fillim u nda një klasë për ta, ndërsa këtë vit shkollor puna zhvillohet në dy klasë. Këto nuk janë kushte të mjaftueshme për punë. Edukatoret i kanë transferuar lodrat dhe orenditë sipas nevojës dhe mundësive, duke shpresuar se do të qëndrojnë për një kohë të shkurtër në mjediset e shkollës ”Bedri Elezaga”.

Lumnije Bisha

Të fundit

më të lexuarat