15 maji – ditëlindja e IP Shkolla Fillore “Bedri Elezaga”, Katërkollë

Luljeta Avdiu – Cura

Institucioni Shkollor “Bedri Elezaga” ka një traditë të gjatë në mësimdhënie. Për nder të rrugës plot mund e sakrificë në krijimin e themeleve të këtij institucioni, çdo vit kremtohet Dita e shkollës. Deri në vitin 1978 Dita e shkollës u kremtua më 13 qershor. Bashkësia punuese e shkollës më datë 3.3.1979 vendosi që nga ai vit Dita e shkollës të festohet më datën 15 maj. Kremtimi i Ditës së shkollës është kremtimi i ditëlindjes, por edhe kremtimi i rezultateve të punës, arritjeve, suksesit, etj.
Festimin e Ditës së shkollës e bëjnë më të veçantë nxënësit me programet e përgaditura enkas për këtë ditë, por edhe personalitete të ndryshme nga jeta shoqërore e politike, ish-punëtorë të arsimit, drejtorë, si edhe prindërit dhe stafi i shkollës që marrin pjesë në solemnitet. Nga viti i kaluar shkollor me vendim të Këshillit të mësimdhënësve, Dita e shkollës festohet dy ditë.
Programi solemn filloi mbrëmjen e 14 majit me intonimin e himnave, atij shtetëror dhe himnit kombëtar shqiptar të interpretuar bukur dhe me emocion nga kori i shkollës, përgatitur me kujdes të veçantë nga prof. i kulturës muzikore Ardit Nika. Ai për nder të kësaj dite ka përgatitur edhe disa pika të tjera muzikore që u prezantuan gjatë programit e që lidhen me traditën e vendit, siç janë këngët; “Në arë me korrë”, “O mullinxhi” dhe “Ana e Malit, vendlindja ime” .Kur interpretimi i këngëve përcillet edhe me valle, atëherë ngjarja bëhet edhe me e veçantë.
Më pas në skenë u shfaqen bukur me kostumet kombëtare të trevës sonë dy prezantuesit, mësuesja Zyra Mehani dhe Ilir Lleshi të cilët patën përgjegjësinë por edhe nderin që të moderonin këtë mbrëmje solemne.

Në fjalën e tij, drejtori Mustafë Bardhi përshëndeti të pranishmit dhe u shpreh: “Sot në një realitet të ri, shkolla jonë ka objektiva, ka mision dhe vizion të qartë. Metodologjia në shkollën tonë mbështetet në rregullat e Malit të Zi në mësimdhënien në qendër nxënësin. Mendojmë se do i arrijmë objektivat tona për të përmbushur misionin që kjo shkollë të jetë anëtare në familjen e shkollave bashkëkohore. Puna ime është e fokusuar që të gjithë ta ndjejnë veten të barabartë dhe në mesin e të barabartëve, ku me anë të aktiviteteve të gjithë të ndihen të motivuar të promovojnë të gjitha punët pozitive në shkollë. Shkolla jonë është dhe mbetet vatër e diturisë dhe dritës për shumë gjenerata. Nga gjiri i saj dolën shumë intelektualë të cilët janë bërë krenaria e kësaj treve. Me mburrje krenohemi me ish-nxënës të kësaj shkolle, që sot japin kontribut në vendet ku punojnë dhe veprojnë. Vend të posaçëm në jetën shkollore të kësaj treve ka Fondacioni “Trojet tona”që vepron në SHBA dhe kontribon në vendlindje. Këtë vit shkollor falë fondacionit në fjalë, janë rinovuar disa paralele të ndara. Falë miqve të shkollës sonë e pikërisht z. Mark Gjonaj, u bë rinovimi i bibliotekës. Ne sot kemi raporte të mira me Komunën e Ulqinit, si edhe me të gjitha ndërmarrjet që funksionojnë në kuadër të komunës. Falë mësimdhënësve të shkollës, nxënësit korrin suksese në garat në nivel shkollor, komunal dhe shtetëror. Vetëm me punë, vullnet të mirë, angazhim maksimal të të gjithëve, sot kemi nxënës të shkëlqyer, nesër njerëz të dalluar në shërbim të familjes, vendit dhe të gjithë komunitetit”.
Fjalën përshëndetëse e mori edhe vullnetari i Korpusit të Paqes, Eriku, i cili në dhjetor të vitit 2022 filloi edhe shërbimin si vullnetar pranë shkollës sonë.
Në fjalën përshëndetëse ndër të tjera ai tha:
“Është nder dhe kënaqësi e veçantë që gjendem në Anë të Malit, Komuna e Ulqinit dhe kam nderin dhe kënaqësinë që të mësoj rreth gjuhës, kulturës dhe traditës së këtij komuniteti”.
Moment emocionues ishte ndarja e certifikatave në shenjë mirënjohje për mësimdhënësit e shkollës sonë që kanë një karrierë të gjatë në mësimdhënie, si edhe për shoqatat, institucionet, individët, etj, që me përkrahjen financiare i kontribuan përmirsimit dhe zhvillimit të kushteve të shkollës.
Po ashtu nxënësja Sara Pali, e cila në nivel shtetëror ka fituar vendin e dytë në gara nga lënda e gjuhës gjermane, u shpërblye me mirënjohje së bashku me mentorin e saj prof. Memli Kurti.
Në nivel të shkollës këtë vit u shpërblyen me diplomën “Pishtari” katër nxënës: Nurije Maxharri, Beisa Salloviq, Ilderina Hoxhiq dhe Nahida Hajdaroviq. Nxënësja e gjeneratës u shpall Nurije Maxharri.
Prof. Jozo Koçoviq, u shpërblye me mirënjohje për muralin që paraqet një moment të rëndësishem historik në Anë të Malit, momentin kur Jonuz Divani përcjell për në Normale në Prishtinë të ndjerën Rrukije Lika-Shaba (1943-2017), femrën e parë nga kjo zonë që kreu shkollën për mësuese në vitin 1964.
Moment i veçantë i mbrëmjes ishte shfaqja e dokumentarit “Edhe une jam nxënës i kësaj shkolle”. Dokumetari u punua nga prof. Luljeta Avdiu-Cura dhe Jetmir Çobaj dhe u realizua nga Amell Cenaj. Ky dokumentar solli në fokus ish-nxënës të kësaj shkolle që sot janë të suksesshëm në profesionet e tyre. Qëllimi i këtij dokumentari ishte që gjeneratave të reja t’u përcillnim histori nga jeta njerëzore që kanë për qëllim motivimin për të ardhmen dhe mos heqjen dorë nga ëndrrat deri në përmbushjen e tyre.
Programi përfundoi me koreografi dhe këngë vendase.
Çdo vit me rastin e Ditës së shkollës botohet edhe revista shkollore “Shkendijat”.
Programi artistik vazhdoi edhe më datë 15 maj 2023 me pika të ndryshme, përgaditur nga nxënësit nën përkujdesjen e mësimdhënësve, si edhe me shpërblimin e nxënësve më të mirë të paraleleve.

Të fundit

më të lexuarat