Vitet e luftës në ish-Jugosllavi dhe arsimi superior i shqiptarëve në Mal të Zi

Biografia e profesor Valdet Kurtit
Valdet Kurti ka lindur më 01.01.1972 në Sukubinë, Komuna e Ulqinit.
Shkollën fillore e përfundoi në Katërkollë, gjegjësisht në Ulqin, ndërsa shkollën e mesme e kreu në Prishtinë në drejtimin Automatikë dhe Llogaritari.
Në vitin 1990, në Prishtinë, ai regjistroi vitin e parë në Fakultetin e Elektroteknikës, drejtimi Telekomunikacion dhe Informatikë. Pas përfundimit të vitit të parë dhe pas vendosjes së masave të dhunshme në Universitetin e Prishtinës, Valdeti përkohësisht ndërpreu studimet.
Në vitin 1993, ai regjistroi nga fillimi vitin e parë në Universitetin Politeknik të Tiranës, Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike, drejtimi Elektronikë. Ky vit përkoi me gjeneratën e parë të studentëve shqiptarë nga Mali i Zi që filluan studimet në universitetet e Republikës së Shqipërisë. Gjatë gjithë periudhës së studimeve, njësoj si shumica e shokëve të tij studentë, vizitat në shtëpi i kryente ilegalisht, që nga kalimi i kufirit deri te qëndrimi pranë familjeve të tyre. E gjitha kjo ndodhte për shkak të ndjekjes nga policia ushtarake jugosllave, me qëllim për t’i mobilizuar në shërbimin ushtarak.
Në vitin 1998, Kurti përfundoi studimet në Universitetin Politeknik të Tiranës, në degën Elektronikë, drejtimi Kompjuterë.
Nga viti 1999 deri në 2001, ai punoi si praktikant në Telekomin e Malit të Zi.
Nga viti 2002, Valdeti filloi të punonte si mësimdhënës në shkollën e mesme “Vëllazërim Bashkim” në Ulqin, ku ligjëron lëndët Informatikë, Informatikë Afariste, Ueb Prezantime dhe Programim. Në vitin 2003, u bë mësimdhënës i përhershëm në këtë shkollë.
Që nga fillimi i vitit 2011, ai ka iniciuar në mënyrë vullnetare projektin “Informimi në gjuhën shqipe i shqiptarëve në Mal të Zi dhe diasporë” përmes faqes së internetit www.ulqini-online.com, një projekt që u bë mjaft i njohur në hapësirën shqiptare në Mal të Zi, por edhe më gjerë, veçanërisht në diasporë.
Valdet Kurti është i martuar dhe ka katër fëmijë.

Koha Javore: Si ndikoi mbyllja e objekteve shkollore dhe universitare në Kosovë gjatë shtatorit të vitit 1991 te studentët shqiptarë nga Mali i Zi që vijonin studimet në Universitetin e Kosovës?

V. Kurti: Shtatori i vitit 1991 do të shënonte një ndër momentet më të rënda të shkollës shqipe në ish-Jugosllavi, përkatësisht në Kosovë, por me ndikim të drejtpërdrejtë edhe për shqiptarët në Mal të Zi. Janë pikërisht ditët e fundit të shtatorit dhe fillimit të tetorit të atij viti, kur në objektet shkollore dhe universitare në mbarë Kosovën ishte i pamundur vijimi i rregullt i arsimit në kushte normale në të tre nivelet: fillor, i mesëm dhe superior. Dhuna dhe brutaliteti i regjimit të egër dhe brutal serbomadh kishte humbur ‘’zgjuarsinë’’ duke sulmuar armën e vetme të shqiptarëve, arsimin.
Arsimimi i popullatës nga radhët e shqiptarëve në Mal të Zi, por edhe nga Maqedonia dhe Kosova Lindore, ishte i lidhur ngushtë me shkollën shqipe në Kosovë. Nëse arsimi fillor dhe i mesëm, para viteve të ‘90-ta, edhe mund të ‘kapërcehej’ në vendet përkatëse, arsimi superior për të gjitha këto vise kishte një adresë: Kosovë.

Universiteti i Kosovës, që nga themelimi i tij, ka qenë pika më e fortë dhe strumbullar i të gjitha arritjeve për mbarë popullin shqiptar që ka jetuar në ish-Jugosllavi. Nga auditorët e tij kanë dalë emrat më eminentë të të gjitha profileve dhe drejtimeve, duke u bërë një bazë e fuqishme në viset e tyre, prej nga vinin për proceset e mëpastajme politike, por jo vetëm. Si pjesë e një tërësie, këtu nuk bënin përjashtim as shqiptarët nga Mali i Zi.
Mbyllja e objekteve shkollore dhe universitare në Kosovë ndikoi që një numër i madh studentësh nga Mali i Zi, që vijonin studimet në fakultetet e ndryshme të këtij universiteti, t’i ndërprisnin studimet dhe t’i vijonin ato në qendra të tjera, si në Podgoricë, Sarajevë, etj., por tashmë jo më në gjuhën shqipe, ose të merrnin rrugën e emigrimit duke iu shmangur edhe mobilizimit për shërbimin ushtarak. Përkundër angazhimit të madh të banorëve të Prishtinës, të cilët shtëpitë e tyre i shndërruan në auditorë, ka qenë i pakët numri i studentëve shqiptarë nga Mali i Zi që kanë vazhduar studimet në kushtet e reja të krijuara.

Koha Javore: Cila ishte rëndësia e vitit 1993 për arsimin superior të shqiptarëve në Mal të Zi dhe si ndikoi kalimi ilegal i kufirit në vijimin e studimeve të studentëve të asaj gjenerate?
V. Kurti:
Vitet 1991–1993 do të jenë vitet më të errëta sa i përket mundësisë së studimeve në gjuhën shqipe për shqiptarët në Mal të Zi. Mospasja e mundësisë për shkollim në gjuhën amtare, si dhe ndjekja nga ushtria jugosllave, rezultuan në një fluks të madh të emigrimit të rinisë shqiptare nga këto vise.
Tetori i vitit 1993 do të shënonte një ngjarje, që më vonë do të vërtetohej si e saktë, shumë të rëndësishme për arsimin superior për shqiptarët në Mal të Zi. Është pikërisht ky vit shkollor që do të bënte të mundur nisjen e gjeneratës së parë të studentëve nga Ulqini, Ana e Malit, Kraja, Tuzi, Plava dhe Gucia për vijimin e studimeve në universitetet shqiptare.
Pas një pune paraprake përgatitore të realizuar me përkushtim nga një ekip i formuar nga partia e vetme shqiptare e asaj kohe, Lidhja Demokratike në Mal të Zi, dhe me aprovimin dhe miratimin pa kushte të qeverisë shqiptare, universitetet e Tiranës, Shkodrës, Korçës dhe Vlorës do të hapnin dyert dhe do të pritnin studentët e parë nga viset e Malit të Zi.
Vendet Sukubinë, Shtegvashë, Fraskanjel, Lisën Bore, Liqeni i Shkodrës do të bëheshin ura lidhëse dhe emra që nuk do të harrohen kurrë nga studentët, por edhe nga prindërit e tyre. Pikërisht në këto vende do të kalonin ‘’ilegalisht’’ studentët e asaj gjenerate për të arritur më shumë dije. Ferri i kësaj mënyre lëvizjeje për studentët ishte shumë i madh. Mospasja e dokumenteve të udhëtimit dhe pamundësia e nxjerrjes së tyre, përkundër kërkesave të shumta të prindërve dhe vetë studentëve për një zgjidhje, nuk ndikoi aspak në ndërprerjen e studimeve, por bëri që të forcohet edhe më shumë bindja se ata nuk ishin thjesht për studime, por për një mision që nuk mund të ndërpritej.
Banorët e fshatrave kufitare këndej dhe andej kufirit u bënë ‘’truproje’’ të studentëve, duke marrë rolin e sigurimit të kalimeve të kufirit në të gjitha rastet. Kishte raste kur për të siguruar kalimin e kufirit ‘’mobilizohej’’ i tërë fshati. Studentët filluan të mos kenë më frikë nga ai kufi, ku rolin e doganierëve e morën prindërit, kurse të ushtarëve, vetë fshatarët.
Ky rast, kalimi i kufirit në këtë mënyrë gjatë gjithë kohës së studimeve, me të vetmin qëllim – përfundimin e tyre, mund të jetë i vetmi në rruzullin tokësor. Them i vetmi, pasi nuk kam dëgjuar dhe lexuar për diçka të ngjashme.
Kalimi i kufirit me barkë.
Sikur të mos mjaftonin vuajte të tilla, studentëve iu desh të përballonin edhe gojët e liga që përpiqeshin që të ngacmojnë dhe nënçmojnë një veprim të tillë. ‘’Kanë shkuar për përgatitje ushtarake’’, ‘’Ekziston lista, do përballnin me shtetin’’ apo edhe ‘’Diplomat e Shqipërisë nuk njihen’’ ishin disa nga shkrimet që mund të lexoheshin në gazeta apo edhe thënie të njerëzve të sëmurë. Këto sikur rritën edhe më shumë vetëbesimin e studentëve dhe të gjithë sikur u mobilizuan edhe më shumë dhe dhanë përgjigjen e tyre: pjesa më e madhe e tyre realizoi me sukses misionin e marrë pa e ditur fare se janë në një të tillë.
Sot të gjithë studentët e asaj gjenerate, në të shumtën e rasteve punojnë në profesionet e tyre në vendlindje por një numër i tyre edhe jashtë Malit të Zi.
Universitet shqiptare sot nuk mund të paramendohen pa studentët shqiptarë nga Mali i Zi. Numri i tyre është aq i madh sa humb kuptimin edhe përcaktimi se nga vijnë, duke bërë që të shkrihen në një – studentë shqiptarë.

Koha Javore: Si ndikoi periudha pas vitit 1999 në rilindjen e arsimit në Kosovë dhe çfarë mundësish ofroi kjo për studentët shqiptarë nga Mali i Zi?
V. Kurti:
Gjatë tërë kësaj kohe arsimi superior në Kosovë vazhdoi me probleme shumë të mëdha dhe me kushte shumë të vështira. Përkundër këtyre problemeve, ndjekja e studimeve në objekte private – në të shumtën e rasteve shtëpi, duhet përmendur se në Universitetin e Prishtinës pati edhe një numër, edhe pse simbolik, të studentëve nga Mali i Zi të cilët edhe përfunduan me sukses studimet e tyre. Përkundër numrit të vogël vlen të përmendet sakrifica dhe përkushtimi i këtyre studentëve.
Lufta e vitit 1999 në Kosovë dhe largimi i ushtrisë serbo-malazeze nga këto treva do të shënonte një rilindje edhe të arsimit të të gjitha niveleve atje. Dashuria e baballarëve për Kosovën do të kishte ndikim të menjëhershëm edhe te fëmijët e tyre të cilët filluan të ndiqnin studimet në universitetet, tashmë edhe zyrtarisht, të shtetit të Kosovës. Kosova ka qenë fillimi, tani më vijueshmëria dhe të shpresojmë edhe ardhmëria e shkollimit shqip për ne. Pra, viti 2000 dhe vitet në vazhdim do t’u ofronin studentëve shqiptarë nga Mali i Zi mundësinë e studimeve në këtë shtet me shumë peshë për shqiptarët, jo vetëm të Malit të Zi, por nga të gjitha viset në ish-Jugosllavi.

Bisedoi: Luljeta Avdiu Cura

Të fundit

më të lexuarat