Qendra ditore, një dritare shprese për grupet vulnerabël

Afati kohor për përfundimin e qendrës varet kryesisht nga shpejtësia me të cilën do të sigurojmë fondet e nevojshme. Jemi të gatshëm të ecim përpara me zbatimin sapo të përmbushen synimet financiare. Sa më shumë të bashkohemi si komunitet – qoftë duke dhuruar, përhapur fjalën apo duke ofruar ndonjë formë mbështetjeje – aq më shpejt mund ta kthejmë këtë vizion në realitet. Ne jemi optimistë dhe shpresëdhënës, por edhe realistë: kjo është një përpjekje e komunitetit dhe suksesi i saj varet nga të gjithë ne

Koha javore: Pak kohë më parë keni hedhur idenë për të jetësuar projektin e një qendre ditore në Malësi. Si lindi kjo ide dhe për çfarë qendre bëhet fjalë?
L. Dukaj:
Ideja për këtë qendër ditore në Malësi lindi nga një vizion i kahershëm, i planifikuar me kujdes ndër vite. Ne kemi shqyrtuar praktikat më të mira ndërkombëtare në ofrimin e shërbimeve mbështetëse për grupet vulnerabël – gratë, vajzat, fëmijët, të moshuarit – dhe kemi kuptuar se sa shumë i mungojnë shërbimet e mbështetjes dhe ndihmës komunitetit tonë në këtë drejtim, veçanërisht ato që ofrohen në gjuhën shqipe.
Koncepti është krijimi i një qendre ditore shumëfunksionale, gjithëpërfshirëse, që ofron ndihmë thelbësore, mbështetje psikosociale, aktivitete dhe programe të shumëllojshme edukative, shëndetësore dhe rekreative për këto grupe. Është një hapësirë e krijuar për të ngritur, mbështetur dhe fuqizuar ata/ato që kanë më shumë nevojë – diçka që populli ynë ka nevojë dhe e meriton. Prandaj duke mbështetur ndërtimin e kësaj qendre, investojmë në një burim të fuqishëm për komunitetin tonë, ku të drejtat e njeriut do të mbrohen, mbështeten dhe avancohen. Së bashku mund të sigurojmë që çdo individ të ketë qasje në mbështetje dhe dinjitet, duke krijuar ndryshime të qëndrueshme për brezat që vijnë.

Koha javore: Si do t’ia arrini ta realizoni këtë projekt meqë kërkon goxha investim? Keni mbështetje institucionale?
L. Dukaj:
Ne e kuptojmë se shuma prej 365 000 dollarësh mund të duket si një shumë e konsiderueshme. Megjithatë, për një projekt të këtyre përmasave, me një mision kaq kuptimplotë, ne e shohim si një investim shumë modest.
Me ndihmën e Organizatës jofitimprurëse “Jehona e Malësisë”, ne nisëm një fushatë në GoFundMe për të mbledhur këto fonde. Deri tani kemi marrë mbështetje të madhe nga komuniteti ynë dhe diaspora jonë për idenë e realizimit të këtij projekti.
Po ashtu, dy vite më parë, kur e prezantuam për herë të parë këtë ide në Komunën e Tuzit morëm reagime pozitive dhe një premtim për tokën falas ku do të ndërtohet qendra, që ishte një hap i madh përpara.

Koha javore: Sa të rëndësishme janë këto shërbime mbështetjeje dhe ndihme në komunitet?
L. Dukaj:
Këto shërbime nuk janë vetëm të rëndësishme – ato janë absolutisht thelbësore. Për një kohë të gjatë tashmë, fëmijëve, të moshuarve, grave dhe të rinjve tanë u mungon qasja në llojin e mbështetjes dhe kujdesit të strukturuar që u nevojitet. Kjo qendër synon të përmbushë këtë boshllëk, duke ofruar jo vetëm ndihmë të menjëhershme, por edhe fuqizim afatgjatë. Shërbimet mbështetëse si këto janë themelore për një shoqëri të shëndetshme.
Një vend që fëmijëve u ofron mbështetje dhe kujdes të duhur. Një vend ku gratë dhe vajzat mund të përfitojnë nga këshillime, programe zhvillimi, nisma për fuqizim, burime që sigurojnë mundësi të barabarta për rritje personale dhe profesionale, duke thyer ciklet e varfërisë dhe pabarazisë. Një vend shoqërizimi, kujdesi dhe dinjiteti për të moshuarit që përballen me vetmi, lënie pas dore dhe mungesë shërbimesh thelbësore.
Prandaj besojmë se është detyra jonë kolektive të kontribuojmë, në çfarëdo mënyre që mundemi, për ta bërë këtë qendër realitet. Ia kemi borxh komunitetit tonë, atyre që kanë luftuar në heshtje dhe brezave të ardhshëm!

Koha javore: Kur pritet të përfundojë si qendër, apo kjo varet nga të ardhurat që do të sigurohen?
L. Dukaj:
Afati kohor për përfundimin e qendrës varet kryesisht nga shpejtësia me të cilën do të sigurojmë fondet e nevojshme. Jemi të gatshëm të ecim përpara me zbatimin sapo të përmbushen synimet financiare. Sa më shumë të bashkohemi si komunitet – qoftë duke dhuruar, përhapur fjalën apo duke ofruar ndonjë formë mbështetjeje – aq më shpejt mund ta kthejmë këtë vizion në realitet. Ne jemi optimistë dhe shpresëdhënës, por edhe realistë: kjo është një përpjekje e komunitetit dhe suksesi i saj varet nga të gjithë ne.

Bisedoi: Toni Ujkaj

Të fundit

më të lexuarat