Në kilometrin e pestë të rrugës magjistrale që nga Plava shpie për në Guci, në anën e djathtë të luginës piktoreske të lumit Luça, mu rrëzë e përball bjeshkës së Visitorit të lartë, thepisur e kreshnik, fillon shtrirja e Martinajve, fshat i Komunës së Gucisë, i cili dikur radhitej ndër vendbanimet më të mëdha atëherë të Komunës së Plavës, i cili numëronte më se 80 familje me mbi 500 banorë, kryesisht të popullatës shqiptare. Por, mjerisht, migrimi dhe emigrimi e ka bërë të veten. Sot numri i familjeve dhe i banorëve ka rënë dukshëm. Shpërngulja mjaft e shprehur, sidomos e të rinjve, e kohët e fundit edhe të rejave, e madje edhe të moshuarve, është mllefi dhe brenga më e madhe e tij, ngase më se gjysma e shtëpive familjare janë të mbyllura me dry, e çelja e dyerve të ca prej tyre bëhet në muajt e verës, kur pronarët në diasporë vijnë për t’i kaluar ca ditë të pushimeve të veta vjetore me ose pa familje. E gjithë kjo është pasojë e shprehur e papunësisë, e cila i ka detyruar ta braktisin atë, për të kërkuar në Diasporë anë e kënd botës kushte më të mira jetësore për vete dhe familje.
Mirëpo, edhe përkundër gjithë kësaj, ajo që më së shumti e karakterizon dhe e bënë të zëshëm dhe më të theksuar, është fakti se fshati Martinaj është truall burimi i një numri vërtetë të madh intelektualësh profilesh të ndryshme profesionale, të cilët kontributin e vet e shprehin në komunat e Plavës e Gucisë, në ca qendra të Malit të Zi, në Kosovë e Shqipëri, në Evropë e SHBA dhe anë e kënd botës. Njëri ndër ta është edhe piktori-dizajnues grafik, Musë Zenel Prelvukaj.
U lind më 25 tetor të vitit 1950 në fshatin Martinaj të Komunës së Gucisë, nga e ëma Hajrie Ulaj-Prelvukaj dhe i ati Zenel Mehmet Prelvukaj, në një familje tipike tradicionale shqiptare me veti dhe tipare atdhedashëse, patriotike, mikpritëse e bujare, në familje ku prindërit, babai Zeneli, ish punëtor i ish Industrisë së përpunimit të drurit “Bor” në Plavë dhe nëna Hajria, amvise, rritnin tetë fëmijë, një djalë (Musën, fëmijën e parë dhe djalin e hasretit) dhe shtatë vajza. I rritnin në kushte modeste sociale-ekonomike, duke bërë përpjekje që t’i edukonin e arsimonin dhe t’i orientonin në rrugëtimin drejt dritës dhe dijes.
Musë Zenel Prelvukaj shkollimin fillor katërklasësh (I-IV) e ka kryer në vendlindje në Martinaj, por fati i keq e deshi dhe e detyroi që klasën e parë dhe dytë t’i vijojë në gjuhën serbo-kroate deri në vitin shkollor 1959/60 të shekullit të kaluar kur sërish pas ndërprerjes trevjeçare të mësimit në gjuhën shqipe nga pushteti i atëhershëm republikan filloi mësimi në gjuhën shqipe, të cilin ai filloi ta vijojë prej klasës së tretë e katërt dhe katër klasët e ciklit të lartë (V-VIII), në Shkollën fillore tetëvjeçare “Xhafer Nikoçeviq” në Guci, kur me shumë shokë dhe shoqe të asaj kohe, ka udhëtuar çdo ditë mësimi nga 10 kilometra në këmbë, me veshmbathje jo të mirë e ndonjëherë edhe i uritur.
Ndonëse në atë kohë kur e kreu shkollën fillore, në Plavë e Guci nuk kishte shkollë të mesme me mësim në gjuhën shqipe, vendimi i prindërve ishte që Musa shkollimin e mesëm ta vazhdojë në Kosovë dhe atë në Pejë, ku shkolloheshin shumica e nxënësve të kësaj ane. Meqë në shkollën fillore kishte treguar afinitet, talent dhe pasion për artin pamor në lëndën e Edukatës figurative ku me punimet e veta dallohej dhe vlerësohej, regjistrohet në Shkollën e Mesme të artit figurativ në Pejë, të cilën me sukses dhe rezultat të lartë e kryen në vitin 1971. I etur dhe i përkushtuar për të zgjeruar dhe përvetësuar diturinë në fushën e artit pamor, vazhdon studimet në SHLP, në degën e artit figurativ e pastaj edhe në Akademinë e arteve figurative, në degën e grafikës në Prishtinë.
Në vitin 1973, punësohet në Shkollën e Mesme Teknike “28 Nëntori” në detyrën e mësimdhënësit të lëndës së artit figurativ. Që në fillim të aktivitetit shumë përfshirës të profesionit të vet, shpreh në vepër talentin, vullnetin dhe diturinë e vet, duke organizuar dhe mbajtur në shkollë aktivitete të lira nga lëmi i arteve të bukura pamore. Në vitet e 90-ta të shekullit të kaluar, me rastin e festave kombëtare, në lokalet e objekteve shtëpi-shkolla, ka hapur ekspozita me punime të nxënësve. Për punën e çmuar dhe të suksesshme shumëvjeçare, në vitet 1996 dhe 2005, është vlerësuar dhe nderuar me mirënjohje nga kolektivi i shkollës ku punonte.
Piktori dhe veprimtari i denjë dhe i paepur universal i artit pamor, Musë Prelvukaj, në periudhën kohore 2003-2008 ishte anëtar i Grupit të ekspertëve për hartimin e plan-programeve mësimore për shkollat e mesme profesionale.
Dijen, vullnetin dhe përkushtimin e vet shumë përfshirës e ka shprehur edhe si recensent i disa librave të artit për shkollat fillore dhe të mesme. Merret edhe me krijimtari artistike dhe është pjesëmarrës i mbi 50 ekspozitave kolektive në vend dhe jashtë tij, ndër të cilat veçohen:
- Ekspozita e anëtarëve të rinj të SHAF të Kosovës, 1978,
- Ekspozita vjetore e SHAF të Kosovës, 1978, 1979,
- Bienalet e vizatimit: 1979,1981, 1983.1985, 1987, 1989, 1991, 2000, 2004, 2006, 2008, 2010,
- Ekspozita e SHAF të Prishtinës më: 1980, 1981, 1982, 1983, 1985,
- Salloni i të rinjve: 1982, 1984, 1986,
- Ekspozita e katër krijuesve të SHAF të Kosovës, 1983,
- Ekspozita e SHAF të Prishtinës në Koloninë e artit “Batllava” në Besianë, 1985,
- Ekspozita me rastin e 10 vjetorit të themelimit të Akademisë së Arteve, 1983,
- Salloni pranveror: 1995, 1996, 1997, 1998, 1999, 2000, 2001, 2003, 2004, 2005, 2006,
- Ekspozita “Golgota Kosovare”, 1999,
- Ekspozita e krijuesve shqiptar, Lugano, Zvicër, 2000,
- Ekspozita shitëse humanitare për fëmijë bonjak dhe individ të luftës, 2001,
- Ekspozita në Mitrovicë me rastin e takimeve ndërkombëtare, letrare artistike “Kepi i shpresës së mirë” – Fahredin Gunga, 2002,
- Ekspozita e krijuesve shqiptarë në Mal të Zi: Ulqin, Tuz, Cetinjë, 2003,
- Ekspozita e krijuesve të artit pamor në Shqipëri: Shkodër, Tiranë, 2004,
- Ekspozita me rastin e 125 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në Prishtinë, 2003,
- Ekspozita e qershorit – Dita e Prishtinës: 2001, 2002, 2003, 2005, 2006,
- Ekspozita ndërkombëtare e paqes Prisë, 2003,
- Ekspozita “Arti dhe natyra – Landart”, Prishtinë, 2003,
- Java e kulturës shqiptare në Maqedoni (Shkup dhe Gostivar), 2006, dhe
- Ekspozita-çmimi “Muslim Mulliqi” në GAK Prishtinë, 2006.
Piktori Musë Zenel Prelvukaj ka hapur edhe tri ekspozita personale: - Ekspozita në Galerinë e Ministrisë së Kulturës, Prishtinë, 2002,
- Ekspozita në Foajeun e Shtëpisë së Kulturës, Prizren, 2007 dhe
- Ekspozita në Bibliotekën Kombëtare Universitare, Prishtinë, 2015.
Musë Prelvukaj është edhe bashkautor me kolegun Nezir Berisha në botimin e librit monografik me titull “Shkolla e Mesme Teknike “28 Nëntori””, Prishtinë, i shtypur në vitin 2012.
Punimet i janë botuar, por edhe vlerësuar nga kritik dhe personalitete të artit nëpër gazeta dhe revista, dy në gazetën “Rilindja”, tri në revistën “Zëri i Rinisë”, katër në gazetën “Fjala”, pesë në revistën “Sheshi”, dhe nga një në gazetat dhe revistat: “Bota e Re”, “Shkëndija”, “Bujku”, Kosova Sot”, “Zëri”, “Koha Ditore”, “Bota Sot”, Koha Javore”, “Lajm”, “Ekskluzive” dhe “Kronika e Ulqinit”.
Musë Zenel Prelvukaj merret edhe me artin aplikativ. Ka punuar kopertina të librave, ilustrime, tiketa, ambalazhe etj. Gjithashtu ka shkruar recensione për librat nga lëmi i artit figurativ të autorëve të ndryshëm.
Për veprimtarinë e punës vërtet cilësore dhe me vlerë që ia ka kushtuar opusit të gjerë dhe voluminoz të artit pamor, por edhe në zhanret tjera kontribuuese, është çmuar, vlerësuar dhe nderuar me çmime vërtetë me vlerë dhe grandioze, ndër të cilat veçohen: - Çmimi për grafikë në Ekspozitën e Studentëve të Akademisë së arteve në Prishtinë, më 1975,
- Çmimi për vizatim në Sallonin e të rinjve në Prishtinë, më 1982,
- Çmimi special për vizatim në Sallonin e 28 Nëntorit në Prishtinë, më 1998,
- Çmimi “Grand Prix” në Bienali i 15 Ndërkombëtar i vizatimit, Galeria e Arteve e Kosovës – SHAFK në Prishtinë, më 2010.
Piktori i denjë dhe i paepur i profesionit të vet, Musë Zenel Prelvukaj, që disa vjet është në pension dhe bashkë me bashkëshorten Sevdijen dhe djemtë Gencin, Fatosin dhe Orgesin, të gjithë me ngritje superiore profesionale e madje edhe me tituj shkencor. jeton dhe vepron e krijon në Prishtinë, por kohë pas kohe, sidomos në muajt e stinës së verës, e viziton vendlindjen, fshatin Martinaj, të cilin e dashuron shumë.