Veprimtar dhe vizionar i denjë i gazetarisë shqiptare

Tani, plot 61 vjet më pas, kujton se në botën e gazetarisë kishte hyrë papritur, por, e kishte dashuruar aq fort sa nuk kishte mundur të largohej kurrë prej saj, as atëherë kur mund të kishte bërë karrierë në politikë apo emër në botën e shkencës, artit e kulturës

Shaban Hasangjekaj

Zenun Çelaj ka pasur fatin të jetë dëshmitar i ngjarjeve më të rëndësishme të gjashtë dekadave të fundit në Kosovë, të cilat kanë hyrë në histori, ose më mirë të thuhet, e kanë bërë historinë.
Gazetari Zenun Çelaj ka raportuar për dëshmitë e përndjekjes së shqiptarëve nga OZNA e UDB-ja, për demonstratat e vitit 1968, për diskutimet mbi ndryshimet kushtetuese të vitit 1974, për demonstratat e vitit 1981, për apelin 215 intelektualëve, për grevën e minatorëve, për deklaratën kushtetuese, për Kushtetutën e Kaçanikut, për Luftën Çlirimtare të Kosovës. Ai i ka njohur, i ka intervistuar ose i ka cituar, pothuaj, të gjithë protagonistët më të rëndësishëm të ngjarjeve, zhvillimeve e proceseve politike, shoqërore, ekonomike e kulturore të gjashtë dekadave të fundit në Kosovë (prej vitit 1960), por edhe në pjesët tjera të hapësirës shqiptare të ish-Jugosllavisë.
Veterani dhe veprimtari i mirëfilltë i gazetarisë kosovare dhe më gjerë, Zenun Çelaj, u lind më 7 prill të vitit 1940 në Vuthaj të Komunës së Gucisë, në familjen bujare dhe patriotike të vëllazërisë Çelaj.
Në vendlindje dhe Guci kreu shkollën fillore tetëvjeçare në vitin 1954, si brezi i dytë me mësim në gjuhën shqipe, atëherë kur pas Luftës së Dytë Botërore arsimi fillor shqip ka filluar në territorin e Komunës së Gucisë me nismën e entuziastëve shqiptarë të etur për dritë e dituri në gjuhën amtare, edhe përkundër rezistencës së fortë nga pushteti i atëhershëm i ngurtë, në vitin shkollor 1945/46, në fshatrat Vuthaj dhe Martinaj, e diç më vonë edhe në Guci, u hapën paralelet e para me mësim në gjuhën shqipe. Në të dy shkollat e posahapura, mësimi zhvillohej në dy ndërrime për shkak të numrit të madh të nxënësve (në Vuthaj mbi 90, në Martinaj mbi 50) që vijonin mësimin në klasën e parë (mosha e nxënësve ishte prej 7-12 vjeç). Siç u theksua më lart, Zenuni ishte brezi, gjegjësisht gjenerata e dytë e shkollës fillore me mësim në gjuhën shqipe. Mbresat dhe përjetimet e tij nga shkolla fillore ende janë të freskëta dhe të ngulitura në mendjen e tij, por ndër to kujton me respekt e mirënjohje mësuesin e parë në Vuthaj, Ahmet Islamin dhe arsimtarët në shkollën e Gucisë, Ragip Rexhepagajn dhe Prekë Ndrevashaj, nga të cilët, përveç njohurive edukativo-arsimore, ka marrë dhe përfituar njohuri dhe mësime që e kanë udhëhequr e përcjellur gjatë tërë jetës.
I nxitur dhe shtytur nga vullneti për shkollim të mëtejmë, në vitin shkollor 1954/55, regjistrohet në Gjimnazin e Pejës, por mësimin aty e braktisë pa mbaruar gjysmëvjetori i parë për shkak të kushteve të vështira e të pa përballueshme jetësore, për të vazhduar në vitin vijues shkollor 1955/56 shkollimin e mesëm në Shkollën Normale, po në Pejë, të cilën me sukses e kryen në vitin 1960 në Prishtinë.
Në vitin 1960 regjistrohet në Fakultetin Filozofik, dega Gjuhë e letërsi shqipe. Studimet në këtë fakultet krahas punës i mbaron në vitin 1965.
Menjëherë pas përfundimit të Shkollës Normale, në vitin 1960 punësohet në gazetën “Rilindja”, e cila dy vjet më parë kishte nisur të dilte përditë. Në këtë gazetë, e pastaj edhe në gazetën “Bujku”, e cila zëvendësoi “Rilindjen”, kur ajo arbitrarisht u ndalua nga pushteti serb, deri në shuarjen e saj pas Luftës në Kosovë, ka raportuar për zhvillimet në kryeqytet – Prishtinë, për Organizatën e Rinisë dhe të Studentëve të Kosovës, për ekonominë. Një kohë ka qenë reporter i lirë i përkushtuar shkrimit të reportazheve.
Pas vitit 1966, Zenuni në disa faza ka ushtruar detyrën e redaktorit e të ndihmësredaktorit të gazetës së përditshme “Rilindja”.
Ndërkohë, gazetari Zenun Çelaj ka bashkëpunuar edhe me periodikun tjetër shqip në Kosovë, revistën e përdyjavshme “Zani i Rinisë”, një kohë ka qenë edhe pjesë përbërëse e redaksisë së saj. Për të, kohë pas kohe, ka shkruar raporte e reportazhe nga viset e ndryshme të Kosovës, por edhe nga trevat tjera etnike shqiptare, e ndër reportazhet e para të tij nga ato treva është reportazhi kushtuar gjeneratës së dytë të nxënësve në paralelet me mësim në gjuhën shqipe në shkollën tetëvjeçare të Gucisë, pas periudhës trivjeçare (1956-1959), kur mësimi në gjuhën shqipe në këtë shkollë ishte i ndaluar nga pushteti i atëhershëm, e të cilin sërish në vitin shkollor 1959/60 e hapën pishtarët dhe entuziastët e arsimit shqip, mësimdhënësit e rinj Ramadan Gjonbalaj, Ramë Qosaj dhe Hysen Novaj, të cilët në supet e veta ngarkuan tërë barrën e edukimit dhe arsimimit të ciklit të lartë fillor shqip në këtë anë. Zenuni vizitoi shkollën në të cilën shtatë vite më parë dhe vet kishte mbaruar tetëvjeçaren dhe për të kishte shkruar reportazhin me titull “Kënga e djepit të gurit”, i cili u botua në numrin 7 të kësaj reviste të datës 20 prill 1961, foto origjinalin e të cilit si dëshmi faktike ia bashkëngjes tekstit të këtij portreti, të cilën bashkë me revistën ku është botuar e ruaj me fanatizëm, sepse ma përkujton kohën kur unë isha në përfundim të klasës së tetë të shkollës fillore në Guci.
Gazetari Zenun Çelaj, në vitin 1968 ka themeluar gazetën e parë të studentëve të Kosovës me titull “Bota e Re”. Po ashtu në vitin 2000 ka qenë kryeredaktori i parë i gazetës së përditshme “Zëri”, që vazhdon të botohet në Prishtinë. Nga viti 2009, është kryeredaktor i portalit Koha.net, pjesë e grupit mediatik “Koha Ditore”, ku qëndron edhe tani.
Gjatë karrierës së vet gazetareske më se 60-vjeçare, Zenun Çelaj ka raportuar nga ngjarje të rëndësishme për historinë e Kosovës dhe të shqiptarëve në këtë pjesë të atdheut. Ai poashtu ka intervistuar thuajse të gjitha personalitetet politike e shtetërore të Kosovës, e poashtu edhe Sali Berishën, atëherë president i Shqipërisë. Por, Zenuni në veçanti ndjehet krenar për raportimet nga ngjarjet që bëjnë historinë e Kosovës, si Greva e urisë e Minatorëve të Trepçës (20-28 shkurt 1989) dhe Mbledhja e Kuvendit të Kosovës, të mbajtur në Kaçanik, më 7 shtator 1990, në të cilën u miratua Kushtetuta e Kaçanikut, që e shpallte Kosovën Republikë. Në këtë mbledhje, Zenuni ka qenë i vetmi gazetar pjesëmarrës, pra edhe raportues. Për raportimet nga këto dy ngjarje, ka qenë i arrestuar dhe akuzat “Për rrezikim të integritetit territorial të RF të Jugosllavisë”, “Veprimtari armiqësore” dhe “Rrezikim të rendit kushtetues dhe politik” vazhdojnë “të ruhen” diku në Serbi, në bazë të të cilave atëherë duhej të dënohej.
Veterani dhe veprimtari i denjë i gazetarisë kosovare dhe më gjerë, Zenun Çelaj, konfirmon se gazetaria e mundimshme e plot rreziqe ka edhe anët e magjishme dhe të kënaqësisë së vërtetë. Nga këto kujton udhëtimet, qëndrimin dhe raportimet nga: Kina, Koreja e Veriut, Singapori, Japonia, Suedia, Gjermania dhe vendet e tjera anekënd botës.
Do të mund të sajoheshin vëllime të tëra veprash, me shkrime të bëra gjatë më shumë se gjysmë shekulli në gazetari, nga reportazhet, hulumtimet, fejtonet, intervistat, përshtypjet… të botuara në: “Rilindje”, “Zëri i Rinisë”, “Fjala”, “Bota e Re”, “Zëri”, “Koha Ditore”, “Flaka e Vëllazërimit” dhe gazeta e revista të tjera në Kosovë dhe jashtë saj.
Përveç punës së gazetarit, ndër vite, Zenun Çelaj është marrë edhe me përkthime. Veçohen këtu përkthimet e romanit “Viti i Gucisë” dhe përmbledhja e tregimeve “Dimri” të shkrimtarit të mirënjohur gucian, akademikut Zuvdija Hoxhiq – Berisha. Zenuni poashtu ka redaktuar disa monografi kushtuar Kosovës.
Zenun Çelaj, është njëri ndër themeluesit e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Prishtinë (gjatë viteve te 90-ta të shekullit të kaluar – sekretar i tij), si dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës në dhjetor të vitit 1989.
Zenun Çelaj në karrierën e vet më se 60 vjeçare në profesionin e gazetarit është shoqëruar dhe ka punuar me shumë personalitete të shquara që kanë bërë emër në gazetari. Veçon Masar Murtezain, siç thotë Zenuni, ai jo vetëm që ia ka dhënë njohuritë e para, por edhe e ka mësuar ta dojë gazetarinë. Ai poashtu konfirmon se ka pasur fatin të ishte afër edhe me Ramiz Kelmendin e Maksut Shehun, e me shumë kolegë të tjerë të vlerësuar, me Haki Hoxhën, Shemsi Mehmetin, Vehab Shitën e Sedad Didën, me Asllan Fazliun, Ymer Pulën e Rexhai Surroin. Nga secili prej tyre ka mësuar.
“E nisa gazetarinë pa e parë as ëndërr, por më bëri për vete përjetësisht. Ndoshta, kurreshtja është fuqia magjike e gazetarisë që e ka munduar njeriun që nga shfaqja e tij”, shprehet Zenuni.
Për punën në gazetari gjatë viteve është laureat i disa çmimeve, ndër të cilat: Gazetari më i mirë i “Rilindjes”, Gazetari i vitit për Kosovën, etj.
Ndaj gazetarit Zenun Çelaj kam obligim të madh, andaj edhe po ia dedikoj këtë portret. Ndonëse edhe më parë, që nga shkolla e mesme, merresha me aktivitete gazetareske, të cilat kohë pas kohe i botoja kryesisht në revistën e atëhershme “Zani i Rinisë”, në mars të vitit 1967, gjatë vizitës që ia bëri me gazetarin tani të ndjerë Jusuf Ferizi, Bresanës së Opojës të Komunës së Dragashit, ku unë punoja si mësimdhënës, më angazhoi korrespondent të jashtëm të “Rilindjes” nga kjo komunë, duke ma bërë gazetarinë profesion të dytë, detyrë kjo të cilën më vonë e vazhdova edhe nga Komuna e Plavës deri në shuarjen e saj, e ndërkohë edhe në shumë media të tjera të shkruara dhe elektronike në Mal të Zi dhe në Kosovë.
Veterani i gazetarisë kosovare, Zenun Çelaj, jeton në Prishtinë, por edhe pse në moshë të pleqërisë së thellë – 81 vjeçare, ende është aktiv në gazetari, por kohë pas kohe, kryesisht gjatë verës e viziton vendlindjen e vet – fshatin Vuthaj, të cilin e don shumë.

Të fundit

më të lexuarat