Ulqini si burim frymëzimi

Nuk mund ta imagjinosh Kalanë e Ulqinit pa Ismet Karamanagën. Kalaja dhe ai janë një binom i pandarë, sepse sa herë që përmendet Kalaja e Ulqinit në mend të shkon, para së gjithash, Ismet Karamanaga. Kalaja për të është dashuri, ashtu si edhe vetë qyteti i Ulqinit. Të gjithë e duan vendin e vet, gjë që është e natyrshme, por tek Ismet Karamanaga kjo është më e theksuar, i kalon caqet e dashurisë së zakonshme. Kalaja dhe Ulqini janë burim frymëzimi për të, ndërsa librat e tij fryt i kësaj dashurie

Ismet Kallaba

Nuk mund të flasësh për krijimtarinë e Ismet Karamanagës nëse nuk e njeh mirë atë vetë, personalitetin e tij, sepse kjo është e lidhur drejtpërdrejt me krijimtarinë dhe librat e tij. Mësimdhënës i gjuhës gjermane, punonjës i turizmit – ciceron shumëvjeçar, punë të cilën vijon ta bëjë me sukses edhe sot në pension, aktivist i shoqërisë civile – kryetar i Shoqatës së Miqve të Kalasë “Kalaja”, një njeri karizmatik i cili ka krijuar profilin e tij, Ismet Karamanaga është një ndër ambasadorët më të mirë të Ulqinit. Ai është një njohës i mirë i qytetit të tij, një intelektual i angazhuar, i gatshëm gjithmonë për deklarata e intervista për media, por edhe kritik ndaj shfaqjeve dhe dukurive negative të shoqërisë.
Nuk mund ta imagjinosh Kalanë e Ulqinit pa Ismet Karamanagën. Kalaja dhe ai janë një binom i pandarë, sepse sa herë që përmendet Kalaja e Ulqinit në mend të shkon, para së gjithash, Ismet Karamanaga. Kalaja për të është dashuri, ashtu si edhe vetë qyteti i Ulqinit. Të gjithë e duan vendin e vet, gjë që është e natyrshme, por tek Ismet Karamanaga kjo është më e theksuar, i kalon caqet e dashurisë së zakonshme. Kalaja dhe Ulqini janë burim frymëzimi për të, ndërsa librat e tij fryt i kësaj dashurie.
Ismet Karamanaga ka filluar të shkruajë, më saktë të botojë, relativisht vonë! Ka një lidhje logjike ndërmjet librave të tij. Të gjithë librat e Karamanagës (kujtoj se ai është autor i pesë librave “Kalaja – legjendë dhe art”, “Ulqini – Monumente, portrete, ngjarje” dhe trilogjisë “Ulqini Florini – Portrete, In Memoriame” I, II, III) kanë një temë bosht – Ulqinin, trashëgiminë e tij kulturore materiale dhe shpirtërore, dhe atë që është pasuria më e madhe e tij – njerëzit. Janë libra të shkruar me një dashuri të pashoqe për qytetin e tij Ulqinin dhe njerëzit e tij.
Librat e Karamanagës janë të karakterit publicistik. Ai nuk mëton të bëjë shkencë, por ka zgjedhur një fushë të veçantë të publicistikës. Nostalgjia për të shkuarën, për “kohët e arta të turizmit”, siç shprehet ai, është e theksuar kudo në librat e tij. Atij i dhimbet degradimi i qytetit të tij, të cilin e përjeton në çdo pëllëmbë.
Si një kronist i vërtetë, ai shënon me penën dhe regjistron me aparatin e tij pothuajse çdo ngjarje që ndodh në Ulqin, një mision që i ka vënë vetes. Dhe këtë mision ai e përmbushë për çdo ditë, duke postuar në faqen e vet në rrjetin shoqëror Facebook. Në këtë mision të tij, ai më duket sikur ai mohikani i fundit.
Portretet dhe nekrologjitë e Karamanagës zënë një pjesë të mirë të librave të tij. Në manualet e gazetarisë thuhet se subjekt i portretit mund të jetë kushdo që ka bërë diçka të veçantë në jetën e tij. Duke ndjekur këtë parim, personazhet e portreteve të tij nuk janë vetëm figurat publike e njerëzit e njohur, por edhe njerëzit e thjeshtë. Kështu subjektet e portreteve të tij janë muratorë, kamerierë, kuzhinierë, klerikë, mësues, mjekë etj. Një lloj fryme pozitive i karakterizon heronjtë e portreteve të tij. Pothuajse të gjithë janë “të mirë, të butë…”
Çdo ikje nga kjo botë e njerëzve të cilët ai i ka njohur, e përjeton rëndë, sidomos të banorëve të Kalasë, Ranës etj. “Na iku/la edhe një kalali/ranacak…” mund të lexosh në nekrologjitë e tij. Të shkruash nekrologji jo vetëm që nuk është e lehtë, por është edhe e ndjeshme. Mbase ajo është hera e fundit që dikush ka dalë në media. Në këtë mënyrë, duke shkruar për ta “me qëllim që të mos harrohen dhe brezi i ri t’i kujtojë”, ai i bën ata të pavdekshëm.
Kozmopolitizmin e tij Karamanaga e shpreh edhe në libra, ku nuk bën dallime krahinore, fetare e nacionale etj. Pjesë e portreteve dhe nekrologjive të tij janë pjesëtarët e të gjithë popujve, feve, trevave etj.
Për ta përmbyllur, jam i vetëdijshëm se sado që të thuash për Ismet Karamanagën, nuk i ke thënë të gjitha, sepse gjithmonë mbetet diçka pa u thënë.
(Vështrimi është lexuar në Mbrëmjen e krijuesve ulqinakë “Tre portrete”, e cila është mbajtur në Galerinë e Qendrës së Kulturës – Ulqin, më 24 maj 2023)

Të fundit

më të lexuarat