
Është sfidë e madhe të shkruash për një femër, në veçanti për një zonjë nga Ulqini ynë i bukur, e cila vite me radhë punon dhe vepron në Kosovë si njëra ndër mualimet e shkolluara dhe të edukuara në frymën islame. Femra është një botë e veçantë e cila meriton respekt në shoqërinë njerëzore. Ajo ka gëzuar dhe gëzon një respekt të madh në historinë e zhvillimit të njerëzimit. Të gjithë kemi një nënë që na ka lindur dhe ajo, pa dyshim, që nga lindja ka bërë sakrifica të mëdha për të na sjellur në këtë botë dhe për të na edukuar. Por kujdesi i saj vazhdon përgjithmonë, edhe pas lindjes e deri në momentin sa nëna t’i mbyllë sytë e të ndërrojë jetë. Ajo mendon gjithmonë për fëmijët e saj, pavarësisht se ata tashmë mund të mos jenë fëmijë por burra e gra të rritur në moshë madhore, të formuar si personalitete. Kështu edhe unë kam një respekt të veçantë për femrën e cila është shtylla kryesore e një familjeje.
Prandaj këtë shkrim timin kushtuar zonjës Mihana Goga – Bekteshi, e fillova me këto vlerësime dhe atribute kushtuar gjinisë femërore. Njëra prej atyre që është edukuar në frymën e fesë së bukur islame dhe që punon dhe vepron në Bashkësinë Islame të Prishtinës, është për mua një femër e rrallë ulqinake, e lindur në një fshat piktoresk, ku përballë shtëpisë së lindjes së kësaj familjeje fisnike fetare gjendet Xhamia e Kollomzës. Mirëpo edukimi në shkollën e mesme në Ulqin dhe orientimi i saj në edukimin fetar dhe shkollimi në Prishtinë e bën tashmë të suksesshme në veprimtarinë e saj në edukimin fetar të femrës në Ulqin dhe në Kosovë. Mua më bën të jem krenar pasi një kohë, derisa ishte në shkollën e mesme, kam dhënë një kontribut të vogël në edukimin e saj në përgjithësi, si nxënëse por edhe si personalitet.
Mihana është një femër e rrallë, e cila në një moshë relativisht të re vepron dhe punon në edukimin fetar të femrave tona, pasi që të rralla ishin ato femra që në mënyrë të barabartë me meshkujt e kanë ngritur zërin për avancimin e popullit shqiptar mysliman në këtë lëmi, në veçanti në fillim të viteve ’90 të shekullit të kaluar e deri tani. Ajo jep një kontribut të madh në emancipimin fetar të gruas shqiptare te ne
Gjenet dhe gjaku i kësaj familjeje fetare zgjon te Mihana ndjenja të veçanta për edukimin fetar. Kështu që kjo zonjë e guximshme fillon misionin e saj në këtë drejtim. Këtë e them pasi që nuk ka qenë, as nuk është lehtë të dalësh dhe të edukosh femrat e reja në frymën fetare, të kërkosh të drejtat fetare, të kërkosh atë çka të takon, ta prekësh çështjen fetare por edhe atë shqiptare. Nuk ishte e as nuk është lehtë ta nxjerrësh edukimin e femrës në frymën islame nga errësira komuniste pas një kohe të vështirë, kur ishte e ndaluar gjithçka, sidomos në shtetin ku jemi trajtuar dhe ende trajtohemi pakicë. Këtu mendoj, pavarësisht se nuk dëshiroj të hyj më thellë në sjelljen e komunistëve dhe trajtimin e fesë në përgjithësi sipas ideologjisë së tyre barbare, në veçanti në Shqipëri, kur shumë objekte fetare u zhdukën ose u shndërruan në muze apo objekte të ndryshme. Mirëpo sot në kushte të reja kemi një qëndrim tjetër ndaj fesë, prandaj edhe nuk është për t’u çuditur që sot edhe në Malin e Zi kemi një Medrese në Tuz, ku edukohen dhe shkollohen femrat dhe meshkujt në frymën islame, e të mos flasim për Kosovën, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut ku ka shumë shkolla fetare.
E di se edhe motra e saj (e Mihanës) Sahibja, është shumë e suksesshme si mualime në edukimin e brezit të ri në Medresenë në Tuz. Unë nuk jam njohës i mirë i kësaj lëmie, mirëpo kur shkruaj për Mihanën, të cilën e njoh më mirë, atëherë i lejoj vetes t’i shkruaj disa fjali edhe në këtë lëmi, si besimtar por edhe si intelektual. Më duket se kjo zonjë në kuptimin e plotë të fjalës, ka lindur dhe është bërë sot “më e fortë se guri”, thotë një thënie popullore në Ulqin. Ta ngresh zërin për edukimin e grave dhe vajzave tona edhe në këtë lëmi, pavarësisht që edhe sot në kushte bashkëkohore gjithmonë ka pasur dhe ka pengesa, direkte dhe indirekte. Mirëpo, Mihana është e suksesshme dhe me fat në edukimin fetar, por edhe në fushën e emancipimit të grave, në veçanti të popullatës sonë autoktone, duke ua mundësuar atyre që kanë dëshirë të edukohen në frymën e fesë sonë të bukur islame.
Bazuar në të dhënat nga faqja e saj në Fejsbuk, shihet se sa shumë e suksesshme dhe aktive është zonja Mihana Goga në Kosovë, por edhe në vende të tjera ku ajo ligjëron dhe merr pjesë në seminare të ndryshme për edukimin fetar. Në këtë mënyrë ajo edhe ka arritur të jetë në majën e piramidës duke qenë vite me radhë në hierarkinë e edukimit fetar, në veçanti të grave.
Zonja Mihana është një femër e rrallë, e cila në një moshë relativisht të re vepron dhe punon në edukimin fetar të femrave tona, pasi që të rralla ishin ato femra që në mënyrë të barabartë me meshkujt e kanë ngritur zërin për avancimin e popullit shqiptar mysliman në këtë lëmi, në veçanti në fillim të viteve ’90 të shekullit të kaluar e deri tani. Jam i sigurt se ajo jep një kontribut të madh në emancipimin fetar të gruas shqiptare te ne.
Mihana ka pasur kurajo që të dalë të flasë pa frikë dhe me një entuziazëm të madh për të drejtat e gruas myslimane shqiptare. Më duket se kjo zonjë ka një vizion të fortë, i cili më vonë u tregua i suksesshëm, në veçanti për një femër në kohë të vështira, një vizion për qytetin tonë, por në veçanti në Kosovë, ku ajo sot jeton. Këtu mendoj dhe them në përgjithësi për popullatën tonë autoktone, është ky një aktivitet frymëzues i lëvizjes sonë kombëtare, duke mos e lënë pas dore edhe atë fetare. Nuk ka qenë as nuk është lehtë të dalësh dhe të kërkosh, të edukosh, të ligjërosh atë çka të takon, ta prekësh çështjen fetare të lënë shumë pas dore, ta nxjerrësh nga errësira komuniste pas një kohe të vështirë. Pra në ato kushte të vështira, Mihana ishte në radhët e para në mesin e meshkujve. Këto janë fakte që nuk mund t’i mohojë askush.
Gjaku dhe gjenet e forta të kësaj familjeje bëjnë që ajo të jetë shumë aktive në edukimin fetar. Prandaj nuk është rastësi që ajo shumë herë është e para si ligjëruese, edukatore dhe mësuese në shkolla. Shpeshherë është e pranishme si paneliste dhe si ligjëruese në tubime fetare. Është e pranishme në manifestime të ndryshme që i organizon Bashkësia Islame në Kosovë, por edhe këtu në Ulqin. Mirëpo zonja Mihana ka përkrahjen e madhe të bashkëshortit të saj, por edhe të gjithë atyre me të cilët ajo bashkëpunon. Prandaj, nuk është për t’u çuditur që Mihana ka qenë dhe është e guximshme, oratore e mirë, gjithmonë aktive dhe e rrallë.
Duke i përcjellur aktivitetet e saj të shumta, vërej se ajo është e palodhur. Gjithmonë është e pranishme edhe gjatë organizimit të Panairit të Librit në Ranën tonë të bukur, ku me një entuziazëm të madh qëndron në stendën me libra fetarë, duke promovuar librin dhe botimet më të reja islame. Në gusht të këtij viti kam pasur rastin të bëj një fotografi edhe me vajzën e saj të vogël, e cila qëndronte pranë saj. Një buzëqeshje magjepsëse dhe një fjali e cila të bën të krenohesh: “Hajde mami se ky ka qenë profesori im!“ Prandaj them që ajo është një zonjë dhe një nënë e dalluar. Kjo nënë së bashku me bashkëshortin, kanë pasur një vizion të qartë për edukimin e fëmijëve të vet. Kështu që jam i bindur se edhe fëmijët e këtij çifti do të bëhen të arsimuar dhe të dalluar. Respekti im është edhe më i madh, të them më mirë i veçantë, për këtë familje të arsimuar në këtë drejtim. Nga kjo familje ulqinake gjithmonë ka pasur njerëz të cilët janë dalluar. Shumë pjesëtarë të kësaj familjeje ishin dhe vijojnë të jenë edukatorë dhe besimtarë të fortë.
Në fund edhe disa fjalë mbi veprimtarinë e kësaj zonje të rrallë, e cila na bën të krenohemi. Qyteti i Ulqinit, deti i bukur, ajri që frymëzon dhe qjallëron trupin dhe zemrën e njeriut, ka qenë gjithmonë frymëzues për të. Rrugëtimi dhe vazhdimi i shkollimit në Prishtinë, jeta studentore në këtë qytet ku gjithçka frymon shqip, ka qenë një vullnet i madh pasi përveç studimeve aty ka takuar edhe bashkëshortin e saj. Në këtë mënyrë Prishtina është bërë vendi i dytë i jetës së saj. Sot Mihana Goga – Bekteshi, pas përfundimit të Fakultetit të Studimeve Islame në Prishtinë, punon si mualime në Departementin e Gruas në Obiliq, në kuadër të Bashkësisë Islame të Kosovës. Ajo ka titullin profesoreshë e mësimeve islame. Gjatë viteve 2014-2019 ka marrë pjesë si ligjëruese në shumë konferenca, aktivitete, trajnime, seminare, kongrese, simpoziume, takime të ndryshme etj. me karakter fetar, kulturor, arsimor, edukativ, që janë mbajtur në vend dhe jashtë. Është hulumtuese dhe bashkëpunëtore e revistave të ndryshme, në veçanti e revistës “Dituria islame”.
Është vështirë t’i përmendësh të gjitha aktivitetet e kësaj mualimeje. Përpos të shkruash për të, ajo meriton edhe të stimulohet në punën e saj të palodhur. Unë i dëshiroj suksese edhe në vijim. Jam më se i sigurt që në librin tim të ardhshëm, që është në dorëshkrim nga cikli “Ulqini Florini – Portrete, In memoriame”, portreti i zonjës Mihana Goga – Bekteshi do të jetë njëri nga ata florinjtë që qëndisin librat e mi nga ky cikël.