Syme Kokaj: Mësuesja që ndezi shkëndijat përmes gjuhës dhe letërsisë shqipe

Luljeta Avdiu – Cura

Arsimtarja në pension Syme Mehmedi Kokaj lindi më 24.08.1949. Shkollën fillore, tetë klasë i përfundoi në shkollën “Bedri Elezaga” në Katërkollë. Në vitin shkollor 1964-65 regjistrohet në Shkollën Normale “Hysni Zajmi” në Gjakovë. Në qeshor të vitit 1969 diplomon për mësuese. Në të njëjtin vit fillon punën me kontratë si mësuese në shkollën fillore “Bedri Elezaga”.
Në vitin 1971 regjistrohet në SHLP për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe. Në vitin 1973 diplomon dhe pas dy vjetëve punë si mësuese merr vendimin e punës si arsimtare e gjuhës në klasë të larta. Pranë institucionit “Bedri Elezaga” punoi 34 vjet e 31 ditë pune.
Gjatë karrierës si arsimtare dy herë ka qenë e zgjedhur anëtare e Komisionit për përpilimin e plan programit mësimor nga lënda e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe. Me këtë rast së bashku me kolegët anëtarë të komisionit në vitin 1997 bën një punë me vlerë në përpilimin e plan-programeve nga lënda e gjuhës shqipe duke futur në plan-program figura eminente nga letërsia shqipe të cilët më herët kishin qenë të ndaluar të ishin pjesë e plan-programit. Në vitin shkollor 2003-2004 sërish ka qenë e angazhuar si anëtare e komisionit për përpilimin e programeve sipas reformës së shkollës 9-vjeçare.
Në vitin 1997 për herë të parë në kuadër të shkollës falë angazhimit të saj dhe të bashkëshortit, me përkrahjen e drejtorisë dhe të financuesve botohet revista e parë shkollore “Shkëndijat”.
Përveç punës si arsimtare ka qenë e angazhuar edhe në politikë dhe në kohën e monizmit ka qenë këshilltare në Kuvendin Komunal, kryetare e Konferencës së Gruas në komunën e Ulqinit dhe si e tillë anëtare e Konferencës Republikane të LS të PP dhe anëtare e Konferencës Komunale dhe anëtare e Komisionit Republikan për çështje të arsimit. Në vitin 2000 si ithtare e LD në MZ zgjidhet këshilltare e subjektit në fjalë në Kuvendin Komunal të Ulqinit.
Gjatë karrierës si mësuese ka zhvilluar shumë aktivitete me nxënës dhe i ka përgatitur për të dalë në skenë në role dhe interpretime të ndryshme. Po ashtu një vëmendje të madhe i ka kushtuar edhe pjesëmarrjes në konkurse letrare. Në kuadër të aktiviteteve të lira ka organizuar edhe orë letrare.
Pas daljes në pension bashkë me disa nga ish-nxënësit e saj themeloi Fondacionin “Studenti”, me qëllimin e vetëm të ndihmojë nxënësit dhe studentët në gjendje të vështirë ekonomike. Përveç ndihmës ekonomike në kuadër të fondacionit organizoheshin edhe garat e recituesve të rinj, gjë që i ndihmoi afirmimit të një numri të madh talentesh ndër vite. Ndërsa sot Fondacioni “Studenti” vazhdon të jetë aktiv falë angazhimit të Hajredin Kovaçit.
Në vitin 2011 boton monografinë “Arsimi shqip në Anë të Malit 1945-85”, ndërsa nga krijimtaria letrare boton librin me poezi “Det i trazuar”.

Zëri i qetë i fjalës shqipe: Një mësuese që ndriçoi breza
Në një shkollë, ku fjalët dhe kujtimet ngrihen si gjurmë të pashlyeshme, në një klasë të thjeshtë, të ngrohtë dhe të mbushur me dritë, qëndronte një mësuese fisnike e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe. Thinjat në flokë i jepnin një dritë të lehtë argjendi, simbol i viteve të përvojës dhe mençurisë që mbarte.
Fytyra e saj ishte harta e jetës së saj të pasur dhe plot sfida. Sytë e saj, të kthjellët dhe të ndritshëm, pasqyronin një dritë të brendshme dhe një pasion të palodhur për dijen. Ato janë sytë e një njeriu që ka parë shumë, por që kurrë nuk e ka humbur dashurinë për mësimdhënien dhe për brezat që rriten nën kujdesin e saj.
Veshja e saj e thjeshtë, por me shije; një shall i lehtë qëndronte rreth qafës së saj gati përherë, një kujtim i butësisë dhe ngrohtësisë që sjell në klasë. Përçonte jo vetëm mësimet e gjuhës dhe letërsisë, por edhe një ngrohtësi dhe siguri që i bën nxënësit të ndihen të mirëpritur dhe të vlerësuar. Kur fliste për veprat e mëdha të letërsisë shqipe, sytë i ndriçoheshin dhe zëri i mbushej me një pasion të thellë, si të përpiqej të përçojë gjithë thellësinë dhe bukurinë e këtyre veprave në shpirtin e çdo nxënësi.
Kjo mësuese më shumë se një edukatore; ajo ishte një udhërrëfyese, një frymëzuese, një dritë që ndriçoi rrugën e dijes dhe të dashurisë për gjuhën. Në çdo gjest, në çdo fjalë, në çdo buzëqeshje, ajo përçon një fisnikëri të pashoqe dhe një dashuri të pakushtëzuar për nxënësit e saj dhe për artin e gjuhës.
Kjo mësuese ka ndezur shkëndija në zemrat e nxënësve të saj, jo vetëm përmes njohurive të thella për gjuhën dhe letërsinë, por edhe përmes aktiviteteve të ndryshme që i bënin orët e saj të gjalla dhe inspiruese. Ajo përdorte çdo mundësi për të treguar bukurinë e fjalës shqipe, për të nxitur nxënësit të krijonin, të mendonin dhe të shprehnin ndjenjat e tyre në mënyrë të lirë dhe të ndjeshme. Me një dashuri të pakushtëzuar për mësimdhënien, ajo i dedikohej çdo detaji, duke ndihmuar secilin nxënës të zbulojë potencialin e tij të fshehur. Me përkushtimin e saj përçonte jo vetëm mësime, por edhe ngrohtësi dhe siguri, duke krijuar një atmosferë ku çdo fëmijë ndihej i vlerësuar dhe i inkurajuar për të ndjekur ëndrrat e tij. Edhe kur sfidat e jetës ja kishin lënduar zemrën, nuk jepej para të tjerëve megjithëse shpesh herë edhe në orë muzgun e kaltër të syve ia shihja të lagësht. Nëpërmjet fjalëve të saj, çdo varg, çdo fjalë merrte jetë, duke krijuar ura të forta mes së shkuarës dhe të ardhmes, mes dijes dhe shpirtit. Mësuesja ma e bukur me flokët e hirtë, me një zemër të përjetshme rinore, ajo mbetet një inspirim i gjallë për çdo nxënës që ka pasur fatin ta njohë dhe të mësojë prej saj. Përmes përkushtimit të saj të pashtershëm, ajo ka lënë gjurmë të pashlyeshme në jetët e shumë brezave, duke ndriçuar rrugën e tyre me dritën e fjalës dhe dashurisë për gjuhën shqipe.
(Vijon)


(Vijon nga numri i kaluar)
Revista shkollore
“Shkëndijat”-Zëri i shkollës

Arsimtarja në pension, Syme Koka, nuk gaboi aspak kur zgjodhi titullin “Shkëndijat” për revistën e shkollës sonë. Me zgjuarsinë dhe përvojën e saj, ajo e kuptoi se ky titull do të pasqyronte më së miri energjinë dhe potencialin e rinisë. Zgjedhja e saj reflektonte besimin se secili nxënës përfaqëson një shkëndijë të vogël që, me përkushtim dhe mbështetje, mund të transformohet në një dritë të madhe që ndriçon rrugën e së ardhmes.
Kjo simbolikë e zgjedhur me kujdes tregon për dashurinë e saj për edukimin dhe për besimin e saj të palëkundur në fuqinë e dijes. Duke pasur parasysh rolin e madh që ka fjala e shkruar sidomos në një revistë shkollore, në vitin 2012 i kërkova të më tregojë disa të dhëna më shumë rreth revistës në fjalë. Ndër të tjera me dashuri më tregoi:
Revista “ Shkëndijat” është revistë shkollore dedikuar kryesisht nxënësve të shkollave fillore, por jo vetëm, ajo është lexuar me shumë interesim edhe nga masa e gjerë e të rriturve.
Rregullisht filloi të botohet që nga viti 1997, për Ditën e shkollës më 15-Maj, si rezultat i angazhimit dhe punës së nxënësve, dhe mësimdhënësve në aktivitetet e lira. Fillimisht u botuan nga katër numra në një vit shkollor, pastaj u reduktua në dy numra deri në vitin 2009 si pasojë e reduktimit të mjeteve. Revistën e udhëhoqëm unë dhe bashkëshorti Rexhep Kokaj.
Revistën e kemi shpërndarë në të gjitha shkollat shqipe në Malin e Zi ( Ulqin, Ostros, Malësi, Guci dhe Dacaj), si edhe në bibliotekën e shkollës, bibliotekën e qytetit dhe në Bibliotekën qendrore në Cetinë.
Qëllimi i botimit të kësaj reviste, për të cilën mendoj se ka qenë e para revistë shkollore në Gjuhën shqipe në Malin e Zi, ka qenë dhe mbetët:
-Nxitja dhe motivimi i nxënësve, por edhe i subjekteve të tjera në shkollë për të shpalosur talentin për punë krijuese dhe të pavarur, për të paraqitur, kultivuar e ruajtur vlerat më të mira të punës, kulturës në shkollë dhe jashtë saj, krijimi i urave lidhëse dhe i bashkëpunimit me shkollat tjera në Republikë dhe më gjerë, dhe zhvillimi i ndjenjës sociale, të mirëkuptimit dhe respektit reciprok etj..
Përmbajtja e Revistës ka qenë e larmishme. Në të është paraqitur:

  • Lektyra shkollore e sidomos e atyre pjesëve që kanë munguar në librat e leximit (në vitin 1997, komisioni për hartimin e PP nga Letërsia shqipe, ka bërë plotësimin me autorë si: Gj. Fishta, F. Konicca, M. Camaj, I Kadare etj).
    -Intervista me mësimdhënës dhe me nxënës të dalluar e talente, intervista të imagjinuara me poetë e shkrimtarë,
    -Veprimtaritë nga aktivitetet e lira (hartimet më të mira, kopshti poetik me krijime në prozë dhe poezi, këndi i piktorit etj)
    -Sofra mysafire (krijime nga nxënësit e shkollave të ndryshme),
    -Krijimtari popullore ( këngë, fabula, fjalë të urta, gjëza, humor etj.) mbledhur dhe zgjedhur nga vetë nxënësit,
  • Mësojmë dhe argëtohemi (kuiz i diturive), kuriozitete, mjeku ju këshillon etj.
  • Përshëndetjet dhe urimet e nxënësve etj.
    Qysh me botimin e numrit të parë të rregullt të revistës “Shkëndijat” gjetëm mbështetjen materiale dhe morale të drejtorisë së shkollës dhe në vazhdim botimi i Revistës u ndihmua nga donatorë të ndryshëm.
    Me rastin e 70-Vjetorit të lindjes së Syme Kokaj, në vitin 2019, Fondacioni “Studenti” organizoi veprimtarinë kulturore ”Një jetë kushtuar arsimit shqip” me ç’rast ju nda edhe mirënjohja nga fondacioni në fjalë.
    Ndërsa më 15 maj 2022 me rastin e Ditës së Shkollës nga drejtoria e shkollës ju nda mirënjohja me motivacionin: Mirënjohje- Për kontributin shumë vjeçar në edukimin dhe arsimimin e brezave.

Një mësuese të veçantë e bëjnë pasioni për mësimdhënien, ndjeshmëria ndaj nevojave të nxënësve, aftësia për të frymëzuar, durimi dhe përkushtimi, komunikimi i efektshëm, vlerat etike e morale dhe kujdesi për zhvillimin e gjithanshëm të nxënësve. Symja nuk ishte thjesht një edukatore, por një frymëzim dhe mbështetje për brezat e rinj.

Faleminderit nga zemra, Syme Mehmedi Kokaj, për përkushtimin dhe dashurinë që keni dhënë për arsimin dhe gjuhën shqipe. Me urtësinë dhe përkushtimin tuaj, keni ndriçuar jetët e shumë brezave, duke na mësuar jo vetëm dije, por edhe vlera të larta njerëzore. Trashëgimia juaj e pashlyeshme do të mbetet gjithmonë një frymëzim për të gjithë ne. Mirënjohje të thellë për gjithçka që keni bërë!

Të fundit

më të lexuarat