
Nga biografia
Selim Riza Milla u lind në Ulqin në vitin 1946. Shkollën fillore dhe atë të mesme për ekonomi i përfundon në vendlindje. Deri në vitin 1993 punon në sipërmarrjen tregtare “Otrantkomerc”.
Ishin atëherë drejtorat Rexhep Kordiqi, më vonë Vaso Gjakonoviqi.
Në vitin 1993 në afërsi të gjimnazit hapi shitoren private e cila e kishte emrin “Mandarina”.
Biseda me Prof. Riza Rexha
Duke punuar në shitoren private në afërsi të gjimnazit, Selimi disa herë është shoqëruar me Prof. Riza Rexhën. Kur ky e kuptoi se Selimi ka mendim të ikë nga Ulqini. Ai i tha:
“Largimi nga vendlindja, gurbeti është asimilim”.
Gjyshi Shaqir Milla-113 vjeçar
I kujtohet gjyshi Shaqir Milla i cili ka jetuar 113 vjet. Selimi thotë se në atë kohë ka jetuar shumë edhe Ramoja i Oso Cufit nga Pistulla. Nuk e di se cili prej tyre ka qenë më i vjetër.
Babai i Selimit Riza Milla ka pasur shtëpi të vogël në afërsi të shtëpisë së Sabri Buzukut.
Selimi thotë:
“ Atë shtëpi e ka blerë Nikollë Gjoka”
“Nikollë Gjoka ishte pacienti im. E kam vizituar në shtëpinë e shëndetit dhe në shtëpinë e tij” – Ishte përgjigjja ime.
Riza Milla, babai i Selimit bleu një vend për shtëpi në Mera në afërsi të Kronit Ballo. Aty ndërtuan shtëpi trekatëshe.
Kohrat e vështira
Në vitin 1993 djali i dytë i Gëzimit ishte në Serbi për shërbim ushtarak. Selimi e mori vesh se duan ta nisin në vende ku u zhvillonte lufta. Selimi i telefonoi djalit dhe i tha:
“Gjej ndonjë bukëpjekës shqiptarë në vendin ku je në ushtri. Tregoja situatën. Hiqi teshat e ushtrisë dhe ik për Ulqin”.
Gëzimi mbërriti me tren deri në Tivar. Aty e morëm.
Menjëherë u lidh me Salë Kovaçin nga Dragina. Ky ishte tregtar, shoku i Selimit. Përmes Salë Kovaçit u organizua largimi i Gëzimit përmes kufirit te Sukubina. Gëzimi mbërriti në Shqipëri e pastaj në Amerikë.
Emigrimi në SHBA
Selimi thotë:
“Fillimisht gruaja Haxhire e cila ishte mësuese e punësuar në shkollë, kundërshtonte për të shkuar në Amerikë. Por, unë isha i vendosur. Për të ruajtur dhe drejtuar jetën e dy djemve të cilët ishin në Amerikë ka qenë e nevojshme që të shkojmë edhe ne”.
Dhe definitivisht, në fund të vitit Selimi me bashkëshorten dhe djalin i tretë Rizanë i cili ishte 13-vjeçar emigrojnë për SHBA.
Selimi vazhdon:
“Në Çikago të Amerikës familjarisht kemi punuar shumë mirë. Kemi përparuar. Njëri djalë ka ndërtuar shtëpi në Ranë. Për tjetrin e kam blerë shtëpinë nga kapo Nazif Shabanit në Pinjesh. Djali i tretë do ta rinovojë katin e tretë të shtëpisë tonë në lagjen Meraja në afërsi të Kronit Ballo”.
U bë fjala për ulqinakët në Çikago.
Në Çikago te Bahri Hysa jam takuar edhe me Fejzi Ismajlagën nga Kalaja. Ai ka pasur lidhje me një grua të moshuar. As unë, nuk e di se pse nuk ka ardhur asnjëherë në Ulqin”.
Vazhdon:
“Në Amerikë duhet të punosh shumë për të kursyer para, për të përparuar. Nuk po i them me emra, ka shumë prej njerëzve tanë që nuk kanë fituar asgjë, kanë pasur rrugë tjetër, letrat, shpenzimet. Ata nuk kanë pasur as për biletë që të vinin në Ulqin. Disa edhe kur kanë ndërruar jetë nuk kanë pasur pare t’i sjellin në vendlindje…
“Fëmijët e mi më kanë dëgjuar, kanë punuar bukur dhe janë martuar me vajza shqiptare nga Ulqini. Kemi ruajtur edhe gjuhën shqipe dhe besimin tonë”.
Shtëpia në Ranë
Pas dorëzimit të Ulqinit Malit të Zi më 1990, Mbreti Nikolla ka filluar të dërgojë malazezë të jetojnë në Ulqin. Kështu në Ranë erdhi edhe familja Razhnatoviq. Djali i tyre ishte pop ortodoks. Shtëpia ishte e bukur në afërsi të detit.
Djali i Selimit e bleu këtë shtëpi. Në vend të saj, më së pari e zhduki komplet me bager me gjithë oborr. Aty ndërtoi shtëpi të madhe.
Dhe kështu, u zhduk njëri prej simboleve të ardhjes së malazezëve në Ulqin.
Kthimi në vendlindje
Selimi me Haxhiren kthehet në vendlindje pas 22 viteve në mërgim.
E pyeta:
“Më trego si ke vendosur që të kthehesh në Ulqin?”
E piu kafenë dhe u përgjigj:
“Së bashku me Haxhiren i mblodha të gjithë fëmijët e mi, të tre djemtë e nuset e tyre.
U treguam që ne do të kthehemi në Ulqin. U tash ju tash jeni mbarë e mirë, keni përparim.
Ne do të shkojmë në Ulqin përgjithmonë”.
Vazhduam bisedën…
“Si e kalon kohën këtu në Ulqin?”
Selimi përgjigjet:
„Unë kam pasuri në pjesën mbi Kodrat e Ulqinit në Kuçe. Kam një shtëpi të vogël, bahçen me shumë pemë. Kur është koha merrem me mbjelljen e perimeve… Por, unë si besimtar i fal pesë vaktet i Namazit. Nganjëherë shkoj edhe në xhami… Dal edhe në Pazar për të blerë ndonjë gjë dhe të takohem me miq dhe shokë… Fëmijët e nipat e mi vijnë rregullisht në Ulqin… Kanë dashuri të madhe për këtë vend…
U ndërlidha në bisedë:
„E di rrugën e Kuçit. Gjendet pas shitores „Gragjakomerc“ pas shtëpisë së Dr. Marnikoviqit… Dy herë kam ecur kësaj rruge deri në Kollomëz për të vizituar të sëmurit…“.
Në fund
Selim Mila gëzon një autoritet të veçantë në Ulqin. Është prind i lumtur, vital, me shëndet dhe intelekt të ruajtur. E ka arritur njërin prej qëllimeve: fëmijët i ka shpirë në rrugë të drejtë. Kanë rujatur gjuhën shqipe edhe besimin islam. Të gjithë e duan Ulqinin.
(Nga libri në dorëshkërim „Valixhja nga Amerika-Mërgimarët“)