
Bilal Nikezi është një piktor akademik i talentuar, me grada të larta artistike, të fituara në Kosovë, ku edhe e ka kryer Akademinë e Arteve, por edhe në vende të tjera ku ka studiuar dhe specializuar artin figurativ.
Pa dyshim që Bilal Nikezi ka lënë dhe ende lë gjurmë të pashlyera në artin tonë figurativ. Ekspozitat e shumta individuale dhe kolektive flasin qartë për aktivitetin dhe veprat e këtij piktori.
Ai ka një vend të veçantë në majën e piramidës së shumë piktorëve tanë me famë, në qytetin tonë të bukur të Ulqinit, në Mal të Zi, në Kosovë dhe çdokund tjetër ku ai ka ekspozuar dhe është prezantuar.
Bilali gjithmonë ka pasur inspirim dhe pasion pikturimin e femrës dhe bukurinë e saj. Ai mendon që bukuria e femrës është dhunti nga Perëndia. Prandaj, ajo është frymëzimi i tij i pafund dhe gjithmonë mbizotëron në opusin e krijimtarisë së tij. Ai ka realizuar shumë portrete kushtuar femrës dhe qenies së saj.
Lidhur me këtë inspirim, Bilali ka edhe një hobi tjetër. Ai është një fotograf i pasionuar dhe mbi 30 vite fotografon. Këtë pasion dhe fotografinë e ka ngritur lart deri në perfeksionizëm.
Gjithashtu, dua të përmend që Bilali është edhe zhytës i mirë, kështu që gjatë verës shpeshherë shkon në peshkim.
Pavarësisht që gruaja mbizotëron në artin e tij, Bilali ka edhe inspirime të tjera, duke filluar nga perëndimi i diellit, peshkimi dhe peshkatarët, barkat dhe sanallat, kalimerat në Port Milenë dhe rrjetat që i stolisin ato. Të gjitha këto janë në opusin e pikturimit të tij.
Me një mjeshtëri të paparë, ai i pikturon ato me ngjyra, duke i dhënë një kolorit të cilin e kanë vetëm impresonistët e mëdhenj të këtij drejtimi në artin figurativ. Diçka tjetër që e karakterizon pikturimin e tij është se mbizotëron vizatimi, pastaj vaji dhe kolazhet.
Mua dhe një mikun tim nga Gjermania gjithmonë na ka fascinuar një pikturë e cila mund të krahasohet me pikturat e mëdha nga koha e impresionizmit. Kjo pikturë gjendet sot në Berlin, në një koleksion privat.
Të shkruash për Bilal Nikezin, njeriu duhet ta njohë artin figurativ shumë më mirë se unë. Mirëpo, si një koleg i tij nga Gjimnazi i Ulqinit dhe shok i tij, dua ta kujtoj lexuesin dhe opinionin për veprën e tij të madhe dhe për jetën e tij kushtuar artit dhe kulturës sonë.
Bilalin e njoh që nga fëmijëria. Një kohë të gjatë kemi punuar së bashku në Shkollën e Mesme të Ulqinit, kështu që unë edhe disa të privilegjuar kemi pasur “lejen” të hyjmë brenda në atelienë e tij në shkollë. Gjithashtu shpeshherë kemi shkuar së bashku në ekskursione e mos të flasim për hapjen e ekspozitave në Zvicër, Lihtenshtajn, Austri dhe në vende të tjera, ku unë isha edhe moderator.
Bilali, pa dyshim, si intelektual dhe piktor akademik, i takon së pari Ulqinit, pastaj Malit të Zi dhe më gjerë. Ne jemi krenarë që Bilali jeton dhe vepron në Ulqin. Ata që e njohin artin, posaçërisht artin figurativ më mirë dhe më thellë, ata që e njohin punën e këtij piktori akademik, janë më kompetentë dhe më së miri dinë ta vlerësojnë artin e Bilal Nikezit, kurse neve shokëve të tij për artin figurativ më së tepërmi na ka folur dhe na flet vetë Bilali.
Bilali jeton dhe vepron në shtëpinë e tij në Ulqin, ku ai ka një atelie të mbushur plot me piktura, grafika dhe sende të tjera, të cilat krijojnë një atmosferë të jashtëzakonshme. Aty Bilali frymëzohet ditë për ditë më shumë dhe më mirë, aty është i relaksuar dhe i qetë.
Them se duhet të jemi krenarë që një piktor i talentuar, i njohur anembanë tokave shqiptare, por edhe në Evropë, jeton dhe vepron në qytetin tonë të bukur, duke na dhuruar vepra të cilat një ditë do të përbëjnë pjesën e trashëgimisë sonë të lavdishme.
Proverbi latin “Ars longa, vita brevis” (Arti është jetëgjatë, jeta është e shkurtër), që ende sot gjendet mbi derën e shtëpisë së të ndjerit Rudi Goga, po ashtu një piktor akademik, sidomos mjeshtër i grafikës, vlen edhe për të afërmin dhe shokun e tij Bilal Nikezin. Prandaj edhe mendoj se ndaj mendimin e shumë adhuruesve të artit që mjeshtëria e pikturimit dhe pikturat e Bilal Nikezit do të mbesin përgjithmonë në bagazhin e kulturës sonë. Çdo njeri, kalimtar dhe turist i cili kalon rrugës ku gjendet shtëpia e të ndjerit Rudi Goga, pavarësisht sa e njeh artin, ndalon dhe me vëmendje e lexon mbishkrimin në fjalë.
Gjatë karrierës artistike, Bilali ka pasur një numër të madh të ekspozitave personale dhe shumë ekspozita kolektive, jo vetëm në Malin e Zi – në Ulqin e Tivar, Podgoricë, por edhe në Gjermani, shumëherë në Austri, Zvicër, Maqedoni, Kosovë, Shqipëri.
Punimet e tij gjenden në galeri të ndryshme dhe në koleksione private, në vende të ndryshme të Evropës, ku piktori ka ekspozuar. Ndërkohë numëron edhe disa çmime për punën dhe veprën e tij.
Bilali gjithmonë ka qenë dhe ka mbetur një njeri modest, i qetë dhe i mirë. Ai është edhe njeri i cili flet me artin e tij, por një njeri i cili edhe ka dhënë intervista të shumta nëpër televizione të ndryshme, në vend dhe jashtë.
Kritikët e artit e kanë vlerësuar shumë lart veprën e tij, si piktor i zellshëm, i vyer, i talentuar dhe i respektuar në mesin e artistëve në përgjithësi. Pikturat dhe grafikat e tij të shumta stolisin sot shtëpitë dhe galeritë anembanë vendit tonë, por edhe jashtë vendit, kudo ku ka shkelur këmba e tij. Bile edhe unë e kam një pikturë në shtëpinë time, një dhuratë nga ai, të cilën e ruaj me një dashuri të madhe.
Edhe një sekuencë nga aktiviteti i madh i këtij piktori akademik. Mua më ka mbetur në kujtesë përgjithmonë, për këtë edhe po e përsëris, që të mbesë e shkruar dhe e shënuar për gjeneratat që do të vijnë pas nesh. Së bashku me Bilalin dhe me piktorin tjetër akademik nga Ulqini, Edin Kapllanin, ishim në Zvicër. Unë isha në rolin e moderatorit dhe prezantuesit të një ekspozite me famë të madhe. Në Galerinë e njohur “Hadorn”, në qytetin e Lihtensteigut në Zvicër. Kemi kaluar disa ditë të jashtëzakonshme në mesin e adhuruesve të artit, të pikturës dhe në përgjithësi të kulturës evropiane në Zvicër. Prezantuam artin, kulturën dhe bukuritë natyrore të qytetit tonë. Shtypi, revistat, stacionet televizive dhe portalet e ndryshme ishin plot lëvdata për prezantimin e artit figurativ të piktorëve tanë, si edhe për prezantimin e bukurive të qytetit tonë dhe Malit të Zi në përgjithësi. Edhe ne kemi bërë shumë foto dhe video nga ky prezantim i artit dhe kulturës, kurse më vonë pas kthimit u paraqitëm edhe në media te ne.
Hapjen solemne të ekspozitës e bëra unë dhe ajo pa dyshim ka pasur një jehonë dhe sukses të madh. Piktorët akademikë Bilal Nikezi dhe Edin Kapllani bënë prezantimin e pikturave të tyre, kurse unë përveç hapjes solemne kam bërë edhe prezantimin e turizmit të Malit të Zi, në veçanti të qytetit tonë të bukur të Ulqinit.
Ishim edhe në bisedime për binjakëzimin ndërmjet qytetit të Lichtensteigut dhe Ulqinit. Përse nuk ka ardhur deri te binjakëzimi, duhet ta pyesin veten politikanët.
Dëshiroj që në këtë portret kushtuar Bilal Nikezit, të përmend dhe ish-nxënësin tonë nga Gjimnazi, sot një mërgimtar me një dashuri të pafund për qytetin e Ulqinit, z. Senad Draga, i cili mundësoi këtë prezantim të kulturës sonë në Zvicër, duke iu falënderuar pozitës dhe lidhjeve të tij në Zvicër. Kështu edhe ka ardhur deri tek organizimi i kësaj ekspozite. Ende edhe sot e kujtojmë dhe e falënderojmë këtë njeri të mirë dhe të vyeshëm, i cili ka dhënë një kontribut të madh për emancipimin e kulturës dhe artit tonë.
Edhe disa të dhëna nga jeta e Bilal Nikezit. Ka lindur në Ulqin, në vitin 1955, në një shtëpi me një pedigre të veçantë. Pas përfundimit e shkollës fillore dhe të mesme në Ulqin, fillon studimet në Akademinë e Arteve në Prishtinë, të cilat i përfundoi me sukses të madh duke treguar një talent të rrallë dhe të pashtershëm. Pas kthimit në Ulqin, punësohet në Gjimnazin e Ulqinit, ku gjendet edhe sot.
Bilali nuk flet shumë për artin e tij. Shpesh shprehet që arti dhe puna e tij flasin shumë më tepër për të.
Dhe në fund të këtij shkrimi modest kushtuar Bilal Nikezit, mendoj se ndaj mendimin e shumë qytetarëve tanë, në veçanti të shumë piktorëve akademikë, që Bilali ka një vend të veçantë në artin dhe kulturën tonë.
Do të ishte mirë që edhe organet kompetente të Komunës, në veçanti në ditët solemne, ta kujtojnë Bilalin dhe të tjerët, të cilët bëjnë kaq shumë për prezantimin dhe emancipimin e artit dhe kulturës sonë, brenda dhe sidomos jashtë shtetit. Është mirë t’i kujtojnë dhe mos t’i harrojnë, siç ndodh shpeshherë në raste të tilla.