Piktor i heshtur pesë-dimensional

Një shkrimtar njëherë kishte thënë: “...Ulqini është një copë e shkëputur nga parajsa që ka rënë në tokë...” , pikërisht nga kjo copë parajse artistë të ndryshëm marrin frymëzime të pafundme, si piktorë, fotografë, poetë e shkrimtarë

Gazmend Çitaku

Ulqinakët janë krenarë me krijuesit që nxorën dhe nxjerrin nga gjiri i vet, në mënyrë të veçantë mburren me piktorët vendas që në mënyrë dinjitoze përfaqësojnë kulturën tonë anë e mbarë botës.
Ruzhdi Rudi Goga (1948-2017), Bilal Nikezi dhe Naser Hasa, si tri shtylla stoike, janë përfaqësuesit më të denjë të shkollës klasike të pikturës që krijohet në Ulqin. Njëri prej tyre, Naser Hasa (1957), si çdo krijues, vijat e para i bëri që në fëmijëri por që talentin së pari ia njohën mësimdhënësit e artit figurativ Gojko Gojniqi dhe Pavle Mashanoviqi duke u bërë shtysë që Naseri të vijojë Akademinë e Arteve në Prishtinë, ku edhe diplomon në vitin 1982 në klasën e Profesor Muslim Mulliqit. Ishin vite të vështira studimi meqë gjendja jo e mirë ekonomike e detyronte që të vetëfinancohet mirëpo leksionet që merrte nga Maestro Mulliqi bënin që Naseri ngadalë të krijojë stilin e vet të pikturës. I kujtohet kur në fund të vitit akademik organizohej ekspozita e përbashkët e studentëve dhe kur ky me atë rast kishte sjellë vetëm pesë piktura, çfarë bëri të ndihet keq meqë disa kolegë i kishin sjellë deri dhjetë sosh. Mirëpo profesori përzgjodhi pikërisht pesë të tijat dhe një ose dy nga studentët tjerë!
Pas mbarimit të Akademisë së Arteve (si piktor i formuar) me paratë e para që fiton nga pikturat e shitura, jo vetëm që bleu material për pikturim por vendos të udhëtojë për të vizituar Galeritë më të njohura europiane dhe normalisht Parisin, i cili si frymëzim për çdo piktor ishte një nga ëndrrat e tija rinore duke u arritur kulmi me vizitën e Shtëpisë Muze të Rembrantit në Amsterdam. Naseri për Rembrantin mund të flasë gjithë ditën, ndërkaq që ky shumë i çmon edhe piktorët tanë, veçanërisht Sadik Kacelin, Ibrahim Kodrën duke përmendur me shumë respekt edhe skulptorin Odhise Paskalin.
Naseri thotë se piktura është gjuhë specifike dhe mesazhi që përcillej nuk është vetëm vizatim por edhe estetikë dhe para së gjithash ajo është botë e artistit në pesë dimensione. Naser Hasa pikturon nga disa tablo njëkohësisht dhe komod ndihet në vaj (olio) si dhe në teknikën me tush. Kur shikon pikturat e tija (kompozicione me motive autoktone), stili i ngjyrave dhe vijat e përdorura nga thellësia e mendjes të nxjerr piktorin me famë botërore, De Sart.
Që arritja e punimeve të Naser Hasës të jetë i padiskutueshëm dëshmon edhe fakti që në një rast, gjatë ekspozitës në Paris, të gjitha pikturat e tija u blenë përnjëherësh. Mirëpo suksesi nuk ka njësi matëse vetëm shitjen por edhe çmimet e fituara e që Naseri veçon Çmimin Special të Sallonit Franqez në Paris më 1998. Më 1999 fiton çmimin Piktor Nderi i Sallonit Franqez dhe më 2002 Çmimin nga Unioni i Artistëve pa Kufi të Francës (A.S.B.L). Ekspozita kolektive ka shumë, pothuaj në tërë Europën, por krenohet me ato personale e që më të dashurat i ka ato në Tiranë (1992), Bari (Itali, 1995), Paris (Francë, 2000) etj.
Situata në të cilën ndodhemi (shkaktuar nga pandemia Covid-19) bëri që Naseri vitin e kaluar (2020) ta kalojë në studion e vet të punës ku prej marsit të vitit të kaluar e deri më sot ka përfunduar afro 20 tablo. Duke u gjendur në një realitet të ri, Naseri vëmendjen e ka kthyer kah arkitektura tradicionale ulqinake, e cila është në zhdukje e sipër. Ky merr këta motive me shtëpi dhe ambiente arkitektonike dhe i vendos në telajo duke i bërë të përjetshme gjë që zbulon dhe na jep indikacione (të qarta) se, po të mos njihej si piktor, Naseri do të kishte mundur të bëhet një arkitekt i zot.
Naseri kujton edhe shoqërinë me Gjelosh Gjokajn dhe bashkëpjesëmarrjen në një ekspozitë në Austri, pastaj flet me mall për mikun e tij Rudi Gogën apo “Apën” (siç e kanë quajtur me dashamirësi kolegët nga Ulqini) duke treguar se profesori, Muslim Mulliqi, atëbotë e kishte dallur nga kolegët tjerë.
Ashtu në mendime, Naseri thotë se e gjithë jeta është një film, të cilën nuk kishte bërë përpjekje ta “përmirësojë”! Mbase më mirë të thuhej: “si një libër”, por ky parapëlqen pamjet, imazhet… andaj thotë “film”, meqë aty më së miri e gjenë veten e tij.
Shoqërimi im me Naser Hasën daton që nga viti 2000, atëherë kur ia merrja me aparat pikturat, të cilat i përgatiste për t’i dërguar në Paris. Gjithmonë më linte përshtypjet më të mira duke u krenuar me të; një piktor nga Ulqini i largët po shkon të ekspozojë në Parisin e madh!? Më kujtohet si sot edhe një gjysëmsekret që më tha atëbotë e që kishte të bënte me ekspozitën. Po parafrazoj: “galeria ku unë ekspozoj gjendet afër Muzeut të Pikasos dhe është një rrugë shumë e frekuentuar kështu që ata artdashës që shkonin për të vizituar atë muze doemos kalonin pranë kësaj galerie. Nga moria e madhe gjithmonë gjendej ndokush që i shihte me një sy tjetër pikturat e mia!” Shumë me mend…
Naseri shumë herë ka ekspozuar në Paris, madje herën e parafundit (kur ishte ekspozita e vitit 2014), në ambientet e “Shtëpia e Shqipërisë-Albinfos”, u dëgjuan fjalë në superlativ nga Zamir Mati (Artist i Merituar), ky kishte thënë: “gjithherë në veprat e artistëve shqiptarë jasht trevave të Shqipërisë ndjehet karakteri kombëtar nëpërmjet figurave dhe vendosjes së tyre në marrëdhënie me problemet e kohës e të hapësirës për zgjidhjen e identitetit kombëtar. Edhe piktori Naser Hasa ka veçori të këtilla origjinale që i shpalos nëpërmjet vizatimit grafik dhe ekspresiv si dhe raporteve të tij me ngjyrën”.
Ndërkaq studiuesi Luan Rama thotë: “piktori Hasa ka përshkuar e vazhdon të përshkojë atë trajektore për të cilën shkruante para më shumë se një shekulli Van Gogh, trajektore që nisi në shkollën e pikturës në Prishtinë, me pikëtakime në Beograd dhe Zagreb duke formuar gradualisht një profil spikatës mes piktorëve të kësaj pjese të Ballkanit”. Kështu edhe kolegu i tij Gjelosh Gjokaj thekson: “Hasa është një piktor me cilësi dhe talent të shkëlqyer artistik”.
Pra, Naser Hasa ka ekspozuar gjithandej por që si peng dhe dëshirë të madhe ka të bëjë nga një ekspozitë te arbëreshët e Zarës dhe të Italisë. Kësisoj thotë ai përmbushë misionin e tij.
S´do mend se Naser Hasa është një artist me të cilin Ulqini krenohet.

Të fundit

më të lexuarat