Nga popullata shqiptare arbëreshe e Zarës së Kroacisë, janë shquar ca personalitete të cilët kanë bërë emër dhe janë në zë në profile të ndryshme krijuese, vepruese dhe kontribuuese në lëmin e kulturës, artit, muzikës, sportit etj. Një ndër ta është mësuesi dhe krijuesi shumëpërfshirës letrar, Josip Vlladoviq Rela (1895-1966).
U lind dhe u rrit në fshatin Arbënesh (Arbanas) – Borgo Erizzo të Zarës, i cili u themelua në vitin 1726 nga shqiptarët e ardhur nga Brisku e Shestani, në perëndim të Liqenit të Shkodrës. Në vendlindje kreu arsimimin fillor dhe Shkollën Normale (të mësuesisë) në Zarë. Fillet e para të mësuesit i bëri në ishullin Rab të Kroacisë. Më pas edhe në disa qytete dalmatine të Kroacisë. Më vonë bëhet drejtor i Teatrit popullor dhe drejtor i shkollës në Zarë. Ishte njohës i mirë i jetës, historisë dhe i gjuhës arkaike të arbëreshëve (abranasve) të Zarës.
Gjatë Luftës së Parë Botërore angazhohet për themelimin dhe hapjen e shkollave shqipe në fshatin Vuthaj të Gucisë, Triesh, Priftën e Arzë të Malësisë së Madhe, në ca prej të cilave ishte edhe mësues, në Vuthaj në vitin 1914.
Josip Vlladoviq Rela, veprimtarinë e vet krijuese letrare e dëshmoi si poet, prozator dhe dramaturg. Shkroi poezi, tregime dhe komedi e drama. Është autor i 16 dramave në gjuhën shqipe. Më e njohura prej tyre është “Nita” e botuar n vitin 1954. Dramë kjo e pëlqyer nga shumë lexues dhe është luajtur shpesh nga grupe teatrore në Kosovë. Rela konsiderohet themelues i dramaturgjisë në gjuhën shqipe në ish Jugosllavi. “Nita” e tij është drama e parë e shkruar dhe e botuar në shqip në ish Jugosllavi.
Në vitin 1952, në revistën letrare “Jeta e Re” në Prishtinë, u botua drama e parë e tij “Martesa”. Kryevepra e tij, drama “Nita” u botua dy vite më vonë në vitin 1954 në Prishtinë e Tiranë dhe më pas u ribotua disa herë në Zarë në dy gjuhë – shqip (arbërisht) dhe kroatisht. U vendos në skena teatrore nga grupe amatore dhe profesionale.
Krijuesi i denjë dhe i paepur i letërsisë shqipe, Josip V. Rela ka botuar në shumë revista letrare shqipe të Kosovës. Veprat e përmbledhura të tij u botuan me titujt: “Vepra I, Dramat” në vitin 1968 dhe “Vepra II, Poezi, prozë dhe shkrime të tjera”, po ashtu në vitin 1968.
Krijimet letrare të Relës përbëjnë orvatjet e para serioze të dramës në gjuhën shqipe në ish Jugosllavi, andaj edhe konsiderohet si themelues i dramaturgjisë së saj në gjuhën shqipe. Për këtë me të drejtë thuhet por edhe konfirmohet se fillimet e dramës shqipe në ish shtetin Jugosllav gjenden, jo brenda Kosovës së atëhershme, por në bregdetin e largët dalmat në Zarë. Kjo dëshmohet me faktin se “Nita” është drama e parë e shkruar dhe e botuar shqip në ish shtetin e sipërpërmendur.