
Ekzistojnë njerëz të cilët me punët e veta profesionale – mjeshtërore shënojnë kohën në të cilën kanë vepruar dhe jetuar.
Gucia si qytet dhe qendër komunale mund të krenohet që nëpër historinë e ekzistimit të vet, persona të tillë ka rritur, ngritur, avancuar e kultivuar në numër të madh, qoftë fjala për ata të cilët kanë kryer shkolla “të mëdha”, deri te ata të cilët kanë kryer vetëm të ashtuquajturin “Fakultetin gucian”.
Njëri prej atyre të cilët me punën e vet vepruan, gjegjësisht me zanatin (mjeshtërinë) e vet ka vënë vulën kulmore të veprimtarisë personale rrjedhave të historisë voluminoze e shumëdimensionale të Gucisë, gjithsesi është padyshim fotografi Sulejman – Sulo Hoxhiq.
Lirisht dhe pa hezitim mund të shkruajmë se, tani i ndjeri Sulo, ka qenë njeri i cili me punën e vet te denjë dhe të pamohueshme ka ndaluar kohën në Guci, për çka flasin e dëshmojnë me mijëra fotografi të cilat i ka punuar gjatë 50 viteve pune në këtë fushë.
Sulejman – Sulo Hoxhiq u lind në Guci më 30 prill të vitit 1930 nga i ati Beqo Cufi i Cuf Alisë (1887-1953) dhe e ëma Ema Balliq – Hoxhiq. Burimet informative jozyrtare dëshmojnë se familja Berisha e asaj kohe, më vonë Hoxha, e tani Hoxhiq, është me prejardhje nga Malësia e Gjakovës, pikërisht nga fshati Kodrali i Komunës së Deçanit, e cila para rreth 200 vjetësh për shkak të rënies në gjak, sipas sheriatit dhe Kanunit të Lekë Dukagjinit, detyrohet ta braktisë vendbanimin e vet dhe të strehohet në Guci. Familja që mbante mbiemrin Berisha për t’i humbur gjurmë gjakësit, e ndërron edhe mbiemrin prej Berisha në Hoxha sipas gjyshit që ishte aso kohe imam, e prej kohës së komunizmit në Hoxhiq, të cilin e mbajnë pasardhësit edhe tani, ndër të cilët edhe akademiku dhe shkrimtari i famshëm dhe i mirënjohur gucijan, Zuvdija Hoxhiq – Berisha, dhe Prof. Shefkija – Shelo Hoxhiq – Berisha (kushërinjtë e tij).
Sulejman – Sulo Hoxhiq që nga mosha e fëmijërisë dhe rinisë së hershme ishte person i gjallë e lazdrak, ashtu që pas kryerjes së shkollës fillore në vendlindje – Guci në gjuhen serbe, fati jetësor në vitin 1947 e “shpie” në hekurudhën Shaman – Sarajevë, e cila edhe do ta përcaktojë zanatin (profesionin) e tij të ardhshëm. Në të vërtetë duke qëndruar në ndërtimin e hekurudhës në fjalë, Suloja njëkohësisht vijon kursin dhe jep provimin për fotograf.
Në vendlindjen e vet, në Guci, në vitin 1957 zyrtarisht hapi punëtorinë fotografike e katër vite më vonë, në vitin 1961, jep provimin për fotograf të kualifikimit të lartë. Në fushëveprimin fotograf, Sulo ka ndierë dashuri dhe nevojë të fotografojë panorama në teknikën bardhë e zi, të cilat edhe në kohën e tashme janë kryevepra të vogla.
Përveç punës së vet të lirë në profesionin e fotografit, të cilën e ka kryer në punëtorinë e vet në Guci, Sulo me objektivat e aparateve të veta të lloj-llojshme fotografike në terren në Guci, Plavë, vendbanime rurale në rrethinën e tyre, por edhe më gjerë, në fotoshiritat e aparateve ka regjistruar e inçizuar ngjarje të gëzuara e pikëlluara, ceremoniale dasmash, mortesh dhe manifestimesh të ndryshme individuale, familjare dhe shoqërore.
Fotografi Sulejman – Sulo Hoxhiq, veprimtarinë e vet profesionale e ka shprehur edhe në bashkëpunim zyrtar me njësitet ushtarake të vendit dhe ato të punëve të brendshme deri ne vitin 1983, duke punuar fotografi të rasteve kriminalistike, pastaj të inspektimeve të ndryshme (vrasjesh, aksidentesh trafiku rrugor, etj.).
Padyshim konstatohet se Sulejman – Sulo Hoxhiq ka qenë njëri prej fotografëve më të mirë në Mal të Zi. Fotografitë e tij të rrugëve, rrugicave, sokaqeve, fushave, bjeshkëve, ujërave, liqeve dhe ngjarjeve të ndryshme të Gucisë, vërtet janë vepra me peshë dhe vlerë artistike.
Ca vite me radhë fotografi Sulo Hoxhiq, Komunën e Plavës e ka përfaqësuar si anëtar i Dhomës Ekonomike në resorin e ekonomisë së vogël dhe të zejtarisë. Shumë gucijanë dhe plavjanë, sigurisht edhe më gjerë, tani të ndjerin Sulejman – Sulo Hoxhiq e mbajnë mend jo vetëm sipas fotografive, por edhe sipas barsoletave dhe shakave, të cilat kanë qenë të llojit të veçantë, ashtu që edhe në ditët e tashme jo rrallë në tubime dhe takime të ndryshme rrëfehen barsoletat e të ndjerit Sulo, të cilat kanë qenë të posaçme vetëm për çarshinë e Gucisë.