Njeri modest dhe me autoritet

Nuk mund të shkruash portretin e Daut Shurdhës pa përmendur punën dhe veprimtarinë në Kosovë, ku ka qenë në pozita të larta menaxhuese si njëri ndër drejtuesit e Termocentralit “Kosova B”, këtij gjiganti ekonomik. Një prej kontributeve të tij në këtë ndërmarrje ka qenë politika për avancimin e pozitës së popullit shqiptar, që ka mbetur në çdo qelizë të qenies së tij. Vetëm një autoritet i tillë ka pasur mundësi dhe fuqi intelektuale të ballafaqohet me sfida të tilla për të mbrojtur të drejtat e punëtorëve dhe të kombit shqiptar në përgjithësi, në ato kohë të vështira

Ismet Karamanaga

Daut Shurdha është një njeri i rrallë dhe i jashtëzakonshëm. E them këtë pasi që gjaku dhe gjenet e trashëguara nga familja e njohur ulqinake Shurdha janë reflektuar gjithmonë në personalitetin e tij. Ashtu si edhe disa të tjerë të lindur në Ulqinin tonë të bukur, Dauti i takon plejadës së intelektualëve të Ulqinit të cilët janë shkolluar, arsimuar dhe formuar si personalitete më së tepërmi në Kosovë, ku edhe kanë dhënë kontribut të madh për zhvillimin e saj por edhe për përparimin e popullit shqiptar në përgjithësi. Por mendjen dhe zemrën e kanë pasur gjithmonë në vendlindjen e tyre – Ulqinin.
Ulqinakët e njohin pak Daut Shurdhën duke qenë se për shumë vite ka jetuar dhe punuar në Prishtinë. Megjithatë, për çdo vit, si shumë të tjerë të lindur në shkumbën e detit, ka ardhur në shtëpinë e tij në qendër të Pazarit të moçëm. Edhe tani, pas pensionimit, vjen në Ulqin, pavarësisht se familja e tij e ngushtë jeton në Prishtinë. Por malli për vendlindjen, Kroin e Pazarit, gurët e Kalasë, shtëpinë e tij të lindjes e tërheqë edhe në këtë moshë. Asgjë nuk mund ta frenojë për shkak të nostalgjisë së madhe për Ulqinin, pjesëtarët e familjes Shurdha, Pazarin e Vjetër ku ka lindur etj. Ulqinin nuk e ka harruar kurrë dhe atij gjithmonë i ka mbetur besnik. Ulqini pa dyshim që është në mendjen, zemrën dhe kujtesën e tij.
Edhe pse e njoh pak, më kujtohet se Daut Shurdha qysh si i ri ka qenë komunikues, i qeshur, i arsimuar dhe me autoritet te qytetarët, fqinjët e tij, por kam dëgjuar edhe ndër qytetarët e Prishtinës, ku ai është formuar si personalitet, i dashur dhe i respektuar nga të gjithë.
Shumë kujtime për Daut Shurdhën i kam nga nipi i tij, Fatmir Ismailaga, tashmë i ndjerë, me të cilin kam qenë shumë i lidhur. Më kujtohet se kurdoherë që vinte në Ulqin dhe kur e takoja me nipin e tij, Fatmirin – “Agën”, pamja e tij fizike na linte mbresa të veçanta. “Aga” ishte krenar kurdoherë që e përmendte dajën e tij, sidomos kur ai vinte në Kala për të takuar motrën e tij Elmazen, ose kur e takonte në Ranë.
Një personalitet me autoritet të rrallë, siç ka qenë dhe është Dauti, ka lënë mbresa të veçanta edhe gjatë qëndrimit të tij në Mynih të Gjermanisë, në vitin 1988, kur është emëruar drejtor i Ndërmarrjes “Eximkos”. Pavarësisht nga mosha, ai ka mbetur një figurë markante e qytetit tonë të bukur të Ulqinit, një njeri me virtyte, i vyeshëm, me një pedigre të lindur. Mjafton të përmendet familja e njohur Shurdha, nga e cila kanë dalë njerëz të shquar, ndër të cilët kapedanë me famë, shkrimtarë dhe studiues. Dauti qëndron në majën e piramidës së kësaj familjeje. Në çdo hap dhe lëvizje të fytyrës së tij shquhet autoriteti dhe forca tërheqëse.
Nuk mund të shkruash portretin e Daut Shurdhës pa përmendur punën dhe veprimtarinë në Kosovë, ku ka qenë në pozita të larta menaxhuese si njëri ndër drejtuesit e Termocentralit “Kosova B”, këtij gjiganti ekonomik. Një prej kontributeve të tij në këtë ndërmarrje ka qenë politika për avancimin e pozitës së popullit shqiptar, që ka mbetur në çdo qelizë të qenies së tij. Vetëm një autoritet i tillë ka pasur mundësi dhe fuqi intelektuale të ballafaqohet me sfida të tilla për të mbrojtur të drejtat e punëtorëve dhe të kombit shqiptar në përgjithësi, në ato kohë të vështira. Kjo veprimtari e tij filloi të dalë në pah edhe më tepër pas intensifikimit të shfaqjeve të nacional-shovinizmit serb dhe ekspozimit të popullatës shqiptare ndaj dhunës në forma të ndryshme. Si një profesionist i dalluar në lëmin e tij, ai gjithmonë ka punuar dhe vepruar në një nivel të lartë, duke mos i lënë pas dore kurrë të drejtat e punëtorëve shqiptarë. Nga shumë intelektualë të Ulqinit, të cilët kanë jetuar apo vazhdojnë të jetojnë në Kosovë, kam dëgjuar se Daut Shurdha ka pasur gjithmonë një autoritet të veçantë te punëtorët.
Disa fjalë për familjen e Daut Shurdhës. Më kujtohet nëna e tij, zonja Fatime në shtëpinë e tyre përballë Pazarit të Moçëm. Si fëmijë shpeshherë kemi shkuar për të “hanger” fiq, me nipin e tij Fatmirin. Familja e Dautit ka pasur një kopsht të bukur, plot me pemë, që për ne “kalalitë” ka qenë si një parajsë duke qenë se në Kala nuk kemi pasur diçka të tillë. Nëna e tij ka qenë një zonjë “e rëndë”, siç themi në Ulqin. E bija e saj, e ndjera Elmaze Ismailaga, ishte e martuar në Kala, për Mustafë Ismailagën, djalin e madh të halla Hajlijes, motrës së babait tim – kapedan Hasan – Cano Karamanagës. Elmazja ishte një zonjë në kuptimin e plotë të fjalës dhe ajo pa dyshim që ka lënë gjurmë të pashlyera në Kalanë tonë. Mua më ka dashur shumë kur isha i vogël si fëmijë, por edhe më vonë kur u rritëm. Gjithmonë më bisedonte dhe më tregonte për të parët e saj dhe për prejardhjen e familjes Shurdha. Ajo gjithmonë e ka pasur në mend dhe në zemër vëllain e saj Dautin. Ajo dhe të tjerët e kanë adhuruar gjithmonë Dautin pasi që ai ka qenë autoriteti dhe më i dashuri prej të gjithë fëmijëve të kësaj familjeje. Ai është një njeri i sinqertë dhe “i butë” që falë autoritetit të tij, si intelektual, ka bërë shumë jo vetëm për familjen e tij të ngushtë, por edhe për shumë ulqinakë. Këto kam pasur rast t’i dëgjoj nga rrëfimet e Elmazes dhe Fatmirit.
Më ka rastisur që ndonjëherë edhe të pi kafe me të në Ranë, kur ai ka ardhur në Ulqin. Mbaj mend se herën e fundit e kam takuar me zonjën e tij Melihaten në Ranë. Në kafenenë “Riva” kemi biseduar shkurtimisht edhe për jetën e tij dhe për kohën e pensionimit. I kam bërë disa fotografi, të cilat i ruaj në arkivin tim. Edhe sot ai ka mbetur ashtu siç ka qenë gjithmonë – modest, por që me autoritetin e tij lë te bashkëbiseduesi mbresa të thella.
Daut Shurdha u lind në Ulqin, në vitin 1935 prej prindërve Fatime dhe Hamit Shurdha. Ishte fëmija i shtatë i këtij çifti bashkëshortor, pas vëllait dhe pesë motrave. Pas mbarimit të shkollës fillore në Ulqin, punoi për tri vite në vendlindje, fillimisht si ndihmësteknik i dhëmbëve e më pas në ndërmarrjen turistike. Mirëpo dëshira për t’u arsimuar e shtynë, si shumë intelektualë të tjerë, të largohet nga Ulqini. Po përmendi me këtë rast edhe disa intelektualë të tjerë me peshë kombëtare nga Ulqini, si Ruzhdi Ushaku, Ali Llunji, Hajro Ulqinaku, Basri Çapriqi dhe shumë të tjerë, të cilët u larguan nga Ulqini për të vijuar shkollimin në Kosovë dhe Maqedoni. Kësisoj edhe Dauti në vitin 1953 u regjistrua në Shkollën Normale në Prishtinë. Pas përfundimit të saj, në vitin 1958 filloi studimet në Fakultetin Ekonomik në Shkup. Pas diplomimit, në vitin 1963 filloi punë si ekonomist në Kombinatin në Obiliq, ku në periudhën kohore 1967-1973 ushtroi detyrën e drejtorit komercial. Në vitin 1974 u emërua drejtor i Termocentralit “Kosova B”, detyrë që e ushtroi gjatë gjithë procesit të ndërtimit të këtij termocentrali deri në vitin 1988, kur u emërua drejtor i Ndërmarrjes “Eximkos” në Mynih të Gjermanisë. Këtë post e mbajti deri në vendosjen e masave të dhunshme në vitin 1990, kur u kthye në Prishtinë dhe Ulqin.
Vitet e pensionit i kalon në Prishtinë dhe Ulqin. Bashkëshortja e tij, znj. Melihate Shurdha është arsimtare e gjuhës shqipe. Ajo ka pasur një rol dhe ndikim të madh në jetën e tij, duke e mbështetur në përballjen me sfidat e ndryshme jetësore, sidomos gjatë punës së tij në poste drejtuese ku është ballafaquar me politikën nacionaliste e shoviniste serbe. Ky çift i rrallë ka një familje të shëndoshë. Janë prindër të tri vajzave dhe të një djali si dhe gjyshër të gjashtë mbesave e pesë nipave. Dautit i uroj jetë të gjatë, të bukur dhe të kënaqur në mesin e familjarëve të tij.
Mendoj se është mirë që personalitetet, siç është Daut Shurdha, t’i nxjerrim në dritën e historisë, të shkruajmë për ta, sepse vetëm kështu ata nuk do të harrohen kurrë. Është mirë që gjeneratat e reja të njihen me personalitete të tilla që kanë bërë shumë për popullin tonë. Këto edhe më kanë shtyrë që të shkruaj një portret të shkurtër për këtë personalitet të qytetit tonë, që do të jetë pjesë e librit tim të ri në dorëshkrim nga cikli “Ulqini Florini – Portrete, In Memoriame”.

Të fundit

më të lexuarat