Një jetë me fëmijë

Fëmijët e donin dhe e respektonin mësuesen, edukatoren e kujdesshme dhe të palodhshme. Punën edukativo-arsimore e kishte pasion dhe ishte e përgjegjshme në punë. Me qëndrimin e përgjegjësisë ndaj punës, profesionit që ushtronte, u bë e dashur për fëmijë dhe prindër, të cilët dëshironin që fëmijët e vet t’i regjistrojnë tek edukatore Gjylija, në grupin e së cilës kishte mbi 50 fëmijë

Gjylije (Riza) Teliqi – Kurti u lind më 12 shkurt 1956 në fshatin Sukubinë, ku dhe mbaroi ciklin e ulët pesëklasësh e më pas kreu tetëvjeçaren në shkollën fillore “Bedri Elezaga” në Katërkollë, shkollë kjo model nga e cila dolën shumë intelektualë e veçanërisht mësues, të cilët përhapnin dije e edukim në Anë të Malit, Ulqin, Krajë etj.. Pasi e mbaroi shkollën fillore, e frymëzuar nga mësuesit e saj vazhdoi Akademinë Pedagogjike në Prishtinë, ku dhe diplomoi me sukses në vitin 1978, duke marrë titullin “Arsimtare e mësimit klasor”.
Po këtë vit u kthye në vendlindje dhe më 21 shtator 1978 u punësua edukatore me kohë të caktuar në Kopshtin e fëmijëve “Solidariteti” në Ulqin, ku punoi deri më 1 mars 1979, e më pas mësuese në fshatin Pistull, paralele kjo e ndarë e shkollës fillore “Marshall Tito“ – Ulqin. Me kohë të caktuar punoi edhe në fshatin e lindjes Sukubinë, si mësuesja e parë femër në këtë shkollë, paralele e ndarë e shkollës fillore “Bedri Elezaga“ – Katërkollë.
Meqë kishte nevojë për kuadro të kualifikuar në entin parashkollor, Gjylija pa shkëputje nga puna vazhdoi kualifikimin për edukatore në Qendrën për Arsimimin e Lartë “Skënderbeu”’ në Gjilan, ku diplomoi në vitin 1979 dhe mori titullin “Edukatore e edukimit parashkollor”.
Më 13 tetor 1980 u punësua përsëri në Entin parashkollor “Solidariteti”, ku krijoi marrëdhënie të përhershme pune.
Fëmijët e donin dhe e respektonin mësuesen, edukatoren e kujdesshme dhe të palodhshme. Punën edukativo-arsimore e kishte pasion dhe ishte e përgjegjshme në punë. Me qëndrimin e përgjegjësisë ndaj punës, profesionit që ushtronte, u bë e dashur për fëmijë dhe prindër, të cilët dëshironin që fëmijët e vet t’i regjistrojnë tek edukatore Gjylija, në grupin e së cilës kishte mbi 50 fëmijë.
Në aktivitetet që organizonin me raste festive si Ditën e kopshtit, Ditën e Nënës, shënimin e datave të ndryshme, fëmijët e grupit që udhëhiqte i përgatiste në mënyrë dinjitoze. Bashkëpunimi me rrethin shoqëror, organizatat joqeveritare, puna me fëmijë në aktivitete të lira ishin pjesë përbërëse dhe merrte pjesë në çdo aktivitet ku i ofrohej mundësia, në Ulqin dhe jashtë tij.
Kishte merita të mëdha edhe për punën me fëmijët refugjatë gjatë luftës së Kosovës 1998/1999, ku u angazhua në shoqatën “Ylberi“ (Klubi për fëmijë dhe të rinj), e cila bashkëpunonte me organizatën “Save the Children“, ku në fillim punonte me fëmijët e ikur nga lufta e pastaj u vazhdua të mbështeten fëmijët e familjeve me kushte të vështira sociale.
Në vitin 2012, pranë shoqatës “Enfants” – Rozhajë punoi me fëmijët e komunitetit rom për përfshirjen e tyre në sistemin shkollor, edukim dhe arsimim të çdo fëmije pa dallim race e gjinie.
Me reformën e sistemit shkollor, në vitin 2007-2011 punoi pranë shkollës fillore “Marshall Tito“ me klasat e para, paralel me mësues në klasë, si edukatore me përvojë dhe kualifikim të dyfishtë – mësuese dhe edukatore.
Trazirat e vitit 1981/1982 nuk e anashkaluan as Ulqinin, ku në shënjestër ishin punonjësit më të dalluar të arsimit, në mesin e të cilëve u gjet edhe edukatorja Gjylije Kurti, e cila u dënua me “Përjashtim nga puna (me kusht)“, me pretekstin se gjoja kishte nxitur nacionalizmin dhe irredentizmin shqiptar te vogëlushët parashkollorë, ngase me fëmijë kishte punuar flamuj kombëtarë prej letre ndriçuese.
Gjyla në mënyrë të vazhdueshme kërkonte që literatura për grupet shqipe si dhe dokumentet administrative pedagogjike të jenë edhe në gjuhën shqipe, e drejtë kjo që nuk zbatohej nga udhëheqja e kopshtit.
Profesionin e mësueses, edukatores e ushtroi me përgjegjësi të lartë morale dhe profesionale. Me shembullin e vet ndikoi tek edukatoret e reja dhe tregoi si punohet dhe flijohen interesat personale për të mirën e fëmijëve – ardhmërisë sonë.
Edukatorja e nderuar punoi në IPP “Solidariteti“ gjer në vitin 2022, nga ku dhe u pensionua.
Nga zemra i urojmë shëndet, jetë të gjatë, pleqëri të mbarë pranë gjirit familjar me nipër e mbesa!

Lumnije Bisha

Të fundit

më të lexuarat