Një histori ndryshe nga mësuesi nëpension Idriz Kallaba

Kam lindur me 05.05.1945 në fshatin Brajshë të Anës së Malit, në një familje me varfëri të skajshme. Shkollën tetëvjeçare e kam kryer në Katërkollë, duke iu falënderuar drejtorit të shkollës në atë kohë, tani të ndjerit Jonuz Divani. Nga 19 nxënës që e kemi kryer klasën e tetë, 16 jemi regjistruar në shkolla të mesme. Ai na orientoi dhe na ndihmoi të regjistrohemi dhe na i siguroi bursat. U regjistrova në shkollën e mesme normale në Gjakovë, të cilën e kam përfunduar në vitin shkollor 1965/66

Luljeta Avdiu – Cura

Më vonë gjithashtu kam kryer me korrespondencë Shkollën e Lartë Pedagogjike, grupi gjeografi-histori po në Gjakovë. Jam punësuar në shkollën fillore “Bedri Elezaga”në Katërkollë me 1.10.1966 me kontratë, duke pranuar që gjysmëvjetorin e dytë të punoj në paralelen e ndarë-Kllezën. Në Katërkollë punova 5 vjet duke e ripërtërirë kontratën për çdo vit, sepse u ruhej vendi i punës mësuesve më të vjetër, të cilët punonin në klasët e larta, ngase mungonte kuadri profesional. Në vitin shkollor 1971/72 u hap paralelja e ndarë Rashtishë, ku u caktova si mësues me vendim. Këtu punova katër vjet. Në vitin shkollor 1975/76 mësimdhënësi i gjeografisë shkoi në shërbimin ushtarak, e pasi që e kisha kryer shkollën e lartë pedagogjike, drejtori i shkollës më caktoi për atë vit shkollor të punoj në shkollën amë, në klasët e larta, orët e gjeografisë.
Gjatë këtij viti shkollor pata probleme shëndetësore dhe në këtë mënyrë drejtori i shkollës Xhevdet Hollaj-tani i ndjerë më caktoi ndihmësdrejtor të shkollës për katër vjet (për këtë më lajmëruan në gusht të 1976-tës sepse kisha disa muaj i shtruar në spitalin e Tivarit). Në vitin shkollor 1980/81 përsëri m’u desh ta vazhdoj mandatin e dytë për të mos e lënë pa punë një koleg i cili kishte diplomuar para meje.
Në këtë kohë drejtor i shkollës ishte Rexhep Kokaj (1977/81), duke e parë gjendjen politike të asaj kohe që ishte shumë e keqe për të gjithë shqiptarët që jetonin në Jugosllavi, Rexhepi nuk pranoi të paraqitet në një mandat të dytë, edhe pse konkursi u shpall dy herë dhe askush nuk u paraqit në konkurs. Këshilli i shkollës më emëroi mua drejtor, kurse mësuesin e vjetër Faik Avdiu – ndihmësdrejtor, sepse kështu lirohej vendi i punës për një mësues.
Nga shtatori i vitit 1981 unë fillova punën si drejtor i shkollës, edhe pse e dija se çfarë sfidash më prisnin. Gjatë pushimit veror kishim fituar një shkresë nga Ministria e Arsimit se në vitin shkollor 1981/82 tekstet shkollore të cilat shtypen në Kosovë nuk mund të përdoren në shkollën fillore. Viti shkollor veç kishte filluar, kurse ne nuk dinim se cilat do të jenë tekstet shkollore të cilat shtypen në Kosovë e nuk mund të përdoren në shkollën fillore dhe nuk dinim se cilat do të jenë tekstet me të cilat do të shërbehen nxënësit e shkollave fillore në Mal të Zi që mësojnë në gjuhen shqipe. Përgjigjen në këtë pyetje nuk e dinte askush tjetër përveç Komitetit Qendror të Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë, e cila planprogramet dhe tekstet shkollore që përdoreshin në Kosovë i konsideronte armiqësore. Në shkollat shqipe në Mal të Zi, planprogramet ishin të përpiluara këtu, ndërsa tekstet merreshin nga Kosova. Me 4 shtator të gjithë drejtorët e shkollave ishin të thirrur në mbledhje, të cilën e organizonte Lidhja Socialiste e Ulqinit. Në këtë mbledhje kërkohej që përveç teksteve shkollore të pastrohen edhe bibliotekat e shkollave nga librat me përmbajtje nacionaliste e irredentiste. Në këtë mbledhje unë propozova që të formohet një grup i punës në nivel të Republikës së Malit të Zi, që të vendosë ku të merren tekstet shkollore për nxënësit që mësojnë në gjuhen shqipe, si edhe për biblioteka të caktohen librat të cilët mund të përdoren për lektyra shkollore. Këtë grup pune ta caktojë Ministria e Arsimit e Malit të Zi nga radhët e veta. Me 20 shator nga Këshilli për Arsim pranë komunës fitova një shkresë që shkolla fillore “Bedri Elezaga”- Vlladimir të përgatisë një program kulturo-artistik me rastin e inaugurimit të bibliotekës në Vlladimir, me datën 24 shtator.
Pra, programi të përgatitet me nxënës për tri ditë. Me datat 26, 27 shtator mbahet një seminar provokues vetëm për mësimdhënësit shqiptarë që punonin në Mal të Zi. Seminari ishte i organizuar aq mirë, me përmbajtje të temave provokuese, sa që shumica e pjesëmarrësve në diskutime u ndëshkuan më vonë, sepse u shpallën nga organizuesit si nacionalistë e armiqësorë. Armiq u shpallën edhe ata që nuk folën në seminar ose në mbledhjet e partisë, ose nëpër organizata që në atë kohë ekzistonin, Lidhja e Rinisë, Lidhja Sindikale, Lidhja e Luftëtarëve. Unë edhe pse nuk fola në seminar e dija që nuk jam i përshtatshëm qysh se nuk e mora pëlqimin për drejtor nga Komiteti Komunal i Lidhjes Komuniste. Isha këshilltar në Kuvendin e Komunës 1978-1982, anëtar i Këshillit të Shkollës, udhëheqës i mbrojtjes civile për Bashkësinë e vendit Vlladimir dhe anëtar i shumë forumeve si këshilltar. Me 12 dhjetor 1981 Komiteti Komunal i Lidhjes Komuniste solli vendimin për përjashtimin nga puna të pesë profesorëve nga gjimnazi “Vëllazërim-bashkim” – Ulqin: Bajram Rexha, Qazim Rexha, Tahir Pereziqi, Mehmet Bardhi e Mejreme Mara dhe katër mësimdhënësve nga shkolla fillore “Bedri Elezaga”-Vlladimir:
Idriz Kallaba (drejtor), Rexhep Kokaj (ish-drejtor), Kadri Doda dhe Mehdi Alaj. Me dhjetëra mësimdhënës të tjerë u ndëshkuan me masa të ndryshme partiake. Akuzat ishin se mësimdhënësit e lartpërmendur ishin të rrezikshëm për edukimin dhe arsimimin e brezave të ri, sepse janë nacionalistë, separatistë, irredentistë….dhe mund t’i indoktrinojnë nxënësit. Ndërsa akuza për mua ishte për sjellje oportuniste, mosgatishmëri dhe gjunjëzim gjatë identifikimit të elementeve nacionaliste, irredentiste e separatiste. Lidhja e komunistëve dhe organizatat tjera të çdo kolektivi punues në komunë mbanin mbledhje dhe ishin të detyruar ta përmbajnë vendimin e Komitetit komunal, përndryshe ata që e kundërshtonin vendimin mund të ndëshkoheshin. Ka ndodhur që prindi, vëllai, motra apo bashkëshortja kanë votuar për dënimin dhe ndëshkimin e këtyre mësimdhënësve ose të klasifikohen si ata.(Vijon)


(Vijon nga numri i kaluar)
Në organizatën bazë të Lidhjes Komuniste në shkollën fillore ”Bedri Elezaga” – Vlladimir mbledhja u mbajt me 15.12.1981. Në mbledhje përveç shumë funksionarëve të komunës dhe republikës mori pjesë edhe Mijat Shukoviqi – kryetar i Gjyqit Kushtetues të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (Predsjednik Ustavnog Suda SFRJ).Të ndëshkuarit, por edhe shumë të tjerë diskutuan dhe paraqitën mendimet e tyre se masat janë shumë të ashpra, por në fund të mbledhjes pasi që mysafirët dhanë versionet e tyre, vendimi i Organizatës Bazë ishte në mënyrë unanime që këta katër mësimdhënës të përjashtohen nga partia dhe të suspendohen nga puna deri në vendimin e gjyqit të Punës së Bashkuar. Pra, partia sjell vendimin edhe për Kadri Dodën dhe Mehdi Alajn që nuk kishin qenë kurrë anëtarë partie. Pas dy ditësh mora urdhër nga organet e komunës që me datën 18 dhjetor në mëngjes, bashkë me tre mësimdhënësit e dënuar, para se të fillojë mësimi të largohemi nga shkolla, duke mos guxuar të vijmë në objektin shkollor as si prindër deri në vendimin e gjyqit. Gjyqi u mbajt me 13.02.1982 dhe solli vendimin për ndërprerje të marrëdhënies së punës, për të gjithë mësimdhënësit e suspenduar. Vazhduam me ankesa nga Organizata Punuese, Komiteti komunal, republikan e federativ. Përgjigjet ishin të gjitha negative. Ishim të përcjellë nga organet e sigurimit, të thirrur në pyetje kohë pas kohe dhe shumë here të lodhur nga ato pa arsye. Na konsideronin armiq të popullit. Shpeshherë organet e sigurimit dhe të pushtetit në përgjithësi silleshin në mënyrë arrogante edhe ndaj anëtarëve të familjeve tona. Për t’iu larguar kontakteve me organet e pushtetit dhe me shokët e përjashtuar nga puna, por edhe me të tjerët që mund të ndëshkoheshin në qoftë se rrinin me ne, vendosa të merrem me bujqësi. E keqja më e madhe ishte se ne ishim dënuar si grup armiqësor e jo vetëm si persona dhe nuk guxonim të takoheshim ndërmjet veti, por as me punëtorët tjerë të arsimit. Na ishte hequr edhe e drejta prindërore për fëmijët që i kishim në shkollë. Fëmijët tanë konsideroheshin si fëmijët e armiqve të shtetit dhe e ndienin mungesën prindërore. Me 22.08.1984 nëpërmes një të njohuri u punësova si punëtor fizik sezonal në kriporen e Ulqinit, ku punova katër muaj. Ai që më pranoi në punë u thirr për të dhënë përgjegjësi nga Organizata Bazë e Partisë. Prandaj, edhe pse kisha nevojë të punoj çfarëdo pune për të siguruar ekzistencën time dhe të familjes, isha i padëshiruar edhe për punë fizike. Ai që guxonte të na mbajë e pësonte edhe më keq se ne. Vëllai im punonte në sipërmarrjen e ndërtimit “Primorje”- Ulqin si shofer. Deri me 11 mars 1981 (fillimi i ngjarjeve në Kosovë) isha punëtor i dalluar në këtë sipërmarrje. Pas ngjarjeve në Kosovë, por sidomos pasi që unë u shpalla armik i shtetit ai u bë i padëshiruar për të gjithë udhëheqësit e sipërmarrjes (të gjithë të kombësisë malazeze apo serbe). Jo vetëm në ndonjë mbledhje por edhe në biseda shoqërore i thoshin: ”diskutimet tuaja janë armiqësore, ti je armik i Jugosllavisë sikurse vëllai yt”. Në korrik të vitit 1986 tentuan ta likuidonin me tradhti (u qëllua me një shufër hekuri nga prapa). U detyrua ta lëshojë punën dhe të largohet për një kohë në ShBA, pastaj të shkojë në pension para kohe, ngase dhuna ndaj shqiptarëve në përgjithësi shtohej çdo ditë e më shumë.
Duke u munduar të më ndihmojë, djali i axhës me 08.08.1989 hapi një dyqan në fshatin Brajshë për të më punësuar, sepse u bënë 8 vjet pa punë. Këtu punova një vit e gjysmë, ndërsa te një shoku i tij, punova në Tivar nga 26.03.1992. Ishte kohë lufte dhe inflacioni ishte shumë i madh, pagën mujore që kisha atje nuk më mjaftonte as për shpenzimet e udhëtimit, prandaj vendosa të konkurroj në vendin e pastruesit të pensionuar në shkollën e Krythës. Sistemi monist kishte rënë, Jugosllavia ishte e shkatërruar nga luftërat në mes Serbisë dhe Kroacisë, Sllovenia veç e kishte fituar pavarësinë.
Me 1.11.1992 u ktheva përsëri në shkollën fillore “Bedri Elezaga”si pastrues në shkollën e Krythës deri me 1 shkurt 1993. Gjysmëvjetorin e dytë nga 31 gushti punova si mësues, por përsëri nga shtatori i vitit 1993 e deri me 1 shkurt 1994 pastrues në shkollën e Krythës. Nga 1 shkurti deri me 30 qershor mësues me kontratë në Sukubinë. Gjatë pushimit të verës mora rrogën e pastruesit edhe pse vendi i mësuesit në Sukubinë ishte i lirë. I falënderoj përzemërsisht mësimdhënësit e asaj periudhe në shkollën e Krythës të cilët më pritën me një ngrohtësi të posaçme. Më çmonin dhe më respektonin edhe më tepër se 11 vjet më parë, duke më ndihmuar moralisht dhe fizikisht dhe duke m’i kryer shumicën e punëve që më përkisnin mua.
Kah prilli i vitit 1993 bëra kërkesë për takim me ministrin Predrag Obradoviq të cilin e falënderoj shumë për pritjen e ngrohtë që më bëri. Mbeta fare i habitur për komunikimin aq miqësor dhe aq të ngrohtë me një njeri që e takova për herë të parë në jetë dhe ishte aq i afërt me mua sikurse shokët e mi të fëmijërisë. Pasi që ia tregova historinë e jetës sime dhe vuajtjet në 12 vitet e fundit duke i treguar çdo detaj, i kërkova këshilla dhe ndihmë. Këshillat që mora nga ministri Obradoviq ishin shumë të ngrohta dhe inkurajuese. U binda se më ka kuptuar drejt dhe se këshillat e dhëna e dëshmojnë këtë më së miri, duke më premtuar komunikim dhe ndihmë deri në realizimin e plotë të kërkesës sime. Më porositi që ta lajmëroja kur të hapej ndonjë konkurs për vend të lire pune në shkollat fillore në Komunën e Ulqinit. Kështu iu drejtova ministrit sipas këshillave që kisha marrë një vit më parë. Ai më priti shumë mirë dhe më premtoi se gjithçka do të rregullohet brenda një jave. Vërtet pas një jave mbërriti në shkollën fillore “Bedri Elezaga” dhe në prezencën time e urdhëroi drejtorin e shkollës që ta anulojë konkursin ku ishin shpallur dy vende të lira pune (njëri në paralelen e ndarë në Rashtishë, kurse tjetri në Kravar). E urdhëroi që për njërën nga këto dy vende të shpallë konkurs ndërsa në tjetrin të më caktojë mua. Drejtori i kërkoi që urdhëresën t’ia bëjë me shkrim e në mënyrë zyrtare, por ministri u gjend i fyer me kërkesën e tij, prandaj urdhri ishte i prerë. Autoriteti i tij duhej të respektohej pasi që ishin prezent shumë persona (ministri, zëvendësministri me bashkëshortet e tyre, ndihmësdrejtori e sekretari i shkollës. Drejtori më ofroi vendin e punës në Kravar e për vendin e punës të lirë në Rashtishë shpalli konkurs. Punova pesë vjet në Kravar por pa vendim deri në vitin shkollor 1998/99.Në vitin shkollor 1999/2000 drejtori i ri i shkollës më ofroi vend pune në shkollën amë. Këtu punova tetë vjet si mësues në klasët e ulëta ku arrita sukses të mrekullueshëm me dy gjenerata të dalluara në klasët e larta dhe në shkollë të mesme. Në vitin shkollor 2007/2008 përsëri erdhi drejtor Dr. Nail Draga i cili më kërkoi bashkëpunim. Në fillim punova për disa muaj vullnetarisht duke i kryer punët e ndihmësdrejtorit dhe duke udhëhequr klasën e katërt, pasi që vendi i ndihmësdrejtorit ishte ende i pasqaruar. Vendimin për ndihmësdrejtor e mora pas pesë muajve me 1.11.2007. Punova deri me 31.08.2010, kur edhe u pensionova.
Tani jetoj në Ulqin i qetë në pension, me bashkëshorten Naimen, djalin Ismetin, ndërsa djali i madh Hydajeti jeton në ShBA me bashkëshorten Gzimen, vajzat: Rihana, Ariana dhe Arjeta.
Biseda është zhvilluar në vitin 2010 dhe që nga ai vit është pjesë e arkivit personal.

Të fundit

më të lexuarat