![](https://kohajavore.me/wp-content/uploads/2016/12/ismet-karamanaga.jpg)
Ibrahim Berjashi është njëri prej pishtarëve të gazetarisë në gjuhën shqipe te ne dhe i takon plejadës së ulqinakëve guximtarë, të cilët e kanë lënë vendlindjen e tyre dhe kanë shkuar të shkollohen në Kosovë, ku kanë pasur mundësi më të mëdha të formohen si personalitete të kulturës me qëllim të avancimit të popullit tonë shqiptar. Përpos si intelektual, duhet theksuar se Berjashi, falë zemrës së tij të madhe, gjatë kohës që ka jetuar dhe është shkolluar në Kosovë, ka bërë shumë për ata të cilët kanë ardhur për të studiuar në Kosovë. Shumë prej tyre kanë pasur mbështetje të madhe nga shumë intelektualë ulqinakë, por edhe nga Ibrahim Berjashi.
Për të më duket se është shkruar shumë pak dhe meriton shumë më tepër sesa një portret modest nga unë, sepse ai ka dhënë një kontribut të madh. Jemi dëshmitarë që në prill, kur kremtohet Dita e Ulqinit, apo në solemnitete të tjera, pak përmenden intelektualët e qytetit tonë. Sipas mendimit tim, ata duhet të përmenden dhe të stimulohen. Mirëpo bota shqiptare nuk na harron, nuk i harron intelektualët nga Mali i Zi. Jam dëshmitar që Lidhja Ndërkombëtare e Poetëve, Shkrimtarëve dhe Artistëve “Pegasi“ nga Shqipëria dhe ajo nga Kosova, në vitin 2014 vlerësoi lart kontributin e tij për avancimin e popullit shqiptar në Malin e Zi, duke i dhënë titullin “Gazetari i vitit 2014”. Në këtë solemnitet në Muzeun Kombëtar në Tiranë, edhe unë fitova titullin e lartë për ruajtjen e vlerave të kulturës shqiptare në Mal të Zi. Ishim krenarë që na kujtuan dhe nuk na harruan. E përmenda këtë, sepse këtu në Ulqin, qytetin tonë, shpeshherë na harrojnë, por megjithatë, le të jetë ky portret dedikuar Ibrahim Berjashit një përpjekje që mos ta harrojmë jetën dhe në veçanti veprimtarinë e tij.
Që prej fillimit të punës së tij, ai u shqua si gazetar duke punuar për media të ndryshme. Mirëpo, për mua dhe për shumë qytetarë të Ulqinit ai ka lënë gjurmë të pashlyera në TV Teuta, si gazetar, redaktor dhe komentues në kohën kur pronar i këtij televizioni ishte Dino Ramoviq. Ai po ashtu ka zhvilluar një numër të madh intervistash me personazhe të njohura nga qyteti ynë, ne veçanti nga politika. Ishin këto intervista që i përcillte opinioni i gjerë, jo vetëm nga Ulqini.
Edhe disa të dhëna për këtë njeri modest, të kulturuar dhe të arsimuar. Ibrahim Berjashi ka lindur në Ostros të Krajës, ku e ka kryer shkollën fillore, pastaj regjistrohet në Shkollën Normale në Ferizaj, SHLP në Gjakovë, kurse Gjuhën dhe Letërsinë Shqipe e studioi në Fakultetin Filozofik të Prishtinës. Pas këtij rrugëtimi, ai u formua në Kosovë si një intelektual me peshë, duke u bërë një shkrimtar dhe gazetar i njohur. Me plot gojë them që ai është një arkiv i gjallë.
Është kënaqësi ta dëgjosh se si flet dhe si i kujtohet secila sekuencë e jetës së tij, që nga fëmijëria dhe rinia e tij në Krajë, pastaj shkollimi dhe jeta në Kosovë. Publicisti, gazetari, shkrimtari dhe bashkëvendasi ynë kthehet në Ulqin, ku jeton dhe vepron, duke mos e lënë kurrë pas dore as Kosovën, as popullin e saj.
Më tregon se asnjëherë nuk i ka bërë keq askujt, përkundrazi, gjithmonë është ndarë me fjalë të mira. Në rrugëtimin e tij jetësor ka pasur mbështetje të fortë nga bashkëshortja e tij Vacja.
Poezia i ka fjetur në shpirt. Në tubime dhe përurime libri, në takime me intelektualë nga vendi dhe bota shqiptare, shpeshherë e merr fjalën dhe e përkujton opinionin për personazhin në fjalë, duke treguar kulturën e tij të gjerë dhe dijen enciklopedike në përgjithësi.
Berjashi ka bashkëpunuar me shumë gazeta, revista, por edhe radiostacione në Titograd (sot Podgoricë), Prishtinë, Shkup, Tiranë dhe Diasporë, si: Jeta e Re, Fjala, Jehona, Pionieri, Fatosi, Flaka e vëllazërimit, Qëndresa (Preshevë), Nacional, Nëntori, Dita (Tiranë). Për një kohë të gjatë (nga viti 1975 deri në vitin 2002) ka qenë edhe korrespodent i rregullt i gazetës “Rilindja” nga Mali i Zi me seli në Ulqin. Në vitin 1981, pas demonstratave të studentëve në Prishtinë, regjimi pushtues i Serbisë dogji arkivin e gazetës “Rilindja” dhe këtë zbraztësi e zëvendësoi e përditshmja “Bota Sot”. Në periudhën 1978-1988, Ibrahim Berjashi ka qenë anëtar i Redaksisë së revistës “Koha”, që botohej në Titograd (Podgoricë), kështu që nëpërmjet faqeve të kësaj reviste kulturore, shoqërore, shkencore ka afirmuar një numër të konsiderueshëm të talenteve të reja të poezisë, prozës dhe kritikës letrare. Ndihma dhe këshillat e tij për shumë studentë gjithmonë kanë qenë të mirëpritura dhe frymëzuese. Po ashtu është me rëndësi të theksohet dhe të mos harrohet se Berjashi së bashku me një grup të mësuesve ishin pishtarët e parë të arsimit në Krajë, e cila gjithmonë ka qenë bastion i arsimit në gjuhën shqipe te ne, në kohën kur në Ulqin ka mbizotëruar mësimi dhe arsimi në gjuhën serbe. Me shkrimet e tij ka dhënë një kontribut të madh në avancimin e përdorimit të gjuhës shqipe te ne dhe në përgjithësi te populli shqiptar. Berjashi ishte kryeredaktor i revistave “Fati” dhe “Shpresa”, kjo e dyta dedikuar të dëbuarve nga Kosova. Ai ishte edhe nismëtar dhe kryetari i parë i Shoqatës së Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” nga Ulqini, e cila sipas mendimit tim meriton të bëhet dhe të transformohet në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Shqiptarëve në Mal të Zi.
Ibrahim Berjashi është i vyeshëm, modest dhe i kulturuar, në përgjithësi një personazh i kompletuar. Ai ka qenë dhe ka mbetur një intelektual i palodhur. Mjafton të përmendi që mbi 12 vite ka qenë gazetar-redaktor i TV Teuta dhe në arkivin e kësaj medieje ka lënë rreth 20 dokumentarë, prej të cilëve veçojmë katër episode që flasin për arbneshët e Zarës. Ka qenë recensent i shumë veprave letrare të autorëve shqiptarë nga Mali i Zi, Kosova dhe Shqipëria. Deri më tash ka botuar këto vëllime me poezi: “Lule prej gurit”, “E tej Malësi e det”, “Veloret e bardha”, “Lundra e humbur”, “Floçka e liqenit”, “Orët e vetmisë”, “Gati u harruam”, “Ma kthe buzëqeshjen Eva”, si edhe romanet “Hienat e Pinjeshit”, “Vajza syshkruar e Gjeranave”, “Ora e Rumisë”. Në proces të botimit janë dy vepra letrare – “Liburna me yje” dhe “Dua të jetoj”. Është bashkautor i përzgjedhjes “Dritaren lëre hapur” dhe mbi pesëmbëdhjetë vjet ka bashkorganizuar “Kalimerën poetike”. “Sirena e liqenit” është lektyrë për nxënësit shqiptarë të shkollave fillore në Mal të Zi. Në vitin 1996 ka bashkorganizuar 440-vjetorin e botimit të Mesharit të Buzukut, ndërsa ka organizuar edhe simpoziumin me rastin e 113-vjetorit të Mevlydit të Hafiz Ali Riza Ulqinakut, si dhe mbi veprimtarinë jetësore dhe fetare të Shejh Tahir Kanaqit. Në vitin 1992 ka bashkëshpallur Memorandumin për status special të shqiptarëvee në Malin e Zi. Disa herë ka marrë pjesë në Seminarin “Shkodra në shekuj”, ku ka prezantuar tema me motive nga Ulqini, Kraja e Tivari. Një kontribut të dalluar ka dhënë me rastin e hulumtimit të Masakrës së Tivarit. Disa krijime letrare i janë prezantuar edhe në gjuhën malazeze, si në “Pobjeda”, “Stvaranje”. Ndërkaq, si poet është prezantuar edhe jashtë Malit të Zi, si në Maribor të Sllovenisë dhe Munih të Gjermanisë. Me OJQ “Harmonia” ka realizuar disa edicione në Ulqin me Gratë krijuese të vendeve te rajonit. I dëshiroj rrugëtim të mbarë në jetë, por edhe një jetë të gjatë, shëndet dhe mendje të mprehtë, suksese në punën e tij dhe shkrime të tjera për të mirën e të gjithë neve.
Po e përsëris edhe një herë: duhet të jemi krenarë që e kemi ende të fortë dhe të shëndoshë, për të mirën e të gjithë kombit tonë. Mendoj që është mirë që njerëzit, siç është edhe Ibrahim Berjashi, t’i nxjerrim nga harresa duke shkruar për ta, t’i kujtojmë dhe mos t’i harrojmë, në veçanti derisa janë në këtë botë, sepse ata janë dhe do të mbesin trashëgimia jonë e lavdishme. Një popull i cili në mesin e vet ka njerëz të tillë, në veçanti intelektualë të këtij niveli në fushën e kulturës dhe jeta në përgjithësi, duhet të mburret dhe të jetë krenarë, sepse ata bëjnë pjesë në emancipimin dhe e ngrejnë emrin e tij në botën kulturore globale.
Përkundër faktit se jemi popull i vogël, gjithmonë kemi pasur dhe kemi njerëz të cilët me veprën e tyre na zbardhojnë faqen anembanë rruzullit toksor dhe me të cilët mund të krenohemi. Jam krenar që portreti i tij do ta qëndisë librin tim nga cikli “Ulqini Florini – Portrete, In memoriame”, vëllimi i pestë i të cilit është në përgatitje për botim.