Në shënimin gjenealogjik të trungut të familjes së heroit kombëtar shqiptar, Jakup Ferri, të prof. dr. Naser Ferrit, kushtuar paraardhësit të vet, pjesëtarit të kësaj familje patriotike mbarëkombëtare, martirit të kombit, Riza Ferri, për jetën dhe veprimtarinë e të cilit fare pak dihet, thuhet: “Riza Ferri, nip i heroit kombëtar mbarëshqiptar, Jakup Ferrit (i biri i Mehmedit, njërit nga pesë bijtë e Jakupit) u lind në Plavë më 1904. Ishte ndër intelektualët e pakët të trevës se Plavë- Gucisë i cili kreu Fakultetin e Veterinarisë në Milano të Italisë”.
Në shënimin e vet arkeologu, prof. dr. Naser Ferri, shkruan se paraardhësi i tij Riza Ferri shumë herët iu ishte bashkëngjitur veprimtarisë atdhetare të xhaxhait të tij, Hasan Ferrit, dhe pjesëtarëve të tjerë të kësaj familjeje, duke qenë anëtar i Ballit Kombëtar.
Në vitin 1941 bëhet prefekt i Dibrës, ndërsa djali i xhaxhait tij, Shemsi (Agan) Ferri, prefekt i Plavës.
Për shkak të veprimtarisë së tij patriotike, ishte arrestuar nga pushteti komunist i cili deshi edhe ta ekstradojë në Jugosllavi sipas kërkesave të komunistëve jugosllavë.
Me të kuptuar që do të ekstradohet, Rizai bëri vetëvrasje në burg të Shkodrës më 17.04.1945, duke pirë helmin, të cilin e mbante të fshehur në unazë, për të mos rënë i gjallë në duar sllavëve.
Pas ardhjes si familjar i Rizait, në shënimin e vet shkruan se pos që asokohe komunistet ia zhdukën vendvarrimin, për fat të keq edhe sot pak dihet për këtë intelektual atdhetar, emri i tij nuk përmendet as në Historinë e Popullit Shqiptar, as në Fjalorin Enciklopedik të Shqipërisë, as në Fjalorin Enciklopedik të Kosovës, e po ashtu në asnjë botim tjetër relevant.
Në shënimin monografik të prof. dr. Naser Ferrit, thuhet që me rastin e 100- vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, Enver Hoxha, nën presionin nga Mehmet Shehu, kishte refuzuar ta dekoronte Jakup Ferrin me pretekst se ”i kishte pasur pasardhësit ballistë”.
Presidenti Sali Berisha, deri diku e kishte përmirësuar këtë gabim, duke i dekoruar Jakup e Hasan Ferrin (por jo me dekoratë të heroit kombëtar, të cilën e meritojnë që të dy).
Ky është realiteti i kujtesës së shkurtër të shqiptarëve dhe pasqyrë e mosvlerësimit të personaliteteve të merituara kombëtare që sakrifikuan edhe jetën për të mirë të kombit!
Përndryshe, duke u mbështetur në të dhënat e shënimit monografik të prof. dr. Naser Ferrit, këtë portret me vullnet të plotë e përgatita, me qëllim që lexuesit e të përjavshmes “Koha Javore”, por edhe aderuesit e tjerë të fjalës së shkruar letrare, dhe mirënjohësit e ngjarjeve dhe rrethanave mbarëkombëtare shqiptare, pak a shumë të kanë dijeni për martirin e kombit Riza Ferri, pjesëtarin e familjes patriotike kombëtare shqiptare, patriotit, heroit dhe komandantit legjendar shqiptar, Jakup Ferri, personalitet ky të cilin duhet përkujtuar.
Sh. Hasangjekaj