Kapedani me zemër të madhe

Kapedan Skender Nimanbegu ishte njeri me një inteligjencë të jashtëzakonshme, njohës i shumë gjuhëve të huaja. E di se ka folur gjuhën angleze, gjermane, italiane dhe spanjolle. Pasuria e tij ishte jo vetëm dija, por edhe pasuria shpirtërore. Ishte kapedan me zemër të gjerë, ashtu siç është edhe deti, ku ai ka lundruar tërë jetën e tij

Ismet Karamanaga

Na mungon Deni. Ka kohë që ka ndërruar jetë, mirëpo kujtimet për të janë gjithmonë mes nesh. Shpeshherë e përmendim në Kala, por edhe në kafenetë buzë detit, gjatë kafes së parë të mëngjesit, kur flitet për detarë dhe kapedanë me nam, të cilët kanë mbajtur flamurin e detarisë sonë të famshme. Natyrisht, Deni i mungon më së shumti familjes së tij të ngushtë, por jam më se i sigurt që ai u mungon të gjithë kalalinjve, shtëpisë së tij të lindjes në Kala, gurëve të Kalasë. Deni u mungon shokëve dhe miqve me të cilët ai është shoqëruar, por në veçanti më së shumti u mungon atyre me të cilët një kohë të gjatë ka lundruar me barka dhe anije nëpër dete dhe oqeane. Para se të filloj të shkruaj këtë portret modest kushtuar këtij njeriu të veçantë nga Kalaja, kam biseduar me shumë shokë të tij, të cilët ende jetojnë dhe të cilëve Deni u ka mbetur në kujtesë si shok i ngushtë, detar dhe komandant në disa anije ku ata kanë lundruar së bashku. Kur bisedojmë për barka dhe anije tejoqeanike, në veçanti me detarë dhe kapedanë të cilët ende jetojnë, na kujtohet edhe kapedan Skender – Deni Nimanbegu, një ndër më të njohurit nga kjo familje detare ulqinake nga Kalaja jonë. Pa dyshim që është e nevojshme të theksohet se detarët më të njohur të familjes detare Nimanbegu nga Kalaja e Ulqinit, si edhe të gjithë anëtarët e tjerë të këtij fisi të njohur nga Kalaja, kanë lënë gjurmë të pashlyera në detarinë tonë të famshme. Të gjithë u lindën dhe jetuan brenda bedenave të Kalasë. Detin, barkat, detarinë, navigimin dhe jetën në det të gjithë anëtarët e kësaj familjeje e kanë pasur në gjene dhe në gjak, të trashëguar nga të parët e tyre. Kështu edhe Skenderi i ka pasur këto veti të trashëguara, në veçanti nga gjyshi i tij kapedan Jakup Nimanbegu, prandaj nuk është për t’u çuditur përse edhe Deni tërë jetën e tij ishte në det.
Skender Nimanbegu ka jetuar në Kala deri në kohën e tërmetit katastrofik të vitit 1979 dhe ai gjithmonë e ka quajtur veten kalali. Deni ishte një personalitet dhe figurë markante, i cili ka pasur disa veti të rralla, të trashëguara nga të parët e tij. Ka qenë i mirë, “i butë“ siç thotë populli ynë, i sjellshëm dhe me një autoritet të veçantë në det. Unë nuk e kam harruar Denin dhe pa dyshim gjithmonë kam pasur ndër mend të shkruaj një portret për të pasi që në në librat e mi të mëparshëm kam shkruar për shumë kapedanë dhe detarë me nam, disa prej të cilëve nga familja e njohur detare Nimanbegu nga Kalaja. Prandaj, në librin tim nga cikli “Ulqini, Florini – Portrete, In memoriame” gjithmonë do të ketë vendin e merituar edhe Skender – Deni Nimanbegu.

Ka filluar të lundrojë si kadet, në vitin 1963 në “Prekookeanska Plovidba“, pastaj si oficer i parë dhe më në fund si kapedan dhe komandant në anije të mëdha tejoqeanike. Në rolin e kapedanit dhe komandantit, dy herë ka lundruar me anije tejoqeanike në tërë rruzullin tokësor. Si kapedan ka lundruar 14 vite


Kur bëhet fjalë për familjen e njohur detare Nimanbegu nga Kalaja, duhet të përmenden ata më të njohurit, siç ishin vëllezërit Jakupi, Reshiti dhe Maliqi, por edhe Skenderi – Deni, i cili ka trashëguar gjenet e baballarëve të tij. Natyrisht, sot më i njohuri është kapedani Avdo Nimanbegu, figura më markante e Kalasë së ditëve të sotme – vital, i komunikueshëm dhe i qeshur, ashtu siç ka qenë gjithmonë. Atij i kujtohet kapedani Skender Nimanbegu, për të cilin flet gjithmonë me respekt, duke thënë se Deni ka qenë kapedan i vërtetë, i shkolluar, i aftë, guximtar, me sy të patrembur. Skenderi, i cili konsiderohet si kapedani më i arsimuar nga ky fis i njohur detarësh, i takon gjeneratës së kapedanëve të famshëm si Shaqir Peku, Maksut Tivari dhe Myzavid Bilali. Denin duhet ta kujtojmë, ta nxjerrim nga errësirra në dritën e historisë detare të lavdishme të qytetit tonë të bukur.
Ai u lind dhe jetoi brenda mureve të Kalasë sonë shekullore, mbi bedenin nga ana e jugut, nga ku gjithmonë ne si fëmijë kemi përcjellur barkat dhe anijet të cilat kanë kaluar pranë Kalasë sonë. Edhe Deni ishte me ne dhe gjithmonë syri i tij ka parë më larg mbi horizontin e largët, duke ëndërruar që një ditë të lundrojë në ato anije. Dëshira e tij u plotësua dhe ai u bë një ndër kapedanët më të famshëm dhe më të njohur nga Kalaja, duke vazhduar traditën e trasuar nga të parët e tij. Shumë prej këtij fisi, ku bën pjesë edhe Skenderi, vazhduan të lundrojnë nëpër dete dhe oqeane anembanë rruzullit duke mbajtur flamurin e detarisë shekuj me radhë. Ai pa dyshim gjendet në majën e piramidës së detarisë ulqinake.
Në vazhdim po jap disa të dhëna mbi këtë njeri të shtrenjtë të Kalasë dhe qytetit të bukur të Ulqinit. Skender Nimanbegu u lind më 10 nëntor 1942. Babai i tij ishte po ashtu detar, kurse nëna Mahmudija ishte një ndër zonjat më të njohura të Kalasë sonë. Deni ndërroi jetë më 13 shkurt 2010, duke lënë një zbrazëti të madhe te familja e ngushtë, por edhe te të gjithë ata të cilët e kanë njohur. Ai ka lënë gjurmë të pashlyera në detarinë ulqinake. Famën e detarisë ulqinake e ka përhapur çdokund ku ka lundruar. Gjithmonë ishte krenar që është ulqinak nga familja detare Nimanbegu nga Kalaja.
Deni ka ndjekur shkollën fillore në gjuhën shqipe, kurse shkollën e mesme dhe Fakultetin e Detarisë në Kotorr në gjuhën serbokroate. Natyrisht, ka filluar të lundrojë si kadet, në vitin 1963 në “Prekookeanska Plovidba“, pastaj si oficer i parë dhe më në fund si kapedan dhe komandant në anije të mëdha tejoqeanike. Në rolin e kapedanit dhe komandantit, dy herë ka lundruar me anije tejoqeanike në tërë rruzullin tokësor. Si kapedan ka lundruar 14 vite.
Pasi që e ka lënë lundrimin në det, Skender Nimanbegu ka punuar në agjencitë private të shpedicionit “Jugoshped” dhe “Hapaglloid” në Tivar. Kthimi në vendlindje pas lundrimeve është një gjë normale te të gjithë detarët, në veçanti tek ata të cilët vite me radhë jetojnë larg të afërmve. Deni ishte shumë i lidhur me familjen, kështu që me mall dhe nostalgji të madhe ka lënë timonin e anijes. Mirëpo, me shpirt dhe me zemër gjithmonë ka qenë i lidhur me det dhe anije. Kështu që edhe pensioni i merituar e gjeti në afërsi të detit dhe anijeve tejoqeanike, të lidhura në Portin e Tivarit. Zyra e tij dhe dritaret e saj ishin përballë portit dhe anijeve të cilat afroheshin dhe largoheshin nga porti. Një nostalgji e pafund. Kështu që edhe jeta e tij, pavarësisht nga familja e shëndoshë dhe dashuria e madhe ndaj saj, gjithmonë ishte pjesë e pandarë me detin dhe anijet. Kjo ndodh shpeshherë te të gjithë ata të cilët vite me radhë lundrojnë. Malli për vendlindjen dhe familjen iu bën që t’u kthehen rrënjëve me trup, por shpirti dhe mendja gjithmonë janë në det, në portet e caktuara dhe në kaltërsinë e detit dhe horizontit të largët, atje ku puthet qielli me detin.
Kapedan Skender Nimanbegu ishte njeri me një inteligjencë të jashtëzakonshme, njohës i shumë gjuhëve të huaja. E di se ka folur gjuhën angleze, gjermane, italiane dhe spanjolle. Në moshën 65-vjeçare ka dalë në pension, kurse ka ndërruar jetë në moshën 68-vjeçare. Shumë i ri për një njeri i cili nuk pati shumë kohë të jetojë në gjirin e familjes së tij, në shtëpinë e tij, së bashku me të dashurit e tij, të cilët vite me radhë i kanë munguar. Mirëpo, mendoj që kapedan Skender – Deni Nimanbegu ka pasur një jetë të bukur, të shëndoshë. Ai ishte i kënaqur, gjithmonë i qeshur, i mirë dhe i kulturuar. Pasuria e tij ishte jo vetëm dija, por edhe pasuria shpirtërore. Ishte kapedan me zemër të gjerë, ashtu siç është edhe deti, ku ai ka lundruar tërë jetën e tij. Prandaj, është mirë që personazhet siç ishte kapedan Skender – Deni Nimanbegu t’i kujtojmë dhe mos t’i harrojmë kurrë. Gjeneratat e sotme duhen të njihen me këta njerëz të cilët e kanë shënuar qytetin tonë të bukur në shekullin e kaluar. Ndoshta dikur edhe gëzojnë vendin e merituar në trashëgiminë tonë të lavdishme.

Të fundit

më të lexuarat