Ibrahim Cuca: Një jetë e përkushtuar arsimit dhe edukimit

Luljeta Avdiu – Cura

Ibrahim Cuca nga fshati Sukubinë, lindi më 06.03.1935. Regjistrohet në klasë të parë në paralelen e ndarë në Sukubinë. Shkollën 8-vjeçare e ka kryer në Katërkollë, kurse normalen 5 vjeçare “Milladin Popoviq” në Prishtinë. Në atë kohë normalja në fjalë ka qenë shkollë shembullore eksperimentale. Shkollën Normale e përfundoi në vitin 1958 dhe fiton titullin – mësues i diplomuar.
Nga e majta: Brahim Cuca, Beqir Kasneci, Osman Ibroçi, Bajram Rexha, Riza Rexha,
Ulur nga e majta: Sabri Holli, Mehmet Cuca, Fadil Taipi, Xhevdet Hollaj, nxënës në Normalen e Gjakovës, viti 1952.
Misionin e mësuesit Ibrahimi e filloi në vitin shkollor 1959/60, në Shkollën Fillore Popullore në Kllezen, ku punoi një vit shkollor. Në vitin tjetër, 1960/61, transferohet në Shkollën Fillore Popullore në Krythë, mandej në 1961/62 kalon në Shkollën Fillore Popullore në Shkodër. Në vitin 1962/63 punoi në Shkollën fillore në ShënGjergj. Në vitet 1963/64 dhe 64/65 punoi në Shkollën Fillore ”Bedri Elezaga” në Katërkollë, Paralelja e ndarë në Millë.
Në vitin 1965/66 përsëri caktohet në Paralelen e ndarë Shkodër dhe aty punon deri në vitin 1983/84. Në vitin 1984/85 për herë të parë caktohet të punojë në vendlindje, Paralelen e ndarë në Sukubinë. Aty vazhdon pa ndërprerje deri në dhjetor 1998.
Mësues Ibrahimit ju ndanë edhe çmime në nivel të shkollës dhe në nivel komunal.
Për punë të suksesshme në procesin arsimor-pedagogjik në Paralelen e ndarë në Millë, në vitin shkollor 1964/65, drejtori i Shkollës fillore ”Bedri Elezaga”, Junuz Divani, njëkohësisht edhe këshilltar i lartë pedagogjik republikan, mësuesin Ibrahim Cuca e lavdëron dhe i ndan shpërblim shkollor.
Po ashtu për punë shumë të dalluar e të çmuar në procesin arsimor-pedagogjik, përhapjen e diturisë, edukimit dhe kulturës shkollore të nxënësve, Kuvendi i Bashkësisë Vetëqeverisjes së Interesit për Edukim dhe Arsimim Parashkollor e Fillor i Komunës Ulqin, për Vitin shkollor 1989/90, të njëjtit, mësuesit Ibrahim Cuca, në tubimin solemn të punëtorëve të arsimit, mbajtur më 1 qershor 1990 i ndan çmimin – Diplomën “Punëtori më i mirë i arsimit në Komunën e Ulqinit” dhe shpërblimin në para të gatshme.
Në dy faqe që i ka shkruar me dorën e tij në vitin 2010 ndër të tjera shënon:
“Kam punuar plot 40 vjet në arsim. Kam punuar me kënaqësi e me vullnet të plotë. Të punosh me nxënës është nder dhe lavdi. Kurrë nuk kam ndier lodhje megjithëse kemi punuar në kushte shumë të vështira. Ka qenë koha kur s’kemi pasur as rruga as rrymë, as mjete mësimore. Mjet mësimor ka qenë dërrasa e zezë, shkumësi, fjala e gjallë e arsimtarit.
Kam pasur vullnet, kam qenë i afërt me nxënës dhe ata me mua. Gjithmonë kam arritur suksese të mira. Dikur mësuesi ka pasur shumë autoritet si te nxënësit, prindërit dhe te populli. Kur krahasojmë të kaluarën me të tashmen ka shumë dallim, këtë e dëshmon jeta e përditshme. Të jesh mësues i mirë në procesin edukativo-arsimor është nder dhe lavdi. Dua të theksoj se edhe shumë të tjerë kanë qenë të lavdëruar, të nderuar si mësues dhe edukatorë të mirë. Në tërësi kur bëhet krahasimi i mësuesve të atyre viteve me këto të sodit ka dallime”.

Në vend të përfundimit
Mësuesi Ibrahim Cuca ishte një figurë e ndritur në historinë e arsimit në Anë të Malit, një njeri që me përkushtimin e tij të palëkundur për edukimin dhe formimin e brezave, la një trashëgimi të pasur dhe të pavdekshme në zemrat e nxënësve dhe kolegëve të tij. Pavarësisht vështirësive dhe kushteve të pafavorshme, ai punoi me një vullnet të paepur, duke përdorur mjetet më të thjeshta për të ndriçuar mendjet e të rinjve dhe për t’i frymëzuar ata drejt dijes dhe vlerave të larta morale.
Me një karrierë që zgjati plot 40 vjet, mësues Ibrahim Cuca u bë shembulli i një edukatori të vërtetë, që e shihte profesionin e tij jo vetëm si një punë, por si një mision dhe një nder të madh. Lavdërimet dhe shpërblimet e shumta që mori gjatë jetës së tij profesionale, përfshirë titullin e lartë “Punëtori më i mirë i arsimit në Komunën e Ulqinit”, janë dëshmi e kontributit të tij të jashtëzakonshëm në arsimin shqiptar.
Në një kohë kur teknologjia dhe mjetet e përparuara mungonin, ishte fjala e tij e gjallë, përkushtimi dhe dashuria për nxënësit që bënë ndryshimin. Këtë dashuri ai e ruajti deri në ditët e fundit të karrierës së tij, duke qenë një udhëheqës i palodhur dhe një burim frymëzimi për breza të tërë.
Këndi i kujtimeve: Një dhomë muze për nderimin e mësuesve të merituar
Krijimi i një hapësire muzeale në shkollën “Bedri Elezaga” për të nderuar mësuesit e merituar, si Ibrahim Cuca, do të shërbente si një homazh i përhershëm për kontributin e tyre në edukimin e brezave. Kjo hapësirë me përmbajtje fotografi, biografi, çmime, mirënjohje dhe artefakte që pasqyrojnë jetën dhe punën e këtyre mësuesve, do ishte një hapësirë me vlerë të madhe. Muzeu do të ishte një vend reflektimi për nxënësit dhe komunitetin, duke ruajtur dhe promovuar trashëgiminë e këtyre figurave të shquara të arsimit.

Të fundit

më të lexuarat