I ndihmon krijuesit nga Ulqini

Gani Karamanaga

Rrëfimi 1
Zogajt e Shkodrës
Ishim familjarisht në restaurantin “Te Hilmija” në Zogajt e Shkodrës në buzë të liqenit. Flitet se së shpejti do të hapet pikë kufitare ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi, Zogaj-Skje.
Restauranti gjindet në një vend i mrekullueshëm. Pllazhi me zhavor të imët, liqeni i pastër, pamje në Shkodër prej së largu.
Në dalje të restaurantit u takuam me Sabri Gjonin. Ai një kohë të gjatë jeton në Nju Jork, kishte ardhur me familje për pushim në Ulqin dhe kishte shkuar për drekë në këtë restaurant.
Me ta ishte edhe plaka Aishe, nëna e bashkoshortes së Sabriut. I thanë:
“Ky është Dr. Gani Karamanaga”.
Plaka u gëzua. U përqafuam.

Rrëfimi 2
Takimi në vitin 2015
Nëna e Agimit
Në dalje të Shtëpisë së Shëndetit m’u afrua një grua e moshuar dhe më pyeti: “A jeni Ju Dr. Gani?“ U përgjigja se po. Ajo vazhdoi: “A e dini se kush jam?” Mendova, nuk munda të kujtohesha menjëherë. Gruaja e moshuar më ndihmoi: “Jam nëna e Agimit, më vjen shumë mirë që të takova”.
U larguam. Fillova që të mendoj. I zbulova kujtimet. Kishin kaluar më tepër se njëzet vjet. Gruaja që më takoi ishte nëna e një të sëmurit, i cili ka qenë një djalosh me probleme mendore. Shumë herë nëna ka ardhur me Agimin në vizita te unë. Kam qenë edhe në shtëpinë e tyre. Agimi vështirë ka folur, ka pasur disa herë infeksione të organeve të frymëmarrjes. Me mua ka zhvilluar një kontakt të mirë. Agimi ka pasur dy motra. Krejt familja e tij i ka përkushtuar një kujdes të veçantë. Agimi ndërroi jetë pas një infeksioni të rëndë respirator. Nëna e Agimit jeton në Amerikë te vajza e martuar. Kishte ardhur në pushim që të vizitojë Ulqinin.

Rrëfimi 3
“Bella Vista”
Me Sabri Gjonin e lamë takimin te restauranti “Bella Vista”. U vonova 10 minuta. Kur mbërrita, Sabriu ishte duke folur me Hajro Ulqinakun.
Duke u arsyetuar për vonesë, Sabriu tha:
“Kam pasur kënaqësi që të njoftoj Hajro Ulqinakun”.
Në mes tjerash Hajro i tha Sabriut:
“Ti ke bë një gjest human, të mirë, patriotik. Ja ke mundësuar specializimin nga gjinekologjia dhe akusheria doktoreshës Zylfije Gjoni-Duraku. Pushteti i atherëshëm nuk donte përparimin e kombit tonë shqiptar…”.
U ndërlidha në bisedë:
“Ishin kohrat kur ishte politika e serbomëdhenjve e cila e ka ngadalsuar arsimin dhe edukimin e kuadrove shqiptarë në mjekësi si edhe në lëmi tjera. Në specializim për gjinekologji dhe obstetri me pagesën e tyre shkuan në Novi Sad Dr.Zylfije Duraku, Dr. Sadije Hollaj dhe Dr. Teuta Hoxha .
Me ardhjen e tyre u mundësua edhe puna në Maternitet i cili filloi punën më 5 shkurt 2005”.
Vazhdova:
“ Dr. Zylfije Duraku është mjeke e mirë, puntore e madhe, aktiviste në disa fusha në lëmi shoqërore, kryetarja e OJQ “Anima” për të drejtat e gruas, por një gjë nuk e ka të mirë, të gjitha këto punë-aktivitete duhet me i regjistrua, me i qitë në letër. I kam thënë disa herë. Mundem edhe t’i ndihmoj”.
Sabriu tha se edhe ai i bashkëngjitet këtij mendimi. Duhet shkruaj në libër për të gjithë punën e saj të deritanishme.
Ai vazhdon:
“Puna jote është një inspirim, shkruan, lë gjurmë… I kam edhe unë disa materiale, mundësisht do të shkruaj ndonjë gjë.”.
Sabriut i dhurova dy librat më të rinj:”Shkolla fillore në Ulqin – historiku dhe veteranët”, bashkëautor me Hajro Ulqinakun. Si edhe “Mullini i Erës”. Prej këtij i lexova diçka shkurt çka kam shkruar për vëllaun e tij Dr. Daut Gjonin.
“Fllimi i dekadës së shtatë të shekullit XX. Isha kujdestar në Spitalin e Tivarit. Atë natë me mua ishte shoku im nga fëmijëria dhe shkolla për infermieri në Cetinë, Daut Gjoni. Ai kishte kryer Fakultetin e Mjekësisë para disa ditëve në Zagreb. Në spital ishte nëna e tij. I fola Dautit:
“Pse nuk mundohesh të punësohesh këtu në Ulqin ose në Tivar?”
Dauti më tha:
“Kam vendosur të shkoj për Amerikë…”.
Në Amerikë Dr. Daut Gjoni është një ndër emrat më të njohur sa i përket mjekëve gjinekologë shqiptarë. Shpesh vjen në vendlindje. Ai e ka dhuruar mamografin për Shtëpinë e Shëndetit të Ulqinit. Në një emision të cilin e emitoi TVMZ në gjuhën shqipe “Mozaiku” për Dr. Dautin dolën edhe pesë fëmijët e tij duke luajtur në kopshtin e tyre në Amerikë. Dr. Daut Gjoni është shumë i lidhur me vendlindjen e tij, por fëmijët e tij janë amerikanë, ata nuk vijnë kurrë për të jetuar në Ulqin”.
Më 18 qershor të vitit 2023 u takova prap me Hajron. Filluam bisedën lidhur me Sabri Gjonin. Hajro thotë:
“Sabri Gjoni është një ndër burrat më të mire të cilët i ka Ana e Malit edhe Ulqini”.

Rrëfimi 4
Nga biografia
Shkollimi dhe emigrimi në SHBA
Sabri Gjoni u lind në Katërkoll në vitin 1953. Aty kreu shkollën fillore, kurse gjimnazin e përgjishëm në Ulqin. Ka dashur të regjistrojë mjekësinë së bashku me vëllaun e tij Metin. Por regjistrojnë juridikun, fillimisht në Prishtinë. Vazhdon dhe i mbaron studimet në Zagreb.
Në Kripore të Ulqinit punoi prej vitit 1980 deri në vitin 1984. Ishin ato kohra të vështira edhe për shqiptarët në Malin e Zi. Drejtoria e Kripores kërkonte prej tij të deklarohet. Sabriu gjithmon thoshte si është shqiptar. Në Malin e Zi shqiptarët, posaçarisht ata të arsimuarit kanë pasur presione. Edhe sot, mendon se në atë kohë pushteti e ka përgatitur burgosjen e tij.
Këto ishin momentet kryesore që të emigronte në SHBA në vitin 1984.

Avokat i sukseshëm
Në SHBA e kompletoi edukimin juridik. Punonte shumë, krijoi familjen, qëndroi në këmbët e veta. Në vitin 1997 e ka dhënë provimin për avokat dhe hapi zyrën e avokaturës. Sot është avokat i sukseshëm, ka edhe të punësuarit avokatë tjerë në zyrën e tij.
Tri lëndë të Sabri Gjonit më argumente janë botuar në revistën prestigjioze “BAE EXAMI”.
Sabri Gjoni ka tre djemë edhe një vajzë. Bashkëshortja vazhdon shkollimin në Nju Jork duke krye fakultetin dhe magjistraturën.
Djali i madh Genci është gjithashtu avokat.
Djali i dytë Leonardi punon në përgatitje të studentëve për Fakultetin Juridik.
I treti, Randi është inxhinier elektronike kompjuterike.

I ndihmon krijuesit
Sabri Gjoni i ndihmon krijuesit nga Ulqini. Më pyeti se çka jam duke përgatitur.
U përgjigja:
“Jam duke shkruar një libër për mërgimtar. Ata që u larguan, por vendlindjen e duan dhe e kanë në zemër. Për këtë libër kam konkurruar te Fondi për Pakica këtu në Malin e Zi”.
Menjëherë tha:
“Jam i disponuar që të të ndihmoj. Kam mbështetur disa krijuesnga Ulqini..”.
Vazhdova:
“Për botimin e librave të mi më kanë ndihmuar – sposorisuar institucionet nga Ulqini dhe Mali i Zi në përgjithësi. Jam mirënjohës për të gjithë. Kësaj radhe do të pres rezultatet e konkursit të Fondit për Pakica..”.
Sabriu prap foli:
“Gjithsesi më lajmëro kur të dalin rezultatet e Fondit..”.
Sabri Gjoni emigroi në SHBA kur ishin kohëra të vështira për kombin tonë.
Në Ulqin vjen rregullisht 2-3 herë në vjet. Fëmijët e tij e duan vendlindjen e prindërve të tyre. E flasin mirë shqipen.
U përshëndetëm:
“Të dielën kthehem për Nju Jork. Por këtu jam prap në gusht”.
(Nga libri “Valixhja nga Amerika – mërgimtarë”)

Të fundit

më të lexuarat